Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Histori / Semiotikë / Urbanistikë

FATI I SHENJËS ARKITEKTONIKE

Në 5 shtator 2017, Ruth Ben Ghiat – docente e historisë dhe e studimeve italiane në New York University, botoi një artikull në revistën New Yorker, me titull Why are so many fascist monuments still standing in Italy ku shprehte habinë, në mos indinjatën, që Italia nuk i ka prekur shumë nga simbolet e gjithfarshme të periudhës fashiste, nga monumentet te mbishkrimet dhe veprat arkitektonike.

Artikulli përmendte lagjen EUR në Romë, me frazën e Musolinit të mbishkruar në fasadën e Palazzo della Civiltà del Lavoro; Foro Italico-n dhe shembuj të tjerë, nga kryeqyteti dhe qytete të tjera anembanë gadishullit.

Edhe pse pati kritikë, në Itali, që iu përgjigjën artikullit me argumentin se koncepti i fashizmit duhet mbajtur ndarazi nga ai i arkitekturës racionaliste italiane të asaj periudhe, sërish ia vlen të pyesësh se mos ka diçka në atë lloj arkitekture, që favorizon autoritarizmin, mendimin vertikal dhe disiplinën e burokracisë, në mos edhe vetë totalitarizmin.

Shto këtu edhe që, pjesë e ambicieve koloniale të regjimit të Mussolini-t, ishte edhe projeksioni i kulturës dhe urbanizmit italian në vende dhe kultura të tjera, ku Italia synonte ekspansion – përfshi këtu edhe Etiopinë (Eritrenë) dhe Shqipërinë. Në rastin e parë, Asmara jo vetëm shquhet sot e kësaj dite, për stilin arkitektonik të qendrës, por edhe përfiton nga njohja prej UNESCO-s e statusit të Trashëgimisë Botërore (World Heritage Site), falë arkitekturës së saj moderniste.

Në këtë kontekst, mund të interpretohet edhe lehtësia me të cilën ndërtesat e mëdha “italiane” në Tiranë dhe konfigurimi i hapësirave të qendrës iu përshtatën ndërrimit të regjimeve në 1945 dhe i shërbyen pushtetit të ri të diktaturës së proletariatit; madje jo vetëm i shërbyen, por edhe i dhanë atij pushteti karakteristika specifike.

Për shumë dekada, ndërtimet monumentale në Tiranë, duke spikatur me format e tyre gjeometrike, racionalizmin, hapësirat e gjera, kolonadat dhe vijat e këndet e drejta erdhën dhe përfaqësuan, në sytë e qytetarëve, imazhin e shtetit monolitik dhe të pushtetit jetërsues; Tiranën kryeqytet, në kundërvënie dhe kontrast dramatik me Tiranën qytet.

Arkitektura neoklasiciste “italiane” në Tiranë sa nuk ishte pjesë organike e qytetit, aq edhe përfaqësonte tani identitetin e tij, përballë qyteteve të tjera të mëdha të Shqipërisë.

E konceptuar sipas precepteve të shkollës racionaliste italiane, së njëjtës që i dha imazhin arkitektonik regjimit fashist të Mussolini-t në Itali, qendra e Tiranës ftonte për gjeste korale, të tilla si parakalimet në Bulevardin e Madh; tribunat dhe banderolat, deri edhe portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe të anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, në ditë festash.

Jo vetëm që ishte organizuar sipas parimit të distancave të mëdha, por edhe i krijonte vetë këto distanca, duke e mbajtur individin larg institucioneve, duke filluar nga ato të shtetit dhe të pushtetit.

Për njerëzit e Hoxhës, që hynë në Tiranë në fund të vitit 1944, kompleksi i lënë pas nga italianët ishte një objet trouvé; jo vetëm ngaqë plaçkë lufte, por edhe si një artifakt i një teknologjie aliene, që duhej deshifruar, qoftë edhe nëpërmjet kundër-inxhinierimit. E përfytyroj deri edhe si anije hapësinore të përplasur në mes të kryeqytetit, dhe ende duke u djegur e duke lëshuar tym, pa e plotësuar dot misionin e vet (“civilizues”).

E njëjta arkitekturë – pak a shumë – ish kultivuar edhe në qendrat e pushtetit në Perandorinë e Majtë; për ç’arsye, Tirana “italiane” u tregua njëlloj mikpritëse e komode edhe me teknokratët e formuar në universitetet e Lindjes, veçanërisht ato të Bashkimit Sovjetik.

Stabiliteti i tyre dhe siguria i shërbyen ashtu konsolidimit të shtetit në Shqipërinë e pas 1944-ës dhe, të paktën tërthorazi, edhe të pushtetit totalitar të Hoxhës.

Efekti i këtyre strukturave ndaj qytetarit të Tiranës nuk ka qenë kurrë dhe aq i ndryshëm, nga i njëjti efekt, i strukturave të ngjashme, ndaj qytetarit të Romës së Mussolini-t; sepse si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, i mëshohej gjigantizmit kolektiv dhe institucional, përballë papërfillshmërisë – edhe thjesht gjeometrike – të individit.

Në filmin e vet tashmë klasik, “Il Conformista”, Bernardo Bertolucci e përdor këtë efekt, për të treguar si u gëlltit protagonisti, Clerici (Jean-Louis Trintignant), në barkun e përbindëshit fashist. Ashtu, në minutat e para të filmit e shohim Clerici-n të shkojë në selinë e OVRA-s, për të marrë udhëzime rreth një operacioni tepër sekret.

 

Arkitektura e atriumit të ndërtesës (shih fotogramën më lart) e përcjell menjëherë, me hapësirën e vet të ekzagjeruar, raportin që institucioni vendoste me të ardhurin nga jashtë. Është folur, në atë kontekst, për klaustrofobi nga hapësirat boshe (kujdes: jo agorafobi); me gjasë, të theksuar edhe nga raporti mes dritës verbuese përjashta dhe errësirës së ftohtë brenda. Një arkitekturë e tillë mishëronte përemrin NE, të vetës së parë shumës, në kuptimin e vet më përjashtues – që nga momenti kur individi e merrte veten në zotërim si individ, gjendej përballë gjigantizmit gëlltitës të kolektivit.

Ajo skenë është xhiruar në Pallatin e Kongreseve në EUR, Romë; ironikisht, në tarracën e po këtij pallati (teatro in marmo) është xhiruar edhe takimi i Clerici-t me babanë e vet të sëmurë dhe tashmë të mbyllur në çmendinë – në një skenografi të mbytur në të bardhën e marrëzisë. Nëse kritikët kanë vënë në dukje se Roma e “Il Conformista” duhet lexuar në kontrast me Parisin, si skaje vlerash të kundërta, mbase duhet shtuar se ne, qytetarët e Tiranës, nuk e kishim as alternativën e një udhëtimi në Paris, për të shpëtuar nga gjeometritë bizarre të pushtetit totalitar në Tiranë.

Teatro in marmo, në tarracën e Palazzo dei Congressi, EUR.

Ironikisht, kur dola për herë të parë nga Shqipëria, për të shkuar në Romë, në vitin 1987, ishte pikërisht ajo arkitekturë në kryeqytetin italian që ma lehtësoi traumën e impaktit me një kulturë aq ndryshe nga jona. I mbaj mend mirë përshtypjet nga vizitat e para në universitetin La Sapienza, pastaj te selia e Ministrisë së Jashtme (Farnesina) ku na duhej të merrnim bursën, dhe pastaj te selia e FAOs, ku kish një dyqan, në bodrum, ku blenin me çmim të lirë diplomatët dhe stadiumi në Foro Italico. Kjo Romë e njëzetvjeçarit “fashist” m’u duk më e afërt me Tiranën, më zgjati dorën për të më mikpritur dhe më foli në një gjuhë të cilën edhe mund ta kuptoja disi.

Më kujtohet, nga ato javë të para në Romë, edhe një e diel kur shkuam në EUR; një lagje që romanëve nuk u pëlqen, por që mua m’u duk si hapësirë familjare, motër e madhe e kompleksit universitar në Tiranë, me gjithë Pallatin e Qytetërimit Italian, që i ngjan ish “Rektoratit” të Universitetit të Tiranës, në mos tjetër, të paktën për nga hija që projekton.

Këtë Romë, që mua më ngjalli mallin e Tiranës, unë nuk e përjetova dot menjëherë në kundërvënie me Romën tjetër – atë të Rilindjes dhe Romën Baroke dhe atë të Risorgimento-s; pa folur për Romën “romake” të Koloseut dhe atë të Vatikanit; siç e bëjnë zakonisht vendësit. Vija nga një rend urban si ai i Tiranës, ku katedralet i kishin zëvendësuar selitë institucionale të regjimit totalitar; dhe m’u desh mjaft kohë, për t’u orientuar në labirintet e një logjike urbane aq tjetër dhe aq të komplekse, sa ajo e kryeqytetit italian.

Çfarë edhe më sjell tek Tirana e sotme; ku arkitektura italiane – tashmë e rrezikuar nga spekulimi ndërtimor dhe etja për “zhvillim” të qendrës – paradoksalisht është shndërruar në një seli të rezistencës kulturore, ndaj grykësisë së kapitalit të ri ndërtues. Dy ngjarje të trishtuara të dhjetëvjeçarit që shkoi – prishja e Teatrit Kombëtar, edhe ai mbijetojë e vyer e projeksionit kulturor italian në Shqipëri; krahas përçudnimit të stadiumit kombëtar, që ishte pjesë e pandarë dhe organike e kompleksit në fund të bulevardit, dëshmuan se ajo Tiranë – sado monumentale dhe solide që të duket ende – ka tani nevojë për mbrojtje.

Edhe pse nuk ka një logjikë, dhe as një gjuhë, që t’i bashkojë rrokaqiejt e rinj që ngrihen këto ditë në Tiranë, më duhet të them se nuk duhet shumë mund, për ta perceptuar hendekun metafizik, që i ndan nga ndërtimet neoklasike, nga gjeometria dhe nga raporti i tyre me njëra-tjetrën dhe qytetin përbri. Për mua, ky është hendeku që ndan dritën nga errësira; dhe gjithnjë më duket sikur përjetoj diçka të errët dhe djallëzore, në simbolikën e arkitekturave të reja, duke filluar nga prushimi i kuq i kompleksit të ri të stadiumit.

Kjo, që Tirana racionaliste e trashëguar prej italianëve dhe për shumë vjet e skllavëruar prej totalitarizmit të majtë të Hoxhës, tani mund të shërbejë si simbol i rezistencës ndaj spekulimit ndërtimor dhe mospërfilljes arrogante, nga ana e planëzuesve, për gjuhët me të cilat u ka folur dhe u flet banorëve të vet Tirana.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë është krijuar me DALL.E 3.

Shënim: kjo ese është varianti shqip i një kumtese me titullin “Tirana Objet Trouvé”, që mbajta në konferencën shkencore me temë “L’architettura del classicismo socialista in Albania (1945-1960), të organizuar nga Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë, në datat 9-10 shkurt 2024.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin