Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

ALBANOI NË HISTORINË E MIHAL ATALIATIT

(rishikim i debatit Vranusi-Dyselje)

nga John Quanrud, PhD

Ky artikull u shqyrtua nga një panel ekspertësh dhe u botua në revistën prestigjioze akademike të Kembrixhit, Journal of Byzantine and Modern Greek Studies (tetor 2021).

Falënderojmë përzemërsisht drejtorin e Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante prof. David Hosaflook, që e përktheu këtë artikull në shqip dhe zgjodhi ta dërgonte te revista jonë Peizazhe të fjalës për botim, dhe Teuta Toskën & Ledio Halën, që ndihmuan në proces, përfshi edhe redaktimin e tekstit shqip.

~  ~  ~

Gjysmë shekulli më parë, studiuesja greke Era Vranusi (Έρα Βρανούση) doli me një teori të re për studimet ballkanike dhe bizantine. Ajo argumentoi se njerëzit e quajtur “albanoi” në “Historinë” e Mihal Ataliatit nuk ishin shqiptarët e Ballkanit, por normanët në Italinë Jugore. Si rrjedhojë pasoi një debat me bizantinistin francez Alan Dyselje (Alain Ducellier). Studiuesit shqiptarë shpeshherë e kanë lëvduar Dyseljen duke vënë në pah karakterizimin që ai i bën Vranusit, si e shtyrë disi nga nacionalizmi grek, por pa u marrë intensivisht dhe imtësisht me punimin e ndërlikuar të saj. Problemi qëndron në faktin që debati i tyre mbetet i pazgjidhur nga ana shkencore dhe madje, kohët e fundit, disa studiues të shquar jashtë Shqipërisë kanë filluar ta përfshijnë hipotezën e Vranusit në punimet e tyre si fakt të mirëqenë, gjë që mund të shfrytëzohet kundër pohimit se shqiptarët janë autoktonë në Ballkan. Kësisoj, ky artikull rishqyrton argumentet e Vranusit dhe arrin në përfundimin se faktet favorizojnë leximin tradicional të “albanoi”-ve si shqiptarë të Ballkanit, në vend të riinterpretimit të etnonimit “albanoi” si një referencë e pazakontë dhe e errët për mercenarët normanë në territoret në jug të Romës.

~  ~  ~

Në Ballkan, tema e historisë shqiptare shpeshherë shtrihet mes sferave të politikës dhe të  akademikes. Për shembull, nuk është e pazakontë që akademikët e Ballkanit jashtë Shqipërisë të favorizojnë hipoteza të cilat e shohin popullin shqiptar të emigruar sa më vonë në rajon, duke iu kundërvënë kështu pretendimeve shqiptare për autoktoni.[1] Në të njëjtën kohë, studiuesit shqiptarë mund të përdorin të njëjtat prova për të mbështetur përfundime krejtësisht të kundërta. Një pikë mosmarrëveshjeje është çështja nëse shqiptarët banonin në territore afër Durrësit (Dyrrachium) në fillim të shekullit XI. Nëse po, rriten gjasat, për arsye të ndryshme, se paraardhësit e tyre ishin vendosur tashmë në të njëjtat territore në shekujt e mëparshëm. Sfida për studiuesit e të gjitha disiplinave, që merren e përballen me çështje të tilla, është mungesa fatkeqe e burimeve tekstuale bashkëkohore, që lidhen me Ballkanin dhe popujt e tij para shekullit XI.

Polemika përqendrohet në një pasazh nga Mihal Ataliati (Μιχαήλ Ἀτταλειάτης), një avokat i shquar dhe gjykatës me ndikim pranë qendrës së jetës perandorake në Kostandinopojë. Ataliati përfundoi së shkruari një histori të Perandorisë Bizantine rreth vitit 1080.[2] E njohur shkurtimisht si Historia, kjo vepër përshkruan ngjarje nga vitet 1030 deri në ditët e Ataliatit. Pjesa rrëfimtare e tekstit fillon me një anekdotë të shkurtër moraliste që përfshin një nga gjeneralët më të mëdhenj të Bizantit, Georg Maniakisin.[3] Në vitin 1038, perandori Mihal IV Paflagoni dërgoi Maniakisin për të rimarrë Sicilinë nga sundimi i myslimanëve arabë.[4] Pas dy vitesh të vështira lufte dhe pasi fitoi pjesën më të madhe të ishullit në bregun lindor, Maniakisi udhëhoqi ushtrinë e tij elitare drejt fitores vendimtare ndaj forcave të armikut në fushat nën shpatet perëndimore të malit Etna. Megjithatë, më në fund, kur dukej sikur e kishin marrë në dorë çmimin përfundimtar, admirali i flotës së Maniakisit, Stefan patrikios, një burrë me lidhje të ngushta familjare me perandorin, e akuzoi gjeneralin e madh për kryengritje.[5] Maniakisi u arrestua, u burgos dhe më pas u zëvendësua nga akuzuesi i tij. Ushtria ra nën udhëheqjen e paaftë dhe, së shpejti, ishulli humbi përgjithmonë prej Bizantit.

Në pamje të parë, Ataliati duket se i jep kësaj ngjarjeje vetëm një vështrim të përciptë. Megjithatë, rrëfimi i tij i shkurtër ka krijuar debate në dekadat e fundit lidhur me identitetin etnik të njërit prej popujve të emërtuar në ushtrinë e Maniakisit – albanoi – të cilët shfaqen së bashku me një popull tjetër, që ai e quante latinoi. Dikur kishte dakordësi nga shumica e studiuesve se këta albanoi ishin shqiptarë. Më pas, në vitin 1970, Era Vranusi botoi një studim të gjerë, të detajuar dhe erudit në greqisht, duke pretenduar se albanoi-t e Ataliatit nuk ishin një popull ballkanik, por ishin mercenarë që vinin nga Normandia, të cilët luftuan për t’u vendosur në Italinë Jugore në vitet 1020 dhe 1030.[6] Bizantinisti i shquar francez, Alan Dyselje, u përgjigj në mbrojtje të interpretimit tradicional.[7] Debati i tyre zgjati për dhjetëra vite.

Në përkthimin e parë në anglisht të Historisë së Ataliatit, botuar më 2012, Anthony Kaldellis dhe Dimitris Krallis do të përfshinin një fusnotë në tekstin e tyre, në të cilën ata e përkufizojnë albanoi si një term të vjetruar, që duhet t’u referohet normanëve, “e jo shqiptarëve të sotëm” (“not modern Albanians”).[8] Pa përmendur Vranusin në mënyrë të drejtpërdrejtë, del e qartë se po e paraqesin hipotezën e saj si fakt të mirëqenë. Duke qenë se kështu një brez i ardhshëm studiuesish që punojnë me Historinë në anglisht do të përballen me mendimin e Vranusit më shumë si fakt të kryer, sesa si teori të pavërtetuar, jemi të mendimit që ka ardhur koha që të rishikohen argumentet e saj thelbësore në lidhje me identitetin e albanoi-ve.

Vranusi e nisi punimin e saj të vitit 1970 me një vëzhgim të patrajtuar më parë nga studiuesit. Ajo vuri në dukje se Historia e Ataliatit përfshin tre pasazhe, të cilat, sipas interpretimit tradicional, të gjithë u referohen shqiptarëve nga Ballkani.[9] Në hapin e parë drejt krijimit të hipotezës së saj qendrore, Vranusi tërhoqi vëmendjen për faktin se të tre pasazhet përdorin dy etnonime të ndryshme – dy të parat përdorin Ἀλβανοί, dhe e treta Ἀρβανῖται.[10]

Data e ngjarjes Përmbajtje Fjala e përdorur
Pasazhi 1 rreth 1040 Maniakisi arrestohet për kryengritje, fushata siciliane shembet dhe ish-aleatët e perandorisë bëhen armiq.[11] albanoi
Pasazhi 2 1042–43 Maniakisi lirohet nga burgu dhe dërgohet në Italinë Jugore për të shuar një kryengritje normane/lombarde. Ai rebelohet kundër perandorit, udhëheq ushtrinë e tij drejt Kostandinopojës, por vritet nga forcat perandorake pranë Ostrovos.[12] albanoi
Pasazhi 3 1078 Nikeforos Basilakes, një prijës [dux] i Dyrrachiumit, ngre një ushtri nga rajonet përreth dhe përpiqet të rrëzojë një tjetër pretendent për fronin në Kostandinopojë.[13] arbanitai

 

Duke vënë në dukje se Ataliati ishte shumë i kujdesshëm në përdorimin e tij të gjuhës dhe terminologjisë, Vranusi argumentoi se ai kurrë nuk do të përdorte fjalë të ndryshme për të përshkruar të njëjtin grup njerëzish. Meqenëse pasazhi i tretë, ku përdoret arbanitai, u referohet popujve nga rajonet rreth Durrësit, ajo arriti në përfundimin se arbanitai ishte fjala e vetme që Ataliati ka përdorur për shqiptarët.[14] Me këtë arsyetim, – vazhdoi Vranusi – albanoi-t nuk mund të jenë shqiptarë.

Dyseljeja kundërshtoi supozimet e Vranusit në lidhje me uniformitetin shqiptar në këtë periudhë. Ai pohoi që përdorimi i këtyre dy etnonimeve nga Ataliati mund të tregonte se shqiptarët nuk ishin një popull krejtësisht i bashkuar. Sipas tij, albanoi mund të përshkruante shqiptarët që ishin integruar mirë në shoqërinë dhe kulturën bizantine, deri në atë pikë sa të ishin të barabartë me bizantinët në të drejtat e tyre civile (isopoliteia), ndërsa arbanitai (emërtuar si ushtarë në një ushtri të mbledhur me nxitim nga dux [prijësi] Vasilakes nga rajonet përreth Durrësit më 1078) mund të përshkruante shqiptarët që ishin më pak të kultivuar sipas zakoneve bizantine dhe më të ashpër sesa homologët e tyre albanoi.[15] Për shkak të mungesës së provave tekstuale të mbijetuara, çështja mbetet e pazgjidhur.

Vranusi nuk e konsideroi fare mundësinë që grupe të ndryshme shqiptare mund të njiheshin me emra të ndryshëm. Teza e saj se Ataliati përdori vetëm fjalën arbanitai për shqiptarët është thelbësore për interpretimin e saj të të parit nga dy “pasazhet albanoi”. Ajo argumentoi, gjithashtu, se kuptimi i plotë i këtij pasazhi kërkon vëmendje të veçantë dhe shqyrtim më të gjerë, dhe sugjeroi se disa fakte mund të sqarohen duke krahasuar tekstin e Ataliatit me burime të tjera bashkëkohore, si bizantine ashtu edhe perëndimore.[16] Për këtë qëllim ajo përdori kryesisht këto burime: Sinopsis Historiarum dhe Skilitzes Continuatus, të dyja nga Joan Skilitzes.[17] Kjo është domethënëse për shkak të përfundimeve që ajo nxori. Duke ndërfutur në rrëfimin e Ataliatit të dhëna nga tekste të jashtme dhe duke argumentuar nga mungesa e burimeve, ajo e riinterpretoi të parin pasazh albanoiHistorisë, në mënyrë që të përjashtonte mundësinë që albanoi-t e Ataliatit të kenë qenë ndonjëherë një popull ballkanik. Por para se t’u drejtohej teksteve të Skilicisit, Vranusi shqyrtoi me kujdes një frazë të shkurtër dhe të errët në këtë pasazh, por një frazë mjaft domethënëse, që përdori Ataliati për të përshkruar vendndodhjen gjeografike të albanoi-ve dhe latinoi-ve. Fraza është: “ὅσοι μετὰ τὴν ἑσπερίαν Ῥώμην τοῖς Ἰταλικοῖς πλησιάζουσι μέρεσι”.[18] Henri Grégoire sugjeroi zëvendësimin e fjalës μετὰ me κατὰ, dhe në variantin e tij në frëngjisht e përktheu si “qui, du côté de la Rome occidentale, sont voisins de l’Italie”.[19] Vranusi e hodhi poshtë këtë përkthim si të pakuptueshëm dhe e qortoi Grégoiren për dështimin e tij për të kuptuar domethënien e tekstit burimor.

Edhe pse ajo vetë e pranon që fraza është e vështirë për t’u kuptuar[20], Vranusi insistoi që Ataliati nuk i kishte përshkruar albanoi-t si “voisins de l’Italie” (fqinjët e Italisë), por “plēsiazousi tois Italikois meresi”, në të cilën ajo përktheu plēsiazousi si γειτνιάζουν (“ngjitur me”; në anglisht “to abut upon”), dhe “tois Italikois meresi” si “territore italiane” (në përputhje me “regionibus italicis” nga përkthimi latin i shekullit XIX të Nathan Rosenstein).[21] Ajo shpjegoi se pas krijimit të Katepanatit të Italisë (969–1071), autorët bizantinë e ndërprenë përdorimin e fjalës Italia për të gjithë Gadishullin Apenin, por e përdorën vetëm për të përshkruar rajonet e posaçme dhe të kufizuara administrative, që ishin ende nën sundimin bizantin.[22] Duke cituar një tekst të shekullit XI nga Mihal Pselli, në të cilin Italia i referohet “jo bregdetit të tërë, por vetëm asaj pjese që shtrihet përballë nesh dhe ka përvetësuar emrin e gjithë gadishullit”,[23] Vranusi arriti në përfundimin se fraza e Ataliatit “tois Italikois meresi”, në këtë rast, duhet të shënonte të njëjtat rajone.

Duke i bashkuar elemente të ndryshme, siç i përcaktoi ajo, plēsiazousi (d.m.th. “ngjitur me”), tois Italikois meresi (d.m.th. rajone të Italisë Jugore të pushtuara nga bizantinët) dhe meta tēn Rhōmēn, të cilën ajo e jep si “νοτίως τῆς Ρώμης” (d.m.th. në jug të Romës)[24], ajo e interpretoi frazën e errët të Ataliatit si një frazë që shënon tokat midis Romës dhe Sicilisë ose midis Romës dhe Puljas, ngjitur me territoret italiane të pushtuara nga bizantinët.[25] Kështu, në këndvështrimin e saj, qartësohet kuptimi i tekstit të Ataliatit. Ky pohim, se albanoi-t jetonin në jug të Italisë, hedh themele për argumentet e saj të mëvonshme, që albanoi-t ishin normanë. Mbetet për t’u parë nëse “Italia Jugore” është i vetmi interpretim i mundshëm për këtë frazë të shkurtër dhe të errët në Historinë, lidhur me vendndodhjen gjeografike të albanoi-ve dhe latinoi-ve.

Duke përdorur një sasi shumë të gjerë burimesh tekstuale, punimi i gjatë i Vranusit përfshin një numër mbresëlënës citatesh. Megjithatë, kur e analizon frazën “hosoi meta tēn hesperian Rhōmēn tois Italikois plēsiazousi meresi”, ajo duket sikur i anashkalon dy pasazhe të një autori të famshëm bizantin, që mundësojnë një interpretim të ndryshëm nga ajo që ka paraqitur. Kemi të bëjmë me perceptimet bizantine të shekullit X dhe XI në lidhje me gjeografinë e territoreve të lashta italiane. Nëse fraza e rrallë e Ataliatit mund t’i referohet Ballkanit, do të bjerë përpjekja e Vranusit për të riidentifikuar albanoi-t e Ataliatit si normanë në territore “në jug të Romës”.

Fillojmë me një shqyrtim të kontekstit më të gjerë historik. Në shekullin e katërt, Kostandini I u vendos në gjysmën lindore të Perandorisë Romake dhe ndërtoi qytetin e Kostandinopojës në brigjet e Bosforit. Pasardhësit e tij e bënë këtë metropol të ri vendbanimin e tyre të përhershëm. Me rëndësi për këtë punim është fakti se Kostandini I gjithashtu “ndau perandorinë në tri prefektura të mëdha, secila e përbërë nga një numër i caktuar dioqezash”.[26] Këto ishin: (1) Prefektura e Lindjes, duke përfshirë Kostandinopojën dhe Trakën; (2) Prefektura e Ilirisë, me kryeqytet në Selanik dhe me toka që shtriheshin në Durrës dhe rrethinat përreth; dhe (3) Prefektura e Italisë, e cila përfshinte Dalmacinë. Sipas Georg Ostrogorskit, “kufijtë e tyre nuk morën formë të sigurt deri në fund të shekullit të katërt”.[27]

Kur perandori Teodosius I vdiq më 395, dy djemtë e tij trashëguan një perandori të ndarë, të cilën e sunduan veçmas, me njërën në lindje dhe tjetrën në perëndim. Sipas John Fine:

Linja që ndante dy pjesët e perandorisë ishte në thelb e njëjtë me linjën e vjetër të kulturës greko-latine dhe linjën e mëvonshme ortodokse-katolike romake. Ky kufi kalonte përmes Ballkanit nga Sirmiumi në jug, deri në Shkodër. Kështu Ballkani u bë rajoni kufitar midis Romës së Vjetër dhe Romës së Re (Bizantit) dhe ndërmjet latinishtes dhe greqishtes.[28]

Burimet e shkruara bashkëkohore që pasqyrojnë Ballkanin e këtyre shekujve janë të pakta. Popujt që banonin në viset përgjatë Adriatikut Lindor, mu në jug të ndarjes së linjës së Fines, duke përfshirë tokat malore të asaj që sot është Shqipëria Veriore, duhet të kenë pasur marrëdhënie me portin antik të Durrësit. Kur bizantinët themeluan Durrësin si temë (θέμα) në fillim të shekullit IX, pjesa më e madhe e rajonit ra nën juridiksionin e tij, megjithëse vështirë të përcaktohen kufijtë e saktë përgjatë periudhave të ndryshme.[29] Ky sfond mund të jetë i dobishëm kur bëhet fjalë për interpretimin e frazës së Ataliatit, “tois Italikois meresi”.

Në shekullin X, Kostandin VII Porfyrogjeneti shkroi një vepër në lidhje me gjeografinë e Perandorisë Bizantine, e njohur më mirë me titullin e saj konvencional latin, De Thematibus. Në një pjesë që trajtonte temën e Durrësit, perandori deklaroi se Dalmacia “është rajon i Italisë” (τῆς Ἰταλίας ἐστὶ χώρα).[30] Në një vepër të mëvonshme, njohur si De Administrando Imperio, Kostandini VII i përshkroi territoret e Dalmacisë “në kohërat e vjetra”, si më poshtë:

Dalmacia dikur fillonte në kufijtë e Durrësit, ose Antibarit, dhe dikur shtrihej nga malet e Istrias e deri në lumin Danub. E gjithë kjo zonë ishte nën sundimin e romakëve dhe kjo krahinë ishte më e famshmja nga të gjitha krahinat e perëndimit [τῶν ἄλλων ἑσπερίων θεμάτων].[31]

Pohimi i Kostandinit VII se Dalmacia u konsiderua pjesë e tōn hesperiōn thematōn (“temave perëndimore”) me një kufi jugor që fillon “në kufijtë e Durrësit” është mjaft domethënës. Në frazën e tij të errët lidhur me vendndodhjen gjeografike, Ataliati ka përdorur gjithashtu fjalën hesperia, duke e përshkruar Romën si “tēn hesperian Rhōmēn”. Sigurisht fjala hesperia do të thotë, në mënyrë të fjalëpërfjalshme, “tokë perëndimore”[32], por gjendet, gjithashtu, në tekstet e lashta greke dhe në poezinë epike latine, që përshkruajnë Italinë dhe rajonet italiane.[33] Kaldellis dhe Krallis duket sikur njohin një nuancë arkaike në këtë rast, sepse ata përkthejnë tēn hesperian Rhōmēn si “the elder Rome” (Roma e lashtësisë), jo “Roma perëndimore”.[34] Ataliati mund të ketë qenë duke reflektuar mbi të kaluarën e largët kur shkroi për Romën “hesperiane” dhe “rajonet italiane” të lidhura me të[35] – nëse ai, si Kostandini VII Porfyrogjeneti një shekull para tij, kuptoi se territoret që ishin dikur pjesë e Italisë shtriheshin deri në vetë kufijtë e Durrësit. Duke gjykuar nga arsimimi prestigjioz i Ataliatit dhe gjerësia e njohurive të shfaqura në Historinë e tij, nuk ka gjasa që ai të mos e njihte këtë perceptim të shtrirjes ballkanike të Italisë së lashtë. Duke pasur parasysh që Kostandini VII pretendonte se Dalmacia “është një rajon i Italisë” dhe që, “në kohët e lashta” Dalmacia “filloi në kufijtë e Durrësit”, atëherë, nëse në shekullin XI albanoi-t banonin në zona në jug të këtyre vendeve të vjetra kufitare[36], është krejt e arsyeshme që të interpretohet “hosoi meta tēn hesperian Rhōmēn tois Italikois plēsiazousi meresi” sikur Ataliati po përshkruante shqiptarët, tokat e të cilëve ishin ngjitur me rajone në veri, të cilat, në lashtësi, i përkisnin Italisë dhe administroheshin nga Roma.[37] Ndoshta kur Ataliati shkroi Historinë e tij nga fundi i viteve 1070, tokat e albanoi-ve nuk ishin më nën juridiksionin e Durrësit, kështu që përshkrimi i tij i përgjigjet një forme arkaike (diçka krejt e zakonshme në shkrimet e kësaj periudhe dhe në veprat e Ataliatit[38]). Ataliati, gjithashtu, shpjegon diku tjetër në pasazhin e tij të parë albanoi, që albanoi-t (si dhe latinoi-t) mbetën aleatë të ngushtë të Bizantit deri rreth vitit 1040, kur papritur u shkëputën nga perandoria – gjë e cila, nëse albanoi-t ishin shqiptarë, do të kishte përfshirë Durrësin. Prova të tjera sugjerojnë se, në të njëjtat rajone, rreth gjysmës së parë të shekullit XI, objektet kishtare të lidhura më parë me Kishën Lindore u vunë papritur nën kujdesin e krishterimit perëndimor dhe papës në Romë.[39]

Pa marrë parasysh interpretimet alternative për frazën e rrallë dhe të errët të Ataliatit, Vranusi e vendosi interpretimin e saj si pika e parë në listën e mëposhtme të gjashtë elementeve që përshkruajnë albanoi-t dhe latinoi-t, të nxjerra nga pasazhi i parë albanoi i Historisë: (1) ata ishin të vendosur në një rajon të caktuar të Italisë Jugore; (2) ata ishin më parë symmachoi (aleatët) e bizantinëve; (3) ata morën pjesë në isopoliteia-n (barazinë e të drejtat civile, apo “bashkëqytetarinë”) e Bizantit[40]; (4) morën pjesë edhe në thrēskeia-n e tyre (praktikimin e së njëjtës fe); (5) ata e kishin arkondin e tyre të veçantë; dhe (6) u bënë armiq (paralogōtatoi polemioi) të bizantinëve.[41]

Vranusi vuri re se këto elemente, të marra së bashku, nuk përshkruajnë një njësi ushtarake tagmatike brenda ushtrisë bizantine (siç supozoi Grégoire në përkthimin e tij), por popullsi të tëra nën sundimin e një arkondi.[42] Ky vëzhgim ka merita, por përfundimi i mëpastajshëm i saj, se këta albanoi ishin disi normanë në Itali në mesin e shekullit XI, siç do të shohim, çalon si argument. Duket e jashtëzakonshme që një studiuese me aftësinë e Vranusit do të sugjeronte, në mungesë të provave mbështetëse të qëndrueshme, që Ataliati – të cilin ajo e pranoi të ishte i saktë në përdorimin e gjuhës – mund të ketë përdorur fjalë aq kuptimplota si symmachoi dhe isopoliteia për grupe të vogla mercenarësh të pabindur normanë, përpara vitit 1040[43], të cilët shisnin me kënaqësi shpatat e tyre në këmbim të ofertës më të lartë dhe bënin kërdi në të gjithë Italinë Jugore,[44] ose që Ataliati do të kishte shprehur habi nëse ndonjë prej këtyre grupeve do të prishte një marrëveshje me bizantinët.[45] Më vonë, në Historinë e tij, Ataliati përshkroi normanët (duke përdorur “frangoi”) si “racë e pabesë nga natyra”.[46] Aleksandër Kazhdani vuri në dukje vetëdijen e Ana Komnenës për zakonin e normanëve që të thyenin betime.[47] Për bizantinët që shkruanin në shekujt XI dhe XII, edhe tradhtia, ashtu si edhe aftësia luftarake, janë fjalë të përsëritura në zhvillimin e konceptit të tyre të të qenët “norman”. Nga aq pak sa njihet për normanët në Italinë Jugore para vitit 1040, është e vështirë të shihet se si mund të përputhen këto shprehje me përshkrimet e Ataliatit për albanoi-t dhe latinoi-t.

Vranusi, duke kërkuar mbështetje të tjera për hipotezën e saj që albanoi-t ishin normanë, kthehet te Sinopsisi nga Skilicisi.[48] Skilicisi raportoi se protospatharios-i Mihal Dokeianosi zëvendësoi Maniakisin si kreu i ushtrisë perandorake në Italinë Jugore.[49] Një ditë, një lombard i quajtur Arduin, i cili kishte udhëhequr njësinë normane në ushtrinë e Maniakisit në Sicili, u ankua se njerëzit e tij nuk trajtoheshin në mënyrë të drejtë, duke përfshirë edhe çështjet e pagave. Dokeianosi u përgjigj duke e rrahur Arduinin publikisht. Si rezultat, Arduini dhe ndjekësit e tij normanë u kthyen kundër bizantinëve, duke u shkaktuar dy disfata të mëdha ushtrisë së Dokeianosit në vitin 1041.[50] Në betejën e dytë, në vendin e quajtur Horai, një forcë e madhe lombardësh u bashkua me frankët.[51] Menjëherë pas kësaj, perandori e tërhoqi Dokeianosin nga Italia. Vranusi vuri në dukje ngjashmëritë e dukshme midis rrëfimit të Skilicisit për këto ngjarje dhe pasazhit të parë albanoi nga Ataliati. Të dyja tekstet raportojnë që Mihal Dokeianosi e kishte keqtrajtuar një udhëheqës të huaj. Sipas Sinopsisit, fshikullimi i Arduinit nga Dokeianosi shkaktoi një revoltë normane që, më vonë, u mbështet nga forcat lombarde. Në Histori, fyerja e Dokeianosit ndaj arkonditalbanoi-ve dhe latinoi-ve i shndërroi ata në armiq të perandorisë. Me supozimin se të dy autorët po raportonin të njëjtat ngjarje, Vranusi e barazoi arkondin anonim të Ataliatit me Arduinin e Skilicisit; albanoi-t me normanët; dhe latinoi-t me lombardët.[52] Ky interpretim i pasazhit të parë albanoi tek Historia ofron mbështetje për hipotezën e saj se albanoi-t ishin normanë. Por, kjo qasje ndaj këtyre teksteve fatkeqësisht ngatërrohet keqas nga ana e Vranusit, si pasojë e një gabimi thelbësor nga Skilicisi në Sinopsisin e tij.

Në një punim monumental, Jonathan Shepard e sfidoi tiparin qendror të interpretimit të Vranusit të të dy rrëfimeve (nuk kishte për qëllim kundërshtimin e interpretimit të saj, por prapëseprapë e kundërshton).[53] Ai argumentoi se raporti i Skilicisit për fshikullimin e Arduinit nga dora e Dokeianosit ishte “shtrembërim” dhe “i pasaktë pothuajse me siguri”. Një shqyrtim i hollë i provave tekstuale në gjuhë të ndryshme e shtyu Shepardin të nxirrte përfundimin se ishte Maniakisi ai që e ndëshkoi Arduinin, jo Dokeianosi. Wolfgang Felix (Feliks) arriti në të njëjtin përfundim.[54] Feliksi gjithashtu dyshoi rolin e Arduinit në ushtrinë e Maniakisit dhe konstatoi se historiani Gaufredo Malaterra e kishte cilësuar saktë lombardin greqishtfolës si një ndërlidhës dhe përkthyes midis normanëve dhe bizantinëve, ndërsa Skilicisi e kishte vlerësuar atë gabimisht si një princ të pavarur.[55] Vranusi do të kishte qenë në dijeni të mospërputhjeve midis burimeve, lidhur me personin që e kishte fshikulluar Arduinin, sepse të paktën dy prej autorëve që ajo citoi gjetkë në punimin e saj përshkruanin Maniakisin si autor.[56] Fakti që ajo nuk angazhohet fare me këtë çështje duhet të ngrejë shqetësime serioze për trajtimin nga ana e saj të provave ekzistuese. Nëse, siç duket se është provuar përfundimisht, ishte Maniakisi ai që e fshikulloi Arduinin, atëherë bie krejt pretendimi i Vranusit se Sinopsisi dhe Historia po raportojnë të njëjtën ngjarje, sepse atëherë eliminohet i vetmi element specifik që këto dy rrëfime e kanë të përbashkët – d.m.th., emri i Mihal Dokeianosit. Për më tepër, datat dhe vendndodhjet nuk përputhen, sepse Maniakisi mund ta kishte rrahur Arduinin vetëm kur ishte ende në komandë në Sicili, pra, shumë kohë përpara se të fillonin të luftonin lombardi dhe pasuesit e tij kundër Dokeianosit në Italinë Jugore. Meqë Skilicisi mund të ketë përdorur Historinë e Ataliatit si një burim për Sinopsisin e tij,[57] është gjithashtu e mundur që, duke lexuar nga Ataliati që Dokeianosi e kishte fyer arkondin e albanoi-ve dhe latinoi-ve, Skilicisi mund të ketë interpretuar latinoi-t si “normanë”, e mund të ketë supozuar që pasazhi kishte të bënte me fshikullimin e Arduinit, dhe kështu e përafroi rrëfimin e tij me variantin e Historisë. Kjo do të shpjegonte pse Skilicisi e ka përshkruar Arduinin “gabimisht” (shih W. Feliks) si udhëheqësi i normanëve (ἀρχηγὸν ἔχοντας Ἀρδουῖνον).[58]

Në një përpjekje për të përforcuar argumentin e saj, Vranusi propozoi një etimologji për hipotezën e saj, që albanoi-t ishin normanë.[59] Duke u kthyer te të dy dukuritë e fjalës albanoiHistorinë e Ataliatit, ajo sugjeroi që, kur normanët mbërritën për herë të parë në Italinë Jugore, popullsitë ekzistuese iu referuan atyre duke përdorur termin hamendësues albani/aubains, të cilën Vranusi e ka nxjerrë nga latinishtja alibi, që do të thotë “të huaj”. Më pas, ky përdorim i supozuar në Italinë Jugore (për të cilin nuk ka prova fare) u adoptua, gjoja, në Kostandinopojë (përsëri, pa asnjë provë), ku Ataliati më vonë do të mësonte për të dhe do të dilte si autori i vetëm, midis autorëve bizantinë apo ndonjë autori tjetër, që ka përdorur këtë fjalë për normanët (në vend të fjalëve të tij të zakonshme për ta, italoi ose frangoi) – por vetëm dy herë, dhe të dyja herët në lidhje me Maniakisin në fillim të viteve 1040. Vlen të theksohet se në pasazhin e dytë albanoiHistorisë, Ataliati përmendi albanoi-t këtë herë së bashku me romaioi-t (ushtarë të rregullt bizantinë), si anëtarë të forcës rebele të Maniakisit më 1042–43. Kjo është domethënëse, sepse historiani norman Guljelmi i Puljes (Guillelmus Apuliensis), duke shkruar në fund të shekullit XI, pohoi se të gjithë normanët e Italisë Jugore refuzuan pagesat e Maniakisit për t’u bashkuar me kryengritjen e tij.[60] Jonathan Shepardi vërejti se “nuk ka asnjë provë të qartë që ata, ose normanë të tjerë, morën pjesë në rebelimin që ngriti [Maniakisi] pas kthimit të tij në Itali në vitin 1042.”[61] Kundërpërgjigjja e Dyseljes ndaj etimologjisë së propozuar të Vranusit ishte e prerë: meqë nuk ekziston asnjë provë – shkroi ai – për të vërtetuar se fjala aubain të ishte përdorur në Itali, atëherë ajo nuk mund të huazohet dot në tekstin e Ataliatit për të shënuar normanë. Mbi bazën që të vetmit shembuj grekë vijnë nga të dyja pasazhet në Historinë e Ataliatit, Dyseljeja arriti në përfundimin se albanoi-t nuk ishin as të huaj e as normanë.[62]

Guri i themelit i hipotezës së Vranusit është këmbëngulja e saj që identiteti i albanoi-ve duhet kërkuar në Italinë e jugut. Shumica e argumenteve të tjera të saj ose qëndrojnë, ose bien mbi këtë bazë. Duke pasur parasysh mungesën e provave për përpjekjen e saj për të barazuar normanët dhe lombardët e Sinopsisit të Skilicisit me albanoi-t dhe latinoi-t e Historisë, si dhe natyrën shumë të dobët të etimologjisë së saj Ἀλβανοί–albani–normanë, si dhe mundësinë që fraza e errët e Ataliatit “hosoi meta tēn hesperian Rhōmēn tois Italikois plēsiazousi meresi” u referohet tokave rreth Durrësit, përpjekja e Vranusit për të kthyer albanoi-t në normanë nuk është aspak bindëse.

Qasja e Vranusit ndaj çështjes albanoi u fokusua kryesisht mbi gjuhën. Ajo i qortoi ashpër studiuesit që u morën me përkthimet e Historisë pa u konsultuar me botimet në greqishten origjinale, dhe i shpërfilli ata që ajo i gjykoi se kishin njohuri të pamjaftueshme për greqishten.[63] Ajo punoi ngushtë me tekstin e Ataliatit, duke caktuar përkufizimet e fjalëve dhe frazave specifike dhe duke qartësuar kuptimin e tij përmes të dhënash nga burime të tjera. Në analizën e saj ajo duket se e trajton pasazhin e parë albanoi të Ataliatit si një rrëfim historik pa pasion. Megjithatë, kur e shqyrtojmë tekstin përtej imtësirave të tij, zbulojmë se Ataliati kurrë nuk kishte ndërmend të jepte një rrëfim të plotë të fushatës siciliane. Kjo pikë merr rëndësi të veçantë, sepse struktura e pasazhit dhe përmbajtja e kufizuar e tij sugjerojnë një qëllim shumë ndryshe, gjë që e dobëson më tej hipotezën e Vranusit se albanoi-t ishin normanë.

Në parathënien e tij, Ataliati deklaroi se studimi i historisë “ka provuar të jetë jashtëzakonisht i dobishëm për jetën, pasi zbulon jetët e atyre që ishin të virtytshëm dhe të atyre që nuk ishin, pasi përshkruan edhe vepra të shkëlqyera të lindura nga planifikimi dhe përpjekjet e përsosura, si edhe vepra të turpshme të shkaktuara nga planifikimi i gabuar ose neglizhenca e atyre që qeverisin çështjet publike.”[64] Kur veprat e së kaluarës janë “zhveshur nga historia, – vazhdoi ai, – ato përcjellin udhëzime të qarta dhe caktojnë modele për të ardhmen. Ato thjesht na bëjnë të imitojmë atë që u dallua mirë dhe të shmangim veprat e pamatura dhe të turpshme”.[65] Në përshkrimin e përmbledhur të Ataliatit, hartuar me kujdes, të shkaqeve dhe pasojave të rënies së Maniakisit – me të cilën ai nis pjesën rrëfimtare të të gjithë veprës së tij – ai synonte qartazi të rriste vlerën didaktike të pasazhit, duke i “zhveshur” “veprat e pamatura” të drejtuara kundër gjeneralit të madh, me sa duket për të inkurajuar lexuesit e tij që të shmangnin vepra të tilla “të pamatura dhe të turpshme” në të ardhmen.

Ataliati filloi duke përcaktuar periudhën dhe kontekstin e anekdotës së tij, duke shkruar:

Ndërsa skeptrat e romakëve mbaheshin ende nga perandori i bekuar Mihal, atdheu i të cilit ishte provinca e paflagonëve, raca e hagarenëve në perëndim, në Sicili, u sulmua fort nga forcat romake, si në det, ashtu edhe në tokë.[66]

Kjo paraqitje kaq e shkurtër e fushatës siciliane të viteve 1038–40 nënkupton që lexuesit do të kishin njohje të konsiderueshme për temën në fjalë, nëse ata do ta kuptonin referencën aq të përciptë për “racën e hagarenëve” (arabë) në Sicili, të “sulmuar fort” nga forcat romane (bizantine) “si në det, ashtu edhe në tokë”. Ataliati nuk shton asnjë të dhënë. Pasi e vendosi skenën, ai interpretoi ngjarjet që ndodhën në Sicili si më poshtë:

Sikur Georg Maniakisi, të cilit i ishte besuar komanda e përgjithshme e ushtrisë, të mos ishte shpifur me pretendimin se ai po kërkonte të uzurponte fronin dhe sikur të mos ishte larguar nga pozicioni i tij, dhe sikur lufta të mos iu besohej të tjerëve, ai ishull do të ishte tani nën sundimin romak, një vend kaq i madh, i famshëm, i pajisur me qytete të mëdha përgjatë brigjeve të saj, dhe pa asnjë mungesë në burime.[67]

Nga tekste të tjera dimë se Stefan patrikios-i – admirali i flotës për fushatën siciliane dhe kunati i perandorit Mihali IV – akuzoi Maniakisin rrejshëm për kryengritje. Dimë, gjithashtu, se vëllai i perandorit, Joan Orfanotrofi, i cili kishte autoritet të madh mbi perandorinë në atë kohë, porositi që gjenerali të arrestohej dhe të transportohej me zinxhirë në Kostandinopojë. Pa përmendur emrat e autorëve, Ataliati e lidh keqtrajtimin e Maniakisit (të shpifur, të hequr nga posti i tij) me fatkeqësitë që pasuan. Kjo na çon te thelbi i tregimit. Ataliati tani zbulon “veprat e palavdishme” që shkaktuan zhbërjen e Maniakisit dhe zbulon, gjithashtu, pasojat tragjike për Bizantin:

Megjithatë, inati ziliqar e rrëzoi atë njeri, arritjet e tij dhe atë sipërmarrje të madhe, sepse pasardhësit e tij në komandë morën vendime të mjerueshme dhe të ulëta, duke bërë që romakët ta humbnin atë ishull, së bashku me shumicën e ushtrisë së tyre.[68]

Ky pasazh i parë që përmend albanoi ilustron llojin e moralizimit didaktik të premtuar në parathënien e Historisë. Ataliati, një autor i mirinformuar dhe i lidhur mirë, me akses në një gamë shumë të gjerë burimesh, jep një rrëfim pa detaje për Maniakisin dhe fushatën siciliane. Ai përfshin vetëm të dhëna të mjaftueshme për të treguar se dështimi moral i udhëheqësve mund të sjellë fatkeqësi. Dështimi i turpshëm lidhur me Maniakisin rezultoi në tri “humbje” të rëndësishme për bizantinët: (1) humbja e ishullit të Sicilisë dhe të gjitha pasurive të tij; (2) humbja e “shumicës së ushtrisë së tyre”; dhe (3) humbja e një pale aleate të ngushtë, të konsideruar aq të rëndësishme, sa përshkrimi i tyre zë një të tretën e gjithë pasazhit. Ataliati e përfundon anekdotën e tij hyrëse si më poshtë:

Për më tepër jo vetëm kaq, madje edhe ata që kishin qenë më parë aleatë dhe që gëzonin bashkë me ne barazinë e të drejtave civile, si edhe kishin të njëjtën fe, albanoi-t dhe latinoi-t, të gjithë ata që ishin pranë rajoneve italiane në territorin e Romës Perëndimore, papritur, u bënë armiqtë tanë, kur prijësi [dux] Mihal Dokeianosi, i cili drejtonte ushtrinë në atë kohë, veproi duke fyer udhëheqësin [arkondin] e tyre.”[69]

Vranusi do që ne të pranojmë që ky pasazh (i cili zbulon përfundimisht që popujt symmachoi u bënë armiq të betuar të perandorisë), përfshika banda të padisiplinuara të të huajve barbarë, kryesisht të paditur për gjuhën, kulturën dhe fenë perandorake, dhe të cilët, së bashku me sundimtarët e tyre kryengritës lombardë, na qenkan përpjekur t’i përzënë bizantinët nga territoret që ata mbanin ende në Italinë Jugore. Nëse Ataliati shpresonte t’i largonte lexuesit e tij nga “vepra të pamatura dhe të turpshme”, shembulli i mercenarëve të pakënaqur normanë që po luftonin kundër Dokeianosit më 1041 do të paraqiste një parandalues mjaft të dobët dhe joefektiv. Thënë ndryshe, interpretimi i Vranusit për albanoi-t si normanë në Italinë Jugore do të shfuqizonte fare qëllimin moralist të Ataliatit në këtë pasazh të shkurtër.

Nëse, në vend të interpretimit jotradicional të Vranusit, interpretojmë albanoi-t e Ataliatit si shqiptarë të Ballkanit – duke rënë dakord me Dyseljen se (1) pesha e provave favorizon interpretimin tradicional më shumë se interpretimin e ri si “normanë”, dhe (2) shqiptarët nuk ishin një popull uniform i njohur nga vetëm një etnonim – atëherë mbetet të shqyrtojmë shkurtimisht identitetin e homologëve të tyre latinoi, të cilësuar së bashku me shqiptarët si ish-aleatë të perandorisë, që kishin marrë pjesë edhe me bizantinët në bashkëqytetarinë (isopoliteia) dhe fenë (thrēskeia) e tyre. Nëse pranojmë opsione përtej normanëve dhe lombardëve, kur përpiqemi të përcaktojmë identitetin e latinoi-ve të Ataliatit, atëherë mundësohet rishqyrtimi i kuptimit të pasazhit të parë albanoiHistorisë.

Autorët bizantinë filluan të përdornin termin latinos si një “emërtim i përgjithshëm për popujt perëndimorë” në shekullin XI.[70] Nga njësitë që shërbenin në fushatën siciliane të Maniakisit, latinoi-t e Ataliatit mund t’i referohet ndonjërit prej pohimeve nga sa vijojnë: (1) 300 normanët e dërguar nga Italia Jugore nga Princi Gaimar i Salernos[71]; (2) lombardët që u bashkuan me ta, ose që shërbyen me rekrutët e rregullt nga rajonet bizantine në Italinë Jugore; (3) Garda Varange; (4) Harald Hardrada, mbreti i ardhshëm i Norvegjisë, dhe 500 luftëtarë të tij skandinavë[72]; ose (5) ndonjë kombinim i grupeve të sipërpërmendura.

Shumë studiues kanë supozuar se latinoi-t e pasazhit të parë albanoi të Ataliatit ishin normanët që shërbenin në fushatën siciliane, të cilët u nisën për në Italinë e Jugut, pasi Maniakisi e fshikulloi Arduinin.[73] Për më tepër, një referencë në Skilitzes Continuatus pohon, ndër të tjera, se Maniakisi (rreth 1042) mori me vete shumë normanë (frangoi) nga Italia në Bizant për të luftuar në rebelimin e tij.[74] Ky tekst pohon, gjithashtu, se pas disfatës së tyre në betejën e Ostrovos (tani në Greqinë Veriperëndimore) – në të cilën ata arritën nga Durrësi në rrugën Egnatia – disa mbetën në Bizant dhe morën përsipër emrin maniakatoi.[75] Shepardi vëren se ky pasazh në Continuatus është “i pasaktë në disa aspekte”.[76] Ndër çështjet që ai ngriti është fakti se burimet më të hershme nuk i përmendin normanët si kryengritës në kauzën e Maniakisit. Siç u vu re më lart, Guljelmi i Puljes deklaroi haptazi se asnjë norman nuk pranoi të bashkohej me gjeneralin. Përveç Skilitzes Continuatus, ata që u emëruan në forcat rebele të Maniakisit ishin albanoi, romaioi (trupat e rregullta bizantine) dhe varangët.[77] Supozimi se latinoi-t e Ataliatit ishin normanë sjell të njëjtat vështirësi si hipoteza e Vranusit që albanoi-t ishin normanë, sepse Ataliati i përshkroi albanoi-t dhe këta latinoi pikërisht në të njëjtat kushte. Për më tepër, Historia thotë se ishte prijësi [dux] Mihal Dokeianos ai që kishte fyer arkondin e tyre, gjë që mund të kishte ndodhur vetëm pasi ata u larguan nga Sicilia për në Italinë Jugore.

Nga kjo, mund të japim dy përfundime paraprake: (1) që rrëfimi i Ataliatit për Dokeianosin që fyeu arkondin e albanoi-ve dhe latinoi-ve ka të bëjë me një incident të veçantë dhe të palidhur me fshikullimin e Arduinit nga Maniakisi, dhe (2) që të treqind normanët në fushatën siciliane të Maniakisit nuk ishin ata latinoi që Ataliati ka përmendur në pasazhin e tij të parë albanoi. Përndryshe, do të na duhej të pranonim që Ataliati e quajti gabimisht Dokeianosin si torturues të Arduinit, që e përshkroi gabimisht Arduinin si një arkond, dhe, për më tej, që e la atë anonim, pavarësisht përshkrimit të detajuar të albanoi-ve dhe latinoi-ve në fund të këtij pasazhi. Meqë Historia e Ataliatit ishte një burim kryesor për Skilitzes Continuatus (një tekst që Skilicisi mund ta ketë përpiluar gjithashtu),[78] dhe meqë ka prova që sugjerojnë se Skilicisi përdori HistorinëSinopsisin e tij, duket krejt e arsyeshme të hamendësohet se autori në të dyja rastet ka synuar latinoi-t si normanë në pasazhin e parë albanoi të Ataliatit dhe që i ka interpretuar të dhënat e tjera të tij përmes prizmit të atij supozimi. Catherine Holmes-i i ka paralajmëruar historianët se “do të ishte e rrezikshme të supozohej se Skilicisi ishte thjesht një kopjues pasiv dhe shkurtues, dëshmia e të cilit mund të pranohet si një transmetim i saktë i materialit që ai mbledh”, dhe se “autorësia e tij aktive mund të imponojë shtrembërime serioze mbi përmbajtjen dhe interpretimet e materialeve bazë që ai transmeton”.[79]

Kandidatët e tjerë për latinoi-t e Ataliatit, përveç normanëve dhe lombardëve, janë varangët dhe/ose një kontigjent i njerëzve të Harald Hardradasit.[80] Në këtë rast, sipas rrëfimit të Historisë, këta varangë/rusë/skandinavë – së bashku me albanoi-t – do të kishin hedhur poshtë të gjitha lidhjet me Bizantin (lidhjet që, për varangët rreth 1040, ishin shumë të ngushta) dhe u bënë armiq të vendosur të perandorisë. Një sjellje e tillë nga varangët do të kishte tronditur bizantinët, sepse, që nga themelimi i tij nga Vasili II në vitet 980, Garda Varange kishte fituar një vlerësim të lartë dhe një vend nderi në shoqërinë bizantine.[81] Ana Komnena vërejti për varangët se ata “mbajnë mbi supe shpatën e rëndë të hekurt; ata konsiderojnë besnikërinë ndaj perandorëve dhe mbrojtjen e personave të tyre si traditë familjare, njëfarë bese dhe trashëgimie të shenjtë të dhënë brez pas brezi. Këtë besnikëri ata e ruajnë të pacenuar dhe nuk do të pranojnë kurrë qoftë edhe hijen e tradhtisë”.[82] Varangët në shërbim të perandorit gëzonin statusin e një populli symmachoi.[83] Ata, gjithashtu, mund të përshkruhen (në kontrast me normanët) si njerëz që kishin ndarë me bizantinët isopoliteia-në e tyre. Barazimi i latinoi-ve të pasazhit të parë albanoiHistorisë me ish-varangët paraqet një shpjegim shumë më të logjikshëm për habinë e nënkuptuar të Ataliatit, lidhur me kthimin e tyre kundër perandorisë, sesa supozimi se latinoi-t ishin normanë të sapoardhur në Itali.

Si hipotezë pune, interpretimi i propozuar këtu mund të zgjerohet në fusha të reja dhe të papritura të kërkimit shkencor. Nëse pranojmë se Skilicisi, në këtë rast, mund të ketë lexuar gabimisht latinoi-t e Ataliatit si normanë, atëherë kjo hap rrugë për të eksploruar mundësinë që maniakatoi-t e mëvonshëm të Skilitzes Continuatus nuk ishin normanë, por, në vend të kësaj, një kombinim i shqiptarëve dhe varangëve prej forcës rebele të Maniakisit, të cilët i mbijetuan humbjes në Ostrovë më 1043 dhe shpëtuan së bashku, duke u kthyer përsëri në rrugën Egnatia drejt Durrësit dhe atdheut të shqiptarëve.[84] Pselli ka shkruar: “Sa për ushtrinë e [Maniakisit], disa u larguan në vendet e tyre të lindjes, pa tërhequr vëmendjen e armikut, por shumica dezertoi”.[85] Fakti që latinoi-t maniakatoi rishfaqen në shoqërinë e një prijësi (dux) të Durrësit në ngjarjet që datojnë në vitin 1078 dhe në fillim të viteve 1090, ende duke mbajtur emrin e gjeneralit të madh, lë për t’u kuptuar se ata jo vetëm mbijetuan, por edhe u munduan për ta vendosur veten si një forcë ushtarake të organizuar dhe ua lanë trashëgimi atë identitet pasardhësve të tyre.[86] Kjo përputhet me deklaratën e Ataliatit se albanoi-t dhe latinoi-t jetonin së bashku nën një arkond të vetëm në tokat ngjitur me “rajonet italiane” që kishin lidhje me Romën “hesperiane”. Nëse merret parasysh ky sfond i mundshëm i shqiptarëve me ish-anëtarë të Gardës Varange, që banonin në tokat e lashta kufitare pranë Durrësit, mund të fillojmë të rishikojmë pyetjet e nevojshme për historinë më të gjerë të këtij rajoni në gjysmën e dytë të shekullit XI.

John Quanrud, PhD, është studiues në Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë. Ka studiuar gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka kryer programe pasuniversitare për studime vikinge dhe anglosaksone në Universitetin e Nottinghamit. Interesat e tij kërkimore përfshijnë çështje si angazhimi bizantin në Ballkan e Sicili, si dhe në Italinë Jugore në mesjetën e hershme. Ai është autor i një kapitulli në një libër mbi vikingët në Anglinë Veriperëndimore, dhe është autor dhe redaktor botimesh të ndryshme lidhur me historinë shqiptare.


[1] Shih A. Madgearu, “Problema originii albanezilor. Puncte de vedere”, Revista de Istorie Militară I [93] (2006) 69–70. Shih gjithashtu A. Madgearu, The Wars of the Balkan Peninsula (Lanham, Md 2008) 144–145.

[2] Mihal Ataliati, Michaelis Attaliotae Historia, red. W. Brunet de Presle dhe I. Bekker (Bonn 1853). Për çështjet që lidhen me datimin e tekstit të Ataliat, shih: E. Tsolakis, “Das Geschichtswerk des Michael Ataliati und die Zeit seiner Abfassung”, Byzantina II (1970) 258.

[3] Ataliati, 9.1–15. Autori i këtij artikulli është borxhli Robert Walker për ndihmën e tij me tekste të ndryshme greke dhe Konstantinos Giakoumis për komentet e tij të dobishme mbi një draft të këtij artikulli.

[4] Ushtria e Maniakisit ka të ngjarë të ketë përfshirë njësi që shërbyen me të në fushatat e mëparshme.

[5] Admirali Stefan mori hak kundër Maniakisit, sepse Maniakisi e kishte fshikulluar në publik pasi Stefani kishte lejuar që kreu i forcave arabe në Sicili t’i arratisej ishullit nga ana e detit.

[6] E. L. Vranusi, “Οἱ ὅροι «Ἀλβανοὶ» καὶ «Ἀρβανῖται» καὶ ἡ πρώτη μνεία τοῦ ὁμωνύμου λαοῦ τῆς Βαλκανικῆς εἰς τὰς πηγὰς τοῦ ΙΑ ̓ αἰῶνος”, Βυζαντινά Σύμμεικτα 2 (1970) 207–254.

[7] A. Ducellier, “Nouvel essai de mise au point sur l’apparition du peuple albanais dans les sources historiques byzantines”, Studia albanica 2 (1972) 299–306. Shih gjithashtu K. Bozhori, “E. L. Vranussi: Termat ‘Albanoi’ dhe Arvanitai’ dhe përmendja e parë e popullit me të njëtin emër në burimet e shek. XI, ‘Σύμμεικτα’, Athinë 1970”, Studime historike 4 (Tiranë 1974), 187–196.

[8] Mihal Ataliati, The History: Michael Attaleiates, përk. në anglisht A. Kaldellis dhe D. Krallis (Cambridge, Mass. 2012) 595, n. 11. Shih gjithashtu D. Krallis, “The Social Views of Michael Attaleiates”, në J. Howard-Johnston (ed.), Social Change in Town and Country in Eleventh-Century Byzantium (Oxford 2020) 55, n. 41; N. Webber, The Evolution of Norman Identity, 911-1154 (Woodbridge 2005), 87–89.

[9] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 207.

[10] Vranusi, vep. cit., 209–210.

[11] Ataliati, 9.8–15.

[12] Ataliati, 18.17–23.

[13] Ataliati, 297.20–22; Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 231.

[14] Vranusi, vep. cit., 231, 235.

[15] A. Ducellier, “Les Albanais dans l’empire byzantine: de la communauté á l’expansion”, në C. Gasparis (ed.), Οι Αλβανοί στο Μεσαίωνα (Athens 1998), 38–39.

[16] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 210.

[17] Joan Skilitzes, Ioannis Scylitzae Synopsis Historiarum, red. I. Thurn (Berlin 1973); Skylitzes Continuatus, Ἡ Συνέχεια τῆς Χρονογραφίας τοῦ Ἰωάννου Σκυλίτση, ed. E. T. Tsolakes (Thessalonika 1968).

[18] Ataliati, 9.12–13. Kaldellis dhe Krallis, te History, 13, e përkthenin frazën si “those who abut upon the Italian regions by the Elder Rome”.

[19] Mihal Ataliati, “Michel Attaliatès, Histoire, traduction française”, përk. H. Grégoire, Byzantion 28 (1958) 328.

[20] Vranusi, te “Οἱ ὅροι”, 212, e përktheu si “ἡ δυσνόητος φράσις”. Fjala “δυσνόητος” do të thotë e errët, e mjegullt, e vështirë për t’u kuptuar.

[21] Për përkthimin e Rosenstein, shih: Ataliati, 9.

[22] Kurse, V. von Falkenhausen, tek Untersuchungen über die byzantinische Herrschaft in Süditalien vom 9. bis ins 11. Jahrhundert (Weisbaden 1967) 47, dha prova për një gamë më të gjerë kuptimi për fjalën “Italia” në shkrimet bizantine të shekullit X.

[23] Mihal Pselli, Michaelis Pselli Chronographia, red. D. R. Reinsch, I [Millennium-Studien 51] (Berlin/Boston 2014) 138, 78.4–6: “ἀλλὰ μόνον δὴ τὸ πρὸς ἡμᾶς τμῆμα, τὸ κοινὸν ἰδιωσάμενον ὄνομα. ὁ μὲν οὖν τοῖς ἐκεῖσε μέρεσι μετὰ παντὸς ἐπιστὰς τοῦ στρατεύματος, πᾶσιν ἐχρᾶτο τοῖς στρατηγήμασι”. Përk. ang., Michael Psellos, Fourteen Byzantine Rulers, përk. E. R. A. Sewter (Harmondsworth 1966), 193.

[24] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 214. Shih gjithashtu: Ducellier, “Les Albanais dans l’empire byzantin”, 36–37, dhe 37, n. 86.

[25] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 213–214.

[26] G. Ostrogorsky, History of the Byzantine State, trans. J. Hussey, 2nd English edn (Oxford 1968) 35; J. Fine, The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century (Ann Arbor 1991) 18–19.

[27] Ostrogorsky, vep. cit.

[28] Fine, Early Medieval Balkans, 15.

[29] A. Ducellier, La façade maritime de l’Albanie au moyen âge: Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle (Thessaloniki 1981), 92. Mbi themelimin e Durrësit si temë, shih: J. Ferluga, “Sur la date de la création du thème de Dyrrachium”, Byzantium on the Balkans (Amsterdam 1976) 215–224.

[30] Constantine Porphyrogenitus, De thematibus, red. Agostino Pertusi [Studi e Testi 160] (Vatican City 1952), 9.35–36 dhe 40. Shih: H. Hunger, Die hochsprachliche profane Literatur der Byzantiner I (Munich 1978), 533; J. Shepard, “Aspects of Byzantine Attitudes and Policy Towards the West in the Tenth and Eleventh Centuries”, në: J. D. Howard-Johnston (ed.), Byzantium and the West, c. 850–c. 1200 (Amsterdam 1988), 69–70. Vranusi, tek “Οἱ ὅροι”, 212, citon edhe këtë pasazh, por vetëm si shembull se si autorët bizantinë e përdornin “Italia”.

[31] Constantine Porphyrogenitus, De Administrando Imperio, red. G. Moravcsik, përk. R. J. H. Jenkins, rev. edn (Washington D. C. 1967) 138, 30.8–140, 30.13: “Ἐκ παλαιοῦ τοίνυν ἡ Δελματία τὴν ἀρχὴν μὲν εἶχεν | ἀπὸ τῶν συνόρων Δυρραχίου, ἤγουν ἀπὸ Ἀντιβάρεως, καὶ παρετείνετο μὲν μέχρι τῶν τῆς Ἰστρίας ὀρῶν, ἐπλατύνετο δὲ μέχρι τοῦ Δανουβίου ποταμοῦ. Ἦν δὲ ἅπασα ἡ τοιαύτη περίχωρος ὑπὸ τὴν Ῥωμαίων ἀρχήν, καὶ ἐνδοξότερον τῶν ἄλλων ἑσπερίων θεμάτων τὸ τοιοῦτον θέμα ἐτύγχανε”; përk. angl., 139, 141.

[32] H. G. Liddell, et al., A Greek-English Lexicon (Oxford 1968), 586.

[33] Shih, për shembull: N. Horsfall, Virgil, Aeneid 3: A Commentary (Leiden 2006), 11, 153.

[34] Ataliati, History, 13.

[35] A. Kazhdan, “Latins and Franks in Byzantium: Perception and Reality from the Eleventh to the Twelfth Century”, në A. Laiou dhe R. P. Mottahedeh (red.), The Crusades from the Perspective of Byzantium and the Muslim World (Washington D. C. 2001), 86, ku vuri re se përdorimi i “nomenklaturës antike” ishte “në përgjithësi tipik për Ataliatin”. Për klasicizmat në shkrimin bizantin, shih: N. G. Wilson, Scholars of Byzantium (London/Cambridge, Mass. 1996), 4–8.

[36] Për provat që sugjerojnë se këto territore ishin atdheu i shqiptarëve, shih: A. Ducellier, “L’Arbanon et les albanais au XIe siècle”, Travaux et Mémoires, 3 (1968), 353–368; G. Stadtmüller, Forschungen zur albanischen Frühgeschichte, 2nd edn (Wiesbaden 1966), 51, 118–24; dhe Madgearu, The Wars of the Balkan Peninsula, 25–26.

[37] Supozohet se termi kata/meta përshkruan ndonjë marrëdhënie midis “tois Italikois meresi” dhe Romës “hesperiane”, por jo siç sugjeron Vranusi, “në jug të Romës”. Shih: A. Ducellier, “Les Albanais dans l’empire byzantine”, 37.

[38] Për këtë, shih përsëri fusnotën nr. 35 më lart.

[39] Shih, p.sh.: P. Xhufi, “Krishtërimi Roman në Shqipëri, shek. VI–XVI”, në N. Ukgjini, W. Kamsi and R. Gurakuqi (red.), Simpozium ndërkombëtar: Krishtërimi ndër shqiptarë, Tiranë, 16–19 nëntor 1999 (Shkodër 2000), 91–92.

[40] Shepard, “Aspects”, 96–97.

[41] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 215.

[42] Vranusi, vep. cit., 215, 218. Për tagmata, shih H. Glykatzi-Ahrweiler, “Recherches sur l’administration de l’empire byzantin aux IXe-XIe siècles”, Bulletin de correspondance hellénique 84/1 (1960), 24–27.

[43] Për symmachoi, shih J. Shepard, “Uses of the Franks in Eleventh Century Byzantium”, Anglo-Norman Studies 15 (1993), 280–281. For isopoliteia, shih: D. Zakythinos, “Byzance. État national ou multi-national?”, Δελτίον της Χριστιανικής Αρχαιολογικής Εταιρίας 10 (1981), 45–46; P. Sánchez, “L’isopoliteia chez Denys d’Halicarnasse: nouvelle interpretation”, Chiron 46 (2016), 45–83. Edhe G. Loud, te The Age of Robert Guiscard: Southern Italy and the Norman Conquest (Harlow 2000) 75, vëren se në Italinë jugore në vitet 1030, “normanët ishin larg nga të qenit të bashkuar”.

[44] Loud, vep. cit., 74–80.

[45] J. Shepard, “Uses of the Franks”, 282, ku shkroi për normanët që shfaqeshin “mjaft befasisht në burimet greke dhe latine mbi Bizantin e mesit të shekullit XI – vullnetarë materialistë egoistë, për të cilët paga ishte një shqetësim kryesor dhe të cilët ishin të shpejtë për kryengritje nëse liheshin të pakënaqur”. Shih gjithashtu: Ducellier, “Nouvel essai”, 302.

[46] Ataliati, 125.9–10: “φύσει γὰρ ἄπιστον τὸ γένος τῶν Φράγγων”. Shih gjithashtu: Shepard, “Aspects”, 96.

[47] Kazhdan, “Latins and Franks”, 91.

[48] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 218–220.

[49] Skilitzes, 425.1–426.16.

[50] Von Falkenhausen, vep. cit., 89.

[51] Skilitzes, 426, 3.37.

[52] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 225.

[53] J. Shepard, “Byzantium’s Last Sicilian Expedition: Skylitzes Testimony”, Rivista di studi bizantini e neoellenici 14–16 (1977–1979), 152.

[54] W. Felix, Byzanz und die islamische Welt im früheren 11. Jahrhundert: Geschichte der politischen Beziehungen von 1001–1055 (Wien 1981) 211, n. 70. Shih gjithashtu: Loud, The Age of Robert Guiscard, 79.

[55] Rreth kohës së kryqëzatës së parë, Gaufredo Malaterra, në Itali, shkroi një tregim në prozë për pushtimin norman me titull De rebus gestis Rogerii Calabriae et Siciliae comitis et Roberti Guiscardi ducis fratris eius.

[56] J. Gay, L’Italie méridionale et l’empire byzantin depuis l’avènement de Basile Ier jusqu’à la prise de Bari par les Normands (867–1071) (Paris 1904), 453–454; F. Chalandon, Histoire de la domination normande en Italie et en Sicile (Paris 1907), 94.

[57] C. Holmes, Basil II and the Governance of Empire (976–1025) (Oxford 2005), 83, shën. 41.

[58] Skilitzes, 425.12.

[59] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 225–228. Shih gjithashtu: L. Melazzo, “The Normans and their Languages”, te: Marjorie Chibnall (red.), Anglo-Norman Studies XV: Proceedings of the Battle Conference 1992 (Woodbridge 1993), 246–247.

[60] William of Apulia, Guillaume de Pouille: La Geste de Robert Guiscard, red. M. Mathieu (Palermo 1961), 126–127.

[61] Shepard, “Uses of the Franks”, 284, shën. 38.

[62] Ducellier, “Les Albanais dans l’empire byzantine”, 36–37.

[63] Vranusi, “Οἱ ὅροι”, 235, 240.

[64] Nga botimi i ri standard, me përkthim spanjisht: Mihal Ataliati, Miguel Ataliates: Historia, red. dhe përkth. nga, I. Pérez Martín (Madrid 2002), 5.5–9: “Τὸ τῆς ἱστορίας χρῆμα πολλοῖς τῶν πάλαι σοφῶν σπουδασθὲν οὐ παρέργως χρήσιμον ἐς τὰ μάλιστα κατεφάνη τῷ βίῳ, τοὺς τῶν ἀρίστων καὶ μὴ τοιούτων βίους ἀνακαλύπτον καὶ πράξεις ἐπιφανεῖς ἐξ ἀνεπιλήπτου βουλῆς καὶ σπουδῆς διαγράφον καὶ ἀδοξίας αὖ πάλιν ἐκ δυσβουλίας ἢ ὀλιγωρίας τῶν προεστώτων τοῖς πράγμασιν”.

[65] Ataliati, vep. cit., 5.12–17: “Ταῦτα τοίνυν διὰ τῆς ἱστορίας ἀπογυμνούμενα, πολλής, ὡς | ἔφαμεν, εἰσενηνοχότα τὴν χρησιμότητα, διδασκαλία σαφὴς χρηματίζοντα καὶ ῥυθμὸς τῶν μετέπειτα, πρὸς μίμησιν ἀτεχνῶς ἔλκοντα τῶν εὖ διακεκριμένων καὶ ἀποτροπὴν τῶν ἀσυμβούλως καὶ δυσκλεῶς πεπραγμένων ἐν πολέμοις καὶ μάχαις καὶ λοιποῖς ἀναγκαιοτάτοις ἐπιχειρήμασι καὶ προβλήμασι”.

[66] Ataliati, vep. cit., 7.1–4: “Ἄρτι τὰ Ῥωμαίων σκῆπτρα διέποντος τοῦ τῆς εὐσεβοῦς λήξεως Βασιλέως Μιχαήλ, ᾧ πατρὶς ἡ τῶν Παφλαγόνων ἐγνωρίζετο ἐπαρχία, κατεπολεμήθη τὸ τῶν Ἀγαρηνῶν φῦλον πρὸς ἐσπέραν ἐν Σικελίᾳ ναυτικαῖς τε καὶ πεζικαῖς Ῥωμαίων | δυνάμεσι”.

[67] Ataliati, vep. cit., 7.4–8: “Καὶ εἰ μὴ διαβληθεὶς περὶ τυραννίδος ὁ τὴν στρατηγίαν τῶν ὅλων ἐμπιστευθεὶς Γεώργιος ἐκεῖνος ὁ Μανιάκης, ἐκ μέσου γέγονε καὶ ἄλλοις ἀνετέθη τὰ τοῦ πολέμου, κἂν ὑπὸ Ῥωμαίοις ἐτέλει νυνὶ νῆσος οὕτω μεγάλη καὶ περιβόητος καὶ πόλεσι περιεζωσμένη μεγίσταις καὶ τῶν ἄλλων χρηστῶν οὐδενὸς ἀποδέουσα”.

[68] Ataliati, vep. cit., 7.8–11: “Νῦν δὲ ὁ φθόνος καὶ τὸν ἄνδρα καὶ τὰς πράξεις καὶ τοσοῦτον κατειργάσατο ἔργον, αἰσχρῶς γὰρ καὶ ἀγεννῶς βουλευσαμένων τῶν ὕστερον στρατηγῶν, σὺν αὐτῇ καὶ τὸ πλεῖστον τοῦ στρατεύματος ἀπολώλει Ῥωμαίοις”. Përkth. ang., History, 13.

[69] Ataliati, op. cit. 7, 11–15: “Οὐ μὴν δὲ ἀλλὰ καὶ οἵ ποτε σύμμαχοι καὶ τῆς ἰσοπολιτείας ἡμῖν συμμετέχοντες, ὡς καὶ αὐτῆς τῆς θρησκείας, Ἀλβανοὶ καὶ Λατῖνοι ὅσοι κατὰ τὴν ἑσπερίαν Ῥώμην τοῖς ἰταλικοῖς πλησιάζουσι μέρεσι, πολέμιοι παραλογώτατοι ἐχρημάτισαν, ἐμπεπαρῳνηκότος εἰς τὸν ἄρχοντα τούτων τοῦ τότε τὴν στρατηγίαν ἰθύνοντος Μιχαὴλ δουκὸς τοῦ Δοκειανοῦ”.

[70] A. Kazhdan, et al. (red.), Oxford Dictionary of Byzantium, II (New York/Oxford 1991), 1187 për latinët; Kazhdan, “Latins and Franks”, 86; Shepard, “Uses of the Franks”, 276–282.

[71] Loud, The Age of Robert Guiscard, 77, ku vërejti se në përgjigje të kërkesës së Mihalit IV për ndihmë në fushatën siciliane, Guaimar “duket se e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të çliruar veten nga shkaktarët e mundshëm të telasheve”, duke dërguar mercenarët e tij normanë te Maniakis. Sa i përket numrit të normanëve të përfshirë në Sicili, shih: von Falkenhausen, Untersuchungen, 72.

[72] Mbi rolin e varangëve të Harald Hardradës (Haraldr Sigurðarson harðráði) në ushtrinë e Maniakisit, shih: S. Blöndal, The Varangians of Byzantium: An Aspect of Byzantine Military History, red. dhe perk. B. Benedikz (Cambridge 1978), 66–71.

[73] Për shembull, shih: Shepard, “Aspects”, 96–97.

[74] Skilitzes Continuatus, 167.7–12.

[75] Anna Komnene, Annae Comnenae Alexias, red. D. R. Reinsch dhe A. Kambylis, I [Corpus fontium historiae Byzantinae 40/1] (Berlin 2001) 20, 228, ku i ka përshkruar si “καὶ τῆς τοῦ Μανιάκου ἐκείνου ἀποσπάδος” (“anëtarët e detashmentit të Maniakëve të famshëm”) në ngjarje që datojnë deri më 1078, dhe “τῶν καλουμένων Μανιακατῶν Λατίνων” (“të ashtuquajturit latinë maniakë”), në ngjarje që datojnë deri më rreth 1090–91. Përkthimi anglisht, The Alexiad of Anna Comnena, përk. E. R. A. Sewter (Harmondsworth 1969) 40 dhe 238. Shih: Glykatzi-Ahrweiler, “Recherches”, 34, n. 10; Shepard, “Uses of the Franks”, 284, n. 38.

[76] Shepard, vep. cit.

[77] Në një enkomium kushtuar Kostandinit IX, të kompozuar ndoshta para vitit 1055, Mihal Pselli, Μεσαιωνικὴ Βιβλιοθήκη. Συλλογὴ ἀνεκδότων μνημείων τῆς Ἐλληνικῆς ‘ιστορίας, ed. K. N. Sathas, V (Venice-Paris 1876) 138, tha: “καὶ τῆς Ρωσικῆς μοίρας οὔκ ἐλάχιστον” (“kontigjenti rus jo më i vogël”) luftoi për Maniakisin kur ra në Ostrovë në 1043. Shih: S. Papaioannou, Michael Psellos: Rhetoric and Authorship in Byzantium (Cambridge 2013), 5. Shih: J. Shepard, “Why did the Russians attack Byzantium in 1043?”, Byzantinische-neugriechische Jahrbücher 22 (1978) 174. Sipas W. Treadgold, A History of the Byzantine State and Society (Stanford 1997), 955, shën. 8, Ushtria e Maniakisit “përfshinte shumë varangë”. Shih gjithashtu: Blöndal, The Varangians of Byzantium, 116–117.

[78] Tsolakes, Skilitzes Continuatus, 76–99, ku arriti në përfundimin se Skilicisi gjithashtu ishte autor i Continuatus. Shih gjithashtu: Holmes, Basil II, 83, n. 41.

[79] Holmes, vep. cit., 130.

[80] M. Bibikov, “Byzantine Sources for the History of Balticum and Scandinavia”, në I. Volt dhe J. Päll (red.), Byzantino-Nordica 2004: Papers presented at the International Symposium of Byzantine Studies held on 7–11 May 2004 in Tartu, Estonia (2005) 13, ku shënon se në shkrimet e Psellit, “varangët identifikoheshin me ‘italianët’, gjë që pasqyronte lidhjen e tyre me normanët e Sicilisë”.

[81] Shih D. Smythe, “Insiders and Outsiders”, në Liz James (ed.), A Companion to Byzantium (Malden, Mass. 2010) 75–77.

[82] Komnene, I, 79: “οἱ δέ γε ἐπὶ τῶν ὤμων τὰ ξίφη κραδαίνοντες πάτριον παράδοσιν καὶ οἷον παρακαταθήκην τινὰ καὶ κλῆρον τὴν εἰς τοὺς αὐτοκράτορας πίστιν καὶ τὴν τῶν σωμάτων αὐτῶν φυλακὴν ἄλλος ἐξ ἄλλου διαδεχόμενοι τὴν πρὸς αὐτὸν πίστιν ἀκράδαντον διατηροῦσι καὶ οὐδὲ ψιλὸν πάντως ἀνέξονται περὶ προδοσίας λόγον”. Përk. angl., Alexiad, 63.

[83] Shepard, “Uses of the Franks”, 280–281; Glykatzi-Ahrweiler, “Recherches”, 34.

[84] Ndoshta në kohën e shkrimit të Skilitzes Continuatus, historia e origjinës së latinoive maniakatoi kishte humbur kryesisht nga bizantinët.

[85] Mihal Pselli, Chronographie, red. E. Renauld, II (Paris 1967) 6, 86.4–5: “τὸ δὲ περὶ ἐκεῖνον στρατόπεδον, μέρη μέν τινα ἐπὶ τὰς οἰκείας πατρίδας ἀπεληλύθεσαν ἀφανῶς, τὸ δὲ πλεῖστον μέρος τοῖς ἡμετέροις προσέθετο”. Përk. angl. Psellos, Fourteen Byzantine Rulers, 197–198. “Armiku” këtu është ushtria perandorake. Deklarata e Psellit se “disa u larguan në vendet e tyre të lindjes”, sugjeron se “shumica” që “dezertuan” ishin ushtarë të rregullt bizantinë që u kthyen në shërbim të perandorit pas vdekjes së Maniakisit.

[86] Hipoteza se maniakatoi-t vepronin jashtë komandës së ushtrisë perandorake është më e preferueshme sesa supozimi se Kostandini IX i lejoi dezertorët e Maniakisit të qëndronin si njësi dhe të mbanin emrin e udhëheqësit të tyre të vrarë, pikërisht gjeneralit që pothuajse e kishte arritur rrëzimin e perandorit.

1 Koment

  1. Si hipotezë pune, interpretimi i propozuar këtu mund të zgjerohet në fusha të reja dhe të papritura të kërkimit shkencor.

    Fakti që latinoi-t maniakatoi rishfaqen në shoqërinë e një prijësi (dux) të Durrësit në ngjarjet që datojnë në vitin 1078 dhe në fillim të viteve 1090, ende duke mbajtur emrin e gjeneralit të madh, lë për t’u kuptuar se ata jo vetëm mbijetuan, por edhe u munduan për ta vendosur veten si një forcë ushtarake të organizuar dhe ua lanë trashëgimi atë identitet pasardhësve të tyre(!!).

    Po besoj se nje fushe tjeter shkencore qe mund te zbardh ndopak kete skenar te propozuar nga autori (cit. ‘ky sfond i mundshëm i shqiptarëve me ish-anëtarë të Gardës Varange, që banonin në tokat e lashta kufitare pranë Durrësit’), eshte Gjenetiken e popullatave, me saktesishte npm studimit/shqyrtimit/’gjurmimit’ te haplogrupeve Y-DNA (kromozomi Y qe trashegohet npm linjes mashkullore) dhe mt-DNA (ADN mitokondriale qe trashegohet npm linjes femerore), pra studimi i haplogrupeve – qe nenkupton evidentimin e historikut dhe dinamikes se perhapjes se ketyre Hg, dhe mbi te gjitha te popujve qe historikisht i bartnin e perconin – mund te perbej nje vegel jashtezakonishte te dobishme per Historiografine, sic e deshmon edhe fakti i perdorimit gjithnje e me shume te kesaj qasje/profili shkencore ne dhjetevjecarin e fundit ne studimet historike dhe jo vetem!

    Pra, hipoteza konsiston: keta latinoi-t me gjase ishin etnikishte Varange (Skandinave), nderkaq qe sic na deftehet nga te dhenat burimore nje pjese e tyre (i.e. pasardhesve te tyre) vazhduan e gjelluan ne brendatoken shqiptare, atehere pritshmeria do te ishte qe te kerkojme e zbulojme ‘gjurmet’ e tyre gjenetike – Hg – ne mynyre qe te mund te vertetojme apo hedhim poshte kete hipoteze.

    Popujt Skandinave bartin ne nje mase te madhe nje Hg te vecante: I1-M253
    https://www.yfull.com/tree/i1/
    (nderkohe qe Normanet ishin etnikishte me heterogjen, pra me nje diversitet me te madh gjenetik!) kerkimi i ketij Hg nder banoret e sotshem e lehteson goxha gjurmimin e pranise se tyre.
    Popujt ballkanike qe bartin me shume kete Hg jane Shqiptaret dhe Serbo-Kroatet, nder shqiptare rreth 6-8% e linjave atërore i takojnë këtij haplogrupi, dhe ne ndryshim nga sllavet e jugut nendeget e I1-M253 nder shqiptare karakterizohen nga nje larmi me e madhe.

    Vecoria me interesante eshte qe TMRCA (time of the most recent common ancestor – koha e paraardhësit të përbashkët më të fundit) e shumices se linjave ballkanike te ketij haplogrupi luhaten rreth 1100/1000 vjet perpara.
    Pra jo 1600/1500 vjet (!) perpara gje qe do te mund te sygjeronte nje ardhje gjate periudhes se ‘Migrimet e popujve’ alias Dyndjeve barbare!!
    https://rrenjet.com/I-M253/

    Me konkretishte nder shqiptare hasen keto nendege (bazuar tek pema boterore e YFull):

    – Kryesishte nga Laberia I-Y97339:
    https://www.yfull.com/tree/I-Y97339/
    – Nga Shqiperia qendrore (Elbasan, Tirane, Durres etj) I-FT61080:
    https://www.yfull.com/tree/I-FT61080/

    dhe I-FT111991:
    https://www.yfull.com/tree/I-FT111991/

    – Me TMRCA me te kufizuar, fiset Kabashi dhe Qerreti nga Puka: I-Y60985
    https://www.yfull.com/tree/I-Y60985/
    – Gjithashtu nga Gjirokastra: I-FT153692
    https://www.yfull.com/tree/I-FT153692/

    Nder Serbo-Kroat verehet dega me me shume anetare te testuar, me TMRCA rreth 900 vjet ybp (year before present): I-FGC33034
    https://www.yfull.com/tree/I-FGC22045/
    Kjo nendege historikishte eshte identifikuar dhe atribuar Vlleheve mesjetare (shek. XIV-XV) Drobnjaci/Drobnjaket qe dikur banonin ne rrethinat e Nikshiqit, Mali i zi veriore/qendrore, TMRCA e perafert me ate te shumices se nendegeve shqiptare deshmon per nje perhapje te njekohshme ~ 1000 ypb !!

    Gjithashtu hasen edhe nendege te tjera interesante me TMRCA te ngjashme, kryesisht te perhapur nder Ballkanas qendrore (Serb & Bullgare) dhe jugore (Maqedonas & Greke):
    I-FGC66540, I-Y86150, I-BY37215

    https://www.yfull.com/tree/I-A480/

    Pra keta jane pasardhes gjenetike Skandinavesh te para 1000 vjeteve, a jane kete Skandinave latinoi-t qe jetonin bashke me albanoi-t !? Duke pare perkimin mbreslenese kohor, kam bindjen se Po!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin