Duke shfletuar faqet online të gazetave italiane, vura re se në seksionin e kulturës flitej ende – dhe me të drejtë – për trashëgiminë e lënë pas nga Pippo Baudo, prezantuesi dhe producenti i njohur televiziv që vdiq këto ditë; dhe atje lexova, mes të tjerash se Amadeus, që prej shumëve konsiderohet si vazhduesi dhe trashëgimtari i mjeshtrit në televizionin e sotëm, paska thënë se “Pippo è irrepetibile, non ci sono eredi” – Pippoja është i papërsëritshëm, nuk ka trashëgimtarë.
Por pastaj, tek të njëjtat faqe kulturore, lexova të flitej për një tjetër “trashëgimi” të Baudos; që ka të bëjë me pasurinë e tij, dhe që – sipas Il Messagero – artikulohet në 5 shtëpi në Romë, 10 troje në Noto dhe 6 në Siracusa dhe, në total, në mbi pesë milion euro; dhe gazeta pyeste se kujt do t’i shkojnë këto pasuri. Një muhabet i tillë i ka hije më shumë një tabloidi, madje edhe sikur të fillojnë nesër të afërmit e Baudo-s të përleshen për paratë, në stil të bukur borgjez kitsch; por mua më ndihmoi, sepse metafora dhe vetë loja me dy lloje trashëgimie sugjeron vetvetiu kontributin e dyfishtë të njerëzve të kulturës.
Baudo nuk është i pari dhe as do të jetë i fundit njeri i shquar i kulturës dhe i spektaklit që ka bërë para me aktivitetin e tij; por paratë, trojet dhe shtëpitë e një prezantuesi televiziv nuk i shërbejnë publikut dhe as kulturës për gjë; në mos thjesht për t’i kujtuar se edhe njerëzit e suksesshëm mund të jenë milionerë – njerëz të këtij profili profesional qëllon që bëhen milionerë edhe në Shqipëri! Përndryshe, sikur Baudo të kish lënë amanetin që një pjesë e milionave të tij të përdoreshin për të ngritur dhe mbajtur një fondacion, në mbështetje të televizionit publik, atëherë dy “trashëgimitë” e ndryshme do të sintonizoheshin mes tyre, për të mirën edhe të së ndjerit, edhe të institucionit televiziv.
Është thënë, edhe tani për Baudon, se trashëgimia kulturore e lënë prej tij, përtej rrëfimit historik se “ja çfarë bëri” dhe “ja si e arriti”, varet edhe nga rruga që mori televizioni publik, dhe televizioni në përgjithësi, gjatë shekullit XXI; dhe krijimi i konteksteve të tilla ku për Baudon, a një figurë me karakteristikat kulturore dhe komunikuese të Baudos, nuk do të kishte më vend. Vetë ky e kish kuptuar tashmë, dhe shpjeguar më se një herë, se stili i tij i të bërit televizion nuk mund të konkurronte dot me format e reja të spektaklit televiziv dhe një estetikë të “reality show” që atij vetë nuk i shkonte dhe as i pëlqente.
Por të paktën kultura dhe mass mediat italiane bashkëkohore ende e ndiejnë zbrazëtinë që ka lënë ikja e gjigandëve të brezit të Baudos dhe shqetësohen për testamentin e tij kulturor; aq më tepër tani që televizionit, veçanërisht televizionit publik, i duhet ta rigjejë veten në përballje jo vetëm me televizionin komercial, por edhe me mediat sociale, të cilat i kanë zëvendësuar prezantuesit dhe mikpritësit televizivë me influencer-ët, të cilët për trashëgimi si kjo e Baudos nuk duan t’ia dinë.
Dhe këtu mendoj që kultura jonë, në Shqipëri, parapëlqen të merret me idolatrinë e disa figurave me popullaritet bardhezi nga kultura e dikurshme – siç ndodh rëndom me aktorët e filmave të realizmit socialist dhe këngëtarët e festivaleve të para 1990-ës – pa e vrarë shumë mendjen për trashëgiminë kulturore të këtyre dhe të tjerëve të shquar si këta; ose, në rastin më të mirë, duke e zëvendësuar trashëgiminë me përkujtimin dhe kremtimin e përvjetorëve të lindjes a të vdekjes. Në rastin më të keq, kjo trashëgimi trajtohet madje si e privatizueshme, në mos si e privatizuar. Dhe kjo, në masë të madhe, ngaqë ne si kulturë ende e kemi të vështirë, në mos të pamundur, për ta perceptuar dhe vlerësuar në mënyrë dinamike praninë kulturore të një vepre a të një artisti në kohë.
Mjaft të marrësh një shkrimtar si Kadareja, i cili adhurohet zyrtarisht në Shqipëri dhe në shqiptari; e megjithatë, i lehtë është tundimi për ta reduktuar trashëgiminë e tij kulturore në shtëpi muze, përkujtime dhe botime të rënda historike-kritike; edhe pse nuk ka (ose të paktën mua më duket se nuk ka shkrimtarë në hapësirën shqiptare), që të jenë ndikuar prej Kadaresë në mënyrë të tillë, që jo vetëm t’ia kenë metabolizuar veprën, të vazhdojnë misionin e tij artistik dhe estetik; dhe na thuhet se “Kadareja nuk ka lënë pasardhës”, duke ngatërruar – ndoshta qëllimisht – cilësinë dhe profilin e lartë të veprës së tij, me nevojën që ajo vepër të ishte treguar pjellore duke nxitur një produksion letrar ambicioz.
Mjaft të marrësh edhe traditën e krijuar – sa për të sjellë një shembull tjetër – nga skulptura publike dhe monumentale në Shqipëri, me vepra që, pavarësisht frymëzimit të tyre ideologjik, e ruajtën një farë dinjiteti, si me thënë, artistik; dhe e kam fjalën për traditën e skulptorëve të tillë si Odise Paskali, Andrea Mano, Shaban Hadëri, Janaq Paço, Kristaq Rama, Hektor Dule, Mumtaz Dhrami; por që sot praktikisht nuk e mirëmban më njeri, dhe e sheh të përdosur në disa skulptura monumentale – në Shqipëri dhe në Kosovë – të një cilësie të lemerishme, primitive, belbëzuese, si të dala nga putra të plogëta amatorësh pa talent, pa shije dhe pa kulturë.
Tradita dhe trashëgimia në art nuk mbrohen dhe as ruhen me kremtime përvjetorësh dhe ekspozita; duhen edhe përpjekje për ta ruajtur mjeshtërinë artistike, nëpërmjet studimit të saj dhe, veçanërisht, studimit të arritjeve ekzistuese. Edhe në poezi – një art sot aq masiv sa mund të etiketohet lirisht si folklor – kemi një traditë të pasur, nga Rilindja e këtej; dhe një poet, si rregull, do të duhej të ishte teorikisht në gjendje të shkruante në vargje të matura e të rimuara si Naimi, Fishta, Mjeda, Lasgushi, Agolli, Kadareja, paçka se pastaj mund të zgjidhte të shkruante me varg të lirë. Me fjalë të tjera, edhe në poezi, një autor ambicioz mund të sjellë diçka të re, madje habitshëm të re, vetëm duke e mbajtur të pranishme traditën në mendje, qoftë edhe thjesht si model për t’iu distancuar.
Shkrimtarin dhe artistin e dëgjon, si rregull, të ankohet se nuk krijon dot “trashëgimi materiale” – në kuptimin që nuk mund të jetojë dot vetëm me krijimtari, si dikur paraardhësit e tij shpesh edhe pa talent dhe shpirt-shitur, të realizmit socialist; më pak e më rrallë dëgjon ankesën se produksionit kulturor sot i mungon trashëgimia si faktor aktiv dhe dinamik, si pikë referimi; dhe se e kaluara shërben vetëm për të na furnizuar me idhuj dhe liturgji shterpë, që riprodhojnë hierarki kryesisht politike. Çështje që mbase ia vlen të diskutohet më tej e më thellë, është nëse ka ndonjë marrëdhënie të mirëfilltë mes këtyre dy trashëgimive të munguara; apo mos vallë shumë prej nesh tani nuk jemi gati të pranojmë se arti është shpërblim i vetvetes, sidomos në kultura me publik të pakët dhe dorështrënguar, si jona.
(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Ky shkrim ka dalë dje në substack-un Menditime. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.