Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

ANTIDOPINGU LETRAR

Të apasionuarit pas tenisit do t’i kenë ndjekur peripecitë e kampionit Jannik Sinner, i pezulluar për ca kohë ngaqë iu gjetën në gjak gjurmë të një lënde të ndaluar – Clostebol. Rezultoi se ky derivat sintetik i testosteronit, një steroid përndryshe i ndaluar për sportistët kompetitivë, paskësh depërtuar në trupin e tenistit nëpërmjet duarve të masazhatorit të tij, i cili kish përdorur një pomadë me atë përbërës. Doping-un e marrin seriozisht në ato nivele, sepse jo vetëm dëmton shëndetin e atyre që e marrin, por edhe komprometon besueshmërinë e një biznesi shumëmilionësh, siç ndodhi me çiklizmin pas skandalit me Lance Armstrong-un.

Në fusha të tjera, substancat që ndikojnë në performancë nuk këqyren me kaq ashpërsi. Vetëm në letërsi, janë të panumërt ata autorë që kanë abuzuar me alkoolin, opiumin, amfetaminat, kokainën, LSD-në dhe këpurdhat psikadelike; mund të sillja një listë kryeveprash që nuk do t’i kishim, pa ndihmën e kimisë dhe të farmacisë rekreacionale.

Robert Louis Stevenson-i pat shkruar një herë 60 000 fjalë për gjashtë ditë, me ndihmën e kokainës; Philip K. Dick merrte rregullisht speed, veç barnave psikiatrike; Aldous Huxley-n e ndihmonte meskalina; Jean-Paul Sartre-i ishte konsumator i rregullt i amfetaminës; njëlloj si Jack Kerouac; Edgar Allan Poe, William Faulkner dhe F. Scott Fitzgerald lektiseshin pas gotës; Charles Baudelaire shijonte pa masë hashishin, njëlloj si Dickens-i.

Dhe këtu nuk po përmend vese më të buta, si ai i Balzakut, që pinte deri 50 filxhanë kafe në ditë; njëlloj edhe si Voltaire-i (30-40 filxhanë) dhe Gertrude Stein, mes shumë të tjerësh; sikurse nuk po përmend as duhanin.

Ndokush mund të tundohet të argumentojë se shkrimtari i mirë ka nevojë të drogohet nga pak, që të vazhdojë të jetë i mirë; edhe pse mund ta paguajë pastaj këtë ves shtrenjtë, duke krijuar varësi. Shumë nga ne, që shijojmë letërsinë, nuk do t’i kishim shijuar dot autorët e librave tanë të preferuar, po t’i kishim njohur në gjendje të dehur, ose të topitur, ose të ndërkryer.

Nuk di të jetë propozuar kurrë anti-doping-u për shkrimtarët (dhe artistët në përgjithësi); përkundrazi, alterimi i vetëdijes, me çdo mjet të mundshëm, ndonjëherë mund të jetë e vetmja zgjidhje për ankthin që ndjell shterpësia. Shvejku e pat përkufizuar abstinentin si dikush që “pi ujë gjithë ditën dhe pëllet si lopë”; unë njoh ca nga këta edhe sot, që të paktën mëlçinë e kanë të shëndetshme. Një lopë pëllitëse e shumta mund të shquhet e të dominojë në tavolinat e kafesë dhe në prezantimet gjithfarësh, por jo në artin e fjalës.

Këto ditë të Panairit të Librit, flitet shumë për çmime, fanfara, ngadhënjime, juri të urtësh dhe vepra fituese; tanimë “gara” letrare ka filluar flet gjuhën e sportit – me kampionë, rekorde, kupa dhe ceremoni. Shumë fitimtarë kremtohen e duartrokiten, edhe pse veprën (ende) nuk ua ka lexuar askush; të tjerëve po u njihet më mirë fytyra dhe grimasa, se fjala. Së shpejti do të marrim vesh edhe për veprën më të shitur të Panairit, krahas veprës më të mirë dhe autorit më të mirë; ceremonitë përkatëse do të vlejnë, kryesisht, për lajmërimin e humbësve.

Si ajo lopa bajate e Shvejkut, flasim nga mëngjesi në darkë për fitore dhe çmime; ashtu ia nximë dekadat e fundit të jetës edhe shkrimtarit më të mirë që kishim, Kadaresë, që për disa sot nuk është veçse nobelisti (“shqiptar”) i munguar (këtu nuk po marr parasysh ata, dhe nuk janë pak, që mendojnë se Kadareja e fitoi përnjëmend Nobelin; dhe as ata të tjerët, që thonë: “për mua, e ka fituar me kohë”). Shtëpitë botuese vrapojnë të përkthejnë jo më veprat që i gjykojnë me vlerë për lexuesin dhe politikat e tyre kulturore, por veprat që kanë fituar ndonjë çmim diku, teksa juritë letrare marrin përgjegjësitë e jurive të gjimnastikës në Olimpiada, a të patinazhit në akull. Në vitrinat e librarive, librat përkatës mbajnë varur në qafë medaljet e fituara.

Meqë muhabetet për letërsinë po i dominon çmimi (edhe ai i librit në lekë dhe euro, edhe ai që i jepet autorit ose përkthyesit), atëherë merr hov edhe logjika inflacionare e rritjes dhe e shumëzimit të çmimeve. Unë si autor kam marrë të paktën katër çmime për librat e mi – dy prej këtyre janë çmime panairesh, ndërsa dy të tjerë kombëtarë, por që nuk jepen më. Paçka se një çmim letrar fiton prestigj edhe ngaqë është kthyer në institucion, duke u dhënë për shumë vjet. Çmimi Nobel, le Prix Goncourt, il premio Strega, the Pulitzer Prize: të gjithë këta i njohim, sepse i kemi njohur.

Përndryshe, nëse çmimet letrare vijnë e “sportifikohen”, dhe synimi i performativit letrar nuk është më leximi, por shpallja e këtij apo atij fituesi, ndoshta ka kuptim edhe të flitet për nevojën e një antidoping-u letrar, që të pengojë ndikimin e substancave artificiale dhe drogave, në arritjen e suksesit. Dhe nuk e kam fjalën për alkoolin, hashashin dhe hashishin, amfetaminat dhe këpurdhat; siç nuk e kam fjalën për kafen dhe duhanin. Dopingu që kam frikë se po u jep avantazh të pamerituar disa prej atletëve triumfatorë të skenës letrare është sot pushteti, tarafi, klientelizmi, krahinizmi, turbokapitalizmi politik, riciklimi i autoritetit kulturor, lëpirja, mega-qokat, kombinatorika e favoreve dhe, kushedi, edhe bursa e influencës.

Në pritje të këtij Godot-i, le të shijojmë çmimet e ardhshme, për librin më të palexuar, romanin më të sponsorizuar, vëllimin më të vëllimshëm; në mos edhe për autorin më të përfaqësuar në televizion, më të klikuar në mediat sociale, më fotozhenik; dhe së shpejti, çmimin e madh për librin që ende nuk ka dalë.

Janë gjëra që nuk të lënë të mërzitesh.

(c) 2025. Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Ky shkrim ka dalë tashmë edhe në substack-un Menditime.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin