Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shah

HIPNOZA NË SHAH

Më pat ardhur dikur një ide për një roman – edhe pse isha i sigurt se nuk do ta shkruaja dot. Por ideja ishte kjo: një tip nga provinca, në Shqipërinë e viteve 1970, studenti i zooteknikës Beqir Gashi frekuentonte klubin e shahut në Tiranë, me cilësinë e një amatori paranojak, të zellshëm por kokëgdhe. Vetëm se, pas një rrëzimi me biçikletë te kthesa e Kamzës, filloi t’i ndodhte një gjë e çuditshme: i fitonte të gjitha lojërat që luante, madje edhe me shahistë që dikur e hanin të gjallë, për më pak se 30 lëvizje. U regjistrua me klubin “Studenti” dhe, brenda dy vjetësh, fitoi të drejtën për të konkurruar në kampionatin kombëtar. Lojërat i fitonte vërtet, por pa shkëlqyer: ishin kundërshtarët që binin në gabime të pashpjegueshme, gafa, svisto siç i quanin në zhargonin e brendshëm të klubit; por gafa a jo-gafa, fitoret i vinin radhazi dhe ashtu edhe e rrëmbeu titullin e kampionit, me 15 fitore në 15 ndeshje, të gjitha si rezultat i gabimeve pak a shumë trashanike të kundërshtarëve. Thoshin se, thjesht me praninë e tij fizike hipnotizonte, ata që luanin me të rrëfenin se u shpifej një si lloj mjegulle në tru, se nuk mbanin mend mirë se çfarë i kish shtyrë, që të bënin këtë apo atë lëvizje fatale. Këtij tipit, që ishte edhe pak kastravec nga natyra, iu mbush mendja se ishte talent i madh, siç edhe ia konfirmonin rezultatet; pa çka se loja e tij mbetej pa shije. Si fitoi titullin kampion, e përfshinë në ekipin që do të përfaqësonte Shqipërinë në olimpiadën e Poznanit; atje luajti në tavolinën e katërt, por i fitoi të gjitha ndeshjet – pa çka se Shqipëria vetë u skualifikua, ngaqë refuzoi të ndeshej me Izraelin. Patën shkruar edhe mediat shahistike, për “fenomenin nga Shqipëria”; dhe Beqirit filluan t’i mbërrijnë ftesa për turné ndërkombëtare. Mirëpo ishte praktikisht e pamundur për të që të regjistrohej në këto turné, sa kohë që atje merrnin pjesë edhe shahistë nga Bashkimi Sovjetik – me të cilët shahistët nga Shqipëria nuk luanin. Ndërkohë, Beqiri vazhdonte të bënte kërdinë në atdhe, aq sa të fitonte përbuzjen kolektive të të gjithë shahistëve të mëdhenj kombëtarë – të cilët nuk shihnin te loja e tij veçse një pasqyrë të dështimeve të tyre katastrofike. Këtë përbuzje vetëm sa do ta shtonte dinakëria me të cilën yni, për të mos e tepruar, filloi të lejonte herë pas here ndonjë barazim, ose të bënte edhe ai vetë – qëllimisht – gabime trashanike në lojë, në shenjë solidariteti me dobësinë e kundërshtarëve. Me sa duket, armiqësia e heshtur e kolegëve bëri të vetën, në bashkëpunim me ambicien e Beqirit dhe pakënaqësinë e tij ndaj shtetit; kampioni ynë, në olimpiadën tjetër të shahut, këtë herë në Mexico City, e mori në sy të arratisej dhe të kërkonte strehim politik në Zvicër. Ashtu shpresonte se do të merrte më në fund pjesë në çdo turné shahu që dëshironte dhe, duke i fituar të gjitha ndeshjet, do të shpallej një ditë kampion bote. Për shkak të reputacionit sensacional dhe të legjendës që ia rrethonte figurën, Beqirin e ftuan – jashtë rregullave – të merrte pjesë si jolly në turneun e kandidatëve, që do të nxirrte sfidantin e titullit botëror, turné i cili do të mbahej në Palma de Mallorca; edhe pse pa përvojë betejash në këto nivele, shqiptari enigmatik, tashmë apolid dhe me ngjyrat e FIDE-s në flamur, u shndërrua në qendrën e vëmendjes së turneut. Në intervistat paraprake, Beqiri nuk e fshehu synimin për të sfiduar kampionin e atëhershëm në fuqi, kubanezin Juan Evan Guzman Gutierrez. Mirëpo, që në ditën e parë të turneut, ia behu katastrofa: humbi keqazi, me një lojë krejtësisht të shpëlarë dhe të krimbur në gabime, ndaj një kundërshtari jo nga më të rrezikshmit. Askush nuk e priste këtë humbje, aq më pak yni, që nuk kish humbur ndonjëherë në jetën e vet – por sërish gazetat nuk shkruan veçse për dramën e tij. Të nesërmen, kampioni nga Shqipëria tani apolid, humbi sërish me turp, duke u kapur mat për pak lëvizje nga filipinasi paralitik Bu So. Sponsori i tij, Garry Harry, një biznesmen amerikan antikomunist i regjur me origjinë nga Shqipëria e madhe, doli me deklaratën bombë se lojën e kampionit dikur shqiptar po e sabotonte tani Sigurimi i Shtetit, me ndonjë mënyrë të fshehtë por tejet efikase (njëlloj ishin ankuar, në vitin 1972, edhe sovjetikët; se CIA po përdorte një teknologji sekrete ndoshta elektromagnetike për ta shkatërruar në distancë kampionin Spassky, në përballjen me sfidantin Fischer; për rolin e supozuar të teknikave paranormale në shahun e niveleve më të larta, lexoni këtu). Të tjerë thoshin se, dy ditë para se të niste turneu, ish rrëzuar sërish me biçikletë, kur kish dalë për një xhiro në Parc de Ses Estacions. Seria e humbjeve të tij të shpejta dhe krejt zbythëse tashmë nuk ndalej më: dhe pas dhjetë të tillave, Beqiri u tërhoq nga turneu “për arsye shëndetësore”. Ky do të ishte edhe akti përmbyllës i dramës së tij shahistike larg Shqipërisë – nuk do të luante më dhe do t’i ngryste ditët si kujdestar i një kopshti të vogël zoologjik në Saratoga të Florida-s. Për ndonjë arsye që nuk u kuptua kurrë, pas arratisjes nga atdheu, e kish humbur virtytin parapsikologjik për t’i turbulluar kundërshtarët e vet; edhe pse roli i Sigurimit në këtë mes nuk u provua ndonjëherë. Kjo ishte edhe ideja për romanin, që edhe ai nuk u shkrua kurrë.

M’u kujtua ky roman imagjinar, tani që po ndjek matçin për titullin botëror të shahut, mes kampionit të botës Magnus Carlsen, dhe sfidantit Ian Nepomniachtchi nga Rusia, që zhvillohet këto ditë në Dubai. Pas një serie barazimesh, erdhi ndeshja e gjashtë, një maratonë sfilitëse prej 136 lëvizjesh, ku Nepomniachtchi e mori në sy të rrezikojë, duke dhënë dy torre për mbretëreshën e kundërshtarit, por pa arritur ta thyejë rezistencën e norvegjezit. Carlsen-i fitoi, pas një finaleje ku në fushë u panë pozicione emblematike si ky më poshtë në lëvizjen 118 (Carlsen luante me gurët e bardhë):

E vetme, dama e Nepomniachtchi-t nuk e përballoi dot sulmin e koordinuar të torres, kalit, dy ushtarëve dhe mbretit të bardhë; dhe pas pak lëvizjesh i ziu u dorëzua në këtë pozicion:

 

Lojën mund ta ndiqni të analizuar këtu.

Kjo lojë sfilitëse do të shënjonte edhe fillimin e rrokullisjes së pandalshme të rusit, i cili erdhi e humbi pastaj dy nga tre lojërat që pasuan, me një varg pasaktësish, gabimesh dhe vendimesh të pakuptueshme, që treguan se Carlsen-i e kish shkatërruar psikologjikisht, duke e reduktuar në nivelin e një lojtari klubi (në lojën e sotme, të 9-tën, rusi ia dhuroi kundërshtarit një figurë); çfarë edhe më solli mua në mendje efektin që kish te kundërshtarët Beqiri i romanit tim të pashkruar – efekt që e nxori në dritë, sa kohë që ky operonte nga trualli i atdheut dhe me flamurin kombëtar, por që e braktisi pas arratisjes. Në fakt, Carlsen-i deri më tash, këtë matç, është shquar për nerva të hekurta, lojë precize dhe aftësi për të akumuluar epërsi me hapa të vogla, duke e asfiksuar tjetrin me teknikën e një gjarpri konstriktor; nuk ka asgjë spektakulare në fitoret e tij, por vetëm saktësi prej sahati atomik dhe shfrytëzim cinik i gabimeve të tjetrit. Softuerët e shahut, që analizojnë optimalitetin e lëvizjeve, janë jashtëzakonisht të kënaqur me vendimet e kampionit të botës.

Tani që mbeten edhe 5 lojëra deri në fund të match-it, Carlsen-i kryeson me rezultatin 3:0 dhe nuk ka ndërmend të arratiset gjëkundi.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin