Boxing is the sport to which all other sports aspire.
George Foreman
Vdiq George Foreman, kampioni i madh i boksit; një personalitet i ndërlikuar. Predikator dhe biznesmen, pati dymbëdhjetë fëmijë nga pesë bashkëshorte: pesë djem dhe shtatë vajza. Të gjithë djemve u vuri emrat e vet: George Edward. Ka qenë dy herë kampion bote i peshës së rëndë, por famën e vërtetë e arriti pikërisht kur e humbi titullin (të parin). Ndodhi kundër Muhammad Alì-ut, në Kinshasa (Zaire), më 30 tetor 1974. Foreman-i vinte nga 40 fitore rresht (37 me KO). Alì vinte nga tre vjet skualifikim, i zhveshur edhe nga titulli kampion sepse kundërshtoi thirrjen nën armë. Kish bërë disa ndeshje demonstrative lart e poshtë, fitore jo të bujshme, ndonjë humbje spektakolare (me Norton-in, që i theu nofullën; me Fraizer-in…), për të cilat mori revansh, por me vështirësi. Bookmakers-at e jepnin fitoren e Foreman-it 7:1.
Sfidantët zbarkuan në vapën e Kinshasa-s muaj më parë, për t’u mësuar me klimën e nxehtë afrikane. Alì stërvitej pa dëshirë, pishman, një kros që organizoi, ku ftoi edhe shtypin e akredituar (Norman Mailer-i iu bashkangjit grupit që po vraponte) e la përgjysmë, i lodhur. Ama, Alì e kish paralajmëruar trainerin e vet, Angelo Dundee: “Kam një plan sekret!”. Kush ishte plani sekret i Muhammad Alì-ut? Jo si dhjetë vjet më parë kundër Sonny Liston-it: “Float like a butterfly, sting like a bee”, por krejt e kundërta. Në stërvitje Alì vihej në një cep të ringut dhe u kërkonte sparring partner-ve ta ngopnin me grushta sa të mundnin. Përthithte e magazinonte grushta, duke u përgatitur për varenë e çekiçat me të cilat do ta dëndte Foreman-i. Kish lindur ajo që në ligjërimin teknik u quajt rope-a-dope [budalla-në-litarë]. Ndërkohë, në konferenca shtypi dhe takime me gazetarët, Alì provokonte vazhdimisht kundërshtarin dhe yshtte, me elokuencën e tij, popullsinë vendase: Afrika u bë kokë e këmbë me të. Kështu, ditën e matçit, stadiumi me 60.000 spektatorë buçiste: “Alì bomaye!” [“Alì, vrite!”]. Dhe, në fakt, Alì e nisi dyluftimin ballëhapur, por pastaj dalëngadalë u tërhoq, sipas planit, i mbështetur litarëve të ringut, duke bërë kujdes të mbronte fytyrën nga goditjet, teksa gjithë ngërdheshje e përçmim shante e provokonte; gjëra të tipit: “Vetëm kaq, George?”, ose: “S’qëllon dot më fort?”. Dukej taktikë e gabuar, bile e kundërefektshme. Deri në sekondat e fundit të raundit të 8 kur, i tejlodhur nga grushtet pa fund që lëshonte majtas e djathtas, Foreman-i – siç thotë Norman Mailer-i në atë libër të mrekullueshëm për matçin që titullohet “The Fight” – po lëvizte “slow as a man walking up a hill of pillows.” Atëherë Alì i dha me të majtën një goditje anësore (left hook), që ia ngriti kokën Foreman-it aq sa t’i lëshonte fytyrës me të djathtën një të drejtpërdrejtë dërrmuese (right straight). KO. Thotë Mailer-i që Foreman-i “went over like a six-foot sixty-year-old butler who has just heard tragic news.”
Betejë sportive nga më të mëdhatë e historisë së sportit, “The Rumble in the Jungle” – kështu e quajtën – u ndoq nga gati 1 miliard e gjysmë spektatorë (25% e popullsisë botërore). Edhe në Shqipëri, nëpërmjet televizioneve të huaja. Unë “The Rumble in the Jungle” nuk mbaj mend ta kem parë, por “The Thrilla in Manila” (ndeshjen Alì-Fraizer) vitin pasardhës, po. Isha njëmbëdhjetë vjeç. Vajtëm me dajën tim të vogël (unë te skara e biçikletës së tij) në një apartament diku te Shallvaret për ta parë. Daja ishte i dhënë pas boksit. Kishte dy palë doreza në shtëpi; stërvitesha shpesh duke e qëlluar ose duke qëlluar thesin që kish varur në bodrum, derisa noçkat e gishtërinjve më dhembnin.
Daja jepte edukim fizik te “Petro Nini” dhe u bënte boks gjimnazistëve (programin e fizkulturës daja e vendoste vetë). Mirëpo qysh prej vitit 1964 boksi ishte shpallur sport i ndaluar në Shqipëri (arsyet nuk u morën vesh kurrë). Dikur dikush llapi, dhe dajën e thirrën në Komitet të Partisë. Kish vdekur edhe gjyshi asokohe, që ish i zoti t’ia priste hovin çdo goditjeje (nuk bëhej fjalë për goditje boksi, por për goditje tejet më të rënda: politike), kështu që mbaj mend që shqetësimi në familje rritej si baticë. Mirëpo Vojua (daja) i rregulloi punët, ama u detyrua t’i dorëzojë dorezat e boksit në Komitet (“Beno, dorëzova atë palën më të vjetër, kështu që mund ta vazhdosh stërvitjen”… dhe më shkeli syrin).
Pas kësaj humbjeje Foreman-i kaloi një depresion të rëndë dhe një krizë mistike që e mbajtën për vite në zgrip të jetës e larg boksit. Por në fund u bë tjetër njeri, më i epërm. Aq sa iu kthye ringut dhe më 1994 e rifitoi titullin kampion: kampioni më i vjetër i historisë së peshave të rënda. Dhe u bë një mik i mirë i ngadhënjyesit Alì. Mbante në shtëpi, si kujtim nga dhjetra betejat e tij në ring, të zmadhuar në një kornizë në mur vetëm një fotografi: shkrepjen e momentit kur Alì e hodhi në tapet. Sa dhembshuri kur e ndihmon ish-rivalin, të shkatërruar nga Parkinsoni, të ngjisë shkallët e podiumit për të tërhequr Oskarin për filmin më të mirë dokumentar, më 1996 në Los Angeles! Dokumentari ishte “When We Were Kings” – një portret i Muhammad Alì-ut njeri dhe sportist, që kulmon me betejën e Kinshasës.
Pak kohë para Foreman-it vdiq një tjetër kampion botëror që e lidhi famën e tij jo me fitoren e titullit, por pikërisht me humbjen e tij: rusi (sovjetiku) Boris Spaski. Përsëri, humbja e tij inkuadrohet në një nga matçet e tjera të pakta epike të historisë së sportit, i ashtuquajturi “Match of the Century”: finalja për titullin e Kampionit të Botës në shah që u mbajt nga 11 korriku deri më 3 shtator 1972 në Rejkjavik të Islandës dhe që sfidanti i Spaskit Bobby Fischer e fitoi 12,5 me 8,5. Edhe Spaski u bë një mik i mirë i rivalit të tij ngadhënjyes. Prekëse letra e tij e 10 gushtit 2004, drejtuar presidentit George W. Bush, ku e luste që ta tërhiqte urdhër arrestin për Fischer-in. Autoritetet amerikane nuk ia falnin kampionit thyerjen e embargos së OKB-së në ish-Jugosllavi me matçin që zhvilloi në Beograd pikërisht kundër Spaskit më 1992 dhe, më vonë, vrerin që volli kundër atdheut të tij mbas atentatit të Kullave Binjake:
[…]“Bobby and myself committed the same crime… Put sanctions against me also. Arrest me. And put me in the same cell with Bobby Fischer. And give us a chess set.”
George dhe Boris: dy nga protagonistët e dy prej matçeve më magjepsëse të së gjitha kohërave. E çuditshme! Dy humbësit e mëdhenj. Që na shpien të shohim analogji edhe në personalitetet e dy alter ego-ve të tyre fitues: Bobby Fischer dhe Muhammad Alì.
(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.