nga Eda Derhemi
(Parashënim për lexuesin e Peizazheve të Fjalës:
Kjo parathënie me një tjetër hyrje të vetën, i takon botimit në numrin 2 të revistës Continuum (QSPA) të kumtesave të seleksionuara prej Konferencës së 25-të ndërkombëtare të Fondacionit për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) https://europe.illinois.edu/conference-foundation-endangered-languages, që u mbajt për katër ditë në Tiranë në dhjetor të vitit 2021. Continuum Nr. 2 sapo ka dalë dhe mund të shfletohet këtu.)
INTRO post-factum
Një pasthënie për parathënien e këtij korpusi punësh
Jemi një vit pas konferencës së 25-të të Fondacionit për Gjuhët e Rrezikuara (FEL), që u mbajt në Tiranë më 16-19 dhjetor 2021, me organizim lokal prej Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). 49 prej punimeve të kësaj konference ku kumtuan rreth 65 autorë nga e gjithë bota, u botuan në një vëllim të veçantë “Endangered Languages and Diaspora”, në tri gjuhë – anglisht, shqip dhe italisht – sipas origjinës së tekstit. Në vitin 2023 pritet që punë të zgjedhura e të ripunuara prej konferencës të botohen nga shtëpia prestigjioze Brill si vëllim më vete. Sot prej kësaj konference ndërkombëtare të dhjetorit 2021, ju gjeni në këtë vëllim të ri vetëm 26 shkrime për variantet e shqipes – përkthyer me dashamirësi e ndjeshmëri prej staff-it të QSPA-së.
Në këtë distancë kam një ide më të qartë për sa solli ajo konferencë, dhe sa ndryshoi koncepti për rrezikimin gjuhësor që është i dukshëm në tkurrjen e shumëllojshmërisë gjuhësore në jetën e planetit. Përmbledh më poshtë një vëzhgim retrospektiv personal (QSPA nuk ka asnjë lidhje teorike a praktike me këtë vështrim timin) për sa mendoj se s’duhet harruar prej asaj konference.
1. Çështja e gjuhëve të rrezikuara në universitetet tona në Shqipëri dhe në Ballkan ishte një temë tradicionalisht e kufizuar vetëm në pak leksione vjetore e në pak departamente. Për më tepër, komunitetet e rrezikuara brenda Shqipërisë, edhe pse njiheshin si pakica gjuhësore (herë zyrtare e herë jo), nuk ishin parë kurrë nga perspektiva e teorisë së gjuhëve në rrezik. Do thoja (pa mohuar mungesën e një studimi faktik) se viti 2021 solli në media në shqip konceptin ‘gjuhë e rrezikuar’ pas disa shkrimeve dhe kumtesave të mia për QSPA-në, në pranverë e verë të 2021-shit. Drejtoresha e QSPA-së, Diana Kastrati, e rimori shpesh nëpër media konceptin ‘gjuhë e rrezikuar’ në lidhje me arbërishten ku përqendrohet Qendra e saj. Ardhja e FEL 25 në Tiranë e Ballkane, i risolli një tjetër vrull konceptit. Aq sa, disa herë, pa u kuptuar, termi u abuzua në mediat tona, duke iu referuar shqipes në përgjithësi, që nuk është aspak një gjuhë e rrezikuar. Por konferenca, me muskulin e QSPA-së, solli në vëmendje, përveç arbërishtes, disa “pakica-shumica” në Shqipëri e Ballkane, si vllehët dhe romët tanë – grupe me rëndësi të jashtëzakonshme lokale.
2. Në këtë konferencë ku prezantuan punët e veta disa prej gjuhëtarëve sociolinguistë nga universitete prestigjioze ndër më të njohurit në botë të pesë kontinenteve, nuk erdhi asnjë prej pedagogëve nga departamentet e gjuhës dhe letërsisë, dhe as të të tjerëve lidhur me arbërishten apo rrezikimin a njohurive gjuhësore, kulturore, historike etj. (ishte edhe konferenca e fundit ku prezantoi në lidhje direkte nëpërmjet Zoom-it, Bernard Spolsky, që u nda nga jeta shtatë muaj pas konferencës sonë, pas një operacioni të rëndë pak kohë pas saj). Nuk paraqitën abstrakte për kumtesa kur konferenca hapi konkursin për të marrë pjesë në të, dhe as qenë të pranishëm si dëgjues. Madje nuk ndoqën konferencën as në Zoom. Konferenca u mbajt në një sallë në Qytetin Studenti, vetëm pak hapa larg këtyre departamenteve. Përjashtoj këtu tri pedagoge (njëra prej gjuhës dhe dy prej letërsisë) që erdhën ditën e parë në hapjen e konferencës duke sjellë me vete edhe grupe studentësh – një prezencë që i mungoi konferencës përgjatë katër ditëve mbushur me kumtesa e aktivitet deri në tetë të mbrëmjes. Ardhja e tri studiueseve nga universiteti për seancën e hyrjes ishte një shenjë dashamire ndaj drejtoreshës së Qendrës, dhe përgjigje pozitive ndaj dëshirës sonë për të pasur studentë gjatë konferencës.
Nuk morën pjesë në konferencë as studiues prej Akademisë së Shkencave, sido që edhe këta ishin ftuar nga QSPA dhe iu bë e ditur që herët përmbajtja cilësore dhe këndvështrimi i veçantë i konferencës. Nuk morën pjesë në konferencë, madje u shprehën kundër futjes së arbërishtes në të, studiuesit kryesorë të dy qendrave arbëreshe të studimeve në Itali – Kozencë dhe Palermo. Kjo në shenjë proteste ndaj ekzistencës së Qendrës në Shqipëri, më shumë se sa konferencës vetë.
Nuk morën pjesë në konferencë as mediat e Tiranës. Për hir të së vërtetës, dua të them se drejtoresha Kastrati më doli hakut duke më thënë se mediave u duhej kërkuar individualisht që të vinin. Dhe ajo vetë, për hesap të QSPA-së, organizoi takimet e veta me mediat duke dashur të ndërtojë imazhin e Qendrës në lidhje me konferencën. Por unë nuk pranova që, përveç shpërndarjes dhe njoftimit bërë gjerë e një për një, që ish pasqyruar edhe nëpër gazeta për muaj para ditëve të konferencës, të duhej të ftonim personalisht mediat (apo personat konkretë), sikur të qe nevoja për një nder e adet të personalizuar. Në fakt, nuk pati asnjë kamera a gazetar që erdhi në ditën e hapjes a më pas, për të pasqyruar në publik një konferencë të këtij niveli dhe cilësie. Siç thashë, dy ngjarje mediatike ku kjo konferencë bëhej pjesë e temës së emisionit, ishin prej dhe për Qendrën (QSPA), dhe jo për konferencën. Kam qenë në të tjera konferenca Tirane me vlerë relative ose krejt pa vlerë shkencore, ku është bërë nami nga sasia e mediave që merrnin me mend ose të cilave u servirej lajmi i duhur.
3. Ajo konferencë ish e para që organizoja unë në Tiranë. Më bëri mirë në shumë aspekte. U njoha me reagime të ndryshme kulturore ndaj një konference shkencore, disa që më befasuan për keq, dhe shumica që më befasoi për mirë. Solidariteti ndërakademik i fushës së studimeve në qendër të konferencës, është e dhënë e paluajtshme në të gjitha konferencat shkencore; është kështu në ShBA, në universitetet europiane, në ato aziatike, afrikane dhe australiane. Është kështu mes akademikësh që janë miq të mirë, që s’e duan njëri-tjetrin apo që s’njihen fare. Nuk është e nevojshme të njohësh një profesor të fushës apo drejtues departamenti, që t’u kërkosh të përhapin një thirrje konference ndërkombëtare. Shumë universitete nga e gjithë bota më ndihmuan me përhapjen e thirrjes për konferencën FEL 25, që kish dalë edhe në listat lajmëruese gjigante akademike si “The Linguist List” etj. Është kështu që konferenca arriti të grumbullojë aq shumë raste studimi, gjuhë, dhe profile shkencore ndërkombëtare. Por doja të kisha më shumë pjesëmarrje nga Kosova dhe Maqedonia, ndaj i shkrova përgjegjësit të Departamentit të gjuhësisë nga Universiteti i Tiranës, të shpërndante thirrjen për abstrakte ndër universitetet ballkanase, që të kisha prurje lokale për një rast si ky kur një konferencë e tillë ishte fatmirësisht në Tiranë. Ende sot nuk e di saktë përse ai më ktheu një përgjigje negative. Sa më shumë të shpërndahet thirrja, aq më shumë abstrakte konkurrojnë, aq më e mirë cilësia e konferencës. Ngela pa mend që një koleg më tha: “unë s’e shpërndaj thirrjen për abstrakte jashtë departamentit tim”. Sepse nuk kuptoj dot ende të keqen që mund të vijë prej kësaj.
Nga ana tjetër, më bëri përshtypje që, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, vuri në dispozicion me elegancë akademike dhe mirëbesim shkencor sallën Liria ku u zhvillua konferenca; rektorati i Universitetit të Tiranës ndihmoi me shumë aspekte të tjera praktike të infrastrukturës; administruesi teknik i sallës Liria në Qytetin e Studentëve, Aldi Hazizi, me përgjegjësinë dhe profesionalizmin komputerik e teknik, siguroi që lidhja në zoom si edhe transmetimi prej dy kamerave dhe mikrofonëve në sallë të shkonte fjollë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit në konferencën e 26-të që u mbajt në një universitet amerikan më 2022, e patën zili nivelin teknik, pa asnjë thyerje apo emergjencë, siguruar nga Hazizi në Tiranë një vit para saj; së fundi dhe mbi të gjitha, Qendra QSPA që ishte organizuesja lokale e konferencës, iu përmbajt deri në pikën më të imët asaj çka mori përsipër. Të gjithë ata që punojnë për këtë institucion në ditët e konferencës dhe më parë, nuk panë orar apo sasi pune, dhe ia dhanë veten pa kushte suksesit të konferencës. QSPA nuk është një qendër që nisi me specialistë për gjuhën dhe kulturën arbëreshe, por me specialistë të ndryshëm, me moshë relativisht të re, që njohjet e fushave të tyre konkrete do t’i zbatonin në studimet dhe publikimet për arbëreshët. Por, duke i pas ndjekur këto pak vjet, i kam parë të gjithë të rriten dhe të mbushin me material dhe konkretizojnë misionin e Qendrës. Vë re që kanë zhvilluar lidhjet me komunitetet bazë folëse, dhe kanë përballuar me fuqi ndërtuese dyshimet institucionale apo personale. Konferenca ishte një gur tjetër që dëshmoi këtë. Për aq sa misioni i tyre është i mbështetur nga administrata shqiptare, kërkuesit shkencorë vazhdojnë të nxenë gradualisht gjithsaka-në arbëreshe, dhe mbështeten nga komunitetet folëse dhe kulturore arbëreshe, unë kam besim që plot punë të tjera të mira do vijnë prej këtij grupi njerëzish punëtorë e seriozë.
Dhe diçka që mund ta injoroja, por që dua ta shpreh publikisht, gjersa pati disa thashetheme akademike që më sollën në vesh hamendje që lidheshin me sa kisha fituar unë prej kësaj konference: asnjë qindarkë. Kam punuar për konferencën për rreth një vit, prej dy-tri orësh deri në 15 orë ditës. Nuk kam marrë asnjë lloj pagese as për organizimin shkencor, as për analizën dhe komentet disa-herëshe dërguar kumtuesve dhe artikujshkruesve, as për punën editoriale që kreva për vëllimin origjinal.
Mbetem me besim dhe shpresë,
Eda Derhemi
Parathënie e vëllimit të plotë në anglisht (2021)
Eda Derhemi (PhD)
Universiteti i Illinois-it në Urbana-Champaign; Komiteti Ekzekutues i FEL (Foundation for Endangered Languages)
derhemi@illinois.edu
Disa muaj më parë, David Crystal teksa përsiatej mbi një prej librave të tij themeltarë që lidhet ngushtë me fushën e gjuhëve të rrezikuara, shkruante:
Më kujtohen diskutimet për javë të tëra rreth titullit të librit tim i cili përfundimisht u quajt Vdekja e Gjuhës. Ekspertët e marketingut nuk ishin aq të sigurt – “ndjellakeq ky titull”, tha dikush – por, për kohën, ai ishte titulli i duhur. Në vitet 1990, disa prej atyre që shkruanin për gjuhët e rrezikuara, mendonin se bota kishte nevojë urgjente për një apel zgjimi, dhe, mendova që një titull dramatik në një libër që synonte lexuesin e përgjithshëm, do ta rriste këtë ndjesi urgjence. Vetëm se shpresoja që kopertina të prezantonte një notë optimizmi. Ajo tregon një kardiogramë në vijë të drejtë, por që, mu në fund, nis e zigzagon shenja jete.[1]
Në vitet 1980 dhe 1990, vite kur disa gjuhëtarë i adresoheshin për herë të parë rënies së pazakontë të numrit të gjuhëve të gjalla, termat si vdekje, venitje ose shuarje ishin të zakonshme. Që atëherë, termat “rrezikimi gjuhësor” dhe “gjuhë të rrezikuara” janë bërë normë në këtë fushë.[2] Termi “vdekje e gjuhës” nuk po përdoret më aq shpesh, por kjo nuk është provë se tani jemi më të sigurt rreth vijueshmërisë së diversitetit të gjuhëve në botë. Nga rreth 7000 gjuhë që fliten sot në botë, rreth gjysmat pritet që të vdesin deri në fund të këtij shekulli. Ky ritëm nuk është aq i lartë sa ka qenë parashikimi në fillim të viteve 1990 (rreth 90% e gjuhëve), por është më i lartë nga rritjet aktuale të humbjes së biodiversitetit (Bradley dhe Bradley 2019:1[3]), me gjuhët më të rrezikuara që humbasin funksione dhe folës për çdo javë. Katastrofa e biodiversitetit e shqetëson shumicën e njerëzve më shumë sesa pasoja e thellë kulturore dhe intelektuale e reduktimit masiv të gjuhëve. Nga njëra anë, kemi këtë situatë: një çift Brazilian me ndihmën e shumë të tjerëve mbolli 2.7 milionë pemë përgjatë dy dekadave të këtij shekulli, një restaurim masiv i një pylli të tërë që ishte shpyllëzuar.[4] Gruaja dhe burri kërkuan, mblodhën dhe rimbollën varietetet e njëjta lokale të pyllit të vjetër, duke e rigjallëruar atë me sukses, së bashku me gjithë florën dhe faunën – një tërësi të mjedisit ekologjik që ishte zhdukur. Nga ana tjetër, rastet e gjuhëve irlandeze, bretone, sámi, frize, sorbe etj. – duke përmendur kështu vetëm disa raste të gjendjes së gjuhëve minoritare në Europë për mbështetjen e së cilës janë vënë në dispozicion një sasi e madhe parash dhe dekada pune – na tregojnë qartë se gjendja e rrezikut, ose nuk është përmirësuar shumë, ose edhe është përkeqësuar. Si krijesa gjuhësore që jemi, është tepër e lehtë për ne të përdorim gjuhën, por, kur gjuha ka humbur ose folësit janë drejtuar te një gjuhë tjetër, është jashtëzakonisht e vështirë (në mos e pamundur) ta ndryshosh rrjedhën e humbjes së gjuhës për ta risjellë mes folësve, si ndodhi me kthimin në jetë të pyllit, florës dhe faunës në shembullin më lart.
Thomanson (2015: 5-7)[5] i qaset kuptimit të rrezikimit gjuhësor në dy drejtime; së pari ajo qartëson se çfarë do të thotë për një gjuhë që të jetë e rrezikuar, dhe pastaj ajo jep përkufizimin e saj duke shpjeguar gjithashtu edhe të kundërtën e këtij koncepti: çfarë do të thotë që një gjuhë të MOS jetë e rrezikuar. Sugjeroj në mënyrë të veçantë qasjen e pazakontë që bën Thomanson, si një udhë prezantimi shumë efikase për studentët e rinj në programin e studimit të gjuhëve të rrezikuara. Por në hyrje të këtij botimi, po sjell vetëm të parin: “Një gjuhë është qartësisht e rrezikuar kur rrezikon të shuhet brenda një ose dy gjeneratash – dhe kjo është kur folësit e fundit që e flasin rrjedhshëm, janë të moshuar, kur asnjë ose vetëm pak fëmijë po e mësojnë si gjuhë të parë, dhe kur askush nuk po e mëson atë si gjuhë të dytë.”
Për pjesën e dytë të temës themelore të kësaj konference (dhe botimi), është interesante të përmendet se, megjithëse termi dhe koncepti “diasporë” është shumë më i vjetër se ai i “rrezikimit gjuhësor”, fusha e studimit të “diasporës” nuk ka shumë kohë që po lëvrohet. Por, kjo e fundit ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Agnes He, një nga folëset plenare në këtë konferencë, kumtesa e së cilës hap këtë botim, skicon këto ndryshime, të cilat nuk janë thjesht kozmetike, por ofrojnë drejtime dhe korniza të reja kërkimore. Përshkrimi i saj përcakton dhe qartëson bllokun e dytë konceptual të konferencës FEL XXV. Ajo shpjegon:
“Ndërsa tiparet e [diasporës] si zhvendosja nga një atdhe origjinal, kujtesa kolektive dhe miti për atdheun, si dhe mbajtja e këtij kufiri, vazhdojnë të karakterizojnë ‘diasporën’, termi tani shpesh shoqërohet me nocionet “mobilitet”, “migrim” dhe “transnacionalizëm”, në kontekstin e lëvizjes (ose “rrjedhës) gjeografike të shumë burimeve, njerëzore dhe jo-njerëzore, fizike dhe figurative.”
Megjithatë, He nënvizon se, ndërkohë që jo të gjitha diasporat janë rezultat i dëbimit, zgjerimit, tregtisë, ose që lidhen me kolonizimin, luftën dhe biznesin, dhe u imponojnë këtij grupi njerëzish të largohen nga vendi i origjinës, duhet bërë një dallim i rëndësishëm, që sjell “implikime të konsiderueshme për kërkimet dhe studimet mbi gjuhët e diasporës”:
“Ekziston një dallim i qartë midis “kategorisë së personave lëvizës”, të cilët kanë burimet ekonomike dhe kulturore (përfshirë ato gjuhësore) për të udhëtuar përtej kufijve sipas dëshirës së tyre dhe që janë të mirëpritur dhe respektuar kudo që shkojnë, dhe “migrantëve”, të cilët janë më pak të privilegjuar dhe duhet të luftojnë për t’u pranuar, dhe, zhvendosja gjeografike e të cilëve nuk çon domosdoshmërisht në avancimin social të tyre.”
Për arsye të kuptueshme, shumë nga gjuhët që pushojnë së përdoruri janë gjuhë të komuniteteve diasporike. Faktorë si dygjuhësia asimetrike, vartësia e shumëfishtë, lufta ose neglizhenca institucionale, vështirësitë ekonomike, migrimet dytësore, kultivimi i psikologjisë së vetë-zhvlerësimit nga ana e komunitetit, martesat e përziera etj., faktorë që përshpejtojnë humbjen e gjuhës, janë të gjithë të pranishëm në përmasa dramatike në mjediset e diasporës. Por lidhja e komuniteteve të diasporës me gjuhën nuk është theksuar sa duhet ndër studime. Po i referohem një citimi mbarëpërmbledhës në artikullin e He-së që nënvizon rëndësinë e gjuhës për diasporat: “[për komunitetet e diasporës,] historia dhe shtëpia gjallojnë në gjuhë(t) dhe jo në një hapësirë fizike, ndaj gjuh-a/ët duhen rikrijuar” që të ekzistojnë këto dimensione të diasporës.
Në FEL XXV janë diskutuar mbi 50 gjuhë diasporike të rrezikuara dhe kumtesat janë botuar më pas në këtë vëllim. Për të orientuar lexuesin duhet të jap një sqarim: a janë këto gjuhë të rrezikuara vetëm në diasporë apo janë të rrezikuara në terma absolute? Kjo pyetje çon në atë moment problematik në të cilin variante gjuhësore të ndërlidhura mes tyre largohen prej njëri-tjetrit më dukshëm, përgjatë shtigjeve të ndryshme të së njëjtës vazhdimësi. Ndonëse në disa kumtesa të këtij vëllimi preket çështja gjuha përkundër variantit/dialektit, kjo nuk ka qenë temë kryesore e konferencës FEL XXV. Për më tepër, kjo temë mund të hulumtohet si duhet vetëm në ndërfaqen e disiplinave të ndryshme ku shkencat politike dhe sociologjia zënë një hapësirë po aq të madhe sa gjuhësia, pasi çështja e ndarjes ghuhësore të lartpërmendur, më shumë se një ndarje strukturore dhe leksikore, është çështje vendimesh politike dhe rrugësh të ndryshme që ndjek standardizimi. Kjo do të kërkonte një konferencë të veçantë.
Duke marrë pjesë në shumë konferenca vjetore të mëparshme të FEL-it dhe duke përjetuar nga afër shqetësimin, gëzimin dhe punën e palodhur të shumë njerëzve dhe komuniteteve të tëra të përfaqësuara në to – aktivizmin nga lart poshtë ose nga poshtë lart – vendosa t’i propozoj komitetit ekzekutues të FEL-it organizimin e konferencës së 25-të në Shqipëri. Konferencat e FEL-it janë forume në të cilat diskutohet puna dhe studimet për gjuhët e rrezikuara, me synimin për të ndihmuar komunitetet e folësve, dhe kërkimin shkencor e praktikat në këtë sferë. Në to shqyrtohet gjendja e gjuhëve dhe kulturave të rrezikuara për të rritur ndërgjegjësimin, për të mbështetur dhe promovuar përdorimin e tyre në të gjitha fushat, për të monitoruar politikat dhe praktikat gjuhësore dhe për të synuar një ndikim efektiv tek autoritetet përkatëse. FEL është një fondacion i orientuar nga komuniteti që kërkon një ndryshim pozitiv për komunitetet e folësve në veçanti, dhe për diversitetin gjuhësor dhe kulturor global në përgjithësi.
Thuajse një vit më parë, kur FEL dhe QSPA, filluan punën për organizimin e kësaj konference, Komiteti i FEL për konferencën filloi të punojë për ‘Thirrjen për Abstrakte’ detajuar në thirrje me fokus mbi rreth njëzet çështje dhe nënçështje, në mënyrë që të ftonim studime teorike dhe empirike sa më përfaqësuese dhe të mprehta për fenomenet që dalin në ndërfaqen e rrezikimit të gjuhëve dhe studimeve të diasporës[6]. Ne mirëpritëm studime nga studiues në disiplina e metoda të shumta me një komponent gjuhësor, si dhe raporte nga aktivistë që hulumtonin gjendjen e gjuhëve të rrezikuara në ekosistemet gjuhësore, kulturore, fetare, etnike dhe politike, veçanërisht përsa i përket afërsisë/largësisë ndërmjet komuniteteve dhe vendeve të origjinës. Theksi u vu te rrezikimi gjuhësor dhe mënyra si ky lidhet me komunitetet e diasporës – të perceptuara tradicionalisht, pra si të kristalizuara, nostalgjike, fizikisht “banues” të një tjetër vendi larg vendit të origjinës; ose, në një perceptim më bashkëkohor, si komunitete fluide, hibride, “udhëtare”, dhe si entitete transnacionale. Thirrjes sonë iu përgjigjën plot e, për fat, nga të gjitha kontinentet. Megjithëse shumë abstrakte u refuzuan, ne pranuam një numër shumë më të madh se zakonisht pjesëmarrësish në konferencën e 25-të të FEL: rreth 70 pjesëmarrës me 59 kumtesa, gjashtë prej të cilëve janë ligjërues të ftuar me kumtesa plenare. Në këtë volum janë përfshirë 47 prej këtyre kumtesave. Abstraktet u shqyrtuan një për një dhe 90% e tyre iu nënshtruan rishikimit sipas kërkesave të redaktorëve. Kumtesat në pjesën e parë të këtij botimi i janë nënshtruar procesit të redaktimit shkencor me peer-revieë. Gjuha shqipe, arumune, dhe italiane u pranuan si gjuhë të mundshme të sesioneve të konferencës, dhe u mbajtën edhe për librin përfundimtar të abstrakteve. Më e rëndësishmja është që pjesëmarrësit në konferencë diskutuan gjallërisht për mbi 50 gjuhë të rrezikuara, dhe për mbi 20 gjuhë të tjera relevante, të cilat janë të pranishme të gjitha në këtë volum.
Sikundër shkruan Chris Moseley, një prej themeluesve të FEL,[7]:
“Vendet e konferencës sonë vjetore duket sikur në njëfarë mënyre zgjedhin veten e vet, gjë që është dëshmi e rrjetit të fortë të ekspertizës që ne kemi ndërtuar ndër ata që kanë një interes akademik në mbrojtjen e gjuhëve të dobësuara dhe të rrezikuara. Sigurisht, ne jemi përpjekur me ndërgjegje të shmangim të qenit thjesht një sallë bisedash super-akademike, të parëndësishme për komunitetet aktuale folëse – qëllimi ynë ka qenë vazhdimisht të organizojmë aktivitetet tona brenda komuniteteve shumëgjuhëshe dhe të shohim gjuhët lokale më të vogla të pranishme në këto komunitete. Në çdo konferencë ne kemi bërë miq të rinj, kemi krijuar kontakte të reja dhe jemi siguruar që të kemi një anëtarësim dhe përfaqësim të vërtetë ndërkombëtar.”
Përveç misionit të konferencave të përmbledhur më sipër nga Moseley, përmend edhe disa tipare të tjera të pandryshuara të konferencave të FEL-it që u përpoqa t’i shfrytëzoja në konferencën e saj të 25-të në Tiranë: mungesa e sesioneve paralele, shqetësimi i thellë për humbjen e gjuhës pa rënë në një qasje alarmante, botimi i akteve përpara fillimit të konferencës që lejon diskutimin e tyre, dhe krijimi i kapaciteteve për të ndërtuar në fund të konferencës një aktivizëm dhe një komunitet mbështetës për gjuhët e rrezikuara. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve mbi Arbëreshët (QSPA) m’u duk se përputhej me të gjitha këto objektiva, duke pasur një mision paralel përsa i përket fokusit të saj, gjuhës së rrezikuar Arbëreshe, si edhe kapacitetit për të pritur një konferencë me këto karakteristika dhe standarde. Duke qenë anëtare e komitetit ekzekutues të FEL-it, diskutova çështjen në një nga mbledhjet e Komitetit të FEL-it dhe, sapo mora miratimin nga Komiteti, ia propozova këtë projekt rreth një vit më parë drejtoreshës së QSPA-së, Diana Kastratit. Tema speciale e konferencës që ka të bëjë me arbëreshët është direkt e lidhur me qëllimet dhe punën e QSPA-së. Pasi të dyja palët ranë dakord, ne nuk e kemi ndërprerë punën për konferencën as edhe një ditë të vetme, nga përgatitja e faqes së internetit dhe thirrja për punime në fillim të vitit, deri te vlerësimi e redaktimi shkencor i abstrakteve dhe komunikimi përmes postës elektronike me të gjithë pjesëmarrësit, për ambientet e konferencës dhe programin, procesin e botimit, aranzhimet e akomodimit dhe menutë e drekës përfundimtare për ata pak pjesëmarrës që arritën të vinin personalisht në konferencën tonë, pas një kufizimi tjetër të papritur të udhëtimit ndërkombëtar për COVID. Është fat që konferenca u lehtësua nga shërbimet e zoom dhe të gjitha kumtesat e përfaqësuara në këtë vëllim u diskutuan nga të paktën një komunitet prej 84 anëtarësh të regjistruar në zoom ose personalisht në vendin e konferencës. Me rastin e botimit të kumtesave, dëshiroj të shpreh personalisht mirënjohjen time për kontaktin kryesor lokal për organizimin e kësaj konference, Edmond Canen, kërkues shkencor në QSPA, pa të cilin konferenca nuk do të ishte e mundur, dhe për të gjithë stafin e QSPA-së, dhe drejtoreshën e saj, Diana Kastrati. Ne anëtarët e FEL ju jemi thellësisht mirënjohës për punën dhe vullnetin tuaj për të pasur FEL XXV në Tiranë në një vit kaq të vështirë sa viti 2021!
E kisha këtë detyrim ndaj Tiranës që të sillja këtu këtë konferencë, jo vetëm sepse është vendlindja ime së cilës i përgjërohem si kopsht i fëmijërisë sime, e që e lashë në moshën (e pamoshë) 26-vjeçare. Doja të nënvizoja gjithashtu rëndësinë e temës kryesore, atë të rrezikimit të gjuhëve, në hapësirën ku mbahet kjo konferencë: Shqipëria, Ballkani Perëndimor, i gjithë Mesdheu, dhe Europa në përgjithësi. Në universitetet shqiptare dhe ato më gjerë në Ballkan, është diskutuar shumë pak për rrezikimin gjuhësor. Konferenca ishte një rast i mrekullueshëm për të mobilizuar studiuesit dhe komunitetet e lokale në lidhje me ruajtjen e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, gjithashtu një moto e BE-së ndaj së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor shprehin ndjeshmëri të veçantë.
Ballkani është një gadishull i vogël me pikëtakime të pasura gjuhësore, ku degë të ndryshme të gjuhëve indo-evropiane dhe jo-indo-evropiane kanë jetuar gjatë e në kontakt me njëra tjetrën: variantet e shqipes, greqishtes, latinishtes, sllavishtes, gjermanishtes kanë pasur kontakte të gjata me gjuhën semite, turke dhe gjuhët fino-ugrike. Shumica e këtyre grupeve folësish kanë krijuar në shekuj diasporat e tyre (që ne i konsiderojmë sot diasporat e vjetra), nëpër Mesdhe dhe në botë. Pothuajse të gjitha gjuhët e mbijetuara të këtyre komuniteteve të diasporës së vjetër janë gjuhë minoritare dhe të minoritetizuara që sot kanë një status të rrezikuar, si për shembull gjuhët arbëreshe në Itali dhe Kroaci, gjuha arumune, arvanitishtja, judeo-spanjishtja (ladinisht), grikoja, sllavo-molisanishtja, gjuha algerese dhe ajo istriote, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Në repertorin gjuhësor ballkanik përfshihen edhe variante të rrezikuara joterritoriale si gjuhët rome. Për fat të mirë, ne mundëm t’i sjellim të gjitha këto gjuhë në konferencën tonë dhe në këtë vëllim. Falenderime të veçanta shkojnë për komunitetet dhe studiuesit që ishin veçanërisht aktivë në këtë proces.
Për më tepër, konferenca është afër një problemi kritik në vendet e Ballkanit që duhet të vëzhgohet edhe nga një perspektivë e rrezikimit gjuhësor: roli që kanë pasur komunitetet më të fundit të diasporës (diasporat e reja) pas rënies së komunizmit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe që po bëhen gjithnjë e më të përsëritura në vende të tjera të Mesdheut ku emigrimi konsiderohej gabimisht t’i përkiste një faze të kaluar tashmë, si Italia, Greqia dhe Spanja. Largimi në masë të madhe i popullsisë vendase, veçanërisht i brezave të rinj, shpesh ka rezultuar në fenomene të kontaktit gjuhësor të çekuilibruar dhe në humbjen e gjuhës në vendet ku kanë shkuar, si dhe në përpjekjet për të ruajtur këto gjuhë në situata tepër interesante të kontaktit gjuhësor dhe kulturor me komunitetet e diasporës së vjetër.
Së fundi, konferenca kishte për qëllim të ofronte një forum për të diskutuar nënshkrimin dhe ratifikimin nga Shqipëria të ECRML (Karta Evropiane e Gjuhëve Krahinore ose Minoritare) të Këshillit të Evropës, duke u bërë kështu momenti i përshtatshëm në të cilin Shqipëria t’i bashkohet Kartës Evropiane, ashtu si fqinji i saj Serbia që ka ratifikuar kartën nga viti 2006 dhe po aplikon masa të ndryshme mbrojtjeje për 15 gjuhë në territorin e vet. Shqipëria është një vend në të cilin tradita e mbrojtjes së gjuhëve të pakicave duhet t’i bashkohet kornizave të reja evropiane dhe angazhimeve për të drejtat pozitive për përdorimin e gjuhëve të vogla dhe të rrezikuara të zonës.
Pas monografisë së parë të madhe të Nancy Dorian mbi vdekjen e gjuhës në 1981, shumë libra të tjerë dhe revista shkencore janë botuar në këtë fushë, duke përfshirë “Vdekja e gjuhës” e Crystal në 2000, të cilën e përmenda më parë. Siç pranon Crystal, fillimi i këtij Mijëvjeçari ishte një periudhë “me pak ose aspak vetëdije në Evropë për situatën globale të rrezikimit gjuhësor”. Që nga viti 2000, ndërgjegjësimi ndërkombëtar për rrezikimin gjuhësor është rritur, kryesisht për shkak të punës së UNESCO-s, të vetë komuniteteve të rrezikuara, si dhe kërkimeve universitare dhe aktivizmit në pjesë të botës ku ka një traditë të fortë akademike në këtë drejtim (Australi, Zelanda e Re, MB, Kanada dhe SHBA). Gjithashtu, po rritet ndërgjegjësimi në Evropë, Mesdhe dhe Ballkan. Ky botim kontribuon për këtë qëllim dhe për vëmendje ndërkombëtare ndaj punës për vlerësimin, dokumentimin, mirëmbajtjen dhe rigjallërimin e gjuhëve të rrezikuara. Nëse komunitetet duan të ruajnë dhe ringjallin gjuhët e tyre, por faktikisht nuk bëjnë përparim, konferencat “e suksesshme” kanë dështuar. Shpresojmë që FEL XXV dhe ky botim i akteve të konferencës, të jetë një hap në drejtimin e duhur.
[1] Crystal, David (2021) – nga komunikimi personal me e-mail.
[2] Që gjithashtu do të thotë se këta terma edhe sot vazhdojnë të kritikohen.
[3] Bradley, David and Maya Bradley (2019) Language Endangerment. Cambridge: Cambridge University Press.
[4] https:/www.ziggymarley.com/news/science-technology/couple-plants-2-7-million-trees-over-20-years-to-restore-brazilian-forest/
[5] Thomason, Sarah Grey (2015) Endangered languages: an introduction, Cambridge: Cambridge University Press.
[6] Website: http://www.ogmios.org/conferences/index.php dhe https://europe.illinois.edu/news-events/2021-22-initiatives/conference-foundation-endagered-languages
[7] Moseley, Christopher (2022), in Endangered Languages in the 21st Century. Routledge. (Eds. Eda Derhemi and Moseley, C) – në shtyp.
Persa i perket gjuhes shqipe duhet thene se nuk e gjen gje. Si Frankenshtajnin ee nuk e gjente gje e keqe. Frankeshtajnet nuk vdesin kurre nese …