Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

VJELËSIT E QERSHIVE (II)

(pjesa e dytë)

Si duam ta kujtojmë Fallmerayer-in

Në vitin 1830, historiani gjerman Fallmerayer botoi veprën Geschichte der Halbinsel Morea (“Histori e gadishullit të Moresë”), ku mes të tjerash parashtroi tezën e mëposhtme:

Raca e helenëve është fshirë nga faqja e Europës. Bukuria fizike, shkëlqimi intelektual, harmonia dhe thjeshtësia e lindur, arti, garat, qyteti, fshati, madhështia e kolonës dhe tempullit – në fakt, deri edhe emri është zhdukur nga sipërfaqja e kontinentit grek… As edhe një pikë e vetme gjaku helenik të paholluar nuk rrjedh në dejet e popullatës së Krishterë në Greqinë e sotme.

Edhe pse e kritikuar, kjo tezë e gjeti rrugën lehtë në polemikat shqiptaro-greke, lidhur me primatin etnik në Ballkan, në Epir dhe gjetiu, dhe u përdor për të diskredituar argumente të shovinizmit ose edhe thjesht të kombëtarizmit grek. Sot ajo, në formën që i ka dhënë autori i saj, konsiderohet si e kapërcyer – gjenetika e popullatave ka treguar një vazhdimësi të popullsisë në trojet e Greqisë së sotme, nga lashtësia e thellë deri më sot, në një kohë që nuk ka dyshim se greqishtja e sotme është vazhdim i asaj të vjetrës. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim as që, në rrjedhë të shekujve, ato troje kanë absorbuar një numër të madh të ardhurish, përfshi këtu edhe arbërorë, latinë lindorë (vllehë) dhe sllavë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në gjuhën, gjenetikën dhe kulturën greke dhe kanë kontribuuar në përftimin e identitetit grek modern. Edhe pse është e vërtetë se kultura e Greqisë së lashtë i përket sot botës mbarë dhe është në themelet e të paktën qytetërimit europian, njëlloj nuk diskutohet që, mes popujve të sotëm të Europës, grekët janë vazhduesit e natyrshëm të helenëve – si popull, si gjuhë dhe si kulturë.

Në kulturën shqiptare, veçanërisht në publicistikë, thënia e Fallmerayer-it përfundoi e përdorur si kundërargument ndaj pretendimeve të ngjashme të fqinjëve, për shqiptarët, historinë dhe prejardhjen e tyre. I njëjti citat nxjerr krye herë pas here sot e kësaj dite sidomos në ligjërimin kombëtarist shqip; edhe pse në vetvete i përgjigjet jo aq ndonjë realiteti historik, sa një programi ideologjik me nota raciste.

Ideologu nazist Alfred Rosenberg-u pat pretenduar, në një nga fjalimet e veta, se Grekët ishin popull “nordik”, në vazhdë të asaj çfarë pat shkruar Hitleri në Mein Kampf, dhe pikërisht se kish një “unitet racor” (Rasse-Einheit) që bashkonte grekët, romakët dhe gjermanët. E megjithatë, siç e vëren historiani frëng Johann Chapoutot[1], kur Rosenberg-u dhe Hitleri flisnin për grekët si “popull nordik”, jo vetëm që i referoheshin trashëgimisë, por edhe parashtronin një formë atësie që e kthente prejardhjen kokëposhtë: po sikur (grekët) të kishin ardhur nga Gjermania? Ky përvetësim i mitit arian, që më parë kish qarkulluar vetëm brenda një rrethi të ngushtë gjuhëtarësh gjermanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë – të cilët kishin imagjinuar se dorianët e Spartës kishin ardhur nga “Veriu” – u legjitimizua edhe u racializua nga nazistët, si pjesë e dëshirës së tyre për t’i dhënë besueshmëri idesë se aq madhështore ishte Gjermania, sa kish lindur edhe vetë qytetërimin perëndimor. Kësisoj, do të thoshte Rosenberg-u, imitimi i antikitetit nuk ishte as i turpshëm, as i papajtueshëm me dinjitetin kombëtar, meqë ishte, në fakt, një ripohim legjitim i trashëgimisë kulturore indoeuropiane. Ndërkohë, për Hitlerin, pasi u themeluan prej popujve nordikë, Greqia mesdhetare dhe Roma krijuan pastaj krejt kulturën europiane.

Në fakt, vëren Chapoutot-i, nacional-socializmi u mësonte gjermanëve se krejt qytetërimi… ishte vepër e popujve “nordikë” dhe se indoeuropianët ishin, origjinalisht, “nordikë”; një tezë që binte ndesh me orientimin fillestar të dijes indoeuropiane, e cila e shihte djepin e qytetërimit në Indi. Për nazistët, gjithsesi, nordikët – ose indogjermanët – ishin populli i vetëm krijues në planet dhe krejt kultura perëndimore rridhte nga kjo racë luftëtare nga Veriu. Këtë ide të “nordicizmit” e përhapi në qarqet akademike Hans Friedrich Karl Günther, antropologu racial zyrtar i partisë naziste, me veprën e tij Rassenkunde des Deutschen Volkes (1922).

Me kohë, hipoteza nordiciste e Günther-it u shndërrua në dogmë shtetërore, thotë Chapoutot-i, dhe ashtu ua lehtësoi shumë punën ideologëve akademikë nazistë që ta përfshinin antikitetin greko-romak dhe qytetërimet e tjera prestigjioze të botës së lashtë në historinë e racës nordike-gjermanike. Duke e korrigjuar thënien e njohur latine, “ex oriente lux” (drita nga Lindja, e cila e plotë tingëllon kështu ex oriente lux, ex occidente lex), nazistët shpallën “ex septentrione lux” (drita nga Veriu). Ashtu Gjermania moderne, që deri atëherë e kish vuajtur vakuumin mitologjik, e gjeti më në fund modelin ideal të traditës, që pajtonte lashtësinë me nordicizmin.

Günther-i shtjelloi edhe historinë e “racës” greke, duke u mbështetur në burime historiografike gjermane të shekullit XIX. Që në vitin 1824, shkruan Chapoutot-i, historiani Karl Ottfried Müller kish botuar veprën Die Dorier (Dorët), ku flitej për një popull që kish zbritur nga Veriu për të kolonizuar Peloponezin dhe për të krijuar qytetin-shtet të Spartës – një qytetërim rreshtor, që nazistët e admironin. Stërgjyshë të këtyre dorëve ishin legjendarët hiperboreanë, ata që “jetojnë përtej erës së veriut”. Grekët ishin, sipas këtij racialisti, dolikoqefalë, si popujt e tjerë nordikë, duke iu kundërvënë vulgarëve brakiqefalë të Mesdheut. Edhe zotat dhe heronjtë e Iliadës dhe të Odisesë ishin të gjatë dhe “flokëverdhë”; siç ishte i tillë Aleksandri i madh. Racializmi nazist kërkonte dhe gjente një të traditë të nazizmit dhe një të shkuar të racës “ariane” në Greqinë e lashtë dhe prestigjin e saj. Gjithnjë sipas Günther-it, nordikët superiorë të Greqisë antike u ndeshën me “vendësit pellazgë” (!), një racë më e ulët me prejardhje orientale ose aziatike, me kulturë dhe art primitiv (Kleinkunst).

Chapoutot shënon pastaj se, kur pushtuan Greqinë në 1941, nazistët u zhgënjyen fort me grekët që gjetën aty, një popullsi e racës së përzier, e dominuar nga “levantini dhe tregtari tipik grek” (i ngjashëm me hebreun stereotipik), që kish degraduar gjatë shumë shekujve promiskuiteti dhe përzierje raciale me fqinjët aziatikë dhe turq; asgjë nuk i kish mbetur, racës greke, nga statujat e hijshme të cilat e patën magjepsur Winckelmann-in.[2] Zhgënjimi ish veçanërisht i madh mes ushtarëve pushtues të Reich-ut, të cilët kishin mësuar ndërkohë në shkollë për epërsinë “nordike” të qytetërimit grek. Në një botim të vitit 1937 të enciklopedisë Brockhaus, shkruan Chapoutot-i, shkruhej, megjithatë, se kjo gjendje e mjeruar e racës greke i detyrohej influksit të gjakut sllav dhe shqiptar në një popull që kish qenë dikur “nordik”.

Pa u zgjatur më, po shtoj vetëm se këto ide të epërsisë raciale nordike dhe, hiq e mos e këput, edhe të shqiptarëve si “racë nordike” e gjetën rrugën edhe drejt ligjërimit kombëtarist shqiptar të viteve 1930, edhe pse në formë tejet të thjeshtuar dhe të vulgarizuar; dhe ndonjëra ka mbetur atje sot e kësaj dite, qoftë edhe në trajtën folklorike të “Hitleri i donte shqiptarët”. E vërteta është se vëzhguesit nuk i duhet shumë mund, për të gjetur argumente të përçudnuara të racializmit nazist, në parashtresat edhe të tanishme të kombëtarizmit vulgar shqip, në ato kontekste ku kërkohet poshtërimi i fqinjit.

Që Fallmerayer-i u pëlqente ideologëve nazistë, kjo nuk e zhvlerëson vetvetiu tezën e tij – por vetëm sa provon që kjo tezë i paraprinte dhe paralajmëronte vizionin racialist dhe, më pas, nazist të historisë së lashtë dhe të rolit të “racave” në ngjizjen e historisë së Europës; atij vizioni që filloi me romantizmin gjerman dhe polli pastaj edhe nazizmin. Fallmerayer-i kërkoi në Greqi për pasardhësit e gjigandëve nordikë flokverdhë dhe atletikë, dhe nuk i gjeti; ky zhgënjim u shndërrua edhe në premisën e argumentit të tij për marrëdhëniet mes Greqisë së sotme dhe asaj të lashtë. Përkundrazi, brenda mllefit insekticid të disa historianëve, demagogëve dhe turbo-historianëve të sotëm në Shqipëri, i njëjti argument mbrehet në punë me synime të tjera.

Pasaktësitë mbijetojnë mjaft gjatë, kur shndërrohen në dogma, ose kur u harrohet burimi. Ideja e Fallmerayer-it, e njëjta që mbahet gjallë në mënyrë folklorike nga gjysmë-dijetarët e ligjërimit kombëtarist divulgativ në mediat, u rishfaq në vitin 2015 edhe te një artikull në Die Welt, me titullin Griechenland zerstörte schon einmal Europas Ordnung (“Greqia e ka shkatërruar një herë më parë rendin në Europë”), nga Berthold Seewald (Leitenden Redakteur); ku mes të tjerash thuhej:

Die Vorstellung, dass es sich bei den Griechen der Neuzeit um Nachfahren eines Perikles oder Sokrates handeln würde und nicht um eine Mischung aus Slawen, Byzantinern und Albanern, wurde für das gebildete Europa zu einem Glaubenssatz. Dem konnten sich auch die Architekten der EU nicht entziehen.*

Me përkthimin tim:

Ideja se grekët e Kohës së Re ishin pasardhës të Perikliut a të Sokratit dhe jo një përzierje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh, merrej si e mirëqenë nga europianët e kulturuar. As arkitektët e BE-së nuk mundën t’i shpëtojnë kësaj ideje.[3]

Mediat shqip e kapën këtë tezë në fluturim dhe e sollën në vëmendje të publikut, duke përmendur me këtë rast edhe rrënjët e saj: Fallmerayer-in; dhe natyrisht pa sqaruar se idetë e këtij të fundit jo vetëm nuk e kanë kapërcyer testin e kohës, por edhe janë diskredituar me përdorimin (deri në karikaturë) që ia bënë racialistët nazistë. Ironia këtu është edhe se Seewald-i e pat sjellë përbërësen racore “shqiptare” si argument përgënjeshtrues të origjinës “fisnike” dhe europianitetit të supozuar të grekëve modernë; në kuptimin që, sipas gazetarit gjerman, është pikërisht përzierja me sllavë, bizantinë dhe turq që ua hiqka grekëve të sotëm privilegjin europian!

Pohimi i gazetës gjermane u qortua edhe gjetiu – pse i pasaktë, i pabazuar dhe madje racist; dhe si i tillë edhe u përfol; paçka se, këndej nga ne, u shpreh gëzim ngaqë Die Welt paskësh pranuar që grekët nuk qenkan “më të mirë” se ne. Çfarë provon edhe një herë, edhe pse nuk kish nevojë, që rrejshmëria e cherry picking jo vetëm i nxjerr tezat, idetë dhe citatet e të tjerëve nga konteksti, por edhe nuk arrin t’i vendosë mirë në kontekste të reja, duke i trajtuar – në rastin më të mirë – si dogma.

(vijon)

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Këtu dhe në vijim jam mbështetur në veprën e Johann Chapoutot me titull Greeks, Romans, Germans How the Nazis Usurped Europe’s Classical Past, University of California Press, 2016 (origjinali frëngjisht National-socialisme et l’Antiquité, 2006). Për t’u shënuar këtu se edhe veprën e Chapoutot-it e kanë kritikuar për cherry picking. 

[2] Në lëmin e artit dhe të kulturës elitare, marrëdhënia e Gjermanisë me kanonin e Greqisë së lashtë, shkruan Chapoutot-i, e kish prejardhjen në shkrimet e Johann Joachim Winckelmann-it, të cilave iu shtuan pastaj idetë e eugjenikës dhe të darvinizmit social, në emër të restaurimit dhe të riprodhimit të një race, “bukuria e së cilës ishte testament i epërsisë së saj.”

[3] Shumë burime në Internet e përcollën kështu paragrafin e artikullit të Seewald-it:

Die Vorstellung, dass es sich bei den Griechen der Neuzeit um Nachfahren eines Perikles oder Sokrates handeln ëürde und nicht um eine türkisch überformte Mischung aus Slawen, Byzantinern und Albanern, wurde für das gebildete Europa zu einem Glaubenssatz. Dem konnten sich auch die Architekten der EU nicht entziehen.

Me fjalë të tjera, ajo “përzierje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh” paskësh qenë e ndërmjetësuar (e formësuar) prej turqve. Ka të ngjarë që Die Welt ta ketë ndryshuar versionin fillestar, duke hequr cilësorin “të formësuar prej turqve”, kushedi për të shmangur Luftën III Botërore.

5 Komente

    1. Vehbiu eshte njejes dhe rreshtohen perdoret per shumesin.Jane ca gjera qe mesohen ne SHKOLLE.

  1. Do shtoja se edhe kur e kujtojmë Fallmerayer-in në hapësirën shqiptare, prapë nuk i shmangemi njëanshmërisë. Është e lehtë të përsërisim ato çka tha për grekët por nuk është se ka qenë dhe aq zemërgjerë ndaj ahqiptarëve. Vetë e pranon tek vepra Elementi shqiptar në Greqi se raca shqiptare ”është e spërkatur dhe tkurrur” nga elementi sllav, edhe pse nuk u zhduk krejtësisht dhe se Shqipëria Qendrore dhe Jugore në shek. e X ka qenë krejt sllave.

    Natyrisht i ka parapëlqyer qershitë edhe Fallmerayer-i. Në pjesën e parë të veprës së sipërpërmendur, nga të gjithë autorët që kishin shkruar për origjinën e shqiptarëve, ai zgjedh të polemizojë me një mësues grek që kishte mbrojtur tezën e vetë në një universitet gjerman, një farë Nikolaos Nikoklis, dhe që sot nuk i mbijeton emri as në vendlindje.

    Fati i Fallmerayer-it mund të ishte krejt ndryshe në hapësirën shqiptare, pasi ai ka shkruar një histori të shqiptarëve me një qasje shkencore, e para e mirëfilltë e këtij lloji dhe sidomos sinteza e tij për historinë e Skënderbeut u largohej veprave me karakter panegjirik që ishin shkruar gjer atëherë. Por ai kujtohet vetëm për sa tha për grekët dhe kjo është në njëfarë mënyre ironike sepse vetë veprën e tij e konceptoi si një antitezë të historisë së Greqisë.

    ps, në shqip qarkullon vepra e tij Elementi Shqiptar Në Greqi nga botimet Saraçi, Tiranë 2003 në përkthim të N. Nepravishtës me parathënie të Peter Bartl.

    1. Fallmerayer i paraqet shqiptaret si te sjelle nga sllavet ne shqiperine e Jugut apo Greqi.Ndoshta mund te kete ndodhur si thote ai duke u nisur nga toponimet sllave te Shqiperise se jugut .Problemi me kete teori eshte se shqiptaret ne zona te tjera duhet te kene patur nje teprice popullsie dhe vendet ne te cilat u shperngulen te kene qene zona vacuum .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin