Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

ME ÇFARË MERREN TAMAM?

Disa herë jam munduar të gjej një emër të përshtatshëm, për profesionin dhe vokacionin e autorëve të tillë si Petro Zheji, Fahri Xharra, Agron Dalipaj, Butrint Balaj, Elena Kocaqi, Sazan Guri, Skënder Hushi, Anastas Shuke, Arif Mati, Stavri S. Trako, Kastriot Mëlyshi, Luftulla & Liljana Peza, Niko Stillo, Margarit Nilo, Çlirim Xhunga dhe të tjerë (të më falin që i kam lënë jashtë nga padija), të cilët po çojnë përpara, nëpërmjet botimesh dhe daljesh në TV dhe shkrimesh në mediat dhe në rrjetet sociale, hipoteza dhe teori arkeo-gjuhësore, që i kundërvihen albanologjisë akademike dhe traditës së saj.

I kam quajtur albanologë alternativë, ndryshe nga disa të tjerë, që i quajnë turbo-albanologë ose pseudo-albanologë; gjithnjë në kërkim të një emërtimi që nuk sjell ndonjë gjykim negativ me vete, as e parakupton këtë gjykim negativ si a priori, edhe pse teoritë e tyre mua më duken të gabuara, të pabazuara në dijen historike-gjuhësore deri edhe elementare; siç më duken metodat e tyre primitive, të improvizuara, inkonsistente dhe, gjithsesi, jo-shkencore. Por në çdo rast jam munduar që gjykimin për secilin prej tyre, kur e kam dhënë, ta mbështet në argumente jo në opinione dhe, gjithsesi, i pandikuar nga emri që përdor për ta.

Por sa më shumë që njihem me punën e tyre, aq më shumë bindem se kjo punë – pavarësisht nga ç’është dhe si kryhet – nuk ka të bëjë me albanologjinë, meqë albanologjia, me përkufizim, është “fushë e shkencës që merret me studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare” (FGJSSH 1980), ndërsa teoritë dhe hipotezat e këtyre autorëve nuk kanë për objekt studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare.

Ashtu, Petro Zheji është marrë me etimologjizimin e sanskritishtes, dhe më pas edhe të gjuhëve të tjera, si hebraishtja, duke u nisur nga shqipja; Fahri Xharra ka zbuluar që “Roma fliste shqip”, Agron Dalipaj e ka nxjerrë greqishten bijë të shqipes, Butrint Balaj ka zbuluar që “gjermanishtja flet shqip”, Elena Kocaqi e nxjerr shqipen “çelës të gjuhëve indoeuropiane”, Sazan Guri ka qëmtuar origjinën shqipe të disa emrave të hershëm të Krishterimit, Skënder Hushi ka konkluduar që “aztekët e Meksikës flisnin shqip”, Anastas Shuke, nga ana e vet, që “shumerët flisnin shqip”, Stavri S. Trako flet për “gjuhën shqipe si çelës për historinë e gjuhëve të familjes doriano-europiane”, Kastriot Mëlyshi ka qëmtuar marrëdhëniet mes shqipes dhe së vërtetës biblike, Luftulla & Liljana Peza kanë lexuar nëpërmjet shqipes shkrimin linear B të Kretës dhe “Iliadën” e Homerit, Çlirim Xhunga ka argumentuar se greqishtja e vjetër dhe latinishtja vijnë nga shqipja e kështu me radhë.

Pa hyrë fare në meritën e këtyre hipotezave dhe teorive, më duhet ta them – madje ta pranoj – se ato kanë për objekt, ose kërkojnë të ndriçojnë të panjohura në gjuhë të ndryshme të rruzullit, të gjalla e të vdekura, nga greqishtja te shumerishtja, nga gjuha e aztekëve te hebraishtja, nga sanskritishtja te latinishtja, nga gjermanishtja te italishtja e kështu me radhë; duke e përdorur shqipen si çelës ose si pikënisje. Në hulumtimet e tyre shqipja është madhësi e njohur, e cila u shërben për t’iu afruar një të panjohure që ata kërkojnë ta zbardhin ose ta shpjegojnë.

Për shembull, Agron Dalipaj – që kohët e fundit ka etimologjizuar fjalë të italishtes – shpjegon italishten macello nëpërmjet shqipes “ma therri”, italishten potenza nëpërmjet shqipes “bohet tëndia”, italishten piega nëpërmjet shqipes “ka bie (përulet)”, italishten lozione nëpërmjet shqipes “gjë që LOT, los, luan”; italishten agevole “asht gjë bohet lehtë”, e kështu me radhë. Këto shpjegime, pavarësisht nga çfarë janë dhe si tingëllojnë, synojnë të zbërthejnë dhe të etimologjizojnë fjalë të italishtes, nëpërmjet shqipes; po të kishin ndonjë vlerë, kjo do t’i shtohej historisë së italishtes, jo të shqipes. Fakti që si lëndë e parë për shpjegimin zgjidhet shqipja, nuk u jep gjë natyrë albanologjike dhe ashtu as kuptohet pse duhet t’i interesojnë veçanërisht studiuesit të gjuhës shqipe dhe aq më pak lexuesve të paspecializuar. E shumta, do t’u interesojnë studiuesve të italishtes dhe të gjuhëve romane, të cilët janë të pakënaqur, ose të zhgënjyer me etimologjitë ekzistuese për këto fjalë.

Disave ende do t’u kujtohet dijetari frëng Zacharia Mayani dhe dy veprat e tij që ua kushtonte mbishkrimeve etruske, të cilat i interpretonte nëpërmjet shqipes (“Etruskët fillojnë të flasin” dhe “Fundi i misterit etrusk”). Mayani i shkroi ato vepra si etruskolog; synimi i tij ishte të lexonte mbishkrimet etruske, një enigmë për arkeologjinë e Italisë para-romake. Pavarësisht nga fibra e argumenteve të tij gjuhësore, ai asnjëherë nuk pretendoi të ishte albanolog dhe as që vepra e tij të sillte ndonjë kontribut çfarëdo, në ndriçimin e së kaluarës së hershme të shqipes. U nis nga shqipja si e njohur, dhe synoi të zbërthente etruskishten e mbishkrimeve, si e panjohur.[1]

Edhe një shembull tjetër, këtë herë jashtë shqipes. Në 1799, gjatë fushatës së Napoleonit në Egjipt, u gërmua një rrasë me mbishkrime, që më pas do të njihej si Pierre de Rosette (angl. Rosetta Stone), e cila përmbante mbishkrime në egjiptianishten hieroglifike, greqishten e vjetër dhe egjiptianishten demotike (koptishte alfabetike). Deri atëherë hieroglifet egjiptiane nuk i kish deshifruar kush, megjithë përpjekjet e shumë dijetarëve. Jean-François Champollion ishte i pari që filloi t’i zbërthente hieroglifet duke u bazuar në tekstin greqisht, duke u nisur nga hipoteza se ky i fundit ishte përkthim i të parit. Në këtë rast, një gjuhë e njohur, greqishtja, u përdor me sukses për të deshifruar dhe lexuar një shkrim dhe një gjuhë deri atëherë të panjohur. Për këtë arsye, zbulimi i Champollion-it i përket egjiptologjisë, jo helenistikës.

Për t’u kthyer tani tek autorët e përmendur në krye të shkrimit, më duhet të shtoj se këta jo vetëm që nuk japin ndonjë kontribut për historinë dhe parahistorinë e shqipes, por edhe se dëshira e tyre, për të ndihmuar me etimologjizime gjuhësh të tjera, vihet në pikëpyetje nga shkalla e njohjes që ata kanë, për historinë e atyre gjuhëve. Gjermanishtja, italishtja, latinishtja, greqishtja e vjetër, hebraishtja, sanskritishtja dhe të tjera gjuhë, përfshi këtu edhe “gjuhën e aztekëve” (nahuatl) janë studiuar mirë dhe, të paktën për gjuhët indo-europiane, janë etimologjizuar me kujdes dhe pak a shumë shterueshëm. Duke i lejuar vetes të pozicionohem edhe unë lehtazi në një fushë ku nuk jam ekspert, do të them se institucioneve universitare dhe akademike që merren me historinë e italishtes anembanë botës nuk kam dëgjuar që t’u interesojnë etimologjizimet e Dalipajt, sikurse nuk kam dëgjuar që t’u interesojnë  institucioneve universitare dhe akademike që merren me historinë e gjermanishtes anembanë botës etimologjizimet e Balajt dhe as kam dëgjuar që t’u interesojnë  institucioneve universitare dhe akademike që merren me historinë e sanskritishtes anembanë botës etimologjizimet e Zhejit, e kështu me radhë; dhe kjo sepse këta autorë përveçse nuk njohin (ose refuzojnë) metodën historike-krahasuese dhe parimet elementare të etimologjisë, nuk njohin as arritjet e gjuhësisë historike të degëve përkatëse, ose u referohen këtyre arritjeve fare përciptazi.

Për të njëjtat arsye, institucionet publike dhe mass mediat në Shqipëri e kanë të vështirë në mos të pamundur të arsyetojnë interesimin e tyre, për teoritë dhe hipotezat e këtyre autorëve, sa kohë që këto hipoteza rreken të ftillojnë të panjohurat e gjuhëve të tjera. Pse duhet të merret vallë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë me etimologjizime të shumerishtes, të gjermanishtes ose, fundja, edhe të italishtes? I vetmi justifikim për interesin që është treguar, ose edhe që kërkojnë ndonjëherë me ngulm autorët vetë, do të ishte teza maksimaliste (mistike), se shqipja është çelësi i çdo gjuhe të botës, çfarë do t’i afronte përpjekjet e këtyre me lëvizje mendimi të tilla si “teoria e gjuhës diell” dhe “protokronizmi”, të cilat – e kotë ta shtoj – jo vetëm janë përgënjeshtruar, por edhe janë diskredituar.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Po të ish konsideruar e suksesshme, përpjekja e Mayani-t mund të kish ndihmuar për njohjen e shqipes së lashtë, të kohës kur prej saj “u shkëput” etruskishtja; por Mayani nuk e bën këtë dhe as e synon. Shqipja për të është një e dhënë mekanike.

2 Komente

  1. Qendron. Por, jane fajet e ideologjise eurocentriste grekomane, latinomane dhe keltomane, qe ushqejne reagime te tilla. Grekomane per djepin e qyteterimit europian, latinomane per rrenjet PIE, qe duken rendom te nxjerra nga latinishtja dhe keltomane per marrezite e 40-50 viteve te fundit.

    Studimet indoeuropianistike duket sikur marrin urdhera nga lart ( rendom pershtaten vete nga studiuesit pa pasur nevoje per ndonje dore te fshehte, si e Smithit ne ekonomi), cka edhe e ka kthyer cdo gje zyrtare apo mainstream, si gjesend a gjekafshe e dyshimte.

    Lufta e amatorit nuk ka si te jete asnjehere dhe kurrsesi profesionale; doemos do te jete paresisht ideologjike, qe te godase cka dallohet me lehte, pra devijimin ideologjik ne paradigmat shkencore.
    Prandaj edhe gjindja e paspecializuar i mban veshet gati.

    Lulezimi i hullise qe ndjekin autoret e permendur nuk ka ndonje lidhje kerthizore me difektet e albanologjise zyrtare, thjesht shpreh nje shqetesim te pergjithshem ne lidhje me qendrimin pershtates deri ne servilizem ndaj cdo manie te huaj qe paraqesin profesionistet vendas. Pra,ne thelb eshte nje kritike publike ndaj shtylles kurrizore te studiuesve qe paguhen me fonde te taksapaguesve.

    Nqs ideja eshte qe te ndihmohen keta, qe te vazhdojne te fshihen pas gishtit, se problemi eshte te Zheji, Dalipaj apo Kocaqiu, te cilet korruptojne ndjeshmerine gjuhesore dhe historike te shqiptareve, atehere keshtu nuk shkohet askund; problemi lihet per ne kalendat greke.

  2. E keqja me e madhe eshte euforia nacionaliste qe ngjallin keto “zbulime”. C’ na vlen vjetersia kur nje gjuhe nuk eshte shoqeruar me vepra ne kohen kur eshte shkruar?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin