Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

WOKENESS PËR NE TË TJERËT

Me ta lexuar esenë e Ernest Nastos, Progresizmi amerikan sot: luftë dhëmb për dhëmb ndaj realitetit, mendova menjëherë dy gjëra: që ideologjia dhe praktika e “Drejtësisë sociale kritike” (Critical Social Justice), e njohur edhe si Woke (Wokeness) përfaqëson një sfidë sa të pashembullt, aq edhe alarmante për institucionet dhe rendin politik dhe kushtetues në SHBA; që vëzhguesit nga jashtë, përfshi këtu edhe Shqipërinë, mund ta kenë tejet të vështirë që të rrokin implikimet serioze të kësaj që po ndodh.

Pastaj mendova: wokeness në SHBA ndërlidhet ngushtë me politikat e identitetit (përfshi edhe identitetin seksual), korrektesën politike, interseksionalitetin dhe racizmin si patologji strukturale në shoqërinë amerikane. Thënë ndryshe: wokeness sot në SHBA i ka rrënjët tek institucioni dhe apologjia e skllavërisë dje.

Një vëzhgues nga Shqipëria e ka praktikisht të pamundur të përfytyrojë çfarë sfide paraqet kjo lëvizje politike dhe ideologjike për rendin kushtetues dhe social në SHBA – dhe jo vetëm ngaqë në Shqipëri raca dhe racizmi përjetohen ndryshe (p.sh. brenda një mitologjie të mburrjes etnike); por edhe për shkak të një tendence sa të shëmtuar, aq edhe të pashmangshme, të mass mediave për ta reduktuar wokeness në një zinxhir anekdotash dhe absurditetesh, çfarë edhe e nxjerr nga konteksti që e ka përftuar dhe e mban gjallë.

Për dikë që është edukuar dhe beson në parimet tradicionale të së drejtave të njeriut (liri, barazi, vëllazëri, etj.), betejat që ndërmarrin ithtarët e lëvizjes woke mund të duken thjesht marrëzira – Nasto i ka sjellë disa shembuj në artikullin e vet; mund të sillen të tjerë. Çështja është të kuptohet se wokeness kërkon të normalizojë përkufizimet e veta për të drejtat e njeriut, duke filluar nga zëvendësimi i barazisë (equality) me ekuitetin (equity[1]).

Kritikët e kësaj ideologjie dhe praktike – që nuk vijnë doemos dhe gjithnjë nga e djathta – kanë vënë në dukje ndërkohë impaktin thellësisht çrregullues të wokeness në arsim, në universitete, në shkencë, art dhe kulturë, në politikat e punësimit, të pagës dhe, veçanërisht, në lirinë e fjalës, sa i përket shoqërisë amerikane, por jo vetëm.

Pyetja që bëj unë, është sa relevancë kanë të gjitha këto për shoqërinë në Shqipëri, e cila mbetet në thelb (ende) e paprekur nga problematikat e lëvizjes woke, përfshi këtu edhe të majtën e mirëfilltë. Dhe një përgjigje të tërthortë kësaj pyetjeje ma japin ngjarjet e këtyre ditëve në Francë, ku trazirat sociale frymëzohen nga shqetësime që nuk janë të pangjashme me ato të lëvizjes woke në SHBA, duke filluar nga komponenti racial dhe identitar i protestës.

Pakënaqësitë sociale te ne, përfshi ato të brezit të ri, shprehen – të paktën për momentin – kryesisht nëpërmjet daljes nga sistemi, ikjes, largimit, emigrimit; nëse në SHBA baza sociale e lëvizjes woke janë pasardhësit e skllevërve të sjellë nga Afrika para disa shekujsh dhe nëse në Francë baza sociale e protestave të tanishme janë pasardhësit e imigrantëve arabë (myslimanë) dhe të zhvendosurit për shkak të politikave të kolonializmit, neokolonializmit dhe de-kolonizimit, në Shqipëri përjetojmë të njëjtën dukuri por të kthyer përmbys: zbrazëtinë e krijuar prej atyre që ikin.

Ikja nuk e sfidon drejtpërdrejt klasën sot në pushtet në Tiranë, por mund ta rrezikojë pushtetin e saj në afat të mesëm dhe të gjatë, për shkak të vështirësive që krijon zhbalancimi demografik dhe ekonomik. Te ne nuk ka gjasë që të lindë një lëvizje identitare në bazë të vigjilencës ndaj diskriminimit racial (racizmit); por nuk më duket e pamundur që nesër të marrë hov një lëvizje e themeluar mbi bazën e mërisë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe kundërvënies ndaj qasjeve kozmopolite të klasës sot në pushtet.

Çfarë po ndodh sot me Kosovën – ku është në pushtet e majta e Vetëvendosjes së Albin Kurtit – lë të kuptohet potenciali për një lloj wokeness të bazuar në kombëtarizmin (nacionalizmin), ku identitetin qytetar ta zëvendësojë një identitet etnik i bazuar në vigjilencën ndaj diskriminimit prej të tjerëve (antishqiptarizmit). Ky lloj kombëtarizmi, që hë për hë merr forma kryesisht folklorike, priret edhe ai të krijojë komunitete morale ku hierarkitë të përvijohen në bazë të reputacionit; të cilat komunitete pastaj ta riprodhojnë kombëtarizmin si një lloj feje civile, të frymëzuar nga viktimizmi etnik dhe vullneti për drejtësi sociale etnike.

Që kjo vetëdije dhe lëvizje identitare tashmë po kërkon t’i rithemelojë deri edhe premisat e ideologjisë kombëtariste të Rilindjes, këtë ma sugjeron edhe zhgënjimi kapilar, deri në neveri, i “shqiptarit të rrugës” me elitat akademike të cilave deri dje u ishte besuar përpunimi i diskursit kombëtarist; zhgënjim që shoqërohet me rritjen e prestigjit të diskurseve alternative dhe narrativave që i vendosin shqiptarët dhe shqipen “në qendër të botës”. Sado absurde dhe të marrëzishme të tingëllojnë këto pozicione, ato nuk janë veçse simptoma të një vullneti të thellë për ta ripërcaktuar vendin e “shqiptarit” në hartën etnike të Europës.

Të kombinuara dhe në sinergji mes tyre, korrektesa politike, feminizmi radikal, politikat gjinore dhe wokeness (interseksionaliteti) janë përgjegjëse, në SHBA dhe gjetiu në Perëndim, për një mori ndërhyrjesh të bashkërenduara në gjuhë, që duket sikur synojnë “përshtatjen” e leksikut dhe të gramatikës me nevojat për drejtësi sociale, por që në thelb nuk janë veçse mënyra për të kontrolluar ligjërimin, nëpërmjet imponimit të kodeve artificiale, shkelja e të cilave sanksionohet pastaj me mënyra të ndryshme (p.sh. e ashtuquajtura cancellation, teknikë mbase e frymëzuar nga 1984-a e Orwell-it).

Në anglishten që flitet SHBA ka madje ndonjë fjalë që, kur përdoret ose edhe thjesht shqiptohet nga personi i racës së gabuar, qoftë edhe në kontekste metalinguistike, mund t’i kushtojnë këtij fatalisht vendin e punës, të drejtën e botimit dhe qytetarinë në rrjetet sociale. Kështu madje po ndëshkohen edhe gabimet, ndonjëherë aksidentale, në përdorimin e përemrave, me persona që “i kanë zgjedhur publikisht” përemrat e tyre. Siç e përmend edhe Nastoja në esenë e lartcituar, ky agresivitet në kontrollin e ligjërimit të kujton politikat totalitare të regjimeve staliniste, përfshi këtu edhe atë të Hoxhës në Shqipëri, ndaj leksikut dhe gramatikës së ligjërimit publik – në kuptimin që edhe në Shqipërinë enveriste zotërimi i kodeve artificiale, të imponuara nga aktivistët ideologjikë, me detyrimet dhe tabutë përkatëse, ishte provë e konformimit me ideologjinë sunduese dhe kusht për integrimin social. Bindja e militantëve, si atëherë ashtu edhe tani, ishte dhe mbetet se modifikimet në gjuhë do të çojnë në ndryshime të realiteteve politike, sociale dhe kulturore, madje duke ndikuar edhe në vetë mendimin.

Shqipja e sotme ka mbetur – për fat të mirë – në masë të madhe e paprekur nga këto voluntarizma dhe imponime të reja (teksa nuk thua dot se është shëruar nga gjymtimet e vjetra); por unë ende shquaj, në rrjetet sociale por jo vetëm, një vëmendje të tepruar, neurotike obsesive, me fjalë që “njeriu i rrugës” i percepton si të huaja dhe, për këtë arsye, të padëshirueshme; dhe që bën thirrje për t’i pastruar. Purizmi ka qenë prej dekadash sëmundje – herë foshnjore herë jo – e politikave tona gjuhësore, si shprehje e bindjes se “fjalët e huaja” e korruptojnë “gjuhën tonë të bukur shqipe”; por vendosmëria për t’i mënjanuar disa fjalë dhe për t’i zëvendësuar me të tjera është edhe ajo shprehje e qasjeje pseudo-religjioze ndaj gjuhës, si tipar themelor i kombit; dhe e ritualit të “pastrimit”, si pjesë e liturgjisë çliruese nga “e keqja”.

Një krahasim mes ideologjisë dhe praktikës woke në SHBA dhe kombëtarizmit viktimist ndër shqiptarët do të tregojë se pikënisjet janë reale: racizmi në SHBA nga njëra anë, nëpërkëmbja e elementit shqiptar, nga kancelaritë europiane, nga ana tjetër; gabimi me gjasë fillon te leximi i njëanshëm i këtyre realiteteve, interpretimi subjektiv i pasojave të tyre dhe formulimi i strategjive politike dhe sociale për “korrigjimin” e padrejtësive. Karakteristikë e lëvizjeve bashkëkohore për drejtësi sociale, përfshi edhe ato që mbështeten në tradita relativisht të hershme, është se bazohen jo në të dhëna, por në narrativa. Ashtu të dhënat dhe studimet përkatëse për dhunën policore ndaj afrikano-amerikanëve në SHBA luajtën rol minimal për njohjen dhe adresimin e problemit, në krahasim me indinjatën e vrullshme që ngjalli historia (individuale) e vrasjes së George Floyd nga një polic i bardhë. Këto narrativa shpërndahen dhe shumëzohen në mënyrë eksponenciale nga mass mediat dhe nga rrjetet sociale, duke krijuar – falë mekanizmit të tipizimit – një vetëdije kolektive që nuk pyet për realitetin, të përcjellë përmes njohjes me metodologji shkencore.

Sa më lart, janë vetëm pak përsiatje për atë fenomen alarmant për gjithë Perëndimin, që është ideologjia dhe praktika woke në SHBA. Arsyeja që më nxiti t’i ndaj këtu, është se shqetësimet që motivojnë militantët woke përtej oqeanit vërtet mund të jenë të huaja dhe ndoshta të pakuptueshme (ndonjëherë argëtuese) për vrojtuesin e interesuar nga Shqipëria; por rrethanat politike dhe sociale, anembanë globit, përfshi këtu edhe krizën e narrativave madhore (grand narratives) dhe makro-sistemeve ideologjike, por edhe infektimin (molepsjen) e komunikimit publik nga rrjetet sociale, janë të tilla që të nxitin kudo lëvizje të ngjashme me atë woke, që janë specifike për kultura dhe shoqëri të caktuara; prandaj edhe do të ishte foshnjore, përveçse edhe gabim, që të kujtonim se jemi të mbrojtur a të imunizuar, si kulturë, ndaj efekteve të lëvizjes woke si ajo në SHBA, thjesht ngaqë nuk e kemi racizmin sistemik në ADN-në tonë historike dhe kulturore.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ky ilustrim e shpjegon mirë dallimin midis equality dhe equity:

2 Komente

  1. Ndryshimet sociale gjithmone hasin ne rezistence.Levizja woke si sfide ndaj status quo apo miteve te pranuara gjeresisht ka ekzistuar gjithmone.Dikur ishte woke psh qe grate te vishnin pantallona apo zezaket te uleshin ne restorant ne te njejtin vend me te bardhet .Teknologjia ka ndryshuar rolet tradicionale mijera vjecare ne familje dhe ka bere te mundur qe njerezit ta ndryshojne identitetin e tyre gjinor.Disa mite mbi historine e Amerikes jane vene ne pikepyetje .Levizja woke psh ve ne dukje se autori qe shkroi se “te gjithe njerezit jane krijuar te barabarte dhe kane te drejten e jetes , lirise dhe ndjekjes se lumturise ” ishte pronar i 400 sklleverve.Baballeret themelues me keto fjale kishin ne mendje vetem meshkujt e bardhe te pasur e jo ata me ngjyre apo grate.Sfida qe i eshte bere ne Shqiperi disa miteve te historise tone mund te konsiderohet woke.Diskriminimi racial ne Shqiperi ka ekzistuar pak se nuk kemi patur ke te diskriminojme me perjashtim te jevgjeve, te cilet edhe pas disa qindra vite bashkejetese me shqiptaret hala trajtohen si qytetare te klasit te fundit.Me beri pershtypje , kur erdhen refugjatet afgane ne Shqiperi nje aktivist i njohur i shoqerise civile deklaroi pa iu dridhur qerpiku se nuk duhen pranuar pasi ne kulturen afgane perdhunimi i kalamajve eshte dicka normale.Per te vene duart ne koke nuk ishte edhe aq paciperia raciste e ketij tipi , apo qindra mesazhe te shqiptareve ne rrjetet sociale te cilet e falenderonin per vigjilencen e tij patriotike por sepse ne parlament u propozua si kandidat per Avokat te popullit nga opozita?!!

  2. Zezaket jane 13-14% e popullsise, nuk i kane numrat per te bere lemsh anglishten e Amerikes apo per te kercenuar rendin kushtetues. Per lexonjesin mesatar shqiptar, qe nuk e ka idene se cfare ndodh atje, duhet thene ne radhe te pare e verteta e plote, mandej te thirret per sadopak vemendje ndaj ceshtjes,
    Amerika ka qene gjithnje e perbere nga pakica te ndryshme etnike, fetare, gjuhesore e racore, te cilat mbaheshin bashke nga nje koncept identitar. Cfare ka ndryshuar tani, qe nje pakice racore te kushtezoje ndjeshem gjendjen ? Ku e gjejne te drejten, autoritetin apo forcen per t’iu imponuar 86-87%-shit te popullsise ?
    Pse ky 86% e lejon qe gjendja te perkeqesohet ?
    Gjuha eshte e te gjitheve, jo e nje pakice, nqs do te ishte e ndonje pakice do te ishte e anglo-amerikaneve dhe jo e zezakeve.

    Ne loje ka me siguri ka lojtare te fuqishem me interesat e tyre, sepse nuk duket bindese qe pse nje i zi u vra aksidentalisht apo prej neglizhences prej nje polici te bardhe, te ndodhin shtrengesa te tilla qe te krahasohen me shtrengesa diktaturash.

    Pastaj nqs pakicat e tjera jane depolitizuar si ne kohen e bashkesive fshatare dhe shohin vetem katundin e tyre, atehere ai 14% i politizuar dhe agresiv, mund edhe te pozicionohet ndonje dite si pakice sunduese. Ne kete hamendje s’ka nevoje per lojtare te fuqishem, se historia eshte plot me raste kur nje pakice politikisht e motivuar i mbivendoset shumices.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading