Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

KUR DONIM TË DINIM GJITHÇKA

Më del përpara, rastësi e lumtur, një libër i fëmijërisë dhe të rinisë sime: “Dua të di gjithçka,” quhet, një libër që dilte në pjesë – ky është vëllimi i tetë dhe, me sa mbaj mend, i fundit. I vitit 1973. I gjerdanit “Enciklopedia e rinisë”, botim i Shtëpisë botuese të “Librit politik”. Nuk ka autor, sepse është përkthim, por në fund të librit thuhet se redaktor është Skifter Këlliçi.

Bashkë me revistën “Shkenca dhe jeta”, seria “Dua të di gjithçka” na ka shoqëruar mua dhe shokëve të mi viteve të shkollës dhe – besoj se nuk po ekzagjeroj – ka ndikuar në mënyrën si ka menduar brezi ynë për shkencën dhe teknologjinë. Në fakt, edhe ky libër vjen në formën e një përmbledhjeje shkrimesh me natyrë popullarizuese, me gjasë të nxjerra nga botime të ngjashme të huaja, të tilla që do t’i gjeje në çdo revistë shkencore-popullarizuese në vende të tjera.

Gjej aty një shkrim që rreket t’i përgjigjet pyetjes se “pse fluturojmë në kozmos”, dhe shtjellon motivet e eksplorimit të hapësirës jashtëtokësore. Një shkrim tjetër përshkruan historinë e përfytyrimeve që ka pasur njeriu për planetin Afërditë dhe realitetin atje, sipas të dhënave të fundit (për kohën). Ka copëza ku skicohet teknologjia që do të përdoret nesër nga astronautët, përfshi edhe ata që do të ulen në Afërditë, të tilla si veshja e posaçme ose mjetet që do të përdoren për transport në sipërfaqe. Shkrimi pasues i përgjigjet pyetjes: “Përse u duhet njerëzve Hëna?” dhe vjen si kombinim rrëfimesh për historinë e dijes në shekuj, me parashikime për të ardhmen e eksplorimit të satelitit të vetëm të Tokës. Vjen pastaj një shkrim për kultivimin e bimëve në kozmos. I ndjekur nga një përshkrim – futuristik – i stacioneve orbitale dhe një krahasim i habitateve në oqean, me ato që do të ngrihen në orbitë rreth tokës.

Një seri shkrimesh i kushtohet kozmologjisë, gjeologjisë dhe meteorologjisë. Flitet për marrëdhënies mes klimës dhe dherave, për përfytyrimet e njeriut të lashtë rreth shkaqeve të fenomeneve klimatike si shtrëngatat dhe marrëdhëniet e këtyre me morfologjinë e truallit. Një shkrim ndalet në përdorimin e insekticideve dhe impaktin e tyre në mjedis. Vijon një shkrim disi më i gjatë, që mëton të zgjidhë një varg enigmash historike, përfshi edhe zjarrin famëzi të Çikagos në 1871, me hipotezën e afrimit me Tokën të kometës Biella.

Shkrimi për kurthet e eksperimentimit dhe teknikat e shmangies së tyre, hap një drejtim të ri për vëmendjen e lexuesit. Ndiqet nga një shkrim për rendimentin e lëndëve djegëse dhe teknologjinë e akumulimit të energjisë dhe nga një shkrim tjetër për aplikimet e fushave magnetike në industri. Pastaj flitet për përdorimin e teknologjisë moderne në arkeologji – nga aerofotografia, te datimi me radiokarbon dhe pikëtakimet mes hulumtimit arkeologjik dhe kriminalistikës.

I vjen radha një shkrimi relativisht të gjatë për mikrobiologjinë (mikrobotën) dhe pastaj për bazat molekulare të kujtesës. I ndjekur nga një analizë për potencialin e makinës – ashtu e quanin kompjuterin atëherë – për të luajtur shah. Dy shkrime të tjera që mbyllin librin i kushtohen, përkatësisht, historisë së betonarmesë dhe historisë së modeleve të flokëve te gratë.

E kështu me radhë. Shkrimet shoqërohen nga copëza të shkurtra kuriozitetesh shkencore të dhënash të tjera, që shkelin hapësirën mes informacionit dhe argëtimit. Në ato vite, ende ruhej mirë besimi në virtytet zbavitëse të informacioneve të tilla.

Sa herë do ta kem lexuar?

Serinë “Dua të di gjithçka” nuk e linin të mblidhte pluhur në librari – vëllimi që kam unë ka dalë me një tirazh prej 10,000 kopjesh, e megjithatë do të zhdukej nga qarkullimi brenda pak javësh. Brezi im, por edhe breza më të moshuar se imi, rriteshin me kuriozitetin për arritjet shkencore dhe teknologjike – edhe pse një pjesë e madhe e informacionit, të përcjellë nga këto botime, nuk kish lidhje praktike dhe konkrete me çfarë ndodhte në Shqipëri.

Është edhe meritë e padiskutueshme, e të gjithë atyre që mundësonin dhe mbështetnin botime të tilla – qoftë edhe thjesht duke ndjekur prirje të ngjashme në vende të tjera. Në vitet 1960-1970 bota mbarë shpresonte se shkenca dhe teknologjia do të na çonin drejt një të ardhmeje më të mirë – një gjendje shpirtërore planetare krejt e ndryshme nga fryma e tanishme apokaliptike, që ka pllakosur shoqëri të pasura e shoqëri të varfra, me krizën klimatike në sfond dhe humbjen e autoritetit moral të shkencës. Simbolikisht, LEM-in që zbarkoi në Hënë, në vitin e largët 1969, e ka zëvendësuar – të paktën në imagjinatën popullore – i-phone-i, të cilin e përdorim të gjithë për të parë fotot e njëri-tjetrit (edhe pse ky i-phone ka brenda teknologji kompjuterike më të fuqishme, se ajo që mundësoi udhëtimin e njeriut në Hënë).

Çfarë më bën përshtypje, pas gjysmë shekulli, është cilësia e lartë me të cilën janë prezantuar temat në libër: gjuha e qartë dhe e pasur, toni i duhur, zgjedhja e saktë e fjalëve, lehtësia e shqipërimit të terminologjisë dhe natyrshmëria me të cilën shqipja vihet të flasë gjuhën e dijes botërore. Botimet shkencore-popullarizuese duken si të thjeshta, por në fakt janë nga më të vështirat; sepse autorët njëherazi duhet t’i njohin mirë temat për të cilat shkruajnë, por edhe të mbajnë parasysh nivelin jo-specialist të lexuesit. Mirënjohje për gazetarë si †Luan Dibra dhe Skënder Shkupi (“Shkenca dhe Jeta”), të cilët e mbajtën zjarrin të ndezur edhe në shpellat më të errëta; mirënjohje për Skifter Këlliçin përgatitës dhe ndoshta përkthyes të vëllimit që kam në dorë; dhe të gjithë atyre të tjerëve që e përgatitën dhe e mundësuan serinë. Këtë që e arrinin në dukje aq lehtë botuesit e serisë “Dua të di gjithçka”, sot mediat shqip e kanë të pamundur ta arrijnë, të mbytura siç janë mes injorancës së redaktorëve dhe absurditetit të përkthimit automatik.

Kur u kthehem atyre viteve të largëta, kujtoj edhe se shkenca, diskursi shkencor, njohja me arritjet teknologjike, të gjitha këto na mbanin ne – brezit që rritej në një Shqipëri përndryshe të izoluar – në kontakt me botën; na bënin të ndiheshim edhe ne qytetarë të botës dhe na lejonin të ëndërronim për të ardhmen tonë, veçanërisht në shkencë, në dije, në inxhinieri dhe në teknologji. Pak vite më vonë, në 1977, unë ende dëshiroja të vazhdoja studimet e larta në matematikë ose në fizikë. Shumë shokë të mi zgjodhën inxhinierinë në degë të ndryshme. Pas një mjedisi intelektualisht stimulues, që kishim në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ku përfundova në vitin e parë të studimeve, në Fakultetin Histori-Filologji, më zhyti në depresion.

Kjo bisedë mund të vazhdojë gjatë. Vetëm para pak ditësh, lexova që degët e matematikës, të fizikës dhe të kimisë në Universitetin e Tiranës rrezikojnë të mbyllen (!), sepse vetëm 27 vetë janë regjistruar (prej të cilëve vetëm 7 në fizikë dhe vetëm 6 në kimi).

Mbase këto të dhëna nuk mjaftojnë, për të nxjerrë përfundimin se brezi i ri, në Shqipëri, e ka humbur interesin për shkencën dhe në përgjithësi për dijen; por arsye për t’u alarmuar ka. Informacioni shkencor, i qarkulluar në shkollë por edhe nëpërmjet botimeve shkencore-popullarizuese dhe emisioneve televizive për shkencën dhe revistave (si dikur “Shkenca dhe jeta”) ushqen një mendësi racionale, e cila është themeli i një sistemi pluralist, republikan dhe demokratik dhe që tani po lihet të vuajë urie.

Kish dikur një Shqipëri, që donte të dinte gjithçka – ashtu e mbyllur në hekura dhe e rrethuar me tela me gjemba, siç ishte. Por nuk dua t’i përgjigjem pyetjes se çfarë duan të dinë sot shqiptarët e brezit të ri.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

4 Komente

  1. Aman mor burre, sa bukur qe shkruan! 🙂
    I lexoj pothuaj te gjitha shkrimet.
    Faleminderit.

  2. Disa te verteta te pamohueshme qe vetem nje kendveshtrim dhe analize si kjo mund ta bej bindese per fodullekun e kesaj, nese e quajme ‘kohë’ ne te cilen jetojme! Si gjithmone te mirpresim
    Rexhep Uka

  3. Kane qene botime interesante popullire shkencore ,por edhe atehere pavaresisht prej arsimimit masiv qe si tregoi koha ishte teper siperfaqesor Dhe inefficient e pregatiti shqiptaret fare pak per boten moderne vetem nje pjese e vogel ishin te interesuar ne shkencen e dijen .Sot ne kohe te internetit brezi i ri i shqiptareve eshte shume me i informuar se sa brezi i asaj kohe .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin