Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet

ANONIMI I ARTIT TË GRUSHTIMIT

Nga Elsa Demo

 

…dhe shpesh n’të njëjtin trup një pjesë është gjallë,
ndërsa ajo tjetra është tokë e thatë.
“Apolloni vret Pitonin” nga “Metamorfozat” e Ovidit (v. 43 p.e.s – 18 e.s)

 

Ishte një disk qelibar me teh drite që më goditi i fundit, jo grushti i kundërshtarit, i veshur me litarë prej lëkure viçi dhe unaza metali. I zhyer në dhé e djersë, e lëshova veten në hitonin e nënës.

Në të gdhirë, ajo kishte ndjerë frymën time mu ndër flokë të saj. Nuk më tha “Kujtohu që je burrë!” dhe unë ia kurseva lutjen: “Bëmu krah!”.

Gjuha e eposit është tretur bashkë me kohën kur Homeri merrej për dëshmitar. Sot, çfarë njëri jeton nën diell, tjetri e bën histori në të perënduar.

Gur varri i grushtistit Ulpios në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë

Kapërcej pragun. Plori, mjeti im i kalitjes fizike, prehet në oborr. Në brinjë të kodrës, Apolonia me muret rrethues duket e hirtë. Tymi i furrave të poçarëve dhe bukëpjekësve rrallohet duke u ngritur drejt kreshtës. Në portën lindore të qytetit shoh Eroten, kampioni i zënies së peshkut me fuzhnjë. Edhe tani që shpina i ka bërë hark, ai zbret drejt molit të Aosit për të zënë gjah për familjen dhe tregtarët me pakicë.

Nga porta jugore vjen Ulpiosi, mjeshtri i mundjes, shulak, kockëmadh, me muskuj të formuar në programet e gjimnazit. Po shkon, ashtu si dhe unë, drejt zonës perëndimore të qytetit ku ndodhet teatri-arenë.

Një fshatar kreh me gishta krifën e kalit në haur. Më kujton garat e fundit lokale, panikun që zuri kuajt e koçisë dhe sulmin e njërës prej kafshëve mbi atletin që dha shpirt pak ditë më vonë.

Oborret e vilave tjegullkuqe ruajnë gjurmët e fëmijëve, koret me pëllumba, qen e kalorës.

Në rrugët e ngushta, nuk e trazon kush gjumin e pijanecit që ka kaluar natën në kunetë. Të papunët parashikojnë fituesit dhe humbësit në garat e sotme, ndërsa luajnë me ashikë pranë çezmës së gjimnazit.

-Unë them fiton Ulpiosi. E bën Getin të hajë dhé.

-Ulpiosi? Ka mundësi, po t’i ketë zënë vend qulli i elbit në bark, ose po ta ketë blerë prapë ndeshjen.

-Pse kot është arbitër Laskebi?

-Kujt i duhet garancia e Laskebit?

-E di ti që një fitues në dyluftim paguhet sa punëtori në një vit? Po të jetë fshatar, merr ushqim falas me para publike, hyn në ushtri, fiton pushtet. Këtij i duhet Laskebi. Po të jetë i sërës, merr pjesë në lojërat e Olimpit, Delfit a Korintit dhe fiton nam. Edhe këtij i duhet Laskebi.

-Ata të grushtimit kanë për t’ia treguar vendin Laskebit, romak gopçarit!

-Po ti, ç’je?

Thonë se garat janë një formë paqësore e luftës dhe që lufta për romakët është meditim dhe shprehje e dashurisë për lavdi e atdhe. Ka të drejtë t’i gëzohet luftës si lojë zotëruesja e detit në Mesdhe. Ka mundur Pirro, Sifaks, Filip, Antiok, Perse e Jugurtë, të gjithë mbretër. Prej tyre mori salltanetet. Greqia nuk ëndërron më të jetë kombi që do dhe aleancat e rastit i kanë shkatërruar Epir dhe Iliri.

Apolonia, qytet i lirë dhe i paprekshëm, mbushur me ushtarë të Romës dhe nëpunës që nuk i zgjedh, po ia caktojnë, jeton nënshtrimin e paqëm, ashtu si bijtë e popullit të saj rrëshqasin butësisht në lojëra për të nderuar perandorin a diktatorin.

Në qytet ndërtohen tempuj e dyqane, teatri madhështor transformohet në arenë lojërash (një ditë mund të kthehet në gurore), në agora ngrihet një odeon që mjafton për aq popull sa ka mbetur, rrugët janë ngushtuar, hapësira private ka fituar ndaj asaj publike. Është era e re e urbanizmit.

Ngadalësoj hapin në portikun me kamare. Shoh me nge shtatoret e perandorëve, e fisnikëve me veshje patrici, e perëndive Apolon, Artemis, Athina, Zeus, Hermes e Demetër, dhe në fund, shtatin e Meneptolemit nga Apolonia, një imitim i shtatores që u ngrit në Olimp, si fitues i garës olimpike të vrapimit për fëmijë. I ka mbijetuar ushtrisë anonime të kampionëve.

“Paç mbrojtjen e Apolonit!” më uron me shkelje syri tregtari i madh i dyqaneve me hark në portik. Të gjithë e njohin Pausanin si mik i gjithkujt me pushtet. Unë përkul kokën në shenjë pranimi, kapërcej shëtitoren me gurë zalli dhe para se të hyj në arenë, më shfaqet nëna me rizën e purpurt, rrugës për në temenos, në tempullin e Apolonit. Vetë kjo perëndi ishte ndeshur në lugina, në garën e vrapit kundër Hermesit dhe në grushtim kundër Aresit.

“Për nga shpirti jemi perëndi, për nga trupi jemi kafshë”, na thoshte mjeshtri në palestër neve që nuk e kishim provuar akoma grushtin e thatë në trup. Në të vërtetë, vetja më dukej më afër kampionit të lojërave olimpike, Herakliut, jo nga forca, por nga ndëshkimi për të pastruar të kaluarën, hauret e Avgjisë. Isha i ri për të pasur të kaluar. Isha i ri për të kuptuar se kush e krijon të kaluarën: trupi apo shpirti?

Frika para rrezikut qenka më e fortë se vetë rreziku!

Dielli është në zenit. Atletët e sporteve të lehta po dalin ca e nga ca nga arena për të zënë vend si spektatorë në stadionin e sajuar. Nikias, Nikagathi, Deifoni, Eveni, Aristeni, Arhibios, Elpeisi, vrapues në garat e shkurtra e të gjata, hedhës të diskut e të shtizës, mbajnë në kokë kurora ulliri të egër si të lara në argjend. Djalëri dhe bukuri – e pandarë, e hijshme dhe e fortë, kripgjatë dhe mjekërpadirsur, qafë, shpatulla, krahë, këmbë të holla dhe të shpejta, kurm i papeshë me kalca ere, hir që nuk e grabit as trishtimi dhe zemërimi i humbësve. Mjeshtërit që i selitin në palestër u thonë se do të kenë mbrojtjen e Apolonit, sa kohë nuk prekin mish derri dhe bukë dhe ruajnë higjienën seksuale. “Shpërfille Afërditën, djalë, dhe do të shkosh në garat e të gjithë grekërve, në lojërat pitike!”

Kur Ulpiosi dhe Geti dalin në skammë, trupzhveshur – një copë pëlhurë u mbulon seksin – populli nis të provokojë. Vijnë në këto lojëra fqinjë të Apolonisë, bylinë, epidamnos, amantë, maqedonas, epirotë, gjer spartanë, sirakuzas, athinjotë e grekë të vërtetë. Në radhët e para të shkallinave qëndrojnë prytani, magjistratët, ata të këshillit të lartë me toga e tunikë, me kantar vere nga e Rodosit a Kiosit. Kaq të bashkuar dhe në qejf nuk i kam parë ndonjëherë mes tyre strategun Kerkin, arhiereun e tempujve të Apolonisë dhe mjekun Iatrokles.

Ndërsa gjyqtarët me tunikë të gjatë të purpurt zënë vend, mundësit lyhen me vaj dhe rrotullohen në rërë, bëjnë nxemjen, përkulen, provojnë ekuilibrin, përpijnë njëri-tjetrin në sy dhe puqin ballin. Këtu vjen thirrja e bririt dhe unë ngrihem në zefire të ëmbla.

Është e shkurtër jeta e një grushtisti. Kur më i shkathëti ia kthen shpinën diellit dhe tjetri që e ka përballë, verbohet, mund të vijë goditja vdekjeprurëse në majën e kokës, goditja e parmendës. Tregojnë se në grushtimin mes Kreugas nga Epidamnosi dhe Damoksenos nga Sirakuza në lojërat olimpike të Nemensit, kur u pa që asnjëri nuk po dorëzohej, edhe pse të nxirë e të fryrë, të gjakosur e dhëmbëthyer, të çarë në buzë, nofull e kraharor, u kërkua klimaxi: vdekja e qëllimshme që i jep fund kalvarit. Gjyqtarët hodhën shortin: kush do të ishte i pari që do t’i jepte goditjen e vetme rivalit. Ky duhej të zgjidhte në cilën pjesë të trupit donte ta merrte goditjen, pa u mbrojtur, pa u shmangur. Damoksenosi e goditi aq fort në bark kundërshtarin, sa i nxori zorrët. Kreugas dha shpirt në fushë. Atleti u skualifikua si vrasës dhe u dëbua. I vdekuri u shpall fitues dhe i ngritën një shtatore në Argos.

“Goditjen e parmendës, bir!”, dëgjoj thirrjen e një zëri që e njoh. “Po bie”, thonë. Më bëhet se po vazhdoj të jetoj dhe e shoh trupin tim nga lartësia e një qiparisi të zi.

Se ç’ndodhi me pankratonin dhe ndeshjen e gladiatorëve, nuk e di. Një pjesë e turmës u largua. Pas grushtimit, askush nuk do ta shihte dot një tjetër shfaqje më pak të dhunshme dhe pa vdekje.

Nuk dua të mendoj më për fatin tim. Nëse i lashë të hyjnë tek unë këto copëza jete e njerëzish në rrugë dhe arenë, e bëra sepse, edhe po të humbas, edhe nëse trupi im humbet, ato fragmente si gurë mozaiku ngjyrë trëndafil me peshq, delfinë e hipokampë fantastikë, kanë për të mbetur, kanë për t’u përsëritur ditë pas dite, derisa të ketë jetë ky vend, derisa jeta të ekzistojë.

Ishte ky shpirti prej perëndie i atletit për të cilin na kishte folur mjeshtri në palestër?

I dërrmuar nga vapa dhe etja, dola nga porta perëndimore e qytetit. Poshtë rridhte Aosi. Pak milje larg shtrihej deti. Gëmushat e fierit përhapnin aromë të hidhur. Mora për nga lugina me grurë. Nëpër to lulëkuqe (apo njolla gjaku në trupin tim?). Qumështi i tyre do të më shëronte, para se Febi, i veshur në të purpurtë, të mendohej dy herë nëse duhej të m’i ngjeshte gjethet e lisit, ullirit të egër, dafinës apo çfarëdo të ishte, në tëmthat e hijshëm plot me flokë të derdhur.

*Ky tekst është shkruar për “Lojërat olimpike dhe antikiteti”, projekt i realizuar nga Shoqata “Argjiro”, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe Institutit Francez në Paris. Më 6 korrik erdhi në formën e podkastit në qytetin antik të Apolonisë dhe më 26 korrik në Tiranë, me rastin e hapjes së lojërave olimplike që mbahen në Francë. Në shqip, lexuar nga aktori Vasjan Lami, e gjeni këtu; në frëngjisht, lexuar nga Lilian Guérin, e gjeni këtu.

 

© 2024 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin