nga Ernest Nasto
Në një artikull të paradokohshëm rreth vlerave të sistemit perëndimor kisha analizuar në veçanësi aspektin e inovacionit(1) duke theksuar se ai përbën programin më efektiv të ndihmës së jashtme të konceptuar ndonjëherë. Nëse synimi është arritja e një niveli zhvillimi të kënaqshëm për sa më shumë njerëz në rang globi, ashtu siç pretendojnë majtistët e sotëm, kritikuesit më të ashpër të sistemit në fjalë, atëherë inovacioni duhet nxitur me të gjitha mënyrat. Kjo do të ishte logjika e thjeshtë, mirëpo ideologët e sotëm nuk mendojnë kështu dhe kanë arritur në përfundimin se Perëndimi duhet luftuar me çdo kusht. Dhe një drejtim kryesor i kësaj lufte janë kritikat e sulmet ndaj disa vlerave themelore, si meritokracia dhe gjykimi i shëndoshë (common sense), të cilat do t’i analizoj në vijim. Nëse ato vlera minohen e zhduken, kuptohet që edhe aftësia inovative e Perëndimit do të bjerret, me të gjitha pasojat tragjike të mundshme.
Në sulmin e koordinuar kundër meritokracisë një ide e rreme fort e përhapur sot në opinionin publik amerikan dhe perëndimor është ajo se çdo pabarazi racore në çdo organizëm apo institucion është rezultat i pashmangshëm i një faktori të vetëm: diskriminimit racor.
Nëse p.sh. një institut studimesh meteorologjike s’ka në personel 13 përqind meteorologë me ngjyrë (pjesa e popullsisë me ngjyrë në rang vendi për SHBA), ai është me përkufizim një institut racist që diskriminon meteorologët me ngjyrë të kualifikuar sipas rregullave normale të konkurimit. Ose një kompani transporti rrugor që s’ka 13 përqind shoferë me ngjyrë, është rrjedhimisht një kompani raciste, që diskriminon shoferët me ngjyrë të kualifikuar sipas rregullave. Dhe nëse numri i të burgosurve me ngjyrë është më shumë se 13 perqind e totalit, e vetmja arsye duhet të jetë se sistemi i drejtësisë është racist.
Pikëpamja se pabarazitë mes racave në edukim, punësim, e përgjithësisht në nivelin e mirëqenies, janë provë e diskriminimit racor ka qenë e pranishme në media e në institucionet akademike për një kohë të gjatë. Megjithatë, pas trazirave të shkaktuara nga incidenti George Floyd më 2020, ajo u adoptua me shpejtësi nga një sërë institucionesh elitare të Amerikës: kompani të mëdha, firma të njohura juridike, banka e institucione financiare, etj. Në atë situatë absurde shumë u ngushëlluan me idenë se fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës, të ashtuquajturat STEM(2) do t’i shpëtonin kasaphanës në emër të diversitetit, por s’qe e thënë. Pozicioni i Shoqatës Mjekësore Amerikane sot është se mjekësia ka tipar kryesor pikërisht supremacinë e bardhë, ndërsa revista shkencore më e famshme e botës, Nature, ka shpallur hapur se shkenca është përshkuar historikisht prej racizmit si një ndër “ekseset më të këqija të njerëzimit”(3). Për të mos mbetur prapa, edhe i mirënjohuri Smithsonian Institute ka deklaruar se “venia e theksit në metodën shkencore… dhe në marrëdhëniet shkak-pasojë” janë tipar i totalitarizmit të bardhë(4).
Rrjedhim praktik i ideve të tilla është minimi i standardeve meritokratike dhe zëvendësimi me të ashtuquajturën analizë të ndikimit të ndryshëm. Ky është një koncept e praktikë në fushën juridike që synon të shqyrtojë e të shmangë rastet kur veprime në dukje neutrale rezultojnë në diskriminim ndaj kategorive të mbrojtura ligjërisht si gratë, personat me ngjyrë etj. Tipike do të ishte p.sh. rekrutimi i zjarrfikësve sipas aftësive fizike, një kriter në dukje neutral. Por meqë meshkujt janë përgjithësisht më të fuqishëm se femrat, rezultati do të ishte një numër më i madh zjarrfikësish meshkuj në krahasim me femra, pra diskriminim ndaj një kategorie të mbrojtur.
Shembulli i mësipërm është i kuptueshëm, por praktika të tilla po shtrihen nxitimthi edhe në fusha ku pasojat janë më serioze. Kështu p.sh. gjatë studimeve të larta mjekësore duhen kaluar me sukses disa provime për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit. I pari ndër to, në vitin e dytë të fakultetit, synon të testojë njohuritë e mjekëve të ardhshëm në anatomi, fiziologji e patologji, por meqë nota mesatare e studentëve me ngjyrë ka qenë historikisht më e ulët, ata e kanë pasur më të vështirë të pranohen në specialitetet e tyre të preferuara. Me fjalë të tjera, sipas kriterit të ndikimit të ndryshëm, provimi rezulton në diskriminim ndaj studentëve me ngjyrë. Dhe “zgjidhja” e re, që filloi të zbatohej më 2022, ishte heqja e notave dhe zëvendësimi me dy opsione, kalues e jokalues(5). Kësisoj spitalet që zgjedhin specializantët e rinj s’mund të bëjnë më dallim midis studentëve me arritje të larta dhe të ulëta, dhe pikërisht ky është qëllimi i sistemit të porsakrijuar.
Ngjashëm u veprua edhe me testin kryesor (MCAT) të pranimit në fakultetet e mjekësisë, ku rezultati mesatar për aplikantët me ngjyrë ka qenë në vazhdimësi më i ulët se për ata të bardhë. Mjaft fakultete vendosën kësisoj të heqin dorë nga paraqitja e rezultateve MCAT për aplikantët me ngjyrë(6), duke i zëvendësuar me teste të reja, të rikonceptuara për të eliminuar pabarazinë, ku një e katërta e pyetjeve janë rreth problematikave sociale dhe psikologjisë. Programet tashmë po rishikohen duke pakësuar kurset për praktikën klinike e duke shtuar ato për “privilegjin e bardhë”(7) dhe për “interseksionalitetin” – teoria bazë e botëkuptimit aktual të së majtës rreth efekteve kumulative të diskriminimit. Edhe drejtuesit e fakulteteve të mjekësisë e të departamenteve si kirurgjia pediatrike po zgjidhen sipas identitetit të tyre dhe jo kompetencave profesionale.
Problemi me këto ndryshime është kërcënimi ndaj progresit të ardhshëm në fushën mjekësore që, në fund të fundit, pasqyrohet në më pak jetë të shpëtuara. E thënë ndryshe, ato i bien ndesh haptazi gjykimit të shëndoshë, madje vetë realitetit(8).
Edhe në fushën juridike, prej ku doli fillimisht koncepti i ndikimit të ndryshëm, shohim rënie të ngjashme të standardeve. Ishte administrata Trump e cila, megjithëse e krahut konservator, vendosi të mos kërkojë më vlerësime paraprake nga Shoqata e Amerikane e Avokatisë (ABA) për kandidatët për gjyqtarë në nivele të ndryshme të sistemit ligjor, një praktikë që u vazhdua sigurisht me entuziazëm nga administrata Biden. Kjo për arsye se marrja e këtyre vlerësimeve nga ABA(9) do të ishte e papajtueshme me “diversifikimin e gjyqësorit”. Po rriten ndërkaq presionet për të eliminuar testin përkatës (LSAT) për pranimet në fakultetet juridike, sepse edhe ai ka ndikim të ndryshëm. Mjaft kandidatë pohojnë se testi është tepër i vështirë dhe s’mund të përballohet p.sh. nga nënat e pamartuara, duke nënkuptuar se problemi qendron gjithmonë tek testi, dhe asnjëherë tek personi që kërkon të testohet e të bëhet jurist.
Për të gjitha këto e vërteta, sado e pakëndshme, është se ndryshimi në arritjet akademike pasqyrohet me domosdo në ndryshimin në punësimin sipas meritave, e po ashtu ndryshimi në përqindjet e kryerjes së krimeve është arsyeja e mbipërfaqësimit të të dënuarve me ngjyrë në sistemin e drejtësisë penale.
Problemi me ideologjinë woke dhe me të ashtuquajturën “korrektesë politike” që sundon sot pothuaj çdo aspekt të kulturës amerikane është se përmendja e këtyre të vërtetave injorohet e përpiqet të mbulohet me çdo kusht, duke kërcënuar kësisoj të gjitha arritjet dhe trashëgiminë e qytetërimit perëndimor.
Kuptohet që kur diskutojmë për grupe fjala është vetëm për mesataret brenda tyre e aspak për arritjet individuale, por nga ana tjetër faktet janë domethënëse sepse në vitin 2023 vetëm 3 përqind e maturantëve me ngjyrë ishin të aftë të kalonin testin standard ACT të pranimeve në shkollën e lartë. Po aq të theksuara ishin pabarazitë edhe në teste të tjera dhe përqindja e maturantëve me ngjyrë të aftë për kurset e matematikës së avancuar ishte e tepër e vogël për t’u paraqitur statistikisht në rang kombëtar. Edhe në lexim 50 përqind e maturantëve nuk zotëronin as pjesërisht aftësitë themelore, dhe vetëm 4 përqind ishin të avancuar(10).
Arsyet e ekzistencës së këtyre pabarazive dhe mënyrat për t’i ndrequr janë një çështje tjetër, që ka qenë prej dekadash objekt i përpjekjeve të politikanëve e filantropistëve. Por në këto kushte është e paarsyeshme të pretendohet të ketë 13 përqind personel me ngjyrë mes pedagogëve të një fakulteti mjekësie apo mes partnerëve të një firme ligjore sipas standardeve meritokratike. Dhe aq më keq të akuzohet për racizëm çdo institucion që s’i ka ato përqindje. Ose do të kemi pra diversitet me kuota, ose meritokraci, por kurrsesi të dyja bashkë.
Pabarazitë pasqyrohen doemos edhe në sistemin e drejtësisë penale, gjendja e vajtueshme e të cilit sot në Shtetet e Bashkuara është rrjedhim i parimit që po diskutojmë. Policia dhe prokurorët lokalë në një numër qytetesh të mëdha s’arrestojnë e s’ndjekin më penalisht fajtorët për krime si grabitja e artikujve në dyqane, qendrimi në vende të ndaluara apo kapërcimi i barrierave për të hyrë në metro pa biletë, sepse rezultati do të ishte ndikimi i ndryshëm lidhur me shkelësit me ngjyrë. Këshillat bashkiake kanë vendosur kësisoj që më mirë të mos zbatojnë ligjin, edhe pse në përputhje me kushtetutën, sesa të dënojnë më shumë shkelës me ngjyrë. Po ashtu kompanitë e tregtimit të artikujve farmaceutikë si Walgreens, CVS apo Target preferojnë mbylljen e disa magazinave dhe vështirësimin e sigurimit të ilaçeve nga ana e klientëve, ndaj përballjes me vjedhësit dhe dorëzimit të tyre në polici, sepse kjo do të rezultonte në më shumë shkelës me ngjyrë, siç dëshmohet nga videot virale të grabitjeve(11).
Pasojë e kësaj fryme mosndëshkimi është anarkia urbane në qytete si New York, Los Angeles, Chicago, etj, duke veçuar edhe rritjen më të madhe të vrasjeve brenda një viti pas incidentit Floyd më 2020. Presidenti Biden thekson sa herë që i jepet rasti se prindët me ngjyrë shqetësohen me të drejtë se fëmijët e tyre mund të vriten nga një polic ose nga një keqbërës i bardhë sa herë që guxojnë të dalin jashtë. Madje kryebashkiaku i Kansas City deklaroi vitin e kaluar se “të ekzistosh duke qenë zezak” rezulton të jetë një aktivitet tepër i rrezikshëm. Thënia ishte ironike, por pjesërisht e drejtë: egzistenca si zezak është vërtet shumë më e rrezikshme se egzistenca si i bardhë, por arsyeja janë krimet nga personat me ngjyrë e jo vrasjet nga policët, apo nga supremacistët e bardhë.
Mijëra jetë të zeza vazhdojnë të ndërpriten nga plumbat, midis të cilave edhe dhjetra jetë fëmijësh të qëlluar në oborret e shtëpive apo në makinat e prindëve të tyre. Qysh prej incidentit Floyd, numri i të miturve dhe adoloshentëve me ngjyrë të qëlluar me armë zjarri është 100 herë më i lartë se për të bardhët, ndërsa numri i atyre që kanë humbur jetën gati 25 herë më i lartë. Dhjetra zezakë vriten çdo ditë, më shumë se të gjithë të bardhët e hispanikët së bashku, edhe pse zezakët përbëjnë, siç thamë, vetëm 13 përqind të popullsisë. Mirëpo askush s’guxon ta vështrojë realitetin në sy e t’u përmendë viktimave të paktën emrat, as organizata Black Lives Matter (BLM) në hipokrizinë e saj aq flagrante. Kjo për arsyen e thjeshtë se fajtorët s’janë policë apo supremacistë të bardhë, por zezakë të tjerë, e në këtë rast duket se jetët e zeza të viktimave s’kanë asnjë rëndësi. Në një mënyrë disi jo të afërmendshme sot në Shtetet e Bashkuara rezulton se institucioni që zbaton praktikisht më shumë se kushdo tjetër parimin “jetët e zeza kanë rëndësi” është pikërisht policia.
Edhe në dhunën ndërmjet të bardhëve e të zinjve (përjashto vrasjet) një zezak ka 35 herë më shumë gjasa të kryejë një akt të tillë ndaj një të bardhi se anasjelltas. E megjithatë narrativa kombëtare këmbëngul në idenë e kundërt, pra në atë që zezakët janë viktima të të bardhëve, gjë që pastaj besohet e përhapet me lehtësi nga publiku.
Sa më sipër nënkupton se policia s’mund të rivendosë ligjin dhe rendin në zonat e banuara nga zezakët, pa rezultuar në ndikim të ndryshëm tek kriminelët me ngjyrë. Përballë kësaj dileme klasa politike ka vendosur thjesht të heqë dorë nga zbatimi i ligjit.
Këto prirje për të injoruar problemet reale e për të kritikuar çdo arritje të qytetërimit amerikan, përkatësisht perëndimor, madje edhe fushën e artit e kulturës(12) tregojnë se Perëndimi po detyrohet nga disa forca brenda atij vetë të kërkojë pareshtur falje e të tregojë pendesë kur kjo s’ka arsye të ndodhë. Sigurisht që skllavëria dhe diskriminimi racor ishin shkelje të rënda të idealeve themeluese të Amerikës, e po ashtu edhe kolonializmi me mizoritë e shumta ishte shkelje e rëndë e parimeve kristiane e humanitare në bazë të këtij qytetërimi. Mirëpo ai është i vetmi qytetërim që i ka analizuar hollësisht padrejtësitë, duke nxjerrë edhe mësimet e nevojshme për t’i ndrequr. Sot organizma e institucione nga më të ndryshmet bëjnë ç’është e mundur të punësojnë e promovojnë sa më shumë nga pakicat, e megjithatë, të njëjtat institucione akuzojnë vazhdimisht vetveten për racizëm. Përsëri pra logjika dhe gjykimi i shëndoshë sfidohen haptazi, me pasoja potenciale tepër të rrezikshme.
Është Perëndimi ai që ka formësuar në fakt çdo aspekt të egzistencës njerëzore kudo në botë. Metoda shkencore dhe pasioni për zbulimin dhe dijen i kanë dhënë botës arritje të mëdha në zhdukjen e sëmundjeve universale dhe nxjerrjen nga mjerimi të miliarda njerëzve. Pothuajse çdo strukturë dhe çdo pajisje që përdorim sot ka qenë rezultat i aftësisë dhe i shpikjeve perëndimore. Privilegji i vërtetë në këtë mes është jeta e kujtdo që është transformuar nga këto arritje, pra, praktikisht e çdo banori të planetit.
Edhe idetë e qeverisjes kushtetuese e të të drejtave të njeriut lindën gjithashtu në Perëndim. Të gjitha qytetërimet kishin praktikuar skllavërinë, por ishin vetëm anglezët dhe amerikanët ata që konsakruan burime të shumta, duke derdhur edhe gjak, për t’i dhënë fund një praktike pothuajse universale(13). Madje ironia më e madhe është se të gjitha idealet që majtistët e sotëm përdorin për të goditur Perëndimin, si të drejtat e njeriut, barazia, apo toleranca, i kanë fillesat në Perëndim.
Sulmi i vazhdueshëm ndaj meritokracisë në Shtetet e Bashkuara e në vende të tjera perëndimore po rrezikon sigurisht edhe avantazhin e tyre shkencor. Rivali kryesor i Perëndimit, Kina, nuk shqetësohet aspak për politika identitare e marrëzi të tjera të ngjashme, dhe vendos të gjitha burimet e mundshme në dispozicion të studentëve më të talentuar. S’është rastësi që nxënësit kinezë janë të parët në testet ndërkombëtare të matematikës, shkencës dhe leximit deri në nivel mature, ndërsa ata amerikanë janë në vendin e njëzet e pestë. Kina po përparon me shpejtësi në fushat e nanofizikës, inteligjencës artificiale e teknologjive ushtarake, por Shoqata Amerikane e Matematikës përcakton si përparësi kryesore luftën kundër racizmit në matematikë(14).
Këto prirje vetasgjësuese duhen kundërshtuar vendosmërisht duke pohuar se standardet dhe meritokracia s’janë kurrsesi raciste. Kategoritë si raca, gjinia dhe preferenca seksuale s’janë e s’mund të jenë kualifikime për një punë a pozicion, e po ashtu qenia femër, person me ngjyrë apo me një orientim të caktuar seksual s’mund të konsiderohen kurrë arritje. Prandaj veprimtarët konservatorë në çdo kohë e vend që të munden duhet të hedhin poshtë ide të tilla si ajo e ndikimit të ndryshëm e të përkrahin meritokracinë dhe standardet përkatëse. Sigurisht që konservatorët do të akuzohen për luftë kulturore nëse e bëjnë këtë, në një kohë kur elitat progresiste janë angazhuar në një revolucion të vërtetë kulturor, duke sfiduar realitetin dhe logjikën më elementare.
Qasja e problemeve nëpërmjet optikës së ndikimit të ndryshëm dhe konsiderimi i racizmit si i vetmi shpjegim i lejueshëm për pabarazitë mes racave s’mund të mos jenë të dëmshme për fatet e demokracisë amerikane e të krejt Perëndimit. Përkundrejt kritikave e kërcënimeve të revolucionarëve progresistë, krahu konservator duhet të mbrojë të vërtetën, logjikën e shëndoshë, dhe traditat më të mira të këtij qytetërimi për të mos lejuar rënien e shkatërrimin e tij.
© 2024 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
(1) INOVACIONI DHE KRITIKAT NDAJ PERËNDIMIT, Peizazhe të fjalës
(2) inicialet e fjalëve anglishte: Science, Technology, Engineering, Mathematics
(3) RACISM Overcoming science’s toxic legacy
(4) In Smithsonian Race Guidelines, Rational Thinking and Hard Work Are White Values
(5) USMLE Step 1 change has unintended effects on residency selection
(6) Eliminating bias from medical school admissions
(7) Creating Action to Eliminate Racism in Medical Education
(8) PROGRESIZMI AMERIKAN SOT: LUFTË DHËMB PËR DHËMB NDAJ REALITETIT – Peizazhe të fjalës
(9) ABA i dha vlerësim maksimal një kandidateje për Gjykatën e Lartë që hyri në histori me refuzimin këmbëngulës për të përkufizuar fjalën “grua” duke u justifikuar se “s’jam biologe”: ‘I’m not a biologist’: Judge Jackson can’t define ‘woman’ at SCOTUS confirmation hearing
(10) Racial achievement gap in the United States
(11) Myth of the Starving Shoplifter
(12) Kështu ndërsa traditat kulturore kineze, afrikane apo indiane trajtohen me respektin më të madh, arritjet e artit perëndimor në muzikë, pikturë, teatër etj. po hidhen poshtë sepse quhen të përshkuara fund e krye nga “imperializmi”, “supremacia e bardhë” dhe nga shtypja mbi racat e tjera: https://thewellesleynews.com/2021/10/13/wellesley-ditch-the-barb-drop-the-shakespeare-requirement-for-english-majors/
(13) anglezëve p.sh. ju desh të pushtonin Lagosin më 1861 për ta detyruar sundimtarin e vendit të hiqte dorë nga tregtia e skllevërve, ndërsa marina e tyre përdori më se 13 për qind të kapacitetit për të bllokuar tregtinë transatlantike të skllevërve: https://www.britannica.com/place/Nigeria/The-arrival-of-the-British
(14) What can we do against racism in mathematics education research?