Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

ÇËSHTJE PROJEKSIONESH

Mentor Kikia shkruan në FB për “një grua që ka zbuluar se Greqia nuk ka ekzistuar, por grekët janë shqiptarë që janë mësuar greqisht vonë” dhe që tani mendon se mund të bëhet presidente e republikës – e ka për historianen Elena Kocaqi. Nuk ia njoh veprën kësaj të fundit, por ia njoh pasionin dhe frymëzimin, sepse nuk është e para që kërkon t’i shpjegojë “grekët” nëpërmjet “shqiptarëve” dhe as e fundit. Kam parë që e ftojnë shpesh në emisione televizive – bashkë me të tjerë revizionistë të albanologjisë, për të dëfryer publikun dhe sidomos drejtuesit e emisioneve, të cilët qëllon edhe që mërziten. Por kjo këmbëngulje, ky obsesion për t’i gjetur rrënjët e Greqisë mes shqiptarëve, të cilin e ndesh edhe në njerëz që duhet të dinin diçka më mirë, nuk mund të likuidohet si delir individual i këtij apo atij, sepse është një fill epistemologjik që e gjen në kulturën tonë kombëtare që nga kohët e Rilindjes; kur filloi të përpunohej teoria – ose më mirë miti i pellazgëve stërgjyshër mistikë të shqiptarëve; jo më kot në gjirin e kulturës arbëreshe, e cila i parapriu Rilindjes kombëtare. Dhe them “jo më kot”, sepse për mua, ky ngulmim për t’i zhbërë grekët dhe për t’i nxjerrë si shqiptarë që kanë humbur rrugën, nuk është veçse reaksioni i ekzagjeruar ndaj idesë – madje mitit – se shqiptarët e besimit ortodoks nuk janë veçse grekë që e kanë humbur rrugën; një projeksion i përmbysur, një përpjekje in extremis për ta ruajtur identitetin. Prandaj edhe teori dhe shpjegime si këto – sot më të forta se dje – duhen parë si efekte anësore, më shumë të pasynuara se të padëshiruara, të shovinizmit grek, kushedi edhe të identifikimit – që bëhet akoma madje më shpesh e rëndom se ç’kujtojmë – mes ortodoksisë dhe grecitetit. Edhe arbëreshët e hershëm e patën parë mitin pellazgjik si shpëtim prej identifikimit të tyre si “grekë” nga fqinjët italianë; ka qenë një kohë kur edhe Hora e Arbëreshëve quhej Piana dei Greci; dhe sot e kësaj dite Greci është një katund arbëresh në Campania. Ka një fill – për të mos thënë një kavo – që bashkon mitin pellazg të arbëreshëve e të Rilindjes, me pellazgologjinë e sotme; dhe te kjo kavo janë kapur edhe ata që po e kthejnë së prapthi xhaketën greke për ta ripërshtatur si xhamadan. Edhe intelektualët arvanitas të Greqisë, si mësues dhe barinj të një populli me identitet të lëkundur por që sot është absorbuar në masë të madhe në grecitet, shpesh e kanë besuar këtë prejardhje të grekëve modernë nga “shqiptarët”; duke u nisur edhe nga angazhimi masiv i elementit arvanitas në ngjizjen e Greqisë moderne. Por janë gjëra të ndryshme – arvanitasit e sotëm dhe pellazgët “hyjnorë” të Homerit; dhe duhet të ketë njeriu imagjinatë heroike, që të besojë se bëhet fjalë për esencialisht të njëjtën dukuri. Si çdo identitet kombëtar modern, edhe ai i grekëve, njëlloj si i shqiptarëve, është një konstrukt dinamik që pasqyron marrëdhëniet politike, sociale dhe kulturore të çdo individi brenda komunitetit dhe shoqërisë ku jeton; pa çka se të menduarit mitologjik kërkon ta nxjerrë si projeksion të një esence të jashtëkohshme. Që shumë arvanitë sot ndihen grekë dhe në fakt janë grekë, kjo nuk është argument për tezën se Greqia është shqiptarí e veshur greqisht; paçka se më duket dëshpërimisht e kotë që t’ua shpjegosh këtë mendjeve të ndezura dhe atyre që nuk e kanë penguar dot imagjinatën t’u shndërrohet në paranojë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin