(për portretin e paplotë të Jani Vretos)
nga Sokol Çunga
Është më se e zakontë në botën e sotshme, në shoqërinë e shqiptarëve a më gjerë, përplasja e informacionit konfliktual, gjysmë e vërteta, emfazat e pasionantëve apo shpikjet e delirantëve, zakonisht në fusha të shkencave shoqërore. Vendin kryesor këtu e zë gjuhësia dhe historia, mandej gjykimet mbi letërsinë, dobinë a padobinë e dialektit, moralin kombëtarist, etj. Po të kishte kohë njeriu e të merrej me të gjithë dhe të gjitha, ndoshta do të hartohej një listë shumë interesante e temave dhe imazheve të lejuara a të ndaluara për t’u trajtuar, si dhe këndvështrimi nga i cili sugjerohet të trajtohen. Kam përshtypjen se, në fund, do të dilte një lloj liste qëndrimesh a mendimesh fort e ngjashme në formë me udhëzimet e dikurshme të KQ të PPSH, Sektori i Kulturës apo Sektori i Shtypit. Thënë ndryshe, një listë e censurës, pavarësisht se në regjim tjetër. Është me vend, ndërkohë, të bëjmë dallimin: kemi raste kur këto “lista censure” sendërtohen apo promovohen nga individë që i fryjnë interesit vetjak dhe, praktikisht, jetojnë me këtë punë, siç ndodh me emisione të famshme televizive këtu e mbi një dekadë. Gjë që, pavarësisht se nuk e duartrokas, arrij ta kuptoj. Por kemi edhe dukuri të tjera spontane, të ngjashme me ato të “njeriut të ri socialist”, ku “lista” hartohet nga vullnetarë zelltarë. Dukuria është trajtuar, por vetëm në marrëdhënie me periudhën e diktaturës.[1] Ende nuk është shtjelluar vijimi ose zhvillimi i saj në periudhën e ndryshimit të regjimit, ku individët, hamendësohet, nuk i nënshtrohen presionit nga lart. Fundja, teksa Nicolae Iorga argumenton pastërtinë e racës së pastër rumune përmes përvetësimit të historisë në Byzance après Byzance (në shqip: Bizanti pas Bizantit), pse të mos kemi dhe diçka si “njeriu i ri socialist pas rënies së socializmit”, për të argumentuar pastërtinë e gjakut socialist? E uroj të ndodhë në të ardhmen, sinqerisht.
Matanë hokave dhe bjerraditjes nëpër fjalë, tej tollovisë së përditshme virtuale apo reale, ekziston edhe një realitet tjetër: nevoja për të hulumtuar të shkuarën. Këtë, nga njëra anë, e bëjnë me stil zhurme dhe rrëmuje amatorët, pasionantët e delirantët. Ndërkaq, ekziston, fatmirësisht, edhe mundësia e qasjes ndaj së shkuarës duke ndjekur kritere shkencore, domethënë, përmes analizës dhe sintezës, këqyrjes së historisë në kontekstin e kohës që e krijoi, duke interpretuar ngjarjet dhe faktet me përvojën e së sotshmes, por jo për dobi apo konsum të së sotshmes. Sa më shumë i largohemi kohës së ngjarjeve, shohim se historia pasurohet me argumente të reja, të cilat na shtyjnë të plotësojmë dhe të rishikojmë të shkuarën, por kurrsesi s’na nxisin ta shohim historinë si rrëmujë, e gjatë apo e shkurtër qoftë. Ekziston një lloj garancie, sa herë shkruajmë për të shkuarën: jo çdo lexues ka të njëjtën përvojë leximi apo dëshirë për të kuptuar qartë. Ndaj dhe, veç teksteve që i drejtohen publikut në specializuar, meqë ekziston edhe publiku që nuk ka nge dhe përvojë për t’u marrë me yçkla teknike, teorike dhe metodologjike, lypet të shtjellohen këto zhvillime edhe në mënyra më të thjeshta, siç mëtojmë të bëjmë në këto radhë, në këtë medium.
Thënë këto, përmes kësaj cekase marrim sërish kurajën të rishohim imazhin dhe veprën e Jani (a Joan, siç e quan ai veten) Vretos, për të trajtuar një pjesë tjetër të tij. Nuk e kishim menduar si artikull me dy pjesë, atëherë kur përgatitëm “Jani Vreto, ky ‘grekoman’ i ndjerë”, por duke vërejtur interesin që gjalloi pas tij, po shtjellojmë edhe këto radhë, të cilat kontribuojnë për të plotësuar, kurrsesi përfunduar, imazhin e Vretos.
Thamë, në artikullin e parë, se puna parane e Vretos ishte dhe hartimi i një gramatike të gjuhës greke, përgatitur e përshtatur për t’u mësuar greqishten fëmijëve shqiptarë e shqipfolës. Gramatika përmban 172 faqet të formatit të mesëm. Paraprihet nga alfabeti i gjuhës shqipe sjellë me germa shtypi dhe dore, shpjeguar me shembuj (fjalë) në shqip dhe në greqisht. (Nuk përmban alfabet të greqishtes, pasi, siç thotë në parathënie, lexuesi i zotëron aftësitë minimale të gjuhës greke, por është shqipja e shkruar ajo që i mungon.) Më tej vijon gramatika e greqishtes në dy pjesë, në fillim morfologjia, më pas sintaksa. Siç i shkruan Thimi Mitkos më 9 prill 1878[2], këtë Gramatikë Vretoja e pati hartuar (ose pati filluar ta hartonte) që kur ishte nxënës (“pata shkronjështypurë gramatiqí të Elenishtjesë që flitetë ndë Shqipjet, punë të djalërisë që kur jeshë ndë skoli”). Po aty shpjegon edhe arsyen pse ka përdorur karaktere të greqishtes për shqipen, dhe jo karaktere latine. E thjeshtë: nuk kishte mundësi të derdhte të tjera shenja tipografike.
Në “Thirrjen” e 25 nëntorit 1865[3], Vretoja cek arsyen pse e hartoi këtë gramatikë dhe pse kërkon ndihmë financiare për ta botuar: […] dhe gjithë ata që përparuan në dije dhe pasuri, duket se nuk dëshiruan fare të quhen shqiptarë-grekë, po vetëm grekë. Provë e kësaj është se as ndonjë i përparuar, as i pasur nuk duket se u kujdes për arsimimin e farës së tij dhe çlirimin e saj nga barbaria (shih artikullin e sipërcituar). Duket se kjo thirrje është një formë paraprake e arsyeve të shtjelluara prej Vretos më gjerë në parathënien e Gramatikës. Në këtë parathënie Vretoja shpjegon mekanizmin fonetik për leximin e shenjave tipografike që ka zgjedhur për shkrimin e shqipes, mënyrën e theksimit të fjalëve dhe problemet teknike që i dolën për shtypjen e librit, pasi shtypshkronjës i mungonin karakteret e duhura. Dhe pastaj, pa asnjë ndarje të posaçme a nëntitull, Vretoja, njëfarësoj, vijon të shtjellojë “Thirrjen” e mëparshme me një tekst veçanërisht interesant, të cilin po e sjellim të transliteruar me germat e alfabetit të sotshëm sipas metodës diplomatike, pa ndërhyrë me korrigjime, vetëm duke shtuar në kllapat katrore kuptimin e fjalës greqisht a turqisht, gjegjësisht, kur na u duk se ishte e domosdoshme:
[…][4]
Mileti ynë psonetë ndë Elinikat.
Gjuhë, që shkruan, ka pasurë Elinikanë.
Gjuha jonë (shqipja) duketë shumë e vjetërë, gjuh’ e foshnjërisë, sanqë afrë [gati e afërt / gati njësoj, S. Ç.] me kurdisjet të gjuhësë parë, pas të vënit re të diturët ndë të skutrët të fialëvet saj, që janë hasëlle [thjesht, S. Ç.] të sajtë.
Ishte dhe e afrëtë me Elinikan’ e vjetrë, po fare evarfrë, e dhe shumë e prishurë, dhe e nakatosurë me gjuhra të tjera. Dhe, që të bënetë kjo gjuh e tamamtë, lipsetë të shkonjënë qinde vjet me kujdes, jo si kanë shkuarë, edhe mileti të jet’ itamamtë, ipasurë, dhe elefthero [i lirë, S. Ç.]. Dhe këto të gjitha t’i ketë, jo që sika, nukë kupëtonetë, se qysh munt të proodhepsnjë [të përparojë, S. Ç.] dhe si çfarë munt të bënetë.
Neve, që jemi sot, lipsetë të çallëtismë për sot, dhe çallësti e sorme të mos jetë tersllëk për nesrë.
Që të psonemi neve dhe djemtë tanë, gjuha jonë sishte gjuh’ e diturisë, as qitapë nukë ka. Lipon isht’ iftiza [pra, është sakrilegj, S. Ç.] të psonemi ndë gjuhë tjatrë, gjuhë tjatrë më të kollajshime se Elinikanë skemi, dhe puna gjermsot e bën ispat [e vërteton, S. Ç.]. Dhe sebep indreqtë dhe ivërtetë, që kollandrismë, dhe t’e kollandrismë Elinikanë ishte, që ajo gjuhë ishte vjetrë tekmilosurë [përsosur, S. Ç.] epasurë shumë, ndë atë ishte rrënj’ e diturisë, dhe e kollajshime për ne me të folë, dhe me të psuarë. Me Elinët jemi gjitonë, dhe përzjerë, dhe ndë punra me ta kthenemi. Adetetë, tabietetë, të veshuritë kemi një, Kristianëtë kemi dhe besënë një. Edhe vëllezërë shqipëtarë Turq më shumë Elinika (gërqisht) shkruanjënë. Me një fialë quhemi degë Elinëve, edhe ndë ishte soj ynë tjatërë, edhe ndë gjuhët tënë flasmë ndë gjuhët të atyre shkruaimë, dhe psonemi diturinë.
Vërtet kshu kemi bërë, dhe bëjmë, dhe për këtë made slipsenë fjalë, po pa ndonjë methodho (ustallëk) me të math zamet. E sa me pasurë kshu punënë nieti sna bitisetë, si duamë.
Elini për të psuarë Galikanë ka gramatiqi të Galikavet ndë Elinikat. Gallua për të psuarë Elinikanë ka gramatiqi të Elinikasë ndë Galikat. Kshu çdo milet igramatepsurë, edhe për çdo gjuhë.
Kshu lipsetë dhe neve të kemi gramatiqi të Elinikasë përpara, pastaj dhe të tierave, ndë duhët [gjuhët: S.Ç.] tënë. Dhe, sikundëkur çdo milet igramatepsurë [i shkolluar, S. Ç.] ka gjeografinë, istorinë, arithmitiqinë dhe të tjera epistime [shkenca, S. Ç.] ndë gjuhë të ti, që kuvendon, lipsetë të kemi dhe neve. Po ndë gjuhët tënë sot, çunqë [ndonëse, S. Ç.] evarfrë dhe epagatuarë, epistimë sishte me myqym të shkruhenë. Po sa për gramatiqi, gjeografi të shkurtre, istori, dhe arithmitiqi munt me shumë zamet të shkruhenë. Po epara punë na ishte gramatiqi e Elinikasë, që kuvendonetë, dhe leksiko e kësaj, që sa të mundmë të biemë kollaillëk ndë psuarët të Elinikasë, se me anët të kësaje munt të politepsemi [kulturohemi, S. Ç.], ndë mos po, dotë mbetemi, si jemi.
Me këtë tropo [mënyrë, S. Ç.] adeti, që kemi gjeturë nga baballarëtë, të psojmë Elinikanë prota [së pari, S. Ç.] ndë skolot tona, nukë prishetë, po bënetë më kollaj dhe tekmilosetë. Të jetë dhe gjeografi, istori, dhe arithmitiqi e shkurtrë me atë kohë, që të psonjënë djemtë Elinikanë, që kuvendonetë, psonjënë gjithë bashkë dhe këto të tjeratë. Pastaj të pasuritë le të tekmilosenë ndë Elinikat, dhe ndë të tjera; të varfrëtë rinjënë ndë punrat të dynjallëkut me dituri të atyre, që ishte iftiza për të kthyerë, edhe skolotë tona nukë dotë jenë kaqë pun’ eftohëtë, sa sot. Me këtë farë tropo dhe çupatë tona të venë, ndë skolo syvete humbure, se ndobare, dhe ndëmos psofshinë tjatrë gjë, psonjënë sa të shkruanjënë ndë gjuhët të tyre.
Nga të këtillë sebepe sa gramati ka Elinikaja lipsetë të jenë dhe ndë shqipjet, të tjeratë sa lipsenë të bënenë tamam për të shkruarë shqipja le të merrenë nga të tjerëvet gjitonë. Dhe, çunqë nga punë dhe nga fjalë jemi degë Elinëve, lipsetë çkemi ndështëpi t’i mbamë, çnukë kemi të huemi gjëtek, a të gjejmë, jo të hethmë dhe çkemi, e të huemi të gjitha. Kjo ishte që të çallëtismë për sot, e të mos jetë terllëk për nesrë; sanqë gjuhënë, që kemi psuarë, t’e psojmë me ndimët të sanësë, dhe tënënë t’e shkruajmë, dhe çmunt të ndërtonetë, le të ndërtonetë. Po për këtë dhe munt të themi që, dyke ruajturë e humpmë, dyke humpurë do t’e ruajmë. Sanqë, sindëkur nukë çallëstismë të psojmë Elinikanë me anët të sanësë, dhe dykembajturë tënënë të pashkruarë, gjithënjë po humbetë, dhe bënetë një farë përzjeje. Ndë çallëstiçim të psojmë Elinikanë me anët të sanësë, dhe të e bëjmë tënënë dhe me të folë me fëmijët, shqipja dalë nga dalë humbetë, po dykehumburë, çunqë do të ndodhetë shkruarë, do të ruhetë.
Me ty vëlla shqipëtar, që do të këndojsh ndë këtë qitap, them: mos kërko lezet dhe kripë gjuhe, se as qitapi isht’ asij soj, as gjuha, që ishte shkruarë, ka të këtillë proterima [madhështi, S. Ç.] sot. Po vështro fajdenë, që mund të të bjerë, të psonjç tjetrënë gjuhë, që ndë atë ke për të gjeturë lezet, dhe që ishte nderti e gjuhëvet dynjasë, jo me të thënët tim, po me të thënët të dituret mbëdhenj.
Edhe me ju tëdituritë: mos vini re kusuretë, se një që zgjeçë më parë, e dyta shkrova ndë gjuhë tëvarfrë, etreta kaqë munta. Edhe vetë sho kusure, atë toidhio [të njëjtën, S. Ç.] fjalë her’ e them Elinika, herë shqip, asaj toidhio sëdëftyereje qëtek i kam vanë tjatrë, qëtek tjatrë emrë. Po zdita si të bënje, se nukë lipsenë pak fjalë, lipset afro gjuh’ etërë të gatuhetë.
Sa muntni sicilido, ndë dojni milenë, japo ndë dojni djemtë tuaj, ndërtoni husuretë.
Ἰωάννης Βρέτος.[5]
Kurse në fund të gramatikës, Vretoja shkruan në greqisht: “Qoftë kjo [punë] e vogël dhe e papërsosur nxitje për sedrën e bashkëkombësve, në mënyrë që të zotërojnë të gjitha mjetet dhe t’i përsosin për mësimin dhe përvetësimin e gjuhës, atë që gjithmonë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë si tonën, atë të cilën pohohet si mbretëresha e gjuhëve dhe, kuptohet, s’është tjetër, veç GREQISHTJA.” (“Εἴθε τοῦτο τὸ μικρὸν καὶ ἀτελὲς νὰ ἐκέντα τὴν φιλοτιμίαν τῶν Ὁμογενών, ὄπως εἰσάξωσι πάντα τα μέσα καὶ τέλεια πρὸς ἐκμάθησιν καὶ ἐξοικίωσιν γλώσσης, ἣν ἀνέκαθεν ἐθεωρήσαμε καὶ θεωροῦμεν ὡς ἡμετέραν, και ἤτις ὁμολογεῖται βασιλὶς τῶν γλωσσῶν, ἐννοεῖται δὲ οὐχὶ ἄλλη ἣ ἠ ΕΛΛΗΝΙΚΗ.”)[6]
Më pas vijon teksti i gramatikës. Është mjaft interesante të lexojmë si trajtohet kjo gramatikë e greqishtes nga historiografia shqiptare. Sipas Akademik Dhimitër Shuteriqit në artikullin e tij me titull “Lufta midis shqipes dhe greqishtes gjer në fillimet e rilindjes sonë kombëtare”,[7] Jani Vreto ishte filohelen i bindur, përdor në arsyetimin e tij argumentet kundër shqipes që përdorte edhe “megali ideja”, ishte iluminist filohelen, i cili propozonte që shqipja të mësohej për të lartësuar edhe më greqishten. Në përfytyrimin e Akad. Shuteriqit, sikundër e thotë edhe titulli i artikullit, në Ballkan zhvillohej një luftë e ashpër mes shqipes dhe greqishtes, dhe Vretoja nuk ishte i angazhuar si dhe sa duhej. Për Akad. Shuteriqin nuk vihen në diskutim marrëdhëniet arsimore dhe kulturore, por lufta.[8] Më tej, kritika ndaj Vretos vijon me karakteret e greqishtes që ka përdorur ky për të shkruar shqipen, teksa deri në atë datë s’është përdorur kurrë alfabeti grek për të shkruar shqipen. Pavarësisht se është fort e lehtë të rrëzohet pandehma e Akad. Shuteriqit se shqipja është shkruar edhe më herët me alfabet të greqishtes, do të mjaftonte letra e Vretos për Mitkon, e përmendur më sipër, për të shpjeguar arsyet e përdorimit të alfabetit grek. Shuteriqi, me gjasë, e ka lexuar këtë letër të Vretos, pasi e përmend në studimin e tij se Gramatika është hartuar në kohën kur Vretoja ka qenë ende nxënës, por hesht në rastin e problemit praktik të shenjave tipografike.[9]
Disa vite më pas Gramatikën e Vretos e trajton nga ana gjuhësore Akad. Mahir Domi.[10] Pa hyrë në çështje idelogjike të Vretos, duke pranuar gati heshtazi qëndrimin e Akad. Shuteriqit, Domi trajton terminologjinë gjuhësore në shqip që ka përdorur Vretoja, duke u ndalur sidomos në neologjizmat e tij, të cilat janë dhe subjekti i studimit që paraqet.
Kurse për paragrafin shkruar në greqisht, ku himnizohet greqishtja, nuk bëhet fjalë. Me gjasë, s’e ka lexuar kush. Nuk do të ndalemi në veçanti tek ai paragraf, pasi, vetvetiu, duke u marrë çështjet e tjera, do të trajtojmë edhe atë tekst.
Nga sa më sipër, mbeten pa shtjelluar dy veti të Vretos, të cilat, në mënyrë që të kuptojmë qartë përmasën e tij intelektuale, duhet t’i prekim dhe t’i vlerësojmë, jo t’i anashkalojmë a, më keq, t’i mbulojmë: 1. njohuria e shkëlqyer e greqishtes nga ana e Vretos, çka duket qartë në zhdërvjelltësinë me të cilën trajton dhe interpreton në shqip gramatikën e greqishtes; 2. Vretoja si ndërmjetës kulturor mes dy gjuhëve dhe, si rrjedhojë, (potencialisht) edhe mes dy kombeve.
Parë nga këndvështrimi diakronik, Jani Vretoja është vetë një klasicist i përsosur dhe edukator me pasion. Të mos harrojmë, ishte diplomuar në Zosimenë e Janinës, çka i kishte dhënë mundësinë jo thjesht të kalonte sytë në rreshtat e librave, por dhe të bëhej bartës i arsimit më të rafinuar që mund të gjendej në atë kohë në Perandorinë Osmane. Po aq, brenda tij lëvrijnë jehonat e Rilindjes Evropiane nga një anë, dhe i Iluminizmit Neo-Helen, nga ana tjetër. Sakaq, është edhe i ndërgjegjshëm për ritmet që kërkon kultivimi i qëndrueshëm i popullatës shqipfolëse: “të psojmë Elinikanë prota [së pari, S. Ç.] ndë skolot tona, nukë prishetë, po bënetë më kollaj dhe tekmilosetë [përsoset, S. Ç.]. Të jetë dhe gjeografi, istori, dhe arithmitiqi e shkurtrë me atë kohë, që të psonjënë djemtë Elinikanë, që kuvendonetë, psonjënë gjithë bashkë dhe këto të tjeratë.” Nga ky kanon humanist, pra, gjuhë greke, gjeografi, histori dhe aritmetikë, mungon vetëm filozofia, shkencë e cila, në mes të shek. XIX, do të kishte qenë e pamundur të instruktohej qoftë në greqisht, qoftë në shqip, dhe Vretoja, me gjasë, është i ndërgjegjshëm për këtë. Ky qëndrim i Vretos, veçse keqkuptohet dhe keqinterpretohet si kundërshtues i gjuhës shqipe (të paktën në rastin e Gramatikës), por edhe thjesht kundrohet përciptazi, pa marrë parasysh edukimin dhe botëkuptimin e autorit.
Duket sikur nuk ekziston dëshira e studiuesve për t’u marrë me vetinë e të dytë të Vretos: qëndrimin e tij si ndërmjetës kulturor mes shqipes e greqishtes (jo domosdo mes shqiptarëve dhe grekëve në nivel politik, në këtë rast). Mungesa e agresivitetit të pritshëm të Vretos kundrejt fqinjëve jugorë apo shtetit osman pamë të interpretohet si dobësi e tij, si element për t’u kritikuar. Ndërkaq, Vretoja e shpjegon qartë e drejt se ç’mendon dhe çfarë synon: sa më shpejt të edukohen masat, aq më shpejt do të bëjmë gjuhën dhe kombin. Të shtypim libra shqip? Kush do t’i shkruajë, me cilën gjuhë, me cilat elemente tipografike? Dhe kush do t’i lexojë? Kultivimi i gjuhës kërkon shekuj (sipas Vretos), dhe, ndërkaq, edhe gjuhën tonë do ta harrojmë, edhe të pa kulturuar mbetemi. Atëherë, le të ushqehemi me atë dije që mund të gjejmë në atë gjuhë që është më e thjeshtë për të gjithë shqiptarët (parë me sy kritik, jo për të gjithë shqiptarët, ndaj duhet të nënkuptojmë relativitetin e këtij përgjithësimi).[11]
Jani Vretoja duket se nuk është në padije të romantizmit evropian dhe teorisë folklorike, mbi të cilën mbështetet identiteti i kombit. Por ndryshe nga sivëllai i tij, Thimi Mitkoja, nuk e sheh të rëndësishme të merret me folklor. Autori ynë i Gramatikës përpiqet të mbulojë një boshllëk që, sipas tij, s’e ka mbuluar njeri ende. Thotë Vretoja: “Ndë çallëstiçim të psojmë Elinikanë me anët të sanësë, dhe të e bëjmë tënënë dhe me të folë me fëmijët, shqipja dalë nga dalë humbetë, po dykehumburë, çunqë do të ndodhetë shkruarë, do të ruhetë.” Këtu nuk është fjala për të hequr dorë nga gjuha shqipe dhe për t’u çkombëtarizuar, siç mëton Akad. Shuteriqi.[12] Për Vreton, siç thotë disa radhë më sipër tek parathënia e Gramatikës, do të duhen shekuj kultivim, para se të përsoset shqipja. Synimi kryesor i tij nuk është thjesht të përhapë gjuhën shqipe dhe shkrimin e shqipes, por ajkën e diturisë së kohës. Për Shuteriqin gjuha është instrument lufte dhe politike (sipas vijës së Partisë, kuptohet), për Vreton është mjet diturimi dhe kultivimi. Prandaj dhe Vretoja nuk është “luftëtari” që pret Akad. Shuteriqi, pasi është iluministi i përkryer që kërkon të përkryerën. E, tekefundit, nuk se e pati gabim Vretoja, po ta pandehim si profet. Pavarësisht se shqipja shkruhet e kultivohet në periudhën para e pas tij, s’ka arritur ende të prodhojë ndonjë numër të lavdëruar kryeveprash të shkruara, as tufa shkrimtarësh të denjë të lexohen nga bota mbarë. Që prej Buzukut e gjer më sot mendja e shqipfolësve ushqehet më shumë me përkthime, se me vepra shkruar në shqip, po të qëndrojmë brenda kufijve të kultivimit të mendimit përmes gjuhës. Nëse para Pavarësisë fajin e kishte “lufta”, “armiqtë”, gjithkush tjetër përreth e mbi shqiptarët, kush e mban barrën e përgjegjësisë për 110 vitet deri sot? Vretoja jo, të paktën.
Jani Vreto na sugjeron të nisemi nga shqipja, të shkojmë tek greqishtja, për të marrë dije, dhe këtë përvojë t’ia sjellim shqipes dhe bashkëkombësve, në formë pune intelektuale. Diçka e ngjashme (kurrsesi e njëjtë) me atë ecuri që në Evropë paraqitet si humanizëm – rilindje – iluminizëm. Këtu shohim edhe se jo të gjithë “burrat” e Rilindjes mendonin në të njëjtën mënyrë. Rruga drejt Lidhjes së Prizrenit, si shpallje haptas e bashkimit kombëtar dhe politik shqiptar, dhe drejt Kongresit të Manastirit, si manifest i unifikimit të alfabetit, nuk është një lëvizje e njëtrajtshme. Qoftë për historiografinë, qoftë për publikun e gjerë, është me interes të shohim edhe ato kthesa apo “shmangie” nga norma, për të kuptuar më mirë ngjyrimet e së shkuarës dhe gjurmët që kanë lënë ato në të sotshmen.
Ky ishte Jani Vretoja i vitit 1865-66. Filohelen i fandaksur apo shqiptar idealist dhe i përsosur, në varësi të filtrave me të cilët e vështrojmë dhe karriges nga e cila gjykojmë. Dhe ishte po ky Vreto, i cili pothuaj 20 vjet më vonë u bë Gutenbergu,[13] tipografi i Rilindjes që shtypte libra shqip, të vetët e të të tjerëve. Çka do të thotë se, sapo pa ndryshimin e rrethanave dhe një hapësirë sado të vogël për përhapjen e dijes në gjuhën shqipe, nuk nguli këmbë në teoritë e veta, por u bashkua me të tjerët, duke luajtur rolin e tij të pazëvendësueshëm në dobi të gjuhës dhe kombit. Mbi të gjitha për këtë nuk duhet keqkuptuar dhe kritikuar Vretoja: ishte më elastik dhe më mendjehapur se shumëkush prej kritikëve të tij. Mjetet për sendërtimin e ideve të tij nuk i kishte, por mbeti vizionar që s’u përkul prej rrethanave. As atëherë kur më 1899, në moshë 77 vjeçare, pasi u braktis nga ndihma e Kollonisë së Bukureshtit, teksa ishte burrë i varfër, pa trashëgimi familjare dhe pa ofiqe, u detyrua të rimerrte valixhen e kurbetçiut. Zgjodhi të shkonte në Athinë. Sepse atje kishte shumë shqiptarë, dhe dëshironte të bënte edhe atje të njëjtën punë që kishte bërë në Bukuresht: të krijonte një klub shqiptarësh, të gjente një shtypshkronjë dhe të shtypte libra shqip. I gjeti bashkëpunëtorët entuziastë, ndërtoi bërthamën e një “shoqërie shqiptaro-greke me emrin Dodona”, i gjeti dhe mjetet fillestare financiare, por, siç i shkruan Sotir Koleas, i prishi punë… vetë Ismail bej Vlora. Pak javë pas kësaj letre të mbrame ndërroi jetë, i vetmuar, ditët e para të korrikut, 1900. Por këto mbeten për t’u diskutuar në një artikull tjetër.
Epilog
Në motin e largët 2012, teksa përmbushja detyrën e rojtarit dhe të udhërrëfyesit në një ekspozitë me dorëshkrime bizantine dhe pas-bizantine që çeli Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Pavijonin e Artit Bizantin të Muzeut Historik Kombëtar, mes atyre vizitorëve që bujtën, ishte edhe një grup që pyeti e kërkoi shpjegime të hollësishme për përmbajtjen dhe teknikën e krijimit të librit të dorëshkruar. Teksa pranoj pasaktësinë time për të përmendur çdo herë se libri ishte shkruar në greqisht (pasi, në mendjen time të asaj kohe, kur themi “bizant dhe pas-bizant” kemi parasysh, në kontekstin e Shqipërisë, librin shkruar greqisht, çka nuk ka si të jetë e qartë për çdo kategori publiku), vizitorët pyesnin, në fund të çdo fraze: “Mirë, mirë, po ça gjuhe është kjo? A ka shqip?”. Në fund, si panë se asnjë nga librat nuk ishte shkruar në shqipe, dikush më pyeti: “A pranon të ta them dhe unë diçka?”. Sigurisht, pranova. “Përderisa këta libra nuk kanë asgjë shqip, gjithë çfarë është shkruar greqisht, e serbisht, e turqisht, e ku di unë, kot harxhon pare shteti për t’i ruajtur, se kurrfarë vlere nuk ka hiç. Më mirë t’i djegin a t’i falin!”
Reflektimin asaj kohe e mbylla me një “gjynah, ç’padituri, duhet punuar më shumë për të shpjeguar vlerën e këtyre librave”, ndonëse sapo kisha shpenzuar 30-40 minuta dhe shumë frymë për të shpjeguar. Me kalimin e viteve kam kuptuar edhe diçka tjetër. Është më se e natyrshme për gjindjen njerëzore në përgjithësi, dhe bashkëkombësit në veçanti, përtesa a moskokëçarja për të ndryshuar mënyrë të menduari, imazhin për veten dhe mënyrë të jetuari. Kur kjo përtesë a moskokëçarje artikulohet nga publik i zakontë që nuk ka profesion punën mendore, guarda e passa është zgjidhja më e mirë. Por kur, siç dhe e shtjellon i nderuari prof. Matteo Mandalà në Mundus vult decipi: Mitet e historiografisë arbëreshe[14], edhe studiuesit me zë e të zëshëm ngulin këmbë në theksimin e legjendave krejt të pabaza, përtesa dhe moskokëçarja bëhet dukuri e frikshme. Në këtë epokë, kur heshtja nuk detyrohet, kur fjala nuk diktohet, kur burimet dokumentare parësore dhe dytësore nuk kufizohen, pra, kur bibliotekat dhe arkivat jo vetëm janë të hapura, por të shfrytëzueshme edhe në distancë, kushti i vetëm i shkrimit të historisë dhe instrumenti kryesor i historiografisë është arsyeja.
© 2022 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.
[1] Albert P. Nikolla: Njeriu i ri shqiptar ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit, Tiranë, 2012.
[2] Letër e Jani Vretos për Thimi Mitkon, shih në: Thimi Mitko: Bleta shqiptare (botim anastatik), Vëllimi A, përkujdesja dhe studimi hyrës nga Dhori Q. Qirjazi, Tiranë 2020, fq. 458-461.
[3] “Jani Vreto, ky ‘grekoman’ i ndjerë”
[4] Ἰωάννης Βρέτος: Γραμματικὴ τῆς ὀμιλουμένης Ἑλληνικὴς γλώσσης εἰς τὴν Ἀλβανικήν, Ἐν Κωνσταντινουπόλει, 1866, fq. 10-13.
[5] Falënderoj kolegun Rezart Mezani, osmanolog, për ndihmën me disa prej turqizmave të Vretos.
[6] Ἰωάννης Βρέτος: op. cit., fq. 172. Germat kapitale bold si në origjinal.
[7] Dhimitër Shuteriqi: “Lufta midis shqipes dhe greqishtes gjer në fillimet e rilindjes sonë kombëtare”, në: Gjurmime letrare, Tiranë 1974, fq. 197-217.
[8] Nuk është i vetmi ky artikull (apo tjerët nga po i njëjtit autor) terreni ku marrëdhëniet shqiptaro-greke trajtohen si një histori e vazhdueshme lufte, që në antikitetin e vonë, deri në vendosjen e pushtetit popullor. Me gjasë, më shumë se debat shkencor i argumentuar, nevoja për të zmadhuar arritjet e këtij të fundit është dhe një nga arsyet pse në historiografinë shqipe demonizohet gjithçka ka lidhje me arsimin greqisht dhe shkrimin e shqipes me alfabet grek. Mbetet veçse të kuptojmë arsyet ideologjike në historinë e periudhës nga Lufta II Botërore deri më 1992, por nuk justifikojmë dot qëndrimet e mëpasshme, të paktën në lëmi të historisë.
[9] “Ato janë flori, e shkuar floririt, or Tunxh”, thotë personazhi i Dhaskalit në filmin “Udha e shkronjave” dhe, është e vërtetë, shenjat tipografike kushtonin fort shumë në kohë të Vretos, veç vlerës kulturore që bart shtypshkronja.
[10] Mahir Domi: “Gramatika e Jani Vretos e vitit 1866 dhe kontributi i tij në përpunimin e terminologjisë gjuhësore të rilindjes”, në: Gjurmime Albanologjike – Seria Filologjike, VII, 1977, fq. 53-63.
[11] Në parantezë, duke lexuar fjalët e Vretos shoh të arsyeshme të shtoj se, si për Vreton e asaj kohe, si sot, epërsia e kombit nuk qëndron tek shkathtësia e gishtit që heq këmbëzën, por tek aftësia për të pasuruar mendjen dhe për të krijuar komb bazuar në dije, jo në aleanca dyfeku. Lufta ballore ka meritat dhe arritjet e veta, atëherë kur nuk ka zgjidhje tjetër, por një komb i kultivuar është edhe komb i përparuar, edhe zoti i vetes, paçka se, në cilëndo periudhë ka kaluar Shqipëria, deri më sot, asnjë regjim politik nuk ka punuar sinqerisht për kultivimin e kombit, por për krijimin e analfabetëve funksionalë që i nevojiten makinerisë politike.
[12] Dhimitër Shuteriqi: op cit., fq 213.
[13] Robert Elsie: Historical Dictionary of Albania (Second Edition), The Scarecrow Press, Inc., 2010, fq. 479.
[14] Mateo Mandalà: Mundus vult decipi: Mitet e historiografisë arbëreshe, Tiranë, 2016. Përmendja e punimit të prof. Mandalà këtu është një exampli gratia për mekanizmin e shurdhër që punon, jo rrallë, në mendjen e studiuesve të afirmuar, të cilët e konsiderojnë kërcënim diskutimin e punëve, apo dobësi vetjake korrigjimin e qëndrimeve të betonuara në veprën e botuar dhe ribotuar, pa njohur argumentet e reja, duke shkuar, njëherazi përkundër thelbit të kërkimit shkencor.