Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI / Politikë

A ËSHTË DIELLA NJË “TEATËR POLITIK”

A është Diella një “teatër politik” në vend të përpjekjes reale për adresimin e korrupsionit?

Tingëllon si pyetje retorike, por vendosja e një ministreje me inteligjencë artificiale (IA) është një formë retorike politike në fakt. Në këtë opinion të shkurtër do propozoj një këndvështrim tjetër mbi zgjedhjen e Diellës si ministre dhe një panorame europiane të korrupsionit dhe zhvillimit teknologjik. Korrupsioni me fondet publike është një problem i tepër i ndërlikuar që të adresohet thjesht përmes një qasje teknologjike. Shumica prej nesh e di fort mirë që retorika është mjeti kryesor që dikush përdor për të bindur një publik të caktuar mbi nje argument, ide, projekt, ose zgjidhje. Problem është kur retorika politike nuk përdor argumente bindëse dhe të qarta, por inskenon një lojë teatrale për të sugjestionuar publikun.

Në fakt metafora e teatrit është e dobishme për të vendosur konceptualisht këtë opinion. Pesë vjet më parë godina e Teatrit Kombëtar u shemb në të gdhirë të 17 majit me urdhër të kryebashkiakut të atëhershëm, Erion Veliaj. Godina e shembur kishte probleme strukturore që e bënin restaurimin e pamundur. Premtimi politik për një teatër modern ishte më i fortë se zakoni i mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore. Shembja e teatrit fizik për shkak të strukturës së paqëndrueshme është alegoria më e përshtatshme për të ilustruar problemin strukturor më të theksuar për Shqipërinë – korrupsionin e lartë ndër funksionarë publikë. Paradoksalisht vetë Erion Veliaj u arrestua pak muaj më parë me akuzën e korrupsionit në dhënien e fondeve publike. Gjatë vitit 2024 deri më sot janë hetuar 33 funksionarë të lartë për korrupsion, e cila është një mesatare e pakrahasueshme (për frymë) me vendet europiane. Me një shpërndarje kaq sistemike të këtij problemi, natyrshëm lind dyshimi nëse Diella e adreson dot këtë fenomen kaq të rrënjosur. Kjo është një qasje tipike në politikë, ku përmes “ekonomisë së premtimeve” (teknologjia inovative e IA‑së) përcaktohen pritshmëri konkrete (zhdukja 100% e korrupsionit).

Por si mund të çrrënjoset diçka që nuk matet drejtpërsëdrejti? Korrupsioni vlerësohet në bazë të perceptimit të publikut, faktorëve të riskut dhe pasojave – jo përmes aktit të korrupsionit në vetvete. A mundet teknologjia IA, e përdorur nga institucionet publike, të jetë qasja kryesore për një çështje kaq komplekse? Zhvillimet e ndryshme në fushën e digjitalizimit, përdorimit të të dhënave, si dhe automatizimi i proceseve kanë pasur një rol pozitiv në sektorin publik. Vetë ministrja Diella, ka ndihmuar përdoruesit përmes platformës e‑Albania. Në literaturën e menaxhimit dhe planifikimit social, problemet e ndërlikuara njihen më mirë me termin “wicked problems”. Ato hasin vështirësi në formulim, si dhe pësojnë ndryshime (bëhen më komplekse) kur tentohet të zgjidhen. Pra, mundësia për ta ‘bërë më keq’ një problem të tillë është e madhe, pasi përkufizimi i problemit përcakton edhe qasjen për ta zgjidhur.

Në rastin e Diellës, duket sikur kryeministri zgjidhjen e korrupsionit në sferat e larta e sheh ekskluzivisht te teknologjia e “paanshme” e IA‑së. Më realiste do të ishte qasja jo-teknologjike e cila është përjashtuar (implicit) në prezantimet fillestare të Diellës si një ministre që do çrrënjosë 100% korrupsionin me fondet publike. Këto lloj qasjesh janë afatgjata dhe bazohen në ndërtimin e një kulture ndershmërie duke edukuar funksionarët e sektorit publik mbi praktika etike në punë. Nëse mungesa e fondeve shihet si barrierë, mjafton të kujtojmë që aplikacionet IA kushtojnë më shumë se fushatat e informim-sensibilizimit. Thjesht duhet të kuptojmë që korrupsioni është fenomen shoqëror para se të bëhet politik. Pra fillon nga edukimi individëve së bashku me përcaktimin dhe rregullimin e praktikave etike të biznesit. Kur fiton një biznesmen i caktuar ose një funksionar i lartë në kurriz të publikes, të gjithë janë humbës (përfshirë ata që kanë iluzionin e fitimtarit).

Duhet thënë se korrupsioni i funksionarëve të lartë publikë nuk është një fenomen i izoluar shqiptar, në shtete të ndryshme europiane janë akuzuar edhe ish‑kryeministra e ish‑presidentë. Gjithashtu duhet theksuar se, sipas Transparency International, vendi ynë ka pasur një përmirësim në indeksin e korrupsionit me +5 pikë. Pra, zgjidhja teknologjike nuk duket aq urgjente, ose të paktën nuk duket se mund të justifikohet një vendim kaq radikal nga kryeministri i Shqipërisë në rastin a parë të zëvendësimit të njeriut me inteligjencën artificiale.

Shqipëria dhe BE‑ja kanë ecur me një trajektore të ngjashme në vizionin e IA për të ardhmen në këtë dekadë. Veçanërisht në këto dy vitet e fundit, edhe qeveria shqiptare ka promovuar aktivisht vizionin e IA‑së në shumë aspekte të sektorëve publikë, së fundmi edhe në arsim. Si në BE ashtu dhe Shqipëri, progresi teknologjik IA shihet si çelësi i zgjidhjeve të problemeve më shqetësuese siç janë emigrimi i paligjshëm, forca në rënie e punës, popullsia në plakje, barra mbi sistemin shëndetësor, korrupsioni si dhe puna në administratën publike.

Gjithsesi, BE‑ja ka bërë një hap të rëndësishëm krahasuar me pjesën tjetër të botës: ka miratuar ligjin e parë që rregullon krijimin dhe përdorimin e aplikacioneve të IA‑së. Ky ligj, i njohur si EU AI Act, i klasifikon sipas riskut sistemet dhe aplikacionet e IA‑së. Diella, për shembull, mund të klasifikohet si një sistem me rrezik të lartë (high‑risk), pasi do të përdoret për vendimmarrje në lidhje me prokurimet publike, ku kërkohet mbikqyrja nga një njeri dhe gjurmimi i vendimmarrjes (eng. traceability). Duhet theksuar se çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE‑së duhet të harmonizojë strukturën ligjore me atë të bashkimit ose të adoptojë ligjet e këtij të fundit nëse nuk ka ekuivalente. Thënë ndryshe, Diella duhet të përballet me EU AI Act dhe të ketë kërkesa dhe performancë në përputhje me direktivat e përcaktuara në ligj.

Nuk është herët për të menduar për këtë harmonizim dhe përputhje, pasi Shqipëria ka hapur disa kapituj të rëndësishëm në negociatat me BE‑në. Ndoshta është koha e duhur për të analizuar dhe vlerësuar nëse Diella i respekton normat e AI Act. Për momentin kjo është e pasigurt, sepse në asnjë media ose material publik nuk është folur për tipin e sistemit të IA‑së që është Diella, aq më pak për aspektet teknike të algoritmit me të cilin ajo punon. Ky është kushti thelbësor për të nisur analizën e një sistemi dhe për të vlerësuar nëse është në përputhje me CE‑në (certifikatën europiane) dhe AI Act. Pra, mund të ndodhë që BE‑ja ta “shkarkojë” “ministren” e re pa filluar mirë punën. Kjo duhet të bëjë qeverinë shqiptare të reflektojë më gjatë nëse qasja teknologjike zgjidh apo krijon më shumë probleme. Diella do të ishte më mirë të përdorej në një rol mbështetës në edukimin e sektorit publik dhe atij privat mbi praktikat transparente të tenderimit. Ndoshta një mësuese IA do të kishte më shumë vlerë sesa një ministre.

(c) Olsi Kusta, 2025. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin