Pati ndonjë lexues që monologun e aktorit Xhevat Limani, që e përmenda në shkrimin e djeshëm (Turbologji për djelmninë) e panë si një instancë tjetër të mendimit turbologjik në veprim – mendim që unë e kam kritikuar shpesh në faqet e kësaj reviste.
Në të vërtetë, aktori Limani atje nuk shfaqet si turbolog, por si recitues elokuent i një teksti që nuk e ka hartuar ai vetë, por e kanë shkruar të tjerët. Ai as që bën përpjekje për t’i shprehur ato gjykime si diçka të re, që kërkon t’ia përcjellë publikut; përkundrazi, i artikulon me forcën e kujt ka marrë përsipër përhapjen e tyre, dhe me zellin e një predikatori.
Dhe një aktor e mund ta bëjë këtë shumë mirë, falë simpatisë së natyrshme që ka publiku për të; dhe sepse ai vetë është mësuar që t’u japë jetë dhe afsh fjalëve të së tjerëve, në skenë dhe ndonjëherë edhe gjetiu.
Turbologjia, megjithatë, nuk është më përfundimi i atij monologu, por premisa e tij; e shprehur si narrativë e thjeshtuar dhe naive, me të mirë dhe ligj, heronj dhe tradhtarë, tek e cila folësi tani mbështetet, për të dhënë verdiktin e tij (mallkimin a munxën).
Ndryshe vepron turbologu klasik, i cili del para kamerës për të sjellë diçka të re, kundërshtuese të statu quo-së dhe të establishmentit albanologjik; qasja e tij është subversive, sepse ai kërkon të rrëzojë idhujt e mendimit të djeshëm, me bindjen se ua ka gjetur zëvendësimin.
Ajo që bën Limani, dhe shumë e shumë të tjerë si Limani, është të ofrohet si vektor për një virus të mendimit, duke ndihmuar në përhapjen e tij. Rrëfimi i tij, për albanologët që e nxjerrin shqipen nga serbishtja, për shqipen 1500 vjeçare dhe shkencëtarët amerikanë dhe 6000 vjetët biblikë të moshës së shqipes dhe tradhtia e Judës, është një nga shumë rrëfime të ngjashme, me natyrë folklorike, i cili tani i ka mbijetuar konkurrencës me të tjerat dhe tani riprodhohet lirisht nga një mendje në tjetrën, në formë epidemike.
Që arrin të riprodhohet kështu, kjo nuk e bën më të vërtetë, por vetëm sa vë në dukje që narrativa anti-albanologjike ka arritur një lloj përsosmërie brutale, të tillë që nuk mund të shpërfillet dhe as të lihet mënjanë, me shpresë se do të vyshket vetvetiu. Përkundrazi. Suksesi i kësaj narrative tregon se jo vetëm viktimat e saj paskan pasur nevojë të dëshpëruar për të, por edhe se ajo vetë, si narrativë, ka evoluar nga një iteracion në tjetrin, njëlloj si një organizëm i gjallë. Që shkencëtarët amerikanë i jepkan shqipes moshë të barabartë me atë të botës në Bibël (6000 vjet), ndërsa akademikët tradhtarë e nxjerrin vetëm 1500-vjeçare dhe për më të tepër bijë të serbishtes; madje që albanologët tanë paguhen prej agjenturave të huaja, për të qenë “antishqiptarë” dhe për të shtypur e shurdhuar të vërtetën për shqipen gjuhë mesianike dhe origjinë të gjuhëve anembanë botës – i gjithë ky konstrukt nuk ka më nevojë të verifikohet; sepse është adoptuar si premisë universale e së vërtetës; njëherazi aksiomë dhe mit.
Kjo narrativë ka marrë tashmë përhapje virale dhe duhej të përbënte problem edhe kulturor edhe social. Autoritetet arsimore dhe akademike duhej ta shihnin përhapjen e saj si dështim të përpjekjeve dhe të politikave të tyre; në mos edhe si dështim të shkollës shqipe. Nëse narrativa historike, ashtu siç mësohet në shkollë, është pjesë e identitetit modern të shqiptarit, atëherë disa prej nesh duhej edhe të ishin shqetësuar që ky identitet sot po merr, vende-vende, trajta të përçudnuara; dhe se qytetari po rrezikon të fillojë të besojë jo vetëm legjenda dhe mite, por edhe gënjeshtra. Përçmimi ndaj elitave kulturore – sidomos ndaj “Akademisë” – pavarësisht nga arsyet që sillen, tregon edhe një vullnet për t’i zëvendësuar këto elita me të tjera, të reja.
Turbologjia në këtë mes është vetëm maja e ajsbergut e një fenomeni masiv; sepse një gjë është një vepër fantalinguistike, që shitet në një cep librarie; dhe një gjë tjetër teza e shprehur në atë vepër, por tashmë e riprodhuar në televizion, e shkëputur nga çdo realitet dhe kontekst shkencor, por e shërbyer me garniturë paranojake. Në televizion turbologët kanë gjetur aleatin e tyre të natyrshëm, megafonin që ua tejçon zërin në distancë dhe vektorin që do ta përhapë infeksionin në trutë e të pavaksinuarve, çfarë edhe më provon se shumë prej këtyre “alternativëve” tani janë lodhur me orvatjet për t’u marrë seriozisht nga dija mainstream, dhe po investojnë rëndshëm në popullaritet: me fjalë të tjera, e kanë kuptuar se ndërmarrja e tyre nuk ka të bëjë aq me shkencën, sa ç’ka të bëjë me show business-in.
Një epidemi është gjithnjë edhe çështje imuniteti, ose më mirë, e gatishmërisë së viktimës për t’u mbrojtur. Masa e madhe të gjithë atyre, që janë gati të besojnë narrativën turbologjike, më lë të kuptoj që shkolla ka dështuar në misionin për t’i pajisur mendjet me sistemet e duhura imunitare – duke filluar nga të menduarit kritik. Është kjo mangësi që ka lejuar suksesin e turbologjisë; ky boshllëk në aparatin logjik të mendimit, të cilit ia ka zënë vendin paranoja – ose qasja e kujt e zëvendëson çdo debat mes palëve në konflikt antagonist; dhe e sheh të vërtetën jo si pikësynim të çdo përpjekjeje të njohjes, por si pikënisje të çdo përpjekjeje për ta ndarë botën në ne dhe ata; dhe ku secila palë ndërluftuese ka në zotërim të vërtetat e veta.
Nuk më duket rastësi që ky dështim madhështor i sistemit shkollor në Shqipëri dhe në Kosovë përkoi me periudhën kur një masë e madhe shqiptarësh u përballën me realitete të tjera, për ta të padeshifrueshme, europiane dhe botërore. Kam shkruar që turbologjia u shfaq edhe si një lloj të menduari magjik, që do ta ndihmonte shqiptarin të kapërcente inferioritetin e dhimbshëm dhe do t’i jepte këtij armë të dobishme, për të kundërshtuar racizmin dhe përçmimin e Tjetrit. Sipas një mekanizmi psikiatrik të mirënjohur, ndjesia e persekutimit erdhi e u shndërrua, me kalimin e viteve, në megalomani.
Falë mekanizmave epidemiologjikë të përhapjes, narrativa turbologjike funksionon tani si një lloj feje surrogato, tek e cila “besimtarët” gjejnë ngushëllimin e së vërtetës, ashtu siç u shërben atyre. Fenomeni nuk ka të bëjë më as me linguistikën, as me folk-linguistikën, as me historinë; ka natyrë arsimore, sociologjike dhe antropologjike, dhe meriton të studiohet seriozisht, sa kohë që institucionet publike ende shpresojnë se mund ta kryejnë misionin e tyre; duke filluar nga institucionet arsimore dhe mass mediat. Kjo masë njerëzish, që e përjetojnë identitetin e tyre sipas një narrative irracionale dhe janë gati të besojnë përralla nga më absurdet për historinë e stërgjyshërve të tyre dhe të gjuhës së tyre, nesër do përfaqësojë një faktor politik sa të paparashikueshëm aq edhe të fuqishëm; efekti kryesor i të cilit rrezikon të jetë një izolim i ri i shqiptarëve nga bota.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Une po dua te bej nje hipoteze qe mbeshtetet ne nje thenie te vjeter: “Hajduti bertet kapeni hajdutin”. Qe te merremi vesh, pa hyre ne detajet idioteske te “etimologjise” se re, qe nuk me interesojne edhe aq shume sepse duket faqeza qe jane perçartje trush te nxehura, me kritik dhe i rrezikshme me duket “perfundimi” qe Akademia, albanologet e establishmentit dhe gjithe dijetaret e sa kaluares dhe te tashmes qe perpiqen te kontribuojne profesionalisht ne kete leme, na qenkan agjente te serbit dhe te grekut. WOW! Nje ushtri shkencetaresh te vene ne sherbim te armikut te jashtem historik. DHe mua me shkon mendja, po sikur keta birbot qe pretendojne kete hajvanllek te jene pikerisht ashtu si akuzojne te tjeret, dmth te shitur tek greku dhe serbi, ose edhe te italiani, apo bullgari, a mbase edhe kinezi me qellim qe te diskreditojne shkencen serioze te Albanologjise dhe te mbjellin nje surrogat qesharak qe vec do ta vere, ne mos e ka vene, tashme ne nje pozicion qesharak ne sy te botes te ashtuquajturen “Albanologji”, pervec demit kolosal qe shkaktohet ne kombin shqiptar ne teresi si pasoje e ushqyerjes te tij me megallomani ekstreme, qe do t’i mbivendoset “bishtit” te vjeter qe na kishin ngjitur ne shqiptareve dhe qe mesa duket akoma nuk na ka rene fare.
Kam shkruar të njëjtën gjë dje në Facebook, në përgjigje të njërit që më ish lëshuar me akuza:
Një urtësi ndoshta disi kundërintuitive turke – më gjerësisht islamike, madje lindore, kam përshtypjen – thotë se metoda i paraprin përmbajtjes (usül asıldan önce gelir). Mendoj se këtë nuk merr parasysh kur flet për dështim të misionit të shkollës. Sepse misioni i vërtetë i shkollës nuk duhet kërkuar tek përmbajtja, tek programi arsimor, por tek metoda, tek mënyra se si është strukturuar shkolla. Masivizmi, detyrimi, kufizimi fizik, përditshmëria dhe përvitshmëria, angaria, uzurpimi i kohës dhe i moshës, trysnia psikologjike e sociale, rreshtimi, uniforma, çanta si samar mbi kurriz, himni kombëtar etj., këto janë pedagogjia e vërtetë e misionit shkollor, që është shpërbërja e përkatësive dhe besnikërive tradicionale, si feja, familja e komuniteti, për t’i zëvendësuar me përkatësinë kombëtare dhe besnikërinë ndaj shtetit, gjëra që i marrim për të mirëqena, por që në fakt shënojnë një nga risitë madhore të kapërcimit përmbysës nga tradita në modernitet. Dija në këtë mes shërben vetëm si pretekst, ose si themel legjitimues i mitit, që përbën thelbin. Nuk po them se shkolla në përgjithësi, kudo qoftë, nuk përmban një program të mirëfilltë dijeje – edhe pse shumë problematik në lëndët që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mitin, si historia – (që në fakt u detyrohet traditave skolastike paramoderne). Por problemi është se një pjesë shumë e vogël e popullsisë janë të prirur nga natyra për të nxënë dije skolastike. E gjithsesi, ajo që ndodh me shumicën dërrmuese të të paktëve që përfitojnë nga dija e shkollës, është humbja e integritetit etik dhe epistemologjik, e rrjedhimisht edhe ontologjik, metafizikisht, si njerëz, ashtu që, të përpirë kokë e këmbë në dijen e tyre, as e dinë dhe as duan ta dinë se çfarë përfaqëson ajo në rendin e madh të gjërave. Kurse ajo që ndodh, dhe që synohet të ndodhë, me masat e bluara në mokrën e arsimit, është humbja e vetë konceptit të dijes dhe mbrujtja me mitin e kombit e të shtetit, shkurt të nacionalizmit. Për këto masa miti është gjithçka, është qielli i ekzistencës së tyre. Edhe dija për ta është thjesht pjesë e mitit dhe as që mund të mendohet ndryshe. Fati i keq i etimologjisë është se nga njëra anë qëndron në skajet abstrakte e jopraktike të dijes dhe nga ana tjetër është jashtëzakonisht e adaptueshme si pjesë e mitit nacionalist, çka e polarizon çështjen dhe i tkurr në maksimum shanset për komunikim mes dy palëve. Gjuhëtarët mund të shpjegohen sa të duan se etimologjia nuk është bukë për masat, por këto të fundit nuk janë në gjendje ta konceptojnë dijen si një ndërmarrje për hir të së vërtetës (çka në fakt, përtej retorikës, është problem i madh edhe për vetë dijetarët, për shkak të shekullarizmit akademik). Ose ndryshe, që e vërteta është diçka më e madhe se miti nacionalist.
Një tjetër problem është se sponsori i dijes në këtë rast, shteti, është vetë pjesë dhe burim i mitit. Të jemi të qartë: dija që patronizon nëpërmjet një institucioni si Akademia e Shkencave, në pjesën më të madhe shtetit nuk i hyn në punë si dije, por tërthorazi, simbolikisht, si monedhë, si pjesë e mitit ku riprodhohet edhe vetë. Kjo është ajo që nuk e rrokin dot akademikët (të cilët dijes në fjalë i kanë kushtuar jetën e më the të thashë), po aq fatalisht sa edhe moskuptimi i natyrës së dijes nga masat.
E ke gabim kur thua që turbologjia është pasojë e dështimit të shkollës. Përkundrazi, është pasojë e suksesit, ndoshta edhe përtej parashikimeve, të këtij sistemi arsimor që, sa kohë që mbetet shtetëror, i detyruar dhe masiv, është i destinuar të ketë sukses. Siç janë të destinuara të dështojnë institucione si Akademia sa kohë që veprojnë në emër të dijes duke qenë pjesë e mitit. Në fakt, më vjen të them që s’ka derman kjo punë sa kohë që kemi të bëjmë me shtetin, ose pa u kthyer prapë mbarë dynjaja pasi është kthyer kokëposhtë njëherë.
Së fundmi, në radhë por jo në rëndësi, shpresoj të mos vijë dita që ta qajmë me lotë izolimin se, kështu si ka ardhur muhabeti, jemi marinuar tamam edhe si mish për top në ndonjë proxy për trillet e me nder botës së lirë. Se fundja edhe aktorin e paskemi gati shyqyr!
Koment tepër i pasur në ide dhe spunto, për të qenë thjesht koment – do të kish zënë vend më mirë si ese më vete.
Mes shumë të tjerave, më ngacmon ideja se kjo joshje pas irracionales është produkt i suksesit, jo i dështimit të shkollës së masivizuar, do të doja ta diskutoja gjerë.
Mua vetë, përtej matematikës nga fillimi në fund dhe deri-diku fizikës, nuk është se më ka mbetur gjë e vlefshme nga shkolla. Në universitet, veçoj vetëm nja dy disiplina linguistike, si gramatika historike.
Të tjerat kanë qenë, në thelb, humbje e organizuar kohe; e organizuar dhe përgjithësisht e dhunshme.
Megjithatë, ende shpresoj te një shkollë që do t’u mësonte fëmijëve qytetarinë – si diçka të ndryshme edhe nga shteti edhe nga kombi; siç shpresoj te një universitet, që do t’u mësonte studentëve bukurinë e dijes dhe lirinë e fjalës dhe të mendimit.
Këtu nuk flas për profesionet – një shoqëri moderne ka nevojë për programues, inxhinierë, kimistë, biologë, menaxherë, pilotë, mjekë, ushtarakë; të cilët nuk mund veçse të bëhen të tillë në shkollë. Ndoshta kjo vlen edhe për juristët, ekonomistët dhe klerikët.
Shkenca e kërkon shkollën dhe shkolla shkencën. Në shkollë shkencëtarët e ardhshëm mësojnë gjuhën që do të përdorin së bashku – formulat, metodat, modelet; pa këtë gjuhë, teknologjia moderne nuk do të ekzistonte.
Edhe vetë shkolla është teknologji e llojit të vet; problemi është nëse uniformiteti duhet parë si produkt i saj, apo si efekt i saj anësor.
Një muhabet të ngjashëm – pas një eksperience që mund ta quaj edhe epifani – po e bënim me motrën time, e cila më thoshte se tani po e çonte nipin e vet te një si tip kopshti për fëmijë fare të vegjël. Përfytyrova një masë kalamajsh që detyrohen të rrinë bashkë, pa asnjë arsye mirëfilli, përveçse të blegërijnë në kor herë pas herë. M’u duk pak i frikshëm, si përfytyrim. Mendova se nuk ka asnjë arsye që fëmijët ta kalojnë kështu kohën, bashkë – përtej arsyes praktike të prindërve. M’u kujtua edhe Brave New World e Huxley-t.
Kështu siç është e strukturuar sot, shkolla i trajnon nxënësit me rendin ekzistues – të ideve, të institucioneve, të hierarkive. Tek e fundit, synimi është të lehtësohet integrimi i gjithkujt te ky rend. Ndonjëherë më duket sikur shumë nga çfarë vlerësoj, në mendimet dhe në qasjen time ndaj botës, e kam fituar duke i rezistuar shkollës. Por kjo nuk i jep përgjigje pyetjes nëse do ta kisha fituar, sikur mos kish një forcë të tillë “negative”, ndaj së cilës të ofroja rezistencë, ose që ta refuzoja. Në kuptimin nëse do të kisha liri, po të mos orvatej kush që të më skllavëronte.
Pikërisht. Mendoj se një bilanc i thjeshtë i përvojës vetjake shkollore është filli i duhur për të kuptuar natyrën e shkollës, të dijes, të shtetit etj. si shtyllat e botës moderne. Përfundimi ku kam arritur unë është se shkolla përbën elementin më vendimtar të kolonializmit, nëse këtë e marrim si një fenomen që, përtej hegjemonisë politike dhe ekonomike, synon të kolonizojë shpirtrat.
Megjithatë, sa i thjeshtë dhe i natyrshëm është një introspeksion i tillë, aq edhe i rrallë është. Sigurisht, edhe ky një sukses i madh i shkollës, që kjo e arrin duke e varrosur subjektin në raport me dijen, domethënë duke ngulitur – gjithmonë, nëpërmjet strukturës dhe në mënyrë implicite – idenë se dija, në mos qoftë thjesht instrument, është dije për gjithçka tjetër përveç vetvetes. E gjithë urtësia universale njerëzore kthyer përmbys!
Mund të zgjatem edhe tek implikimet sociale, teknologjike etj., por po e lë, edhe ngaqë do dilnim krejt nga tema e shkrimit, edhe për pamundësi personale. Po shtoj vetëm se, një gjë që shpesh nuk merret parasysh, është se arsimi i detyruar masiv është një fenomen shumë i vonë historik. Nuk mundet dhe nuk do të vazhdojë gjatë, por është i destinuar të implodojë bashkë me gjithë modernitetin ku bën pjesë, në mos me njerëzimin vetë. Në këtë trajektore historike prej disa pak brezash që ka ndjekur, në çdo brez ka pasur motivime dhe efekte të ndryshme. Për shembull, edhe pse kurrë s’ka qenë ide e mirë, në fillimet e tij ka gëzuar reputacionin e arsimit paramodern, ndërkohë që sot gëzon reputacionin e asaj që perceptohet – fatalisht – si sukses i modernitetit në përgjithësi dhe, nga ana tjetër, është kthyer edhe në nevojë sociale. Shkurt, në shumë aspekte madhore, ka ndërruar lëkurë me çdo brez, si edhe elementet e tjera të modernitetit. Mendoj se edhe kjo është një çështje thelbësore për t’u kuptuar.
E vlerësoj shumë sugjerimin për ta trajtuar në një ese më vete temën, dhe do doja shumë nëse do të mundja, por nuk e di a do mundem.
E reja është e huaja që futet në një shoqëri, në mos armiqësore, shihet me dyshim e është jo mirëpritur.
Etimologjia e Re (që ju e quani turbologji) është pikërisht e reja jo e mirpritur. Kjo ndodh edhe në familjet e maceve. Një luan i huaj nuk mirëpritet në një tufë tjetër. Bile edhe macet shtëpiake nuk e mirëpresin një tjetër mace që nuk është e familjes së tyre. E huaja (e reja) që futet është ajo që kërkon të zërë një hapësirë që e zotërojnë të tjerët.
Ne jemi edukuar në një botë të mbyllur, ku e huaja (e reja) ishte e urryera, e keqja, armiqësorja e papranueshmja.
Në pamundësi për të mbrojtur mitin e Çabejit nga oponenca shekencore e së resë, e vjetra sulmon të renë. E reja përmban hormonin e fuqisë së të vërtetës dhe edhe pse nuk është e çertifikuar, mundet të zërë vend duke rrethuar hapësirën ku rri gënjeshtra e duke ushtruar presion te kjo e fundit.
Ç’fuqi mund të ketë “e vërteta zyrtare” e veshur me mantel akademik kur gjithë inteligjenca jashtë saj dhe gjithë populli besojnë në një të vërtetë tjetër?
Do rrojmë e do shohëmë.
Nuk eshte e re por counter culture .Eshte equivalenti i atyre qe pretendojne se zbritja ne Hene eshte e fabrikuar .Mund ti beni njerezit te ndihen mire per veten duke iu thene ate qe kane qejf te degjojne se kujt nuk ia ka enda te degjoje fjale te mira per origjinen sidomos nje populli i cili s’ka shume me cfare te mburret per te tashmen por e verteta eshte se gjuha e shqiptareve shpetoi per shkak te disa rrethanave historike te cilat i sqarojne mire shkencetare si Cabej e co e jo per shkak te virtyteve te rralla e te tjera lajkave qe bejne demagoget .
Duhet marre parasysh qe metodat e reja shkencore cojne uje ne mullirin e alternativeve, jo te zyrtareve. Prandaj duhet pare me kujdes se kush calon e ku calon, sepse shqiptaret si taksapagues paguajne zyrtaret dhe jo alternativet. Kjo do te thote qe une si taksapagues ‘’rreshtore’’ do ti bej atij qe paguaj, jo privatit qe ka te drejte te beje cfare gabimesh te doje.
Në parim, ti si taksapagues nuk je në gjendje të gjykosh punën shkencore. Mos i jep vetes cilësi që nuk i ke dhe nuk mund t’i kesh. Nëse për ndonjë arsye mendon se një institucion shkencor nuk po e bën punën ose nuk po e përligj veten, mund t’i kërkosh deputetit të zonës sate që të ndërhyjë – ose të votosh për atë parti politike që e ka në program reformën themelore të institucioneve shkencore (good luck there). Alternativa do të ishte një situatë e ngjashme me atë të revolucionit kulturor kinez, kur i nxirrnin profesorët e universitetit para masave, që të pendoheshin e të bënin autokritikë, para se t’i shpinin për riedukim.
Opo lere se puna e ketyre rrobaqeoesve pri nga njeri, shqep nga tjetri dhe qepja e mballomave shkencore eshte fare e qarte, sa edhe kontributi i tyre ne etimologji, ku ripertypin cfare kane thene te tjeret. Shkenca e madhe qe nuk bejne dot te gjithe nje faqe libri me etimologji origjinale indoeuropiane. Do ti thurim temena tani qe po hane shpulla majtas e djathtas nga cdo metode e re.
Asnje metode e re shkencore e ne asnje drejtim nuk con uje tek alternativet; perkundrazi deshmojne drejtperdrejt ose terthorazi, qe ne hapesiren shqipfolese ne Ballkan dhe ne diasporen shqiptare moderne po rritet dhe edukohet vullnetarisht nje shtrese e re injorantesh dhe idiotesh qe mbrohet dhe mbeshtetet nga mediet po-shqiptare te injorances dhe te padijes.
Medice cura te ipsum!
Ju merreni me turbofolkun ndërkohë që të vrisni veshët me sajesa si iteracion, narrativë e plot hajvallëqe si këto që janë thjesht për t’i rritur vlerën shkrimit tuaj dhe nuk i kupton askush, përveçse ua imagjinon kuptimin. Mesa duket, thellë në shpirt ju besoni se shqipja nuk ka aftësi të shprehë mendimet tuaja të çmuara.
Sa për marrëzirat e pseudogjuhëtarëve të llojit Dalipaj, teza ime është se ato nuk janë veçse pjellë e izolimit të gjatë komunist. Dalipaj është pikërisht njeriu i ri në bunker që mendon ndryshe nga bota kapitaliste dhe nga laboratori i madh i dijes ndërkombëtare. Dhe ne detyrohemi të vuajmë sot pasojat. A nuk është sëra juaj (në një kuptim të gjerë) që i gëzohet shfaqjes së filmave socrealistë dhe përgjithësisht hymnizimit të aktorëve të asaj shkretëtire kulturore, pra të atyre që lualtën rolin më aktiv për izolimin e madh shqiptar? Për të dhënë vetëm një shembull.
Le të bëjmë një analizë të denjë, të përpiqemi të njohim psikologjinë e kësaj lukunie idiotësh hiperpatriotë dhe pastaj të flasim për turboetimologjinë.
Mendoj se turbologjia është problem më i vogël se suksesi që ajo ka; dhe mundet që ky sukses të ketë lidhje me “njeriun e ri” që formonin shkollat e regjimit. Por ky argument nuk më bind, që nga momenti kur konstatoj se shumë nga tifozët e tërbuar të turbologjisë janë nga Kosova, dhe të arsimuar ose copa-copa, në kushtet e sistemit shkollor atje në vitet 1990, ose të ushqyer me propagandën folk-nacionaliste të periudhës që pasoi.
Sa për turbologët vetë, të tillë i gjen kudo, në çdo kulturë; nëse janë bërë problem te ne, siç thashë, i ka bërë të tillë suksesi, masiviteti, tifozët që kanë fituar. Unë jam marrë më shumë me teoritë e tyre, sepse i tillë është profesioni im dhe gjykoj se ashtu do ta bëj kritikën më profesionale. Përhapja, suksesi, entuziazmi i mass mediave për njerëz që dalin në ekran dhe thonë marrëzira, kjo është më tepër punë për massmediologët, antropologët, sociologët – jo për mua.
Bën edhe disa vërejtje pa lidhje në shkrim: (1) për fjalët që ty të duken të huaja, por që mua më hyjnë në punë – i quan “hajvanllëqe”, sepse aq e ke kutin. Lufta kundër fjalëve të huaja dhe “huazimeve të panevojshme” është flamuri i proletarit kulturor të dështuar; dhe vjen gjithnjë e shoqëruar me një trishtim provincial, prej makine shkrimi Olivetti; (2) kur flet për filmat e realizmit socialist, duket se nuk e ke idenë se çfarë është shkruar për këtë punë te Peizazhet; sistematikisht dhe për vite me radhë. Por le të mos e zgjatim më shumë këtë temë pa bukë.
Ardian, kot po lodhesh me shifrat 93% huazime dhe 7% vëndase të AD. Thjesht ka kopjuar statistikat e fjalorit të G. Meyer-it dhe ia faturon edhe Topallit. Shih Çabej, SE, I, 112-113.
E postoj këtu komentin sepse u mbyllën tek tema JO ME RRENA
Shifra eshte e perafert me ate te studiuesve te tjere.Rreth 12% thone jane fjale nga fondi origjinal indo europian i shqipes , pjesa tjeter e huazuar.Psh nje fjale qe une dija puro shqipe si valbona e cila sipas etimologeve popullore shpjegohet “vale bona ” qenka e rrjedhur nga latinishtja “vallis bona ” (lugina e mire). Fakti qe shqipja eshte nje gjuhe thellesisht e latinizuar sipas Stadtmüller tregon se paraardhesit e shqiptareve kane qene ne kontakt per qindra vjet me romaket , dmth se ishin ne te njejtat troje ku jane sot kur romaket erdhen.Se ku ekzaktesisht eshte ceshtje e erret. Disa mendojne se jetonin ne veri te lumit Drin dhe zbriten poshte me car Dushanin , ka te tjere qe mendojne se kane qene gjithmone aty e jane pjesa e mbetur pa latinizuar e nje populli proto shqiptar qe jetonte ne nje territor te gjere .Une besoj ne kete te dyten .Deri me sot nuk kam lexuar asnje te dhene per protoshqiptaret te kene patur nje eksplozion demografik te tille sa te te jene perhapur prej nje vendi te caktuar ne trojet ku jane sot.Nese do te kishte ndodhur dikush do ta kishte permendur nje levizje kaq masive.