Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

PARADOKSI I FERMIT

Unë e kam një përgjigje për paradoksin e Fermit. Po ju?

Emrin paradoksi e ka marrë nga fizikani italian Enriko Fermi. Bëhet fjalë për mundësinë e kontaktit me qenie inteligjente jashtëtokësore. Thuhet se në vitin 1950 Fermi po bashkëbisedonte me disa kolegë duke drekuar në mensë. Tema e bisedës: jashtëtokësorët dhe disa sinjalizime për Ufo nga qytetarë të ndryshëm. Në atë kohë fizikani punonte në laboratorët e Los Alamos. Biseda e arriti në kulmin me pyetjen, tashmë të famshme, që përmbledh të gjithë paradoksin: Where are they? Ku janë?

Pyetja ka një farë lidhje me ekuacionin Drake, sipas të cilit ekzistojmë shumë planete me qytetërime të përparuara, teknologjikisht gati për të kontaktuar me Tokën. Arsyetimi i thjeshtë mund të jetë ky: në qoftë se ka rreth 400 milionë yje vetëm në Kashtën e Kumtrit, e ndoshta 400 milionë galaksi në tërë Gjithësinë, sipas gjasës duhet të ekzistojë ose të ketë ekzistuar jetë inteligjente. Ta imponon arsyetimi statistikor. Gjithsesi, më gjatë paradoksi i mësipërm jepet kështu: “Ku janë jashtëtokësorët? Nëse ka shumë qytetërime të zhvilluara, përse nuk kemi ende prova të jetës jashtëtokësore si p.sh. sinjale me valë ose anije kozmike?”. Paradoksi zhvillohet në çastin kur nuk ndihemi aspak të vetmuar në Univers, por në të njëjtën kohë nuk kemi asnjë dëshmi të saktë për ekzistencën e alienëve. Ka diçka që nuk shkon në ekuacionet ose vëzhgimet tona.

Fizikani Stephen Webb i ka kushtuar paradoksit të Fermit librin me titull “If the Universe is Teeming with Aliens…Where is everybody?“, ku ofron një sërë zgjidhjesh të mbledhura sa andej këndej. Në libër jepen 50 hipoteza nga më të ndryshmet e të habitshmet. Hipotezat për ekzistencën e alienëve janë grupuar në tre kategori të mëdha: 1) Janë këtu; 2) Ekzistojnë, por nuk kanë komunikuar ende me ne; 3) Nuk ekzistojnë.

Ja disa hipoteza që hyjnë të kategorinë e parë: ekzistojnë, alienët jemi ne vetë; kanë ekzistuar madje kanë lënë gjurmë të pashlyeshme; na shikojnë si ne kopshtin zoologjik; etj. Në kategorinë e dytë futen hipoteza të tilla si: janë larg nga toka; nuk duan të komunikojnë; po përpiqen të lidhen me ne, por nuk puqen teknologjitë; nuk i kapim sinjalet e tyre; etj. Ja disa hipoteza të grupit të tretë: jetojmë në vetmi planetare; universi është në dispozicionin tonë; jeta është zhvilluar vonë; etj. Literatura e hipotezave për ekzistencën e inteligjencës jashtëtokësore është e pafundme.

50 hipotezat e Webb-it nuk ia gjejnë zgjidhjen paradoksit të Fermit, as e shterojnë çështjet e jetës jashtëtokësore. Personalisht, pa mburrje, ia kam gjetur përgjigjen pyetjes së fizikanit italian. Ku janë alienët? I kanë hyrë politikës shqiptare. Vëzhgoni me vëmendje politikanët tanë. Vini re me kujdes lëvizjet, deklaratat, manovrat, fytyrat, gjestet, fjalët, thirrjet, sytë… A nuk ju duken të pakuptueshëm e të padeshifrueshëm, si të ardhur nga një botë tjetër? Apo keni ndonjë hipotezë më të mundshme?

Pa Komente

  1. Ku jane ata ? Per kuriozitet, ishte nje emision para pak kohesh tek televizioni kryesor shteteror francez, France2 dhe u shpjegua nga 2 gazetare shkencore (vllezerit Bogdanov) se brenda 5 viteve te ardhshem do te kemi prova te ekzistences se Jashtokesoreve. U dha edhe nje shpjegim se si do te arrihej kjo gje por si gjithnje se kisha mendjen ne mesim , dhe arsyetimin e mbaj mend ne menyre te mjegullt ; Dicka e tipit fizikantet dhe kerkuesit e tjere disponojne mjetet (teleskope, radare, kompjutera etj) per ti zbuluar, vec duhen pak vjet (maksimumi 5) qe kerkimet te japin rezultat.

    ketu keni nje pjese te videos (ne frengjisht)
    http://www.dailymotion.com/video/x9wgsy_igor-bogdanoff-pourquoi-la-vie-exis_tech

  2. Unë them se jashtëtokësorët janë pellazgët apo e kundërta, se pellazgët janë jashtëtokësorët, përndyshe si duhet deshifruar Parrajsa e Naimit?

    Ademi dhe s’kishte lerë
    Kërthiza s’ i ishte prerë
    Ay ishte uj’ e baltë
    Ne ishim njerës të naltë,
    Hëna dhe s’ ishte në jetë,
    Dheu kish vetëm bar e fletë
    Kur ka lindur Shqipëtari,
    Është nga gjithë m’ i pari!
    U vu emër Perëndive
    Edhe gjithë bagëtive.

    Për mua është e qartë se Naimi diçka dinte. Veçse nuk kuptoj diçka, ç’i duhej kërthiza Ademit?

    1. Kushedi do i kete shpetura arkimandritit Naimi nga duart, se vetem kjo e shpjegon vargun e tij.

    2. Nëse Zoti kishte nevojë për uj’ e baltë për ta krijuar Ademin, edhe Naimi kishte nevojë për kërthizën e Ademit, për ta krijuar rimën.

      Përrallë mbi përrallë, tha.

    3. Kjo mund te jete vertete zgjidhja e paradoksit vetem se Naimi eshte nje plagjiator .
      Ja s’e c’thone disa burime me te lashta:

      “Here what Herodotes says:

      ΠΡΟΣΕΛΗΝΟΙ: ΗΡΟΔΟΤΟΣ ΤΟΥΣ ΑΡΚΑΔΑΣ ΟΥΤΩΣ ΛΕΓΕΙ, ΤΟΥΤΕΣΤΙΝ ΑΡΧΑΙΟΥΣ, ΠΡΟ ΤΗΣ ΣΕΛΗΝΗΣ.»

      Those who inhabited Arkadas were ancients, proselinoi*.”

      Medemek alienet henen e kane sjelle me vone si baze strategjike .
      Sa per kerthizen merita mund t’i mbetet Naimit, qe sic thone ngordhte per metafora duke i vene ne siklet lexuesit e ndershem.
      Haka duhet te shkoje tek i zoti-tha.
      ________________________
      (*proselinoi=parahenor)

  3. Pindaro ( Carminia,Fragmenta Selecta,I,240) shkruan:
    “Duke sjellënjë dhuratë të bukur,toka lindi qënien njerëzore të parë në ARCADIA, pellazgun hyjnor,shumë kohë para lindjes së Hënës”.
    Nuk e di nëse Naimi e ka pasur mundësinë të lexonte ketë libër te Pindaros në kohën dhe vendodhjen e tij gjeogrefike.
    Përsa i përket kërthizës,nuk mund të përcaktoj se çfarë ka dashur të nënkuptojë Naimi me të si dhe nëse i ka shpëtuar ose e ka shpjeguar,sepse nuk jam vetë Naimi.Unë e kam ndjerë atë si një ironi e hollë në drejtim të koncepteve fetare që kemi ne mbi krijimin tonë.
    Ademi dhe s’kishte lerë
    Kërthiza s’ i ishte prerë
    Njeriu ndoshta ka lindur kur Zoti nuk kishte lindur ende.Njerëz’vë të paditur gjithmonë u duket sikur krijimi vjen nga gjëra të padukshme si Zoti,Ufot,Alient,Allahu,….
    Te vetmin shpjegim shkencor reth kësaj është munduar tua japë njerëzve Darvini,pamvarësisht se shumica e njerëzvë sot janë ende jo edhe aq shumë të ditur në krahasim me kohën kur Hëna ende s’kishte lindur.Naimi,fatekeqësisht për disa,nuk bënte pjesë tek shumica e njerëz’ve,ose tek mesatarja popullore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin