Debatet e muajve të fundit dhe interesi – më shumë negativ – që kanë ngjallur qëndrimet e një grupi “albanologësh” alternativë ose turbologësh, lidhur me marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera, etimologjinë dhe qasjet albanologjike e kanë rritur kursin e aksioneve të albanologjisë në tregun e bursës së ideve në shqiptari. Që në këtë debat janë angazhuar edhe specialistë të fushës, kjo i detyrohet sa dëshirës – së publikut vetë – për “ballafaqim”, por aq edhe shqetësimit institucional për humbje kontrolli.
Nuk ka profesionist të gjuhësisë, që të mos acarohet me gjërat që thonë amatorët në televizion; dhe nëse disa prej etimologjive të sjella shkaktojnë hilaritet, sulmet kundër studiuesve të njohur dhe të respektuar dhe veprave të tyre ngjallin shqetësim, sidomos në ata studiues që mbi këtë traditë kanë themeluar punën dhe karrierën e tyre. Për këtë arsye, specialistë të fushës dhe intelektualë me kulturë albanologjike janë ngritur t’u dalin zot arritjeve të albanologjisë në vite, kundër akuzave të cekëta dhe shpesh të papërgjegjshme.
Është thënë, edhe prej meje, se turbologët duan të zëvendësojnë albanologjinë me prurjet e tyre. Në këtë përpjekje, atyre u ka paraprirë zelli i një pjese të elitave intelektuale në Shqipëri dhe gjetiu, për të abuzuar me arritjet albanologjike dhe për t’i vënë ato në shërbim të ideologjisë.
Kjo përplasje – mes dijes dhe konfabulacionit folklorik – ka marrë trajtat e një konflikti mes shkencës dhe padijes, të paktën në sytë e të gjithë atyre që janë në gjendje t’i kuptojnë argumentet. Për fat të keq, mu te ky rreshtim i zellshëm në mbrojtje të arritjeve të deritashme, unë shoh një rrezik për progresin dhe të ardhmen e albanologjisë sot – në trajtën e një dëmi të tërthortë që mund t’i sjellë dijes së mirëfilltë angazhimi i ekzagjeruar me kundërdijen.
Dhe ja pse: specialisti që detyrohet të mbrojë, me argumente, veprën e Çabejt në etimologjinë e shqipes ndaj kritikave dhe akuzave edhe politike, edhe ideologjike që janë sjellë (“i shitur, tradhtar” etj.), njëherazi detyrohet edhe që, përkohësisht, t’i referohet kësaj vepre si themeltare dhe perfekte, gjë që, në vetvete, nuk është shkencore. Vepra e Çabejt, si ajo e Joklit ose e Meyer-it, i ka rrënjët në kontekstin e vet, dhe e vetmja mënyrë që ajo të mbetet e integruar shëndetshëm në hulumtimin albanologjik është që të përditësohet dhe përmirësohet nga pasardhësit, vende-vende edhe duke u tejkaluar e kapërcyer.
Ky idealizim i një vepre me natyrë mirëfilli shkencore ka ndodhur edhe më parë dhe jo vetëm me Çabejn; është tipike për një kulturë shpesh të infantilizuar, si jona, që të kërkojmë dhe të prodhojmë idhuj, të cilët sjellin me vete paralizën. Por mjafton një lexim i kujdesshëm i veprës së Çabejt, për të kuptuar se ai vetë e shihte kërkimin shkencor, në fushën e tij, si punë në progres – dhe teksa kritikonte dhe korrigjonte paraardhësit dhe kolegët e vet, bënte të njëjtën gjë me veten dhe nuk priste që fjala e tij të gdhendej sakaq në mermer.
Ndonjëherë dëgjon – nga intelektualë dashamirës – tezën se “Çabej nuk preket”; në debate me amatorët dhe turbologët. Natyrisht, Çabej nuk ka si të preket, me mënyrat siç duan ta “prekin” e ta llangosin këta guerrilas, që në përgjithësi as edhe nuk ia kuptojnë mirë hulumtimet dhe hipotezat; përballë kësaj përpjekjeje – ideologjike dhe politike – për të rrëzuar statusin e albanologjisë dhe të dijes historike-krahasuese, profesionistët e kanë për detyrim edhe ndaj vetes, që t’i dalin Çabejt zot përballë detraktorëve.
Por siç e thashë, kjo vjen me rrezikun e kalcifikimit të traditës; të shndërrimit të saj në maskë funerare, të tillë që t’ia zërë frymën dijes. Nëse albanologjia e sotme i ka bazat në veprën e Çabejt, progresi i saj – si dije – nuk mund të vazhdojë, përveçse në dialog me këtë vepër; në një dialog të tillë që të synojë aktualizimin, përmirësimin dhe korrigjimin e saj. Nëse kjo nuk ndodh, qoftë edhe thjesht ngaqë atyre pak studiuesve që kanë mbetur u duhet tani të mobilizohen dhe të mbrojnë traditën përballë detraktorëve nga rruga, atëherë çfarë ishte deri dje dije, rrezikon që të shndërrohet në dogmë. Dhe dogmatizimi është kërcënim më i madh, për hulumtimin albanologjik, se sulmet që i vijnë prej amatorëve dhe turbologëve.
Shqetësimi është i disafishtë. Vjen edhe ngaqë sot është ulur numri i specialistëve që jo vetëm i njohin problematikat albanologjike, por edhe merren me to në punën e përditshme; pavarësisht nga dëshirat e publikut, sot rralluar ata që merren me hulumtime të drejtpërdrejta të historisë së shqipes, të etimologjisë, të fonetikës historike, të morfologjisë historike e kështu me radhë; dhe kjo për arsye prioritetesh dhe investimesh. Në rrethanat kur kërkimi shkencor aktiv ia ka lënë vendin aktiviteteve me natyrë pedagogjike ose përkujtimore, fillon të hedhë rrënjë edhe iluzioni se albanologjia është “ajo e Çabejt”.
Në fakt, edhe po ta shqyrtosh veprën shumëvjeçare të Çabejt nga kjo pikëpamje, do të vëresh diferenca jo të vogla mes dijetarit të viteve 1930 dhe atij të viteve 1960-1970; sepse vetë Çabej evoluoi në qasjet, pikëpamjet dhe metodën e tij; dhe njëherazi edhe dija me të cilën ai jepte e merrte evoluoi. Vetëm kështu do të ruhej relevanca e studimeve të tij, në rrafsh europian dhe më gjerë. Por teoria e gjuhësisë diakronike, metoda historike-krahasuese dhe modelet e lashtësisë indoeuropiane vazhduan evoluimin edhe pas daljes së Çabejt nga skena. Me aq sa kuptoj unë, ai studiues nuk arriti të përfshijë në modelet e veta interpretative të ashtuquajturat “laringale”, ndoshta edhe për arsye mirëfilli metodologjike; dhe, njëkohësisht, nuk e shfrytëzoi dot mirë materialin – jashtëzakonisht të rëndësishëm – që doli në dritë me njohjen më të gjerë të gjuhëve anatolike, përfshi këtu edhe hetitishten.
Laringaleve në shqipe u ka kushtuar një artikull B. Demiraj: Zhvillime të laringaleve indoeuropiane në gjuhën shqipe, të botuar në vitin 2009; ku citohet, që në krye, një pasazh nga ligjëratat e Çabejt në Prishtinë, në vitet 1970-1971, dhe pikërisht se “Sikur të vërtetohej që laringalet kanë ekzistuar dikur, kjo do të revoluciononte mbarë fonetikën historike të gjuhëve indoeuropiane”; siç e shpjegon edhe B. Demiraj, sot realiteti i laringaleve është pranuar dhe ai vetë, në studimet etimologjike të botuara në Albanische Etymologien, i ka integruar aq sa ka mundur. Me Demirajn, do të pranojmë se nuk është fjala për t’i vënë albanologët të qëmtojnë historinë e laringaleve indoeuropiane si të tilla, por thjesht për ta rishikuar dhe ndoshta rishkruar fonetikën historike të shqipes gjuhë indoeuropiane, në bazë të këtij realiteti të ri. Këtë nuk e ka bërë K. Topalli, nxënës i Çabejt, i cili te “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (Dituria 2007), u kushton laringaleve vetëm një paragraf (f. 229-230), dhe gjithsesi nuk i merr parasysh në analizat dhe rindërtimet. Këto gjëra nuk bëhen thjesht me dëshirë – nuk mund të marrësh një të sapo-diplomuar nga dega gjuhë-letërsi e UT, ta ulësh në një bibliotekë, dhe t’i thuash “merru me laringalet!”. Por vështirësia madje pamundësia praktike nuk e mënjanon nevojën për këtë lloj progresi – siç e hartoi Çabej fonetikën historike të shqipes në vitet 1950 dhe siç e vazhdoi Topalli dhe të tjerë (si A. Riska), sot kjo fonetikë ka nevojë të rishkruhet; sepse tekstet e deridjeshme duhen përditësuar dhe sepse ashtu albanologjia e lëvruar në institucionet tona kërkimore do të mund të vazhdojë të komunikojë me studimet që bëhen tjetërkund në Europë.
Materialet e reja shpesh janë shtysë për modifikim të paradigmave të studimit; prandaj zbulimi dhe sistemimi i tyre jo vetëm që është objekt përpjekjesh nga shumë dijetarë aktivë në fushat përkatëse, por edhe do të kërkojë, herët a vonë, përditësime të vetë dijes albanologjike. E kam fjalën edhe për projekte të tilla, si ai nga Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger, Die Verben des Altalbanischen. Belegwörterbuch, Vorgeschichte und Etymologie, kushtuar foljeve të shqipes së vjetër (2014) dhe ai i drejtuar nga Bardhyl Demiraj, Digitale philologisch-etymologische Wörterbuch des Altalbanischen (DPEWA), tashmë në fazën e dytë. Të dhëna të reja vijnë edhe nga letërsia e vjetër arbëreshe, në dokumente të zbuluara rishtas por edhe në tekste të hulumtuara më në hollësi. Nga ana tjetër, edhe korpusi i etimologjive të Çabejt mund të përditësohet nga një grup pune, në bazë të kritereve dhe të standardeve të reja, në dije dhe në kodifikim, për t’u aktualizuar. Sa i përket Shqipërisë, nuk më duket se ekzistojnë mundësitë reale, për t’i ndërmarrë përditësime dhe studime të tilla – prandaj edhe institucioneve u vjen gjithnjë më lehtë që të organizojnë konferenca me natyrë liturgjike, eulogjike dhe hagjiografike, efekti i të cilave është ritualizimi dhe kalcifikimi i traditës dhe izolimi i saj nga sfidat e bashkëkohësisë.
Prej vitesh është botuar Gramatika historike e shqipes e Vladimir Orelit, autor edhe i një Fjalori etimologjik të shqipes; tani, që ka dalë edhe vepra e rëndësishme e Schumacher dhe Matzinger (shih më lart), për foljet e shqipes së vjetër, ndoshta duhet rishikuar edhe statusi i monumentales Gramatikë historike e gjuhës shqipe të Shaban Demirajt, nën dritën e materialeve të sistematizuara rishtas dhe të qasjeve të reja. Aq më tepër që Oreli është kufizuar, edhe te Gramatika edhe te Fjalori, me shqipen e hershme – ose të periudhës parashkrimore; në një kohë që Schumacher dhe Matzinger, sikurse B. Demiraj në DPEWA, merren me një fazë të mëpasme të gjuhës – çfarë do të thotë se të dy këto kontribute mund të kombinohen edhe mes tyre, edhe me rezultatet e hulumtimeve të imta të Sh. Demirajt, B. Bokshit, E. Likajt dhe K. Topallit në historinë e sistemit emëror. E gjitha kjo, njëherazi me synimin për të ruajtur komunikimin shkencor mes gjuhësisë albanologjike siç lëvrohet (ose të paktën ende studiohet) në Shqipëri dhe asaj që lëvrohet gjetiu në Europë; përndryshe, do të mbetemi robër të një aparati shkencor tashmë të tejkaluar. Pa folur pastaj për metoda të reja dhe eksperimentale, në studimin e gjuhëve indoeuropiane, si ajo e artikullit aq të keqpërdorur në revistën Science. Në çdo rast, duhet ngutshëm një përpjekje masive për të ecur me kohën; dhe kjo nuk bëhet pa plane afatgjata dhe investime largpamëse.
Për t’u mbajtur parasysh është edhe se ka të paktën dy lloje qasjesh ndaj historisë së gjuhës shqipe – ajo që e hulumton këtë histori nga pikëpamja indoeuropianistike, ose që e sheh historinë e shqipes si gjuhë indoeuropiane; dhe ajo tjetra, që trashëgiminë indoeuropianistike në shqipe e përdor kryesisht për të hulumtuar zhvillimet e brendshme të shqipes. Të dyja qasjet janë legjitime dhe, në kushte ideale, duhej të përfitonin rregullisht nga njëra-tjetra. Për arsye të njohura, interesi i indoeuropianistikës për shqipen mbetet margjinal, kryesisht ngaqë ajo është dokumentuar vonë dhe ka inovuar fort, në krahasim me modelin origjinal; prandaj barra e të çuarit përpara të studimeve u mbetet institucioneve të dijes në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut; në Itali (katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të universiteteve nga Jugu në Veri); në Austri dhe në Gjermani, ku ende ruhet një traditë e respektuar; mbase edhe në Greqi.
Jam i sigurt se në këto institucione ka specialistë që e dinë shumë më mirë se unë rrugën që duhet të ndjekin studimet albanologjike për të dalë nga stanjacioni dhe për ta hequr qafe bindjen se misioni i tyre sot është “të ruajnë” arritjet e djeshme; arritjet e djeshme mund dhe duhen ruajtur vetëm duke i përdorur si platformë (trampolinë) për të ecur përpara. Rreziku – i amplifikuar nga mediat – i sulmeve prej amatorëve turbologë dhe pseudologë ka natyrë ideologjike dhe politike, sepse “argumentet” që këta sjellin nuk kanë pertinencë as relevancë mirëfilli shkencore; por rreziku tjetër, i mbetjes prapa, për shkak të investimeve të pamjaftueshme dhe indiferencës, është vdekjeprurës, sepse do t’i lërë institucionet pa specialistë dhe, për më tepër, pa njerëz që ta kuptojnë deri edhe nevojën e specialistëve. E kotë të shtoj edhe se mbrojtja e albanologjisë prej turbologëve, në vetvete, nuk është albanologji!
Sa më lart nuk pretendon kurrsesi që të pasqyrojë gjendjen e studimeve albanologjike sot në trevat shqiptare ose gjetiu në Evropë – por vetëm e vetëm që të tërheqë vëmendjen për disa rreziqe që mua, si vëzhgues i jashtëm por gjithnjë i interesuar, më duken relativisht alarmante për progresin e këtyre studimeve. Komunikimi i dobët mes kolegëve në institucione të ndryshme dhe natyra performative e shumë aktiviteteve publike kanë edhe ato pjesë në kristalizimin e problemeve, të paktën siç i shoh unë. Për shkak të public relations të nivelit shumë të ulët, sot është krijuar një hendek i thellë mes albanologjisë, siç e kuptojnë ata pak specialistë të institucioneve akademike dhe universitare, dhe albanologjisë, siç e përfytyron publiku, duke përfshirë këtu edhe një numër intelektualësh dhe zyrtarësh ekzekutivë, të cilët marrin pjesë dhe luajnë rol ndonjëherë kryesor, në formulimin e politikave të zhvillimit të dijes dhe caktimin e fondeve përkatëse. Kaq i thellë dhe i pakapërcyeshëm po bëhet ky hendek, saqë ndodh që, në debate publike, vetë termi “albanologji” të përdoret me kuptime të ndryshme, të papajtueshme mes tyre: për një palë albanologjia është hulumtim, për një palë tjetër thjesht justifikim i ideologjisë kombëtariste. Ndarja mes “tanëve” dhe “të huajve”, që gjatë periudhës totalitare ushqehej nga ksenofobia e regjimit dhe izolimi e paranoja kulturore, sot mbijeton falë padijes, indiferencës, vizionit të ngushtë dhe mediokritetit institucional. Kombëtarizmi folklorik, që e tund edhe ai flamurin e ksenofobisë dhe të persekutimit, i gjen kështu të gatshme arsyet për të përligjur pse “ata” (të huajt) na e kanë me të keq dhe duan të na shohin “të fundosur”. Ky lloj primitivizmi ka për efekt një lloj izolimi të ri.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.