Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

DIKTATURA, TRIDHJETË E PESË VITE MË PAS

Janë mbyllur tashmë tridhjetë e pesë vite qysh nga fundi i kapitullit të diktaturës totalitare shqiptare, kohë e mjaftueshme për t’u rritur dhe formuar një dorë cilësore studiuesish të dedikuar për t’ia shqyrtuar asaj historinë. Për fat, lëmia nuk kërkon aq përgatitje të mundimshme e kushtueshme si, bie fjala, studimet bizantine apo osmane, të cilat lypin pajisje me një paletë gjuhësh të vjetra e të reja. Këtu, për punën arkivore shqipja është e gatshme, njohja qoftë edhe e një gjuhe të madhe mjafton për kornizën teorike. Vështirësia e studimit qëndron te fryma e tributare e Tiranës së sotme ndaj të djeshmes, ngurruese t’i afrohet shumë monstrës totalitare. Ndaj, për formimin e mirë dhe të shpejtë të një aradhe studiuesish shqiptarë të diktaturës i jemi falë kryesisht dheut të huaj.

Në numrin e saj më të fundmë, revista « Përpjekja » i rikthehet diktaturës me një dynumërsh të konceptuar në dy pjesë të veçanta: Studime mbi diktaturën komuniste shqiptare dhe Qasje metodologjiko-teorike mbi komunizmin, me preokupimin për t’i lënë hapësirën e merituar studiuesve shqiptarë të rinj, e më pak të tillë, por vërtet të talentuar të kësaj lëmie, që të pasqyrojnë një spektër sa më të gjerë qasjesh e këndvështrimesh, pa nënvlerësuar studime nga më cilësoret të skenës ndërkombëtare, krejt të reja apo më klasike, por të pabotuara më herët në gjuhën shqipe. Përqasja, në të vërtetë, është një metodë të cilën « Përpjekja » e ka bërë formulë të vetën që në fillimet e saj më se tri dekada më parë; përnjëmend, çfarë e bën revistën « Përpjekja » një platformë të rrallë dialogu midis mendimit e studimit më të mirë shqiptar dhe atij tejshqiptar.

Në këtë dynumërsh të titulluar « Shqiptarët dhe diktatura komuniste », studiuesit shqiptarë paraqiten me punime të vyera rreth një serie aspektesh të diktaturës: Sofokli Meksi me mënyrat e komunikimit të shtetit stalinist me masën; Doan Dani me mistikën revolucionare komuniste; Enis Sulstarova me mesianizmin enverist; Ylber Marku me marrëdhënien e partisë-shtet me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik; Elidor Mëhilli me një reflektim mbi arkivat; Irida Vorpsi me shfrytëzimin e fotografisë si burim studimor; dhe Idrit Idrizi me jetën e përditshme në socializmin e vonë. Është fat i madh kjo panoramë e larmishme e këtij brezi të parë studiuesish të diktaturës shqiptare formuar në liri, meritë krejt individuale e secilit, një pjesë bashkëpunëtorë të vjetër të « Përpjekjes », të tjerët krejt të rinj.

Megjithatë, le të kujtojmë se historia e diktaturës shqiptare nisi të shqyrtohet me mjeshtëri dhe në kohë reale nga të tjerë studiues pararojë shqiptarë, kthjelltësia e vështrimit të të cilëve u shndërrua qysh herët në referencë të paevitueshme për studimin e saj jashtë RPSSH. Qenë pikërisht punimet e studiuesve si Peter R. Prifti[1], Arshi Pipa, Sami Repishti[2] apo Elez Biberaj[3] çfarë e përshpejtuan përsosjen e formimit të mjaft studiuesve të spikatur perëndimorë, të cilët e lëvruan edhe ata studimin e totalitarizmit shqiptar në kohë reale. Shqyrtimet e hershme të prishjes me Kinën nga M. Käser; të ringrohjes me Jugosllavinë nga P.F.R. Artisien; e të pozave patriotike të partisë-shtet për çështjen e Kosovës nga P. Wiles u mbështetën në ekspertizën e studimeve paraprake të RPSSH hartuar nga brezi i parë i studiuesve shqiptarë të saj.

Linjat e studimeve mbi diktaturën komuniste shqiptare

Dy linja e përshkojnë hapësirën që « Përpjekja » u kushton studimeve mbi diktaturën komuniste shqiptare. E para është ajo e stacioneve historike të PKSH-së dhe shtetit që ajo ndërtoi. Kronologjikisht, punimi themeltar i kësaj linje është ai i përgatitur nga Daniel Pérez, i një dobie të paçmueshme. Bazuar në materialet arkivore të Beogradit, Moskës dhe Tiranës, të cilat ruajnë thesaret e raporteve, procesverbaleve dhe letërkëmbimeve midis komunistëve shqiptarë, jugosllavë e sovjetikë e plot të tjerë, Pérez-i përqëndrohet të hedhë dritë mbi një periudhë që jo rastësisht është ruajtur e errët: fillimet e aventurës drejt pushtetit së PKSH-së nën tutelën e plotë të Partisë Komuniste Jugosllave, një rrugë e nisur gjatë Luftës së Dytë me artifice « frontesh » e « vijash kombëtare » si mjete për arritjen e këtij qëllimi. Dritë e mjaftueshme i hidhet në këtë studim përqëndrimit parësor të PKSH-së në fitimin e Luftës Civile, qëllim ky i cili tejkalon për nga rëndësia thirrjet për unitet antifashist.

Punimi dytë, ai i Ana Lalajt, hedh dritë mbi objektivin e projektit të Federatës Ballkanike të më se 80 viteve më parë: vendosjen e gjithë hapësirës shqiptare nën kontrollin e Jugosllavisë. Në vazhdim, punimi i Ylber Markut rindërton minutat e thyerjes së aleancës me BRSS-në dhe qëllimin e saj prozaik; ai i Michael Käser-it shqyrton në kohë reale e me një mprehtësi kirurgjikale domethënien politike dhe ekonomike të prishjes së aleancës me Kinën. Në mbyllje, Peter Wiles trajton me sarkazëm cinizmin e partisë-shtet gjatë demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ndërsa Patrick F.R. Artisien e vështron idilin e dytë me Jugosllavinë si improvizim i fundregjimit diktatorial për të mbijetuar pas prishjes me Kinën. Tri punimet e fundit, shkruar thuajse në kohë reale, bartin tharmin dhe ngjyrën e kohës së kampit kundërshtar, pa humbur shumë në notën e cilësisë në njohuri dhe analizë.

Linja e dytë i kushtohet ndërveprimit të diktaturës totalitare me shoqërinë dhe mjeteve të kontrollit që ushtronte ajo mbi të. Enis Sulstarova ndërmerr shqyrtimin e figurës mesianike që përftoi enverizmi, ndërsa Doan Dani shqyrton në imtësi të gjitha aspektet e mistikës revolucionare: gurë këta themeltarë të fesë së pushtetit diktatorial. Sofokli Meksi paraqet një studim të dedikuar mbi një nga institucionet e kontrollit të shoqërisë nën diktaturë: letrat nga populli, një thesar ky aq i çmuar sa ruhet tashmë nën masa sigurie larg syve të studiuesve. Pjesë e kësaj linje është edhe punimi i Francesco Zavatti-t, i cili trajton përpjekjet e dëshpëruara të partisë-shtet për legjitimim dhe valutë në shtete evropiane formalisht neutrale, përmes shoqatash miqësore e me programe në dukje kulturore e turistike, hartuar, në fakt, prej fanatikësh maoistë e enveristë.

Dy punime jashtë kategorie

Dy fjalë për punimet e pakategorizuara të kësaj pjese të parë, ai prej Kastriot Dervishit dhe ai i Tadeusz Czekalski-it, çelësa të mirëfilltë leximi të ngrehinës së shtetit totalitar të pasluftës:

I pari, është repertori makabër i Arkipelagut të Gulagut shqiptar, ndoshta më shteruesi që botohet deri më sot: ai i institucioneve të skllavërimit dhe shkatërrimit të bartësve të ndërgjegjjes së gjithë një shoqërie. Të pasionuar pas sensacioneve epidermike të artit kontemporan, Tiranës së sotme ky repertor mund t’i hyjë në punë për ndonjë instalacion.

I dyti, përqendrohet në lehtësinë cinike të institucioneve të kujtesës të ngritura prej shtetit, të dënuara të ngarendin pas sensacionalizimit turistik të krimit komunist.

Dialogu i qasjeve metodologjiko-teorike

Pjesa e dytë që dynumërshi i « Përpjekjes » i kushton studimit të diktaturës është ajo për qasjet metodologjiko-teorike mbi diktaturën komuniste. Kjo pjesë ndërmerr të pasurojë debatet në hapësirën shqiptare nisur nga korpusi studimor brenda një hapësire evropiane sa perëndimore, aq edhe lindore; një hapësirë e cila bart në ndërgjegje jo një, po dy diktatura totalitariste të njëpasnjëshme të shekullit XX: hapësirën gjermane. Nisur nga përvoja saj, Idrit Idrizi, hartuesi i kësaj pjese, vendos në dialog të drejtpërdrejtë disa prej studimeve më cilësore të saj me ato shqiptare. Kështu, pala e parë në dialogun që i vë vetes qëllim të pasqyrojë kjo pjesë ndërtohet me analiza të bazuara në pesë burime për studimin e diktaturave komuniste:

  • përmbajtja e dokumenteve arkivore përmes një punimi nga Klaus Gestwa, që shtjellon sfidat dhe zhgënjimet në përdorimin e tyre në hulumtime;
  • historia gojore në përjetimet dhe kujtimet e diktaturave në hapësirën e evropiano-lindore me një punimin nga Julia Obertreis dhe Anke Stephan, që shtjellojnë metodikën e historisë gojore;
  • potenciali i filmit si burim historik nga Susanne Schattenberg, që përqëndrohet në theksin posaçërisht të rëndësishëm që i vinin filmit sovjetikët;
  • mënyrat e konceptimit të propagandës te pritësit nga Rainer Gries, që vëren sidomos ndikimin e reagimit të pritësve të propagandës te hartuesit e politikave të saj;
  • strategjitë e legjitimimit të pushtetit dhe format e pranimit të tyre në masa nga Martin Sabrow, që mëton ta qartësojë funksionimin e sistemit komunist në kontekst.

Në palën përballë, atë shqiptare të dialogut, paraqiten tri studime të hartuara nga studiues, të cilët dialogojnë me kolegët e tyre gjermanë mbi bazën e burimeve të njëjta për studimin e diktaturës komuniste shqiptare: Elidor Mëhilli me çështjen e arkivave si burim; Irida Vorpsi me peshën e imazhit; dhe Idrit Idrizi me historinë gojore mbi periudhën e fundit të diktaturës.

Dy fjalë përmbyllëse

Nuk është hera e fundit që revista « Përpjekja » hedh vështrimin nga diktatura komuniste. Në një dimension të caktuar, vetë arsyeja e qenies së « Përpjekjes » është studimi i diktaturës totalitariste shqiptare dhe pasojave të saj të tmerrshme, e me sa duket të pashlyeshme në shoqërinë shqiptare. Në pamundësi për të qenë dashamirës me udhën e përshkuar në tri dekada e gjysmë, inkurajohemi me cilësinë e studiuesëve të rinj shqiptarë në këtë dynumërsh, një pjesë e të cilëve janë rritur, kush më shumë e kush më pak, me « Përpjekjen ».

(c) 2025 Holta Vrioni. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] Prifti, Peter R., Socialist Albania Since 1944: Domestic and Foreign Developments, Cambridge, Mass., The MIT Press, 1978; Prifti, Peter R., Albania’s “Cultural Revolution”, Center for International Studies, MIT, Cambridge, Mass., September 1968; Prifti, Peter R., “The Albanian Women’s Struggle for Emancipation”, Southeastern Europe II,  2, 1075, f. 109-129, etc..

[2] Pipa, Arshi & Repishti, Sami (bot.), Studies on Kosovo, East European Monographs, Columbia University Press, New York, 1984. Variant i rishikuar i prezantimeve të bëra gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën e mbajtur më 6 nëntor 1982 në City University të New York-ut.

[3] Biberaj, Elez, Albania and China : A Study of an Unequal Alliance, Boulder – London, Westview Press, 1986.

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin