Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Semiotikë

ËNDRRA A LA CARTE

Interpretime të romanit Pallati i ëndrrave të Ismail Kadaresë

E kam lexuar këtë vepër si bujtës i regjimit të Hoxhës, dhe refleksi im atëherë, në vitin 1982, ishte që ta projektoja kryeqytetin perandorak të novelës (atëbotë ende Nëpunësi i pallatit të ëndrrave) mbi arkitekturën reale të Tiranës; duke i dhënë kështu veprës një lexim ngushtësisht alegorik, si edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë. Nëse nuk gaboj, autori Kadare u qortua zyrtarisht për këtë ngjashmëri edhe në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga vetë kryetari i Lidhjes, D. Agolli. Pas gati 40 vjetësh, e kam të qartë se imi dhe i brezit tim nuk ka qenë leximi ideal i veprës letrare, por më shumë përdorimi i saj për të nxjerrë një mllef, një ankth, një mungesë oksigjeni.

Që romani ndërton një shoqëri distopike, ku pushteti mbijeton dhe riprodhohet në inkubatorin e paranojës së vet, për këtë biem dakord të gjithë. Përkundrazi, mbetet e hapur për debat se çfarë është Pallati i Ëndrrave si institucion, çfarë përfaqëson, për çfarë i duhet këtij pushteti pikërisht – pyetje këto që mund të bëhen në disa nivele. Modeli i panoptikon-it të Jeremy Bentham-it do ta reduktote ndërtesën në një lloj burgu; ose të paktën hapësire në funksion të survejimit të nëpunësve të vet; çfarë edhe mund të ketë një farë pertinence, por nuk është thelbi i romanit vetë. Nga ana ime, gjithnjë në vitet 1980, kisha përfytyruar një paralelizëm mes ëndrrave që dërgoheshin në Tabir Saraj dhe letrave të qytetarëve, prej të cilave përzgjidhej pastaj “bash-letra” që i shërbehej udhëheqësit suprem dhe që, jo rrallë, shërbente si detonator i një fushate të re spastrimesh: kjo ka ndodhur realisht në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, sikurse ka ndodhur në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Duke u përsiatur rreth funksionimit të Pallatit, që nga momenti kur nënshtetasit i dërgonin atje vullnetarisht ëndrrat, me shpresë se ashtu po ndihmonin në qeverisjen e Perandorisë, dhe pastaj nëpër hallkat burokratike të Recepsionit, Seleksionit, Interpretimit, Bash-ëndrrës dhe Arkivit, të gjitha këto për të përzgjedhur, mes mijëra e mijëra dorëshkrimeve që nuk ishin veçse ëndrra të narrativizuara, ose narrativa ëndrrash, për të përzgjedhur pra ëndrrën që do t’i jepej Sulltanit së bashku me interpretimin përkatës; duke i menduar të gjitha këto, pata një lloj epifanie: dhe pikërisht, që ky Tabir Saraj i romanit nuk ishte veçse grotesku distopik i një shtëpie botuese, me të gjitha elementet e kësaj të fundit: dorëshkrimet që dorëzoheshin, përzgjedhjet, redaktimet, interpretimet, arkivimet. Vetëm se kjo shtëpi botuese botonte fare pak, dhe produktet e saj ishin të destinuara për t’u konsumuar nga Sulltani.

Brenda logjikës narrative të romanit, botimi do të ishte thjesht përzgjedhja e një ëndrre për t’u përdorur pastaj si kontekst i një vendimi politik; çfarë do të thotë se produktet e këtij institucioni nuk i shërbenin “edukimit të masave” si letërsia e botuar në totalitarizëm; por drejtpërdrejt historisë, e cila pritej ta gjente rrugën (ta çante rrugën) duke u orientuar, në mënyrë mistike, nga interpretimet e pavetëdijes kolektive.

Të flasësh për pavetëdije kolektive, të vjen në mendje Jungu; që shfaqet herë pas here në veprën e Kadaresë, gjithnjë në kontekstin e marrëdhënieve midis pavetëdijes kolektive dhe folklorit, që ruan me këtë pavetëdije të njëjtin raport që ruan krijimi artistik individual me pavetëdijen e autorit. Dhe nëse është kështu, atëherë ëndrrat e narrativizuara, që dërgohen në Tabir Saraj nga të katër anët e Perandorisë, janë edhe copëza të një mozaiku total, dhe pikërisht pavetëdijes kolektive të shtetit, i cili ruhet pastaj në arkivin e institucionit; njëlloj siç ruhen këngët popullore, fjalët e urta, gjëzat, rrëfimet popullore dhe të tjera tekste a regjistrime në arkivin e një Instituti të Folklorit.

Ky interpretim i funksioneve të Tabir Sarajit si një institucion që vjel produkte të pavetëdijes kolektive (ëndrrat) për t’i arkivuar ose, sipas rastit, për t’i “botuar”, e ri-kontekstualizon edhe atë linjë të romanit ku flitet për baladën e Qyprillinjve; sepse rapsodët e ftuar në shtëpinë e vezirit kushëri të Mark-Alemit, për të interpretuar pjesë nga eposi, edhe ata sjellin në kryeqytet, në mënyrën e tyre, copëza të një pavetëdijeje tjetër kolektive, të papajtueshme me atë perandoraken. Kontakti i baladës së urës me ëndrrën që i kish kaluar duarsh Mark-Alemit, dhe që u bë me gjasë shkas për një larje hesapesh në kokë të pushtetit, nuk mund të ishte veçse shpërthyes, madje anihilues, si kontakti i materies me anti-materien. Tek e fundit, vetë rapsodët që mbajnë në kujtesë peshën e mijëra vargjeve të eposit dhe të baladave janë edhe ata kundërfigura e Tabir Sarajit, sa kohë që të dyja palët arkivojnë dhe mirëmbajnë elaborime narrativ cilësisht të ndryshëm nga e përditshmja ose edhe nga historikja e gjeneruar nëpërmjet vendimeve me arsye.

Nuk më duket e rastit që shumë prej ëndrrave të rrëfyera në roman janë, në të vërtetë, vizione; ose pranëvënie imazhesh dhe objektesh, pa pjesëmarrjen aktive të subjektit. Këtu mbase duhet të shtoj edhe se shqipja thotë shoh ëndërr, shoh një ëndërr, të kam parë në ëndërr e kështu me radhë, duke e sugjeruar me forcë reduktimin e ëndrrës në eksperiencë vizuale; dhe se, gjithnjë në këtë optikë, vetëm verbëria virtuale, ose mbyllja ndaj botës përjashta (simbolizuar nga arki-rapsodi Homer), do t’ua mundësonte këtyre vizionet në pavetëdijen kolektive – njëlloj si verbëria e përkohshme e të gjithë të tjerëve, që flenë symbyllur.

Modeli kullë i Tabir Sarajit i mëshon mbivendosjes së departamenteve të institucionit, duke e lidhur projektimin e bash-ëndrrës me një rrugëtim sipas përmasës vertikale – nga dheu drejt qiellit. Kësisoj, “recepsioni” i ëndrrave gjendet në nivelin e rrugës, ndërsa seksionet e tjera, nga përzgjedhja te sistemimi, interpretimi dhe bash-ëndrra i mbivendosen njëra-tjetrës; për t’ia lënë bodrumet, ose pjesën e nëndheshme, arkivit – ose vendit ku parkohen dosjet e ëndrrave të vjetra. Me seksionet e saj, kulla i përgjigjet konceptualisht, edhe pse në forma të ndryshme, modelit freudian të psyche-s, me id-in (ëndrrat), ego-n (Mark-Alemin si një lloj alter-egoje të autorit) dhe super-egon (pushtetin totalitar të projektuar në psyche-n e çdo nënshtetasi por edhe në atë institucionale) të shtjelluar sipas një aksi që kalon nga pavetëdija te para-vetëdija[1] dhe pastaj te vetëdija. Ky do të ishte aksi edhe i përftimit të ëndrrave, gjithnjë sipas modelit freudian; edhe i interpretimit të tyre; çfarë do ta shndërronte Tabir Sarajin në mishërim arkitektonik të doktrinës së Freud-it. Gjithsesi, i njëjti model do t’i përshtatej edhe vetë Perandorisë në roman. Nga ana tjetër, institucioni në fjalë është edhe një lloj shërbimi psikanalitik kolektiv, ku interpretuesit e ëndrrave përfshihen në aktivitet semiotik, për të dalluar kuptimet e fshehta të ëndrrave.

Pa dalë nga ky model, le të vërejmë se id-i atje pjesërisht artikulohet përmes narrativave (e tekstualizuara) të ëndrrave, të cilat nuk janë veçse copëza ose fragmente diskursive që mbërrijnë në Tabir Saraj për interpretim; ose gjuhë (langage) e Tjetrit tashmë e disektuar, e balsamosur dhe e arkivuar – çfarë do t’i referohej njëfarësoj modelit lakanian për pavetëdijen dhe strukturimin e saj; sidoqë këto narrativa ëndrrash nuk ndërveprojnë mes tyre përveçse në mendjen e interpretuesve. Kjo do ta afronte Tabir Sarajin me një magazinë narrativash “të dekomisionuara”, edhe pse ende toksike në mos radioaktive: ja një arsye më tepër pse ëndrra të tilla ruhen në magazina të nëndheshme. Dhe meqë, në analizë të fundit, vendimet e mëdha politike në Perandori merren në bazë të indicieve nga bash-ëndrrat, në arkiv ruhen jo vetëm mbetjet radioaktive të ligjërimit të pavetëdijes kolektive, por edhe drejtimet alternative që mund të kish marrë historia, ose – si në kabinetin e një natyralisti të çartur – embrione universesh të mundshme në formaldehid.

Nëse modeli lakanian e afron gjuhën (e Tjetrit) me pavetëdijen, atëherë ka vend për një krahasim edhe me modelin linguistik të Chomsky-t për një deep structure që i nënvendoset surface structure të gjuhës; edhe pse psikanaliza merret më shumë me simbole dhe analiza leksiko-semantike, ndërsa Chomsky-t i intereson para së gjithash sintaksa. Brenda këtij krahasimi, psikanaliza do të ndihmonte më shumë për të kuptuar ëndrrën si proces (çfarë ndodh gjatë përftimit të ëndrrës, zhvendosja, kondensimi etj. dhe lloje të tjera të metaforës), ndërsa modeli gjenerativ do të vinte ndoresh për të përshkruar formalisht narrativizimin e ëndrrës, ose çfarë ndodh kur e tregojmë ëndrrën, duke e përkthyer një eksperiencë psikike totale në diskurs gjuhësor (tekst).

Pavetëdija, strukturat e thella, errësira, nëndheu – të gjitha këto i referohen arkivit të Tabir Sarajit, sikurse i referohen krejt shtetit totalitar. Dhe arkivi ka rëndësi kritike jo vetëm ngaqë dokumenton ëndrrat e rrëfyera, në rrjedhë të kohës, nga nënshtetasit e Perandorisë, por edhe ngaqë atje ruhen dëshmitë e tërthorta të deep structures të diskursit onirik. Dhe, natyrisht, këtu nuk është fjala për koleksionet e ëndrrave në vetvete, por për parashikimin e të ardhmes: duke hedhur vështrimin në bodrumet e psikes kolektive, shteti kërkon të shohë të ardhmen e vet. Tek e fundit, nga shoh një ëndërr te shoh të ardhmen ndryshon vetëm objekti, jo folja – që i referohet gjithnjë syrit, të paktën në shqip.

Çdo model interpretativ i Pallatit të Ëndrrave do të ndjekë, sado në heshtje, parimin se arkitektura e këtij institucioni duhet t’ia ndjekë njëfarësoj destinacionin – një lloj izomorfizmi i formës me funksionin: në kuptimin që, sa për të sjellë një shembull, është jo vetëm simbolike, por edhe e sidomos më funksionale që arkivi të vendoset nën dhé, ndërsa “recepsioni” në nivelin e rrugës e kështu me radhë. Përtej këtij konstatimi elementar, nëse ka një model a një strukturë arkitektonike elementare që ndërtesa e përshkruar në roman i afrohet më shumë, ky është labirinti, si hapësirë korridoresh dhe kalimesh që nuk kanë për synim t’ia lehtësojnë rrugën vizitorit por, përkundrazi, t’ia vështirësojnë.

Simbolikisht, labirinti lidhet shpesh me sekretin, mbajtjen të fshehtë, kurthin, madje burgosjen: një nga labirintet e parë, i ndërtuar nga Daedalus-i për Mbretin Minos të Kretës në Knossos, mbante në zemër të vet një përbindësh: Minotaurin. Gjithsesi, kjo strukturë nuk është e thënë të ketë një konfigurim të caktuar: mjafton pamundësia për t’u orientuar. Në roman, Pallati i Ëndrrave shpesh i shfaqet personazhit kryesor dhe ndërvepron me të si labirint: Mark-Alemi nuk e gjen dot rrugën, madje rregullisht humbet nëpër korridoret, kur niset për të shkuar nga një seksion në tjetrin. Nga kjo pikëpamje, ai është “i humbur” (lost), si çdo individ tjetër përballë institucionit totalitar. Pa çka se labirinti i Tabir Sarajit nuk synon të kapë në kurth Mark-Alemin dhe as nëpunësit e tjerë të atjeshëm; qëllimi i tij është të ruajë brenda sekretin e madh, që mund të jetë bash-ëndrra, sikurse mund të jetë edhe zyra e fabrikimit të bash-ëndrrës ose seksioni i torturës a i hetuesisë. Ndërtesa konstituohet kështu si rrjetë merimange, duke i kapur të gjithë dhe gjithçka që i kuturiset brenda.

Mund të pyetet nëse ky strukturim prej labirinti i pallatit i përket ndërtesës si të tillë, apo është tipar që ndërtesa e ka fituar në rrjedhë të kohës, krahas me konsolidimin e funksionit të saj si arkiv i pavetëdijes kolektive. Kush ka hyrë në “Tabir Sarajet” e Tiranës totalitare, përgjithësisht godina plaçkë lufte prej së shkuarës dhe të ripërdorura, do ta ketë vënë re se ndjesia e konfuzionit dhe e çorientimit sa induktohet nga konfigurimi djallëzor i hapësirës brenda, aq edhe i detyrohet arsyes ose detyrimit që të pat çuar atje, dhomave dhe zyrave ku sekretohet pushteti, ku merren vendime për të gjithë, zhguajt prej molusku të mandarinëve të regjimit totalitar[2]. Të tilla ndërtesa e vuajnë konfliktin mes strukturës fillestare relativisht të pandryshueshme dhe nevojës së brendshme për rritje – shtimit të zyrave, seksioneve, departamenteve; shtimit të organikave; ndërlikimit të hierarkive. Nëse nga jashtë ndërtesa duket e barabartë me vetveten, brenda ndërkohë i kanë ndodhur transformime dhe përçudnime të frikshme, ndarje, prishje, murime, ridizajnime, bashkime, bypass-e, çarje, vulosje dritaresh… gati sikur hapësira e brendshme të dojë t’i shkëputë lidhjet me formën “ideale” të ndërtesës dhe të fillojë të transformohet në mënyrë organike, ose duke u rritur dhe u ndërlikuar sipas një logjike anti-gjeometrike. Për së brendshmi, seli të tilla institucionale do të vijnë duke u bërë të ngjashme, në rrjedhë të kohës, me foletë e milingonave; çfarë lidhet edhe me nevojën e burokracisë për t’u vetë-organizuar, në emër të instinktit të vetëmbrojtjes, por pa ndonjë përfillje për estetikën. Në kuptimin që, si çdo qenie “e gjallë”, edhe Tabir Saraji synon, para së gjithash, të ruajë dhe të riprodhojë vetveten, mundësisht duke u rritur dhe duke u komplikuar dora-dorës. Çfarë do të thotë që labirinti, me të cilin përballet më se një herë Mark-Alemi, është shenjë e një institucioni që ia ka dalë të ruajë veten edhe në hapësirë edhe në kohë; pra e traditës institucionale burokratike. Të qenët “i humbur” është, për nëpunësin e ri, efekt anësor i “leximit” të tij nga sistemi imunitar i ndërtesës, që refuzon t’ia hapë dyert dhe t’ia ofrojë brendësinë e vet kujtdo.

 

(c) 2018-2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kjo ese bazohet në thelb në ndërhyrjet e mia në një seminar të organizuar , në dhjetor të vitit 2018, nga prof. Elisabetta Terragni në The Bernard & Anne Spitzer School of Architecture, The City College of New York. Një version i saj është botuar në dy pjesë, te kjo revistë, në vitin 2018.


[1] Ky term i përgjigjet gjermanishtes das Vorbewusste dhe, sipas Freud-it, emërton atë pjesë të vetëdijes që mund të jetë e pranishme në një moment të caktuar, por pa qenë e ndrydhur si pavetëdija. Për shembull, unë e di që Beethoven-i është autori i uverturës Egmont, edhe pse para se ta shkruaja këtë, nuk e kisha thirrur këtë informacion në vetëdije për vite.

[2] Këtu kam parasysh atë gaforrez të njohur me emrin ballore (angl. hermit crab), e cila adopton si shtëpi të vetën zhguallin a guaskën e një molusku çfarëdo.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin