për protestuesit e 1968-ës, fashist ishte
kush nuk i mendonte gjërat si ti.
U. Eco
“Ngelësit” ishte edhe fjala kyç që u përdor nga pushteti. Për t’u rënë në sy votuesve të sjellshëm dhe familjarë, që e duan çunin e gocën me të gjitha dhjeta, ne u bëmë papritmas rrugaçët. Edhe ne që nuk dimë të hamë akoma sot e kësaj dite fara luledielli në stadium. Edhe ne që ishim me dhjeta. Edhe ne që do të donim të mos ishim me dhjeta. Në fakt u kuptua që në kushte rezistence më praktikët ishin ata që kishin eksperiencë në organizim dhe në ligjërim publik, por kjo nuk i pengoi të tjerët të flisnin për çfarëdo lloj gjëje, edhe të qanin halle.
Ata që ua dinin telat dinamikave të grupit, ata që kishin organizuar tryeza studentore në 2014, ata që ishin miq pedagogësh të pushuar padrejtësisht nga puna, ata që merreshin me lëvizje politike, ata që mbronin të drejtat e punëtorëve e të grave. Ata që lexonin teori dhe merrnin pesa në provime. Ata që pinin cigare dhe konjak. Vajzat që pinin cigare dhe konjak. Djemtë me raki. Ne që mbanim mikrofonin dhe shpërndanim mikrofonat çuditeshim nga shkathtësia dhe ndonjëherë edhe qeshnim fshehurazi me ndonjë gafë, por asnjëherë duke mos paragjykuar. Kishte nga ata që nuk e morën fjalën kurrë. Gjynah. Kishte nga ata që nuk u ngjitën asnjëherë te Pema te “Rruga e Durrësit” përballë Ministrisë së Arsimit. Unë isha nga ata. M’u deshën dy javë që të mësohesha me çfarë po ndodhte, pavarësisht se shkoja aty çdo mëngjes dhe sillesha rrotull më vonë gjithë ditën. Më parë pata qenë në plogështi.
Kishte dhe nga ata që folën për korrupsionin. Ka gjithmonë nga ata që flasin për korrupsionin. “Penallti do të kish qenë po të mos ishte për korrupsionin”, shkruan në një bllok një miku im i atyre viteve, që nuk po dua t’i jap emër.
Një sens humori përvijoi të gjithë ngjarjen, edhe ata që hynë në punë në administratë më pas me vendimet për ekselentët gjithsesi e ruajtën gjysmëbuzëqeshjen. Edhe ata që u bënë prindër njësoj. Edhe ata që sërish u morën dhe akoma merren me politikë, për t’u dukur burra të fortë e maçistë me mustaqe që nuk kanë ndjenja, thonë që ka pasur protesta njësoj të mëdha si ajo për “ngritjen e çmimeve”. Nuk ma merr mendja. I don’t think so. Guess again.
Pa dyshim që duhet të kemi kujdes të mos trajtojmë në tërësi racionalizimin e shoqërisë apo kulturës, por ta shqyrtojmë ecurinë e racionalizimit në fusha të ndryshme – secila prej tyre e rrënjosur në gjirin e një përvoje shoqërore themelore: marrëzia apo çmenduria, sëmundja, vdekja, krimi, seksualiteti etj.[1]
Mënyra se si u racionalizua protesta më pas, ishte si e frymëzuar nga opozita (që deri atëherë nuk bënte protesta, këto të fundit ishin ekskluzivitet i së majtës), e frymëzuar nga grupime nacionaliste, se erdhën aktivistë nga Vetëvendosja e Kosovës, se ishin brenda madje dhe forume të PS?! Se kishte vite që LPU po organizonte tryeza. Se taksa për provimet ishte pika e ujit që derdhi kupën. Që varfëria masive shpërtheu në universitet, që Rama e teproi me ministren Nikolla si ministre Arsimi, që ministrja që erdhi më pas (Besa Shahini) ishte shumë seksi dhe pjesë e komplotit të Ramës për të shkatërruar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen (është e martuar i pata thënë një pedagogu që ia shprehu dashurinë në facebook, madje me Dardan Molliqajn, atëkohë në negociata për dalje nga VV, pasi kish qenë më parë krahu i djathtë i Albin Kurtit, të majtin s’e morëm vesh kush ishte, se dolën çik si shumë atëkohë). Që rektori Koni dhe dekani Kule nga ekonomiku e kishin bërë si Medvedev me Putinin andej në Rusi, duke i lënë pushtetin njëri-tjetrin. Që ai çiklisti me flamur dhe kasketë ishte në fakt figurë e infiltruar nga Erion Veliaj, që ka në kontroll të gjitha mediat. Që Sali Berisha po kthehej si Voldemorti te Harry Potter. Që ky ia futi këtij që t’ia fuste atij, që të na e fusnin të gjithëve. Ishte kështu dhe një justifikim i dëshirës kolektive, u kthyem edhe njëherë te spektakli dhe telenovelat. Disa u përpoqën të përqendroheshin te Teatri dhe mbase kjo hemorragji e njerëzve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar sikur e dobësoi kauzën e Universitetit. Më pas pandemia i goditi të dyja, i goditi të gjitha.
Nëse duam të kuptojmë se si kemi rënë ngadalë në kurthin e historisë sonë, duhet t’u kthehemi disa proceseve akoma më të lashta në kohë.[2]
Në fakt, ka pasur një kohë kur universiteti ishte akoma më keq se ç’është sot dhe se ç’ishte në atë kohë. Kishte një kohë kur dukej e paimagjinueshme të kishte studentë që donin të lexonin çfarë kishin qejf dhe jo këllira. Studentë që përpilonin lista librash për t’u lexuar dhe për të mos u lexuar (kjo e fundit ishte ide e imja për të cilën jam veçanërisht krenar). Studentë që ndërtonin një ligjërim të majtë të krahasueshëm me atë të studentëve europianë dhe me atë të paraardhësve tanë në ’68. Studentë që nuk flisnin veç për banalitete, si lekët për provime apo revistat me faktor impakti, apo çmimet e doktoratave. Studentë që nuk ankoheshin që studentët rrinin veç në kafe. E ç’të keqe ka kafeja[3], mua më pëlqen dhe më zgjon (si thotë poezia e Dritëroit, në kafenenë e preferuar etj). Studentë që nuk donin të diplomoheshin te Vitrina, më mirë punonin në kuzhinë diku, këtu apo jashtë. Studentë që kishin mësuar nga studentët më të mirë që kishin ikur dhe ishin kthyer pastaj. Kishte dhe pëllitje: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të cilave një shoqe armësh, veçanërisht patriote, iu përgjigj “E duam Shqipërinë si Shqipëria”. Unë për vete dëgjova vetëm “si Shqipëria” dhe më pas e plotësova mendërisht me një “hajt mo”. Por bëra gabim. Protesta e studentëve ishte ndoshta i vetmi moment në historinë e Shqipërisë ku Shqipëria nuk ishte si Shqipëria. Shqipëria të cilën jemi mësuar ta shohim, Shqipëria me të cilën jemi mësuar. Jo Shqipëria që mund të jetë, për të cilën e kishte fjalën shoqja.
Zoti, dhe vetëm ai, është bariu i popullit të vet. Ka vetëm një përjashtim pozitiv: duke qenë themelues i Monarkisë, Davidi mund të thirret me emërtimin e bariut, ngaqë Zoti i pat besuar fillimisht misionin e mbledhjes së një kopeje.[4]
Sigurisht, nuk mund të thuhet që nuk ka ndryshuar asgjë, që ku jemi e tjerë, ububu, të vëmë kujën. Në fakt kjo do të ishte një rënie në banalitet. Do të ishte një shkarje nga kauza. Ka dhe një gjë të çuditshme. Që nga ajo kohë të gjithë jemi sikur të thirrur nën armë, nën kauzë, që të bëjmë diçka, të kundërtën, hiçin nuk e bëjmë dot. Edhe kur jemi duke pirë drogë me gruan në breg të detit, sikur po themi fuck the police. Bëj shaka, policët e Ministrisë së Arsimit i kishim shumë xhan, edhe ata ne. Rast i rrallë qytetarie dhe rast i rrallë kur një koncept bajat si qytetaria, i ngritur në piedestal nga shkencat e komunikimit dhe edukata qytetare, provoi vlerën e lëkurës së vet. Edhe kur po bëjmë ndonjë grafiti poshtë urës. Edhe kur shkruajmë. Edhe kur filozofojmë. Edhe kur llogarisim sa shishe qumësht do të blejmë në supermarket. Edhe kur shohim çmimet e librave. Ishim edhe ambientalistë. Pastruam edhe Rrugën e Durrësit. Flisnim edhe shumë me njëri-tjetrin. Askush nuk dinte kur do të përfundonte protesta ditën tjetër, dinin vetëm kur fillonte. Protesta për herë të parë u bë cool, dhe prandaj ishte “Protesta” me “P” të madhe. Të gjithë donin një copë nga ajo. Edhe ata që shihnin lajmet me supë para në darkë, donin të dinin. Edhe ata që i kishin poshtë shtëpisë. Si Agim Kubati, për shembull. Këto gjëra të vogla i jepnin një dozë dhe më romantike asaj. Protesta nuk pat udhëheqës, por pat megafona. Pat celularë. Ne nuk kishim prijës. Kishim shokë që flisnin dhe që më pas mund të mos i shihnim më dhe kjo ishte më e bukura.
Sigurisht, dhe udhëheqësi grek kishte detyrë të merrte vendime në të mirë të të gjithëve; po të vinte interesin e tij mbi atë të të gjithëve, do të ishte një udhëheqës i keq e i padenjë. Mirëpo detyra e tij ishte një detyrë e lavdishme: qoftë dhe jetën po ta jepte në luftë, kjo sakrificë shpërblehej me një dhuratë të paçmuar, që ishte fitimi i pavdekësisë.[5]
Këtu nuk kishim të bënim me pavdekësi selektive, individuale, por me pavdekësi kolektive, si edhe ndodhi. Këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe jo me tonin e të thururit elozhe për Enver Hoxhën. Madje neve që ishim pak më të mëngjër se duhet, me shaka na rekomandonin, dhe akoma sot na rekomandojnë, librat me kapakë të kuq të trashë, që nuk i ngjajnë tjetër veçse librave të shenjtë. U bë deri diku dhe batutë, anekdotë e padëmshme, shaka e miqve tanë që e donin Shqipërinë si gjithë Europa, por sot ndjekin rrugët më antieuropiane të mundshme.
Zhvillimi i “teknologjisë pastorale” për qeverisjen (direction) e njerëzve i tronditi me sa duket fund e krye strukturat e shoqërisë së lashtë.[6]
Në protestën e studentëve nuk kishte asgjë patetike si qeverisje pastorale, protestues me autobusë e të tjera. Në fakt, të vetmit autobusë ishin ata që ne merrnim përherë për të shkuar në qytetet tona, ata që nuk ishin nga Tirana. Megjithëse shumë ndenjën dhe kishin ndenjur gjithmonë, ishte kënaqësi e veçantë për shumë nga ne Tirana në protestë dhe fakulteti bosh, si shkollat tona të para nëntëvjeçare në kohë vere apo për provimet e maturës. Ka pasur gjithashtu incidente të izoluara, ku disa edhe mund të kenë dashur të fillojnë mësimin, disa edhe mund të jenë frikësuar nga thashethemet më shumë sesa propaganda, sepse nuk merreshim vesh gjithmonë. Kishte nga ata që donin të përfitonin, po pak, shumë pak.
Po ashtu Zeusi quhet Nomios et Nemeios, pasi përkujdeset për ushqimin e deleve të veta. Së fundi, gjyqtari duhet të jetë philanthropos, domethënë t’i largohet egoizmit. Ai duhet të tregohet plot zell dhe dashamirësi, porsi një bari.[7]
Foucault dekonstrukton këtu strukturën pushtetare dhe sunduese të limiteve më të vogla të jetës, të ushqimit, por dhe proceseve të tjera biologjike, seksualitetin e denoncon diku tjetër. Si ka mundësi që nuk ka një diskurs për ushqimin? Kjo nuk dihet. Ndoshta sepse ne jemi akoma në këtë qerthull, ku jemi bijtë e Perëndisë dhe jo për mirë. Shteti të fal, pushteti e përdor faljen kundër teje, të skllavëron, ti tashmë ke rënë në mëkat shtetëror, ke bërë krim. Krimi është mëkati shtetëror. Egoizmi është njëjës dhe prandaj e kundërta e tij shumëfishohet si hidra, i lejohet vetëm të pandehurit, jo atij që jep vendimin. Trajtat e kësaj metode janë maniakale, shkojnë dhe në universitet. Ne i pamë. Disa funksionarë mundoheshin të tregoheshin të mirë, por nuk ishin solidarë, por them pak, shumë pak. Pedagogët mësuan dhe ata vetë shumë nëpër asamble, mësuan të ishin më pak patronizues, më pak këshillues. Ndërkohë që më parë kishin qenë disa si kujdestare kopshti me drekë, duke të pyetur deri dhe pse ke ndenjur vonë mbrëmë. Krahasuar me fakultetet e tjera, shumë më pak te Shkencat Humane. Tek Ekonomiku teoritë e stërvjetruara dhe librat me përmasa të jashtëzakonshme mundoheshin të krijonin atmosferë Harvardi ku nuk kishte pedagogë. Nxënës të shkëlqyer në gjimnaz ngelën përnjëherësh si tek Ekonomiku, ashtu edhe Politekniku. Arkitektura, nga ku mori zjarr dhe protesta, ka qenë fakulteti nën influencën më shtypëse të pedagogëve dhe funksionarëve, më paragjykues sepse shkonin kryesisht vajza dhe më skandaloz nga ana e ngacmimeve seksuale të pedagogëve apo parave që duheshin për projekte apo për provime. Librat nuk i hynin kujt në punë. Ama, Erasmuse mund të merrnin dhe kanë marrë shumë, por jo vërtet ato që kishin nevojë, por kryesisht vajza vetëm të bukura apo djem shumë të hedhur.
Analiza e Platonit është e njohur. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, Platoni arsyeton me ndarje dalluese. Në fillim dallon njeriu që u përcjell urdhrat gjërave pa jetë (p.sh. arkitekti) nga ai që urdhëron frymorët; pastaj bën dallimin mes atij që urdhëron frymorë të veçuar (qetë e një parmende, për shembull) dhe atij që udhëheq një kope të tërë; së fundi, dallon atë që udhëheq një kope kafshësh nga ai që udhëheq një kope njerëzish. Dhe mbërrijmë kështu te prijësi politik: një bari njerëzish.[8]
Këtë prirje pedagogët e arkitekturës e kishin çuar si shumë nëpër skaje, duke i konsideruar studentët si manekinë pa jetë. Shumë të verbër, ata nuk dallonin shumë mes studentit dhe modelit. Studentët jashtë disa kanë qenë shumë solidarë, por disa dhe xhelozë, disa nuk erdhën, disa ishin nisur andej thjesht nga moda e të studiuarit jashtë. Përshtypja që lanë pas, nuk ishte e mirë. Protestën e bëri mbetja e llogarisë, të mbeturit, të mbyturit për ta thënë me Primo Levin, ngelësit.
Dihet se vetëshqyrtimi i ndërgjegjes ishte i përhapur te pitagorikët, te stoikët dhe tek epikurianët, të cilët e shihnin si mënyrën e përditshme për të llogaritur të mirat ose të këqijat e kryera në raport me detyrat e vëna vetes.[9]
Mendoj se filozofia greke shpeshherë shihet si mënyrë jete, pa u parë shkollat e ndryshme si përcaktuese të disa arketipave që mund t’i gjejmë në shoqëri. Ata që nuk pinin duhan dhe raki, ishin stoikë, ata që visheshin mirë, ishin epikurianë, ata që lexonin dhe bënin llogaritë e sakta me lekët e javës (që shumica nga ne ua merrnim akoma prindërve), ishin pitagorikë. Secili pat synimet e veta, por gazmendi që na kaploi të gjithëve vetëm sa na ndihmoi të linim pas egoizmin, të kapërcenim diferencat dhe të vinim muzikë me bokse te holli i fakultetit, ndonjëri nga ne edhe i binte kitarës, ndonjëri vinte nga fakultet tjetër, ndonjëri kishte dhe përgjegjësi familjare, sidomos ndër pedagogë që kishin edhe ata shpeshherë protestën e tyre, aty te fakulteti apo te rruga, apo te kryeministria. Disa pedagogë deshën të fusin stërkëmbësha, nuk i lanë, pastaj erdhi i ngrohti dhe protesta mori fund. Bukur do të kish qenë të rifillonte në maj, por ishte një vit i tërë akademik që duhej vënë në vijë, e plotësuar, e më the të thashë. Gjatë bojkotit u organizuan edhe protesta feministe te ministria, ishim gjithmonë në lëvizje, prandaj edhe humbëm shumë energji.
Duke kombinuar këto dy lojëra – lojën e qytezës dhe të qytetarit me atë të bariut dhe kopesë – në gjirin e atij që do të quhet shteti modern, shoqëritë tona shfaqën një karakter vërtet djallëzor.[10]
Ndoshta nuk mund të japim një gjykim moral për bojkotin, nuk di të them në ishte i mirë apo i keq, në do të kishin zgjatur më shumë protestat, në do të kishte pasur më shumë se një, në do të kishin qenë të dhunshme, në do të kishim pasur më pak kulturë në to, në do të ishin bashkuar punëtorë, minatorë, punonjës call centerash, prindër, administratë, opozitë, aktorë, artistë apo të tjerë. Nëse qeveria dhe rektorati do të kishte lëshuar më shumë pe. Nëse Rama do të kishte folur më pak me studentë. Nëse studentët e Ramës do të kishin qenë aty me të dhe jo në rrugë, studio, në shtëpi apo jashtë.
Përgjatë krizave të njëpasnjëshme të saj, Kisha u përpoq pa ndalim të merrte ose të përforconte funksionet e saj pastorale.[11]
Dihet që Kafe Flora ka një histori, dihet që dhe studentët e kollarisur zemërkëllirë, që studiojnë jashtë për “Tregtinë e lëkurës së krokodilëve në shekullin XVI”, si thotë Badiou, dihet që nazizmi femër[12], nazizmi mashkull[13], racistët dhe xhandarët e moralit do të jenë gjithmonë aty për të bërë zërin e dytë, për të ndarë qimen më katërsh, për t’u ankuar kot (po ku jeni ju tani? Pse nuk bërtet ambasada?) e për të bërë poza. Ndonjëherë harroj sa shumë fytyra kam parë dhe sa pak fytyra mbaj mend vetëm duke i dhënë rëndësi atij kolektivitetit mahnitës politik që ishte ajo protestë. Thotë Sartri, te Kritika e Arsyes Dialektike, që kolektivitet është edhe një grup njerëzish që presin autobusin, por nuk janë kolektivitet politik. Kishim aty shprehjen më të lartë të qenies për tjetrin. Qenies së lirë. Të ndierit të lirë. Aty takova shumë shokë, por pak shokë të vjetër, dhe nuk pendohem hiç. Njoha njerëz të mahnitshëm dhe mësova shumë gjëra të reja. Mësova edhe si të sillem dhe si të mbaj gojën mbyllur atëherë kur duhet e të ngre zërin herët e tjera.
Me emrin «polici» ata nuk kuptojnë një institucion apo një mekanizëm që funksionon brenda shtetit, por një teknikë qeverisjeje që është veçanti e shtetit: fushat, teknikat, dhe objektivat që kërkojnë ndërhyrjen e shtetit.[14]
Policimi i trupave në universitet nëpërmjet kohës së detyruar për shikimin dhe leximin e teksteve, për shkrimin, rishkrimin dhe kopjimin e të tjerëve, për budallallëkun që duhej riprodhuar, vetëm e imagjinoj neveritjen dhe zhgënjimin e studentëve të Juridikut, Politeknikut dhe Ekonomikut. Jo vetëm ta mbash mbi kurriz një libër gjigant, por edhe ta mbash mbi kurriz. Për studentët e mjekësisë kjo do të sillte probleme me shpinën, megjithëse ata vetë dolën më të emancipuar, më miqësorë, sidomos psikiatrit, pasi dhe ata u “çmendën” një herë.
Turquet e thotë madje hapur në një fjali emblematike: objekti i vërtetë i policisë është njeriu i tërë, shprehet ai në substancë.[15]
Policët na vëzhgonin, na disiplinonin, por nuk kishin funksionin e policëve të vërtetë, policët e vërtetë ishin rektorët, dekanët, pushtetarët, biznesmenët, pedagogët e paaftë. Nuk ishin miqtë tanë policë ata që ne i mbanim, dhe çadrat në të ftohtin e dhjetorit. Dikush pandehu se do të bëheshim të dhunshëm, por tashmë, ne, kishim pësuar shumë dhunë, në vite, nga institucionet arsimore për ta autolegjitimuar çfarëdolloj dhune. Kishte ndonjë që donte t’ia kërciste, por qetësohej shpejt. Dija jonë, shpirti ynë po mundohej të policohej. Të dënoheshim pse ndiheshim të lirë. Përjashtimi e bën rregullën, thoshte një profesor i imi i dikurshëm i matematikës. Ne ishim përjashtimi që mund të nxiste zjarrin e shpresës. Por pse duhej? Ne nuk kishim asnjë detyrë, asnjë mision, ishim spontanë, ishim të bukur.
Njeriu i rrahur e i lidhur me pranga i nënshtrohet, sigurisht, forcës që ushtrohet mbi të. Forcës, por jo pushtetit.[16]
Nuk ishim as të shpunësuar, as të papunë, as snobë, as kriminelë, ishim idealistë, ishim fytyra e re humanizmit. Ishim të pafytyrë. Ishim shumë të pafytyrë. Ishim shumë të pafytyrë! Nuk kishte askush pranga mjaftueshëm për të gjithë ne. Prangat i humbëm.
Adri Kalaja, ngelës
Tiranë, 2024
© 2024 Adri Kalaja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
[1] “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”, Michel Foucault, vepër e cituar.
[2] “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”, Michel Foucault, vepër e cituar.
[3] Ardian Vehbiu madje të gjithë trilogjinë e tij të Zotit Shyti e përqendron në kafene.
[4] “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”, Michel Foucault, vepër e cituar.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Shih filmin “Falja e gjakut” me aktorë Sindi Laçej dhe Tristan Halilaj për konsensusin dhe demokracinë politikisht korrekte që na e shpifte të gjithëve aq shumë me hipokrizinë e saj të natyrshme.
[13] Dhori Kule me shokë që kanë uzurpuar pa të drejtë shumë poste dhe kolegët e tyre nëpër borde administrimi.
[14] “Omnes et Singulatim: drejt një kritike të arsyes politike”, Michel Foucault, vepër e cituar.
[15] Po aty.
[16] Po aty.