Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

Ç’I KE KËTA FLOKË?

Ishte pranverë e vitit 1991, kur lundra të vogla e të mëdha, të flotës tregtare të Shqipërisë, filluan të shkarkojnë në portet e Puglia-s mijëra e mijëra të ikur nga Shqipëria, burra gra e fëmijë, më shumë burra se gra e fëmijë. Në përpjekje për të rrokur me fjalë pamjet e atyre që dilnin nga deti, gazetarët italianë u fiksuan me flokët e gjatë të burrave, duke i rrëfyer si shenja të një lloj lënieje vetes pas dore, moskujdesi, egërsie prej shpellarësh, ndoshta edhe proteste konfuze. Askush nuk gaboi t’i merrte këta qyqarë për hippies a capelloni a këngëtarë të hard rock-ut. Madje më shumë se flokëgjatë, mysafirët nga Shqipëria u shfaqën si thjesht të paqethur, qenie nuk kishin raport të qytetëruar dhe aq më pak të sofistikuar me flokun.

Në kampin e refugjatëve në Capua afër Napolit, ku ishin strehuar rreth 1000 shqiptarë, shumica burra të rinj beqarë, flokët e gjatë u identifikuan, nga Kryqi i Kuq italian, edhe si problem i higjenës kolektive: mund të bëheshin shkas për përhapjen e morrave. Mu për këtë arsye, një shoqatë kulturore-bamirësie nga Napoli e mori në sy të sillte, me një mijë mundime logjistike, një çetë berberësh nga një shkollë floktarie në metropol. Berberët sollën me vete jo vetëm entuziazëm, por edhe vegla, pajisje dhe vullnet të mirë; autoritetet e kampit vunë në dispozicion hapësirën e nevojshme dhe një numër karrigesh; bujtësit pastaj u lajmëruan me megafon se mund të paraqiteshin për t’u qethur falas.[1]

Por nuk erdhën më shumë se 3-4 vetë. Unë gjendesha aty, për të ndihmuar me kontaktin kulturor; dhe ashtu edhe u përfshiva në spekulimet sociologjike, rreth këtij refuzimi kolektiv prej shqiptarëve. Thelbi i argumentit tim, ishte se mysafirët nga Shqipëria i shihnin flokët e tyre të gjatë si simbol të lirisë, që u ish mohuar nën totalitarizëm dhe që tani besonin se e kishin gjetur. Prandaj ftesën e autoriteteve italiane, për t’u qethur, po e përjetonin si kthim në koercionin e dikurshëm dhe në disiplinimin e së përditshmes. Njëlloj do të kish qenë sikur t’i kishin ftuar të lidheshin me pranga ose të këndonin “Internacionalen”.

Historinë djemve që rrisnin flokët, në Shqipëri, e kanë rrëfyer dhe shkruar shpesh. Në fillim, synimi ishte për të ndjekur modën dhe për t’iu konformuar frymës së 1968-ës, së paku në sipërfaqe. Kjo edhe ngaqë floku i prerë shkurt po shihej si dorëzim ndaj frymës së kazermës, si nënshtrim ndaj autoritetit, si një lloj rekrutimi nga institucionet e forcës. Të qethur shkurt ishin ushtarët dhe oficerët dhe të burgosurit dhe të sëmurët e shtatëmbëdhjetës, por edhe sekretarët e Rinisë, leifenët, hajvanët gjithfarësh dhe karrieristët; ose të gjithë që e përshëndesnin ritualin – për ca të tjerë aq “poshtërues” – të qethjes. Në fillim të viteve 1970 djemtë në qytete nuk qetheshin me dëshirë a me iniciativë, por vetëm kur i urdhëronin.

Pastaj foli për këtë punë Enveri dhe ia vuri vulën: floku i gjatë ishte shenjë e gjunjëzimit para armikut, simptomë e infektimit potencialisht fatal nga ideologjia borgjeze-revizioniste, shfaqje e huaj par excellence.[2] Ekipe të ndërhyrjes së shpejtë, sturm und drang të kontrollit punëtor, godisnin pa paralajmërim në klasat e shkollave të mesme dhe në auditorët e universiteteve, për t’u matur çunave flokët prapa veshit (disa prej fytyrave të ndyta që na vinin atëherë për kontroll, janë ende në qarkullim: më dalin në kopertina librash dhe në ekrane, may God bless them). Mbaheshin statistika, dërgoheshin raporte, merreshin masa ndëshkimore. Ndaheshin të gënjyerit nga subversivët. Filloi të përdorej shpesh mbiemri i paqethur, që nënkuptonte se të qenët i qethur ishte gjendja default e njeriut të ri; dhe se qethja ishte pjesë e rëndësishme e edukimit komunist.

Sa i neveritur, aq edhe i tmerruar nga instrumentet prerëse të regjimit, brezi im do ta bojkotonte berberhanen. Ngaqë nuk i linim dot flokët të gjatë, vendosëm të protestonim duke refuzuar të uleshim në karrigen me sfungjer të rrjepur, para pasqyrës ku na zbulohej dora-dorës shëmtia e nënshtrimit; dhe të qethnim njëri-tjetrin. Fotografitë e të rinjve shqiptarë, nga vitet 1980, shërbejnë si dëshmi stilesh të çuditshme, agresive, asimetrike, fraktale, të cilat vinin si kompromis mes flokut të gjatë dhe nevojës për të kënaqur “normat” ideologjike të gjatësisë, në zona të caktuara të skalpit. Për shumë nga ne, regjimi do të merrte trajtat e një berberi të përbindshëm, të armatosur me makinë elektrike, gërshërë dhe brisk, instrumente të torturës të sanksionuara nga shteti.

Kjo është edhe historia që mikpritësit italianë në Capua nuk e dinin. Edhe në Italinë e fundviteve 1960 flokët e gjatë të djemve nuk e kishin pasur të lehtë – por pastaj transgresorët ishin reduktuar, si problem, në nivelin e aknes dhe të duhanit; nga ana tjetër, në fillim të viteve 1990, kur capelloni-t nga Shqipëria erdhën që ta ushtronin lirinë e zgjatjes së flokëve në brigjet përbri, gjetën një shoqëri ku moda e flokëve ecte në kah të kundërt.

Për administratën e kampit të refugjatëve në Capua, bujtësit nga Shqipëria duheshin qethur, për hir të higjienës dhe të dukjes. Për refugjatët vetë, ftesa për t’u qethur ishte kthim në makthin totalitar, kur regjimi ta hiqte deri edhe kontrollin ndaj pamjes vetjake. Në rrethanat e një kampi, ku shumëçka kontrollohej dhe disiplinohej në imtësi, gërshëra e berberit do të ishte si ajo fija e kashtës, që ia theu kurrizin devesë – fundi i ëndrrës për liri. Autoritetet italiane u kishin siguruar të ardhurve strehim dhe siguri, ushqim dhe veshje, shërbime sanitare dhe mjekësore, deri edhe farmacistin dhe dentistin; por shqiptarët e kishin kapërcyer detin jo për të ngrënë peshkun e fërguar dhe bizelet e mensës, as për të provuar shijen taktile të letrës higjienike kapitaliste, por për të fituar lirinë.

Eksperimenti mirëdashës, me sjelljen e berberëve në Capua përgjithësisht dështoi: shqiptarët nuk u qethën. Megjithatë, kur të ardhurit nxorën nga autobusi një kuti të madhe me paketa të vogla një-përdorimshe shampoje kundër morrit, të njëjtët refugjatë që deri atëherë ishin fshehur në çadrat, erdhën e u shfaqën mizërisht (por jo mizorisht), për të sulmuar zonën ku po shpërndaheshin shampot dhe për t’i zhdukur këto brenda 2-3 minutash. Italianët e interpretuan këtë si provë se në kamp ishte shfaqur morri. Por e vërteta ishte ndryshe: nuk kish refugjat, në Capua, që të mos kish filluar ndërkohë të bënte gati diçka, një pako ose çantë, me “gjëra” për t’ua çuar të vetëve në atdhe. Paketat me shampo kundër morrit vinin të bukura kështu nga jashtë, dhe do të vlenin si dhuratë e vogël, për ndonjë të afërm jo shumë të afërm përtej Adriatikut.

Përndryshe, disiplina e pashmangshme e të jetuarit në një kamp u evokonte të ardhurve përjetime që do të kishin dashur t’i harronin: shërbimin ushtarak dhe zborin, për disa ndoshta edhe punën e detyruar dhe burgun në mos spitalin; ose praktikën e të jetuarit në grup, por larg shtëpisë. Paçka se shumë prej tyre i kishin hyrë aventurës së ikjes në emër të lirisë, ose thjesht për të dalë nga shtrunga ku i kish mbajtur mbyllur regjimi i djeshëm. Kur të mohojnë deri edhe të drejtat më elementare, ose ato që mbase edhe nuk e dije që mund të t’i mohonin, formula e lirisë vjen e thjeshtohet shumë, për të marrë trajtat e ikjes.

Po t’i pyesje refugjatët atëherë, në Capua dhe gjetiu, të thoshin se kishin ardhur në Itali “për të gjetur punë”, edhe pse pas kësaj përgjigjeje fshihej, në fakt, dëshira për të krijuar një jetë larg tmerrit të Shqipërisë, ku shteti mikro-menaxhonte çdo aspekt të së përditshmes. Që ky shtet dikur i plotfuqishëm tanimë nuk ekzistonte më, përveçse në trajta mbeturinash, kjo e bënte edhe më ironike situatën e të ikurve – të cilët ishin arratisur nga një burg që mbase nuk ekzistonte më. Prandaj edhe e kishin të vështirë, në mos të pamundur, të kuptonin se kufirin tani nuk i linte ta kalonin Europa, jo kufitarët e Enverit. Në prill të vitit 1991 Italia ua hapi dyert; në gusht të po atij viti, i mbylli në stadiume dhe pastaj i ktheu andej nga kishin ardhur, me mashtrim. E megjithatë, historia e viteve 1990 mund edhe të përfytyrohet si kronikë e një hemorragjie të pandalshme, të shqiptarëve të tepërt, drejt Greqisë dhe Italisë.

Flokët e gjatë mund të kenë qenë vetëm një detaj aksidental i kësaj drame; efekt i një keqkuptimi të lirisë, ose i dëshirës për të gjetur veten. Por rritja e flokëve gjithnjë shprehte një rebelim të heshtur ndaj dhunës – e cila, njëlloj si në rastin e fundeve të gjata, pantallonave “kauboj” dhe fustaneve me “flutra”, mishërohej në trajtën e gërshërës. I njëjti regjim që pëlliste nga mëngjesi në darkë për “plumbat që do t’ia derdhnim armikut në gojë”, e torturonte brezin e ri me armë të ftohta, instrumente prerëse, shkurtuese, copëtuese. Shkalla zero e kësaj ndërhyrjeje ishte qethja tullë që u bënin djemve, kur i thërrisnin për ushtarë; simbol i trishtuar i kastrimit. Ironikisht, kur ndonjë rebel nuk mbante më dhe shkonte dhe qethej tullë me dëshirën e vet, ky do të shihej si gjest armiqësor gjithashtu. Tek e fundit, individi nuk mund të ushtronte kontroll ndaj mënyrës si i mbante flokët ose pantallonat ose fustanin; dhe adoptimi i normës nuk ishte veçse deklaratë nënshtrimi, e barasvlershme me pranimin e fajit nga një i pandehur.[3]

Tek e fundit, zemërimi i Hoxhës me flokët e gjatë dhe fundet e shkurtra të rinisë shërbeu më shumë si pretekst, për të instauruar, në shkallë të gjerë (totale) një sistem të kontrollit të brezit të ri, që në rrjedhë të kohës do ta trajnonte të riun me nevojën absolute për t’iu përmbajtur dhe nënshtruar një norme arbitrare të sjelljes së përditshme; ose me ritualin e nënshtrimit. Kësisoj, konformimi me masën e një gjatësie të caktuar flokësh ose fundesh, ose gjerësie të caktuar pantallonash, do të funksiononte si ritual i nënshtrimit, i rënies në gjunjë dhe i pranimit të autoritetit të Tjetrit ndaj teje. Mbase mu për këtë arsye, ndalime dhe disiplinime relativisht minore, si këto të flokëve dhe të veshjeve dhe të shijeve erdhën e u shndërruan në shenja të lirisë së munguar dhe, për pasojë, reklamimi i praktikave dikur aq arbitrarisht të ndaluara do të ndërmjetësonte, me rënien e regjimit totalitar, rivendikimin e lirisë nga viktimat.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këtë histori e kemi rrëfyer, me R. Devolen, te libri La Scoperta dell’Albania, Edizioni Paoline 1996; dhe pastaj në një numër të posaçëm të revistës “Përpjekja” 26-27 të përgatitur nga Eda Derhemi, ku është botuar i përkthyer në shqip edhe një kapitull i gjatë i librit të lartcituar. Hollësi do të gjenden edhe te ky shkrim i hershëm imi (Fidanishtet e dhunës).

[2] Njëlloj edhe për favoritet, të cilat disave ua matnin me vizore. Koercioni mori formën e centimetrave; dhe kjo jo vetëm për flokët e djemve, por edhe për fundet e vajzave. Në krye u duk sikur Partia e kish kapur me minifundet, në një fushatë për të mos i lënë vajzat të tregonin këmbët dhe ashtu të tundonin njeriun e ri socialist. Por pastaj e njëjta egërsi u tregua me fundet dhe fustanet e gjata, të cilat pulpat i mbulonin krejt; çfarë edhe dëshmoi se regjimi kish në mendje një normë abstrakte, të çfarëdoshme, dhe dënonte thjesht shmangiet prej saj, dëshirën për individualizim, për shprehje të vetes.

[3] Për performativin në marrëdhëniet e qytetarit me pushtetin nën totalitarizëm kam shkruar gjatë te Gjuha e thyer, gjuha që thyen (Çabej 2019).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin