Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

ÇMIME DHE QOKA

Një lajm në mediat më kujtoi se Bashkia e Lezhës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit, ka disa vjet që shpërndan “Çmimet At Gjergj Fishta”.

Kur kisha dëgjuar për këtë çmim, kisha pandehur – jo pa emocion – se qenkësh rikthyer në jetë çmimi “Gjergj Fishta”, një nga çmimet kombëtare të letërsisë që jepte Ministria e Kulturës.

Këtë çmim e kisha fituar edhe unë, në 2009, me esenë “Shqipja totalitare.”

Pak kohë më pas, e njëjta Ministri, tashmë e ripërtërirë në udhëheqësi dhe ide, kish vendosur që të mos e jepte më këtë çmim, çfarë më kish bërë të ndihem drejtpërdrejt i lënduar.

Si fitues i dikurshëm, do të kisha pritur që çmimi të jepej vit pas viti dhe ashtu të pasurohej me prestigj (pak nga i cili njëfarësoj do të kalonte deri tek unë); sepse një çmim e fiton vlerën edhe në rrjedhë të kohës, nëpërmjet atyre veprave që e kanë fituar.

Dua të them: marrja e çmimit e ndryshoi – sado në mënyrë delikate – edhe marrëdhënien time me Gjergj Fishtën; por nuk ndikoi në marrëdhënien time me institucionin që e dha çmimin.

Kur Ministrja e atëhershme e Kulturës pat vendosur që të mos e jepte më çmimin “Gjergj Fishta”, kjo ishte njëlloj sikur të ma kishin mohuar e hequr atë nderim edhe mua. Arbitrariteti ka edhe fuqi prapavajtëse.

Kjo e krijimit dhe e zhbërjes së institucioneve – përfshi këtu edhe çmimet – dëshmon një moskuptim amatorial ndaj mënyrës si funksionon tradita në kulturë. Njëlloj u veprua edhe me çmimin “Ardian Klosi”, të cilin filluan ta japin me pompë të madhe, por pastaj e lanë të degradohej, derisa një fondacion i huaj që e mbështeste vendosi të tërhiqej fare.

Ironikisht, edhe ky çmim më është dhënë dikur mua, në vitin 2014, për veprën “Shqipja totalitare”; por tani hezitoj që ta shënoj, në biografitë e mia autoriale – sepse çmimi është harruar dhe ndonjëri do të kujtojë se po halucinoj.

Krijimi i një çmimi kulturor është akt me përgjegjësi; me po aq përgjegjësi sa edhe krijimi dhe publikimi i një vepre. Ata që e marrin përsipër, kanë edhe një lloj detyrimi moral, ndaj autorëve dhe veprave që zgjedhin të veçojnë.

Aq më tepër, nëse çmimi merr emrin e një personaliteti kulturor, atëherë zhbërja e tij – zakonisht për arsye meskine dhe mendjelehta – tradhton edhe një lloj cektësie të frikshme, nga ana e zhbërësve, ndaj respektit për traditën.

Në kuptimin që çmimi jo vetëm mëton vetvetiu që të shndërrohet në traditë, por edhe e nderon traditën nëpërmjet emrit. Në vitin 2009, kur unë fitova çmimin “Gjergj Fishta”, u dhanë edhe çmimi “Faik Konica”, çmimi “Fan Noli”, çmimi “Petro Marko”, çmimi “Migjeni”, çmimi “Lasgush Poradeci”, çmimi “Jusuf Vrioni”, çmimi “Mitrush Kuteli” dhe çmimi “At Donat Kurti”.

Ka një fill që i bashkon këta emra, në mënyrë të tillë që çdo fitues aktual i çmimit përkatës do të ndihej pjesë e një përpjekjeje kolektive për ndriçimin kulturor të kombit.

Nëse i mendoi këto gjëra personi që e ndërpreu dhënien e këtyre çmimeve, këtë nuk do ta dimë kurrë.

Natyrisht, asnjë institucion politik a kulturor nuk ka monopolin në emërtimin e çmimeve që shpërndan; pak vjet pas heqjes së çmimit “Gjergj Fishta” nga Ministria e Kulturës, një çmim me të njëjtin emër u rifut në qarkullim, tashmë nga një tjetër institucion publik: Bashkia e Lezhës.

Do të më thonë që ky i dyti ndryshon nga i pari, sepse ka shtuar një “at” tek emërtimi – duke u quajtur çmimi “At Gjergj Fishta”, si për të theksuar se nderohet edhe poeti edhe kleriku. Mbase është vërtet kështu. Dhe, pavarësisht nga imtësitë leksikore, çmimi “At Gjergj Fishta” i dhënë nga bashkia e Lezhës nuk ka të bëjë me çmimin “Gjergj Fishta”, që jepej dikur nga Ministria e Kulturës.

Njëlloj siç mund të ketë një rrugë “Gjergj Fishta” edhe në Tiranë, edhe në Lezhë, edhe në Pejë, edhe në Ferizaj, edhe në – parimisht – në çdo qytet tjetër të botës, ashtu edhe i njëjti emër çmimi i përdorur disa herë nuk përbën ndonjë sakrilegj.

E megjithatë, sa kohë që dhënia e çmimit është edhe sakrament kulturor, ndalimi i dhënies së një çmimi njëfarë sakrilegji është: ndaj autorëve dhe veprave që e kanë marrë dhe ndaj autoritetit kulturor sipas të cilit është emërtuar.

Kjo shumësi çmimesh me të njëjtin emër është shprehje edhe e skamjes kulturore, e vizionit të ngushtë, e mendjes së shkurtër, mospërfilljes e ndoshta arrogancës së atyre që pushtetin e përjetojnë vetëm si licencë për arbitraritet; por edhe e një mungese serioziteti institucional.

Kur ndodh që një çmim që mban të njëjtin emër krijohet, pastaj zhbëhet, pastaj rikrijohet gjetiu, është krejt mekanizmi i nderimit me çmime të autorëve dhe të veprave që e humbet dinjitetin dhe prestigjin.

Me gjasë, paska qenë e nevojshme që të rikthehej një çmim me emrin e Gjergj Fishtës; por ky personalitet i kulturës ndoshta meritonte të mbetej i bashkëlidhur me një çmim kombëtar, të dhënë nga një instancë më e lartë – për shembull, nga Presidenti i Republikës.

Të veprosh ndryshe, siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, është të sillesh me çmimin si të ishte pullë poste ose kartëmonedhë.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin