Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fotografi / Semiotikë

HIJA, PASQYRA, SELFIE

Më qëlloi këto ditë të kaloja nëpër duar foto të miat – me shoqërinë – të viteve të gjimnazit (1970); të vogla, gati si pulla poste, bardhezi por në fakt gri, me të gjithë ne të veshur zakonisht me rroba të prindërve, ose imitime të tyre. Foto të lumtura, dhe njëherazi dëshmi që bardhezia rimerrte edhe ngjyrat reale të botës atëherë.

Një pjesë e mirë, ato më të hershmet, janë nxjerrë nga fotografë “profesionistë”, zakonisht te parku-gropë mes Ministrive, mbrapa monumentit të Skënderbeut. Ai vend ishte skena ku hipnim, herë pas here, për t’u fiksuar në celuloid – në mos për arsye tjetër, ngaqë aty rrinin fotografët. Shërbimi që këta ofronin nuk ishte art; më mirë mund ta krahasoj me shërbimin e orëndreqësve dhe të këpucarëve. Plotësonin një nevojë të thjeshtë, për qytetin.

Më pas fotot filluam t’i nxjerrim vetë; sidomos kur etërit e morën në sy të na i besojnë aparatet, që me aq mund i kishin siguruar në treg, ose edhe më shpesh, i kishin sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Sende të rënda, prej metali; me një farë përsosmërie mekanike, që i bënte të ngjashme me orët.

Ajo që mendoj, kur kaloj nga një skenë në tjetrën, është se arsyet pse i kemi nxjerrë ndoshta edhe janë harruar dhe tani është fotoja, si akt i shkrepjes së aparatit, që shërben si arsye e mjaftueshme. I lë mënjanë fotot e nxjerra nga fotografët e zanatit, dhe mundohem të kuptoj ato që ia kemi bërë njëri-tjetrit.

Atëherë nuk e vija re, por tani e kam të pamundur ta heq mendjen, nga roli i atij që e ka nxjerrë foton – një shok yni, me të cilin pastaj jemi këmbyer. Por e kam fjalën te syri, që ka parë përmes okularit, për të mbërritur te ne. Vështrimi i “fotografit”, që tani është ruajtur në një kuadrat kartoni. Prani e padukshme, por njëherazi parim organizues, i njollave në letër.

Pa dashur, e krahasoj me vështrimin e eksperimentuesit, që në disa teori të fizikës kuantike ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e grimcave elementare – deri atje sa edhe t’i thërrasë në ekzistencë, nga mjegulla probabilitare.

Ka qenë syri i fotografit, që ia ka dhuruar fotografisë dritën. Kjo më çon pastaj te një nga etimologjitë që i janë dhënë fjalës sy (Çabej), duke e lidhur këtë me fjalën gjermanike për diellin: angl. sun, gjerm. Sonne.

Ky i tretë, që i dhuronte fotos vështrimin, më duket tani më fort i pranishëm në imazh, se edhe ne vetë, hije me dy përmasa, gjurmë kimike si shenja gishtash të një bote të ndriçuar nga syri.

Nuk bënim selfie edhe pse teknikisht, me aparatet me shkrepje të vonuar, selfie nuk ishte e pamundur. Në fakt selfie, edhe ajo në grup, e përjashton të tretin, syrin që sheh në kamera, për ta zëvendësuar me një imazh të ujshëm në ekranin e telefonit. Në selfie është vetë vështrimi yt, që e “kolapson” valën e realitetit tënd.

Selfie risjell në imazheri pasqyrën; dhe bashkë me pasqyrën, efektin e saj djallëzor, për të dyzuar realitetin. “Pasqyrat dhe kopulimi janë të përbindshme,” shkruan Borges-i, “sepse të dyja rritin numrin e njerëzve.”

Do të shtoja: tmerri i pasqyrës nuk është se na tregon kopjen e një bote që ekziston në një përmasë të pakapshme; por se na bën të mendojmë që edhe jona, mund të jetë e tillë.

Duke e lënë jashtë vështrimin, si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në krijimin e fotos, selfie ia lë këtë krijim bote në dorë një mikroçipi. Fotoja elektronike është po aq gjurmë sa edhe ajo e dikurshmja, analoge; por i mungon ndërmjetësimi i syrit në okular. Dhe ashtu vjen dhe i ngjan edhe më hijes, që nuk është veçse ankim i sendeve të goditura nga drita.

Edhe hija, njëlloj si pasqyra, rreket të krijojë diçka; një fantazmë dypërmasore, që kur është jotja, të ndjek nga pas, e lehtë dhe e lëmuar. Edhe ajo të bën të mendosh, se edhe ti vetë – me trupin, gjakun dhe rropullitë që ke brenda – mund të jesh hije e një sendi të epërm.

Kam parë, në metro, gra që bëjnë tualet duke u parë në ekranin e telefonit, nëpërmjet kamerës. E shohin veten, por pa i parë kush. Futen në një loop me pasoja metafizike. Ai lloj përdorimi, i kamerës në telefon në kombinim me ekranin, më bën ta mendoj selfien si një lloj monologu të pasqyrës. Çfarë thotë? Kush flet?

Te një roman fantashkencor nga Neal Stephenson, autori argëtohej me idenë se magjia erdhi e u zhduk nga kjo botë, në momentin kur u shpik fotografia. Nuk dua të marr me mend se çfarë është zhdukur, tani që po bëjmë të gjithë selfie; cili i tretë është përjashtuar dhe ku; dhe nëse ky i përjashtuari po kurdis ndonjë plan, për t’u kthyer dhe kërkuar shpagim.

E kam më të lehtë të ngushëllohem, me pamjet nga një botë ku jo vetëm e vështronim njëri-tjetrin, por edhe e fiksonim aktin e vështrimit në letër, për ta kremtuar.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin