Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

SHTËRGU I LASGUSHIT

Shpendin me emrin latin ciconia ciconia shqipja e quan më shpesh lejlek, por krahas kësaj përdor edhe shtërg, kanushë (te fjalori i Dizdarit gjej edhe pelegsar, kanapashë, fjalë përndryshe enigmatike). Në Gjirokastër dëgjohet edhe haxhilejlek, ku pjesa e parë e kompozitës, haxhi-, shënjon natyrën shtegtare të lejlekut, duke i dhënë shkas edhe një legjende, sipas së cilës lejlekët vinin në Shqipëri nga Qabeja, vend pelegrinazhi.

Kjo lejlek, fjalë që del që te Fjalori i Bardhit si lojlek dhe që ndeshet edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit e deri në rusishte, duhet të ketë hyrë në shqipe nga turqishtja osmane (Dizdari). Simotra e saj kanushë, që Topalli e cilëson si “fjalë e gegërishtes veriore” shfaqet edhe si kanjushë dhe mund të jetë huazim prej italishtes cicogna (Meyer), ose prej një latinishteje canosus (Çabej), kjo zgjerim i canus (“i bardhë, i thinjur”).

Një emër tjetër shqip për lejlekun është shtërg, që Topalli e cilëson si të toskërishtes dhe e jep si huazim nga një gjuhë sllave e Jugut, me gjasë maqedonishtja штрк, serbo-kroatishtja štȓk, ose bullgarishtja щъркел. Në sllavishte, fjalën e mbajnë për huazim nga një gjuhë gjermanike dhe të krahasueshme, mes të tjerash, me anglishten stork ose gjermanishten e vjetër të lartë storh. Shqipja shtërg është e krahasueshme edhe me rumanishten stârc (stîrc), që e nxjerrin nga sllavishtja e vjetër stъrkъ, por që në rumanishte shënjon një shpend të ngjashëm (“çafkën”); ironikisht, lejleku në rumanishte është barză, fjalë të cilën e krahasojnë me shqipen bardhë (i), si fjalë të fondit të përbashkët ose të substratit.

Përballë lejlekut, kjo shtërg e shqipes do të kish mbetur fjalë krahinore, sikur të mos e kish vendosur në vitrinë të shqipes poetike një autor aq i admiruar sa Lasgush Poradeci, në vjershën “Mbarim vjeshte” (1921):

Fluturoj dhe shtërg i fundit, madhështor me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd‘ e i përmallshmë, dhe me sqep të tij të fortë
Zotëriut q‘i la folezën i trokiti mu në portë…

[…]

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale- posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë- i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur- posi vash‘ e nusëruar!…

Ky shtërg i Lasgushit nisi edhe ai rrugëtimin e vet të çuditshëm, në letërsinë shqipe, duke u shfaqur gjysmë shekulli më pas në titullin e një romani të shkruar nga Adrian Guma, personazhi fatkeq i romanit Nëntori i një kryeqyteti (1974), të Ismail Kadaresë dhe i gjykuar si alter ego i këtij të fundit. Romani i Gumës quhej Elipset e shtërgjeve, dhe lajtmotivi i tij ishte “në elipset e shtërgjeve sa herë kam vdekur.”

Siç rrëfehet në roman, pasi u dorëzua te forcat rrethuese e Tiranës, Adrian Guma bisedoi shkurt me komandantin e këtyre forcave (me gjasë, një version letrar i Mehmet Shehut) dhe pastaj vrau veten, pse u ndie i braktisur nga të gjithë. Kur mori vesh për këtë, komandanti – nga maja e kodrës ku rrinte – i hodhi një sy Tiranës: “Në tejqyrë dilnin aty-këtu maja minaresh dhe atij i shkoi ndër mend se, po të ishte mëngjesi më i kthjellët, mund të dukeshin mbi to çerdhet e lejlekëve. Adrian Guma kishte shkruar diçka për fluturimin e tyre.” Këtu komandanti rimerr, por në mënyrë krejt prozaike, titullin e romanit; çfarë e provon edhe kalimi nga shtërgjet te lejlekët, që rimerr kalimin nga poezia në realitet. Dhe disa faqe më pas: “[Vdekja e Gumës] ishte një vdekje e tjetërfartë, gjithsesi e largët, si të ndodhte në qiell, midis qenieve flatruese, ah, po, tani iu kujtua, elipset e shtërgjeve, kështu titullohej një libër i tij.”

Këtë kontrast retorik mes shtërgut dhe lejlekut, që Lasgushi ndoshta nuk e kish menduar, Kadareja e merr tani për të mirëqenë, duke e përdorur madje si çelës për të kaluar nga toka në qiell (me Lasgushin si “zog qiejsh”), nga proza në poezi, nga kjo botë në të përtejmen.

Identifikimin e shtërgut me Lagushin – poetin antonomastik të letërsisë shqipe – Kadareja e vazhdoi me romanin Ikja e shtërgut, të shkruar në vitet 1980 por të botuar më vonë dhe në forma të ndryshme, ku Lasgushi është objekt i rrëfimit.

Ashtu edhe u kristalizua, në shqipen poetike, imazhi i shtërgut të fundit, si një qenie e çmuar që ikën, për të na kujtuar çfarë humbim. Disa shembuj, sa për ilustrim:

Vehbi Skënderi: “Gjithçka e kemi klepsur! Si një shtërg në ikje bagazhin e vet.” (“Gjithçka e kemi klepsur”); Sadik Bejko: “Shtërg mëngjesi/ në skelet kockash ke nderur krahët e mëdhenj/ flatra me grimca agu të lëngësht/ të mpiksur/ si avullim drite mbi lumenj (“Nirvana e shtërgut”)”; Ilirian Zhupa: “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?/ Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,/ Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,/ Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia. (“Është vonë të më mungosh”); Dritero Agolli: “Dhe shpezët udhëtarë fluturuan/ Me shtërg e dallëndyshe – gjithë ç’qenë,/ Veç harabeli vendit nuk po luan,/ Ai nuk ia beson kurrkujt folenë. (“Harabeli”)”, etj.

Përtej intertekstualitetit dhe identifikimit të shtërgut poetik me autorin Lasgush – si të ishte ky tani një lloj perëndie vigjëluese mbi vargun shqip – ndodhi edhe precipitimi i imazhit të shtërgut të fundit në inventarin e klisheve publicistike – meqë kjo shtërgu i fundit po përdoret tashmë rëndom në eulogjitë kushtuar figurave të shquara të artit, kulturës dhe të dijes, që nga Shaban Demiraj te Nasho Jorgaqi, nga Robert Shvarci te Agron Çobani…

Por të kthehemi te “Mbarim vjeshte” i Lasgushit dhe shfaqja atje e shtërgut si fjalë – duke qenë kjo fjalë relativisht krahinore dhe dytësore përballë lejlekut (supozoj që atëherë), do të supozoj se lexuesi i kësaj vjershe, përtej zonës ku fjala shtërg përdorej rëndom si emërtim parësor për “ciconia”, nuk do ta ketë kuptuar se për çfarë flet pikërisht vjersha.

MBARIM VJESHTE

Fluturoj dhe shtërg‘ i fundit, madhështor me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd‘ e i përmallshmë, dhe me sqep të tij të fortë
Zotëriut q‘i la folezën i trokiti mund në portë…

Pra më s‘duket shpes‘ i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qè malorësh;
Më s‘dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht‘ e shkretëtirtë.

Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cingërima…ja! se ku dinak dh‘ i voçërr
Nëpër gardhe- e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr!…

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale- posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë- i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur- posi vash‘ e nusëruar!…

Dhe nuk mund ta përfytyroj këtë lexues që nuk e di se çfarë është shtërgu, si atëherë si tani, që ta lërë leximin përgjysmë dhe të shkojë të hapë një fjalor të shqipes për ta kërkuar fjalën. Në situata të tilla, kur lexuesit i del përpara një fjalë e panjohur, kjo “mbushet” me kuptim në kontekst, ose me rrugë horizontale (sintagmatike). Teksti sugjeron qartë se shtërgu është një shpend që fluturon (ka sqep), është shpes i fatit, madhështor dhe i hirshëm edhe pse me shpirt e me shtat të gjorë, madje në shoqëri të krillës, tjetër shpend relativisht i mistershëm. Dhe, në analizë të fundit, lexuesit nuk i duhet më tepër se kaq, për ta shijuar vjershën – sa kohë që e përfytyron këtë krijesë në bazë të atributeve që gjen në tekst.

Peizazhi i fundvjeshtës, ashtu siç pikturohet nga Lasgushi, vjen i populluar nga gjallesa që po bëhen gati “ta mbyllin”: shtërgu i fundit, miu i hirtë, nepërka pikëlore… këto jepen me emra në trajtë të shquar, si të ishin esenca mitike të species, duke e shtyrë kuptimin drejt një niveli si me thënë më “platonik”. Të krahasohet kjo qasje me peizazhin e ngjashëm që pikturon, i njëjti poet, te “Poradeci”:

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Ku mbizotërojnë kryefjalët emra të pashquar (me nyjën një), si për të nxjerrë në pah natyrën impresioniste të imazhit.

Kjo do të thotë edhe shtërgu te “Mbarim vjeshte” i vjen lexuesit si element i njohur dhe i bashkëndarë me mirëkuptim (pjesë e temës) dhe se për Lasgushin do të ketë qenë zgjedhja e parë leksikore, në mos e vetmja fjalë e përshtatshme; ndryshe nga ç’do të kish ndodhur, sikur autori ta kish preferuar ndaj lejlekut. Ne sot, edhe sikur ta njohim paraprakisht këtë fjalë, shtërgu, do ta “përkthejmë” me mendje si lejleku kur na del përpara dhe do ta interpretojmë stilistikisht si fjalë të rrallë, krahinore, dialektore, dhe gjithsesi dytësore, stilistikisht të markuar.

Gjithsesi, mu ngaqë fjala sot vjen opake, me kuptim (denotacion) të zbehtë, lexuesi orientohet që ta trajtojë si emër të përveçëm dhe t’i veshë atribute “poetike”, madje duke e bërë “fjalë të Lasgushit”, nëmos simbol të atij autori.

Në botime kritike, fjalë të tilla problematike shpjegohen nëpërmjet një shënimi në fund të faqes ose në fund të librit; çfarë parakupton – idealisht – që lexuesi ta ndërpresë leximin dhe eksperiencën e leximit, për t’u përfshirë në një aktivitet meta-gjuhësor (shkoqitjen e kuptimit); edhe pse identifikimi i saktë me lejlekun nuk është se ndihmon shumë receptimin e vjershës, madje mund ta pengojë, sa kohë që lejleku në imagjinatën kolektive (folklorike), më shumë edhe si zog shtegtar, lidhet me imazheri dhe legjenda tjetërlloj.

Gjithsesi, identifikimin e këtij shtërgu me Lasgushin vetë, ose të paktën Lasgushin të përfytyruar si “në ikje” nga bota e të gjallëve, dhe pikërisht si shtërgu i fundit duket ta ketë bërë i pari – ose të paktën ta ketë popullarizuar – Kadareja, me disa shkrime që ia ka kushtuar poetit të liqerit, përfshi këtu edhe novelën (romanin) Ikja e shtërgut. Atje do ta ketë zanafillën edhe asociacioni i kësaj fjale (nuk po them “këtij shpendi”) me vdekjen, veçanërisht me vdekjen e një personi të çmuar për kulturën a dijen; dhe ngjizja e një klisheje diturore, të cilën tashmë e përdorin edhe folës që nuk e dinë se çfarë është tamam shtërgu, por e kanë dëgjuar dhe aktivisht përvetësuar vargun e Lasgushit dhe janë njohur me eulogjinë që ia ka bërë këtij Kadareja. Pas nositit, shtërgu vjen kështu si i dyti shpend mistik i lëshuar nga Lasgushi në leksikun e rralluar të shqipes së sotme poetike.

(pjesa e dytë)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

kopertina: Photo by Adam Mosley on Unsplash

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin