Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MENDIME SHIU NË AMERIKËN GRI

nga Eda Derhemi

Midwesti amerikan i lan prag-nëntorët me të kuqe e të verdha Toulouse Lautrec-u e ndonjë të gjelbër të paparalajmëruar Vuillard-i hedhur mbi tokë, gjethe e shtëpi sfondesh të kafenjtash marramendëse si gra prej Gauguin-i. Kështu, nën qiej të bukur, bëhen gati për votime amerikanët e këtyre anëve, kur i ftohti sapo ka nisur të kallëzojë kafshimin e vet ende foshnjarak. Por votimet i rrinë natyrës keq, pa ia respektuar apo qoftë edhe vështruar hiç hijeshinë. Fushatat bëhen në rritje më të pisëta, njerëzit, gjithnjë e më të pacipë, arsyeja dhe njerëzillëku, gjithnjë e më të dobët. Për mua, edhe vetëm fakti që një njeri me vlerat (apo mungesën e tyre) që përçon persona e Trumpit, bëhet për herë të dytë konkurrent për president, është fyes dhe më nxjerr gjumin natën e më nxin diellin ditën.

Për shkak të llojit tim që ndërvepron totalisht me tjetrin, dhe faktit që e kam kaluar prej kohe mesin e jetës, e dalloj qartë si fëlliqësinë ashtu edhe integritetin e tjetrit, edhe kur janë puro, por edhe thjesht përzierje relativisht të qëndrueshme si në shumicën e ne tokësorëve. Ose, kështu besoj. Tek Trumpi ndiej zhulin moral njerëzor formësuar e bërë njeri. Një keqformim ekstrem që ka mundur të rritet për 80 vjet i pandëshkuar prej karmës fuqiplote, i vlerave dhe sjelljeve njerëzore. Dhe tiparet e tij më vijnë intensive, sa herë e shoh të ngërdheshet apo të formësojë shprehje gjuhësore. Më jep reaksion alergjik, aq sa nuk kuptoj si dikush mund të thotë pa e tradhtuar veten “po jo prit tani, se kur Trump qe president, ekonomia kështu apo ashtu”. Kur Trumpi hap gojën dhe flet, tallet me miletin, përqesh punën dhe ndershmërinë, ngërdheshet si një bully 10-vjeçar, trajton me përçmim dhe tagër lordi mesjetar gruan. Mua kaq më mjafton e as më duhet të shkoj më tej e ta konsideroj më si një qenie me aftësi të prijë Amerikën.

Trump është kundër gjithçkaje të mirë e tipike amerikane, e mbi të gjitha kundër punës së ndershme dhe dhënies së hakut, në të cilën unë i dalloj amerikanët si relativisht më të paepur se grupe të tjera. Trump u rri skiç, madje fyen, vlerat më të pranuara të amerikanit të mesëm të ndershëm – industrioz dhe krijues në emër të prosperitetit: respektin për tjetrin, pavarësisht fatit të mirë a të keq ku lind e jeton tjetri, drejtësinë e gjykimit ndaj të dobëtit si edhe të fortit, respektin për lirinë dhe ligjin, e sidomos për variantin amerikan të demokracisë. As që ka nevojë të çapitem më tej e t’i shoh programin për katër vjetët e ardhshëm, kur e di që është rrenacak i vogël pa fjalë e pa nder. I mungon vetë respekti për etikën, që ma bën të lehtë zgjedhjen pa m’u dashur të kujtoj marrëdhëniet e tij me Putin e të tjerë kryesues shtetesh, apo sjelljen e tij perfide më 6 janar pasi humbi zgjedhjet e shkuara.

Aq sa më është e qartë humnera njerëzore që quhet Trump, aq më vret fakti që gjysma e amerikanëve e mbështet kundër vetes dhe besimit real që kanë. Dhe nuk flas këtu veç për MAGA-t dritëshkurtër. Pa dyshim që një arsye është pellgu i madh politik, i ndenjur e kutërbues, ku zhvillohen partitë dhe kandidatët e vakët, jo vetëm të krahut të Trumpit, por edhe të demokratëve. Ringjallja e grupeve raciste dhe banditeske gjatë kohës që Trump kish presidencën, dhe e qindra lulëzimeve të padëshiruara në përditshmërinë amerikane të pas-COVID-it, u rritën gradualisht në një shoqëri që pak nga pak po i fshihej së vërtetës dhe nuk po përballonte hapur problemet e veta. Kur një shoqëri e tërë nis dhe vetëmashtrohet, kur i shtyn për t’i zgjidhur nesër problemet e veta në rritje, ndërsa merret me probleme të stisura që njeriun real që lufton të mbijetojë në një planet pa ekuilibër e fyejnë, do dalë një i pavolitshëm Trump apo një COVID që ta turbullojnë situatën e ta bëjnë llumin ekzistues të duket paq.

Zbukurimet tipike halloweeneske janë ende nëpër oborret e stolisura amerikane krahas parullave e portreteve të Harrisit dhe Trumpit rrethuar prej kungujsh portokallì. Një bashkëjetesë sakëlldisëse, por jo e pakuptimtë. Në një qytet universitar si i imi, oborret vjeshtakë anojnë nga Harris, në një raport ndoshta 8 me 2. Shiu ka dy ditë që s’pushon. Lajme për shqiptarë mbështetës të Trumpit u duken të çuditshme portaleve në Facebook. Nuk çuditem aspak. Kam parë arratinë teposhtë të vlerave në Tiranë. Emigrantët shqiptarë nuk janë ndryshe: po ajo masë e paedukuar është, që njeh simpatinë por jo empatinë, që patriarkalizmin dhe venerimin pa kushte të pasanikut nuk i ka kapërcyer dot kurrë.

Dal nga mësimi dhe po shkoj të votoj. Një ndjesi aspak e gëzuar. Shkoj nga tmerri që më ka kapur se mund të fitojë Trump. Që për mua është gjëmë botërore, jo thjesht amerikane. Pa përmendur pështirën e thellë për të si njeri. Makina shket pa zhurmë. Shiu rrallon. Pastaj pushon. Gria e errët në katër pasdreke peshon mbi makinë dhe mbi mua. Ndaloj. Një mace e zezë po kalon rrugën mbi vijat e bardha. Dy tri makina radhiten në të dy krahët. Macja, që me sa duket rregullat e qarkullimit në rrugë i respekton më shumë se unë, kapardiset pa sakëlldi me hap të kontrolluar. Luan ojnash se nuk është në Tiranë, ku do e kishin bërë njësh me asfaltin sakaq. Ah, duhet të ble edhe nja dy-tre shishe verë për sonte. Im shoq nuk bie të flerë derisa agu zbardh, në ditët e zgjedhjeve presidenciale. Duhet të ble edhe letër higjienike dhe kripë, se janë mbaruar.

 

1 Koment

  1. O Zonje, me gjithe respektin dhe nderimin e nje njeriu te thjeshte si puna ime ndaj nje personaliteti te shkelqyer te dijes dhe kultures, si puna juaj, nuk mund te rri pa thene se kete rradhe gjykimet tuaja, te cilat padyshim jeni e lire t’i keni, t’i mbani dhe t’i ndryshoni, tingellojne arrogantë, te papjekur dhe ngjasojne me nevrikllekun e nje vajze te vogel kur nuk i japin lodren e preferuar. Durim Zonje, ne saje te Demokracisse se vendit qe te ka mirepritur, kete Trumpin me gjithe zhulin e tij moral nuk ke per ta pasur ne qafe me shume se kater vjet, pra hic me shume se Z. Biden me gjithe zevendsen e tij qe e shkelqyen Ameriken (me cudi po ve re se kjo folje ne shqipe tingellon cuditshem afer me nje tjeter me kuptim pak a shume te kundert) keto 4 vjetet e fundit.
    Po e konfirmoj qe nuk dua kurssesi te influencoj pikpamjet tuaja, por liria juaj per ti shprehur ato ne publik, perfton edhe lirine e tjetrit per t’i komentuar keto pikpamje.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin