Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NJË DITË E SHKËLQYER PËR TË ECUR

tregim nga Ajkuna Dakli

Tek lapidari më zuri gjumi. Do kisha fjetur mbase, gjithë natën aty, sikur burri të mos më kishte vënë re, të kishte ndalur skodën e madhe ngarkuar me trarë dhe të afrohej për të parë ç’po ndodhte. Kishte mbase disa minuta që më shkundte për supi kur hapa sytë.

– A je mirë or çun?

– Po po. Më paska zënë gjumi

– A po prisje për makinë a? Po për ku kshtu?

– Tiranë.

– Hajde – tha burri dhe bëri shenjë nga skoda e parkuar në anë të rrugës.

……………………………..

Ishte herët kur u nisa. Nga lindja, mbi majën e malit, sapo kishte filluar të shquhej një thua qielli ngjyrë trëndafili . Një rreze e brishtë drite përvidhej nga maja , kapërcente pllajën dhe përplasej mbi shpatin e malit përballë . Nën atë mjegull grimcash të ndritshme, shtrihej qyteza, e përgjumur dhe e varfër. Nëpër rrugë dhe sheshin e vetëm nuk të zinte syri gjallesë tjetër, veç dy qenve rrugaçë që, si dy luanë që ruajnë mbretërinë e hiçit flinin në të dy anët e portës së komitetit të partisë,

Një orë më vonë, rrugët do fillonin të gjallëroheshin disi nga minatorët që niseshin për turnin e parë, të ngjashëm me njëri tjetrin, thatimë, fytyrë eshkë duke folur në dialekt mes rrathëve të tymit të cigares që treteshin në ajrin e kaltër. Në atë kohë mund të gjeja një makinë për të zbritur deri në Tiranë, ose të paktën deri diku pranë pyjeve, nga ku mund të merrja një nga skodat e ngarkuara me trarë. Po unë vendosa të mos prisja. Më hanin këmbët.

Nuk kisha shumë kohë, një ditë leje dhe do kthehesha prapë . Dy ditë rrugë për një ditë liri. Është mirë se pa hiç do thoshte Ardi :

– Ja pra ku erdhëm të ndërtojmë socializmin në këtë skutë të lavdishme të perandorisë. –Ardi ishte mbështetur në parvazin e dritares me pamje nga sheshi para godinës trekatëshe të inxhinierëve nga ku shkundte herë pas here cigaren. – Drejt e nga furra, të ngrohtë dhe entuziastë.

– Ose pa zgjedhje tjetër.

– Ose pa zgjedhje tjetër, po kjo është në thelb e njëjta gjë.

– Mund të ishte me keq

– Më keq se kaq? – Ai shkundi prapë cigaren – E drejtë plak! Teorikisht e keqja nuk ka fund. Mund të kishim mbetur pa shkollë, të ishim minatorë, ose mund edhe të na kishte shpëtuar ndonjë llaf dhe të ishim nga ata minatorët e llojit tjetër me pranga.

– Le ta marrim çik me optimizëm – thashë – Përvojë nja dy tre vjet dhe pastaj ku i dihet.

– Do na bëhet syri bakër për goca plak! Në Tiranë kullosnim të paktën sytë.

Qesha. Solla në mëndje rrugën e Liceut, trungjet e errët të pemëve, gjethet që në këtë kohë fillonin të zverdheshin duke i dhënë ngadalë gjithë rrugës dhe trotuareve një pamje të ngrohtë në fillim të artë dhe më pas të verdhë në kafe, diellin që fillonte ta humbiste pak nga pak shkëlqimin e fortë të verës, ndriçimin e butë të tetorit që të bënte ta harroje dimrin që po vinte, rrugët, trotuarët dhe flokët e saj të gjatë.

– E plak, plak! Aty të rri mendja.

– Nuk thashë gjë.

– As unë nuk thashë gjë. Po vështirë të të presë sa të ikësh që këtej o plak.

Ardi ishte kthyer nga unë dhe po më shihte me vëmendje. Shkova drejt dritares dhe mbylla kanatin e hapur. Po bëhej ftohtë. Malet e rrethonin qytezën si një darë madhështore pa lënë asnjë shteg për të dale. Në veri perëndim mbi faqen e malit përballë, miniera dhe fabrika e pasurimit që zhyteshin në muzg, kishin marrë një pamje pothuaj surreale.

Duhet të kisha ecur me shumë se tre orë, kur pashë poshtë në rrugë makinën e madhe që kalonte. Për të shmangur kthesat e forta të rrugës, kisha marrë shkurt nga shpati i pjerrët. Terreni ishte i zhveshur me gurë të mëdhenj të bardhë, mbuluar aty këtu me bar të gjelbër. Faqja e malit mbi rrugë që ngrihej njëlloj, me gurë të mëdhenj të bardhemë në gri shpërndarë mbi tokën e ngjyrë kafe me shkurre të rralla të gjelbra dukej si lëkura e një kafshe të stërmadhe të përgjumur. Mund ta kisha arritur, mbase, makinën, që ecte ngadalë e duke bërë kujdes nga humnerat në njërën anë të rrugës, po nuk nxitova. Do gjeja me siguri ndonjë makinë tjetër poshtë në luginë.

Qëkur isha nisur, përveç dy barinjve që ruanin delet e kooperativës, nuk kisha ndeshur asnjë frymë tjetër të gjallë. Burrat, kishin qenë denbabaden barinj këtyre anëve. Deri para pak vitesh kur bagëtia u tufëzua, u hap miniera dhe ata u shndërruan në minatorë.

Në shpat, poshtë xhadesë shquheshin shtëpitë e para të një fshati. Ishte një fshat me një emër të çuditshëm, një grusht çatish të shpërndara në faqe të malit që mbulonin shtëpi ndërtuar me gurë, herë mes pemëve e herë cullak në faqe të malit, një shesh i vogël, godina e shkollës dhe ambulanca. Në dimër fshati pothuaj humbiste nën peshën e dëborës. Në verë, mes maleve që e rrethonin, të huaja dhe mospërfillëse, dukej pak më i gjallë po gjithaq i vogël dhe i drobitur.

Vendosa të mos ndalesha, piva ujë në burimin që dilte nga shkëmbi, nxitova hapin dhe u përpoqa të mos mendoja për Ardin.

Ishte e pamundur.

– Duket si Zvicër – thashë më shumë me vete duke vështruar pamjen e pazakontë që shtrihej para nesh.

Ishim ngjitur në majë të malit dhe qemë ulur të dy mbi një shkëmb.

– Zvicra nuk ka si të jetë kaq e bukur plako. – Mbi fytyrën e Ardit rrotulloheshin herë pas here spirale tymi që shpërbëheshin në ajër.

– Është vend kapitalist. Njerëzit vuajnë në Zvicër. Ne jemi të gjithë të lumtur këtej. Na shpëto o Zot nga lumturia!. Duhet ndezur një qiri në tyrbe – tha pastaj duke qeshur – Kushedi!

– E ke idenë me saktësi ku është ?

– Ah, atë! Jo, e kanë fshirë nga faqja e dheut. Tani mileti beson tjetër Zot . Ky popull do zot. Dikë që ta bëjë zap! Ta dënojë kur ngre kokën. Kishat nuk na duhen, plako! Kemi terren të favorshëm për burgje. I ke parë ata qyqaret nga ana tjetër e malit? Janë të gjithë me shkollë thonë. Dinin më shumë seç duhej.

 Hodha sytë përtej majës duke u munduar të marr me mend ku ishte saktësisht ndërtesa ku mbanin të burgosurit politikë. Kishte disa të tilla rrotull, fortesa të zymta ku vuanin MonteKristot tanë, një pas malit, një tjetër pak më tutje në perëndim, një tjetër diku më poshtë në jug. Të gjitha mes malesh, rrethuar me tela me gjemba,

Po burgu nuk dukej që aty. Shpina të kërrusura shkëmbinjsh mbështetur në një harmoni pothuaj të përkryer pas njëri, tjetrit, krijonin valë të gjelbra deri ku të hante syri. Qielli ishte blu i thellë, dhe dielli i fortë i bënte trajtat e rrumbullakëta akoma më të përkryera, si të vizatuara me penel. Dritëhijet përhapeshin në një mënyrë të njëtrajtshme dhe e gjithë pamja të jepte idenë e lëvizjes. Dukej se valët e maleve lëviznin së brendshmi dhe, pasi përkundeshin me njëra tjetrën, përplaseshin dhe kreshpëroheshin papritur në majat që ngriheshin aty-këtu si shkumë, të bardha në gri.

– Mirëdita

Isha ndalur në shtëpinë e parë që më zunë në të hyrë të fshatit, jo shumë larg xhadesë. Shtëpia ishte njëkatëshe, e ndërtuar me gurë, e palyer me gëlqere. Pak më tutje në oborr ngrihej një tjetër ndërtesë njëkatëshe pa dritare, e boshatisur, që duhet të kishte qenë stallë. Gardhi i ulët dukej si i lënë përgjysmë kushedi pse.

– Mirëdita mor bir,

Ulur mbi një gur të madh te pragu i shtëpisë, me kokën mënjanë dhe dorën strehë mbi ballë, një plakë e rrëgjuar veshur me të zeza dhe kokën e thinjur mbështjellë me napë, po më shihte nga poshtë lart.

– Nga je?

– Nga Tirana

– Punon këtej a?

– Po, në qytezë

– Nga qyteza ke ardhë?

– Po

– Me makinë?

– Në këmbë.

– Po qenke lodhë o bir. Asht pesë orë rrugë. Hajde ulu – ajo tregoi me dorë vendin pranë saj – ulu shplodhu.

U ula. Ndjehesha i lodhur

– A don nji gotë dhallë?

– Nuk them dot jo – thashë.

– Oj Hume! A po na bjen nji gotë dhallë!

Një grua në të gjashtëdhjetat, me një futë mbi rroba dhe kokën mbështjellë me shami, doli nga shtëpia duke mbajtur në dorë një tepsi. Pasi përshëndeti, u përkul drejt meje dhe më zgjati tepsinë . Një copë bukë misri, djathë, dy domate dhe një gotë dhallë

E falenderova, vura tepsinë mbi prehër dhe nisa të haja. Plaka më shihte me vëmendje. Nga lëkura e zhubrosur e fytyrës dhe thinjat e rralla që i dilnin nga shamia, dukej të ishte shumë e thyer në moshë.

– Jam njiqind vjeç – tha plaka – Kam le shumë kohë përpara.

– Është 80 – tha gruaja që rrinte në këmbë duke pritur të mbaroja punë me tepsinë.

– Kisha nji djalë e ma xuni miniera. O e zeza unë mortja që s’më ha!

– Mos oj nanë! – gruaja psherëtiu.

– E banë hero. – tha plaka – Po mue në shtëpi nuk më duhen medaljet. Mue më ka hy vetëm morti. Kjo minierë na ka xanë përposh kushdi sa burra. Ata që janë atje nalt duhet ta ndalojnë minierën të xejë përposh burrat. Medaljet nuk kanë çna duhen ma! Medaljet t’i mbajnë për vete.

– Po jo oj nanë! – gruaja kafshoi buzët duke parë me dyshim e frikë nga unë.

– Skam frikë me fol. – tha plaka – nuk kanë má çfarë me më ba. Vdekja kapak florini.

Gëlltita me ngut gllënjkat e fundit të dhallës, i zgjata gotën gruas, dhe u çova. Përshëndeta dhe nxitova hapat. Plaka qante të birin nëpër dhëmbë me ca fjalë që mezi kuptoheshin në një psherëtimë të gjatë. Në të dalë të rrugicës, ktheva edhe njëherë kokën dhe pashë sytë e saj që më ndiqnin me ngulm, pastaj mora rrugën automobilistike duke hapur sytë me shpresë mos kalonte ndonjë makinë po rruga gjarpëronte para meje e zbrazët dhe e nxehtë.

– Që këtej duhet ikur një orë e më parë – Ardi rrëkëlleu me fund gotën e vogël.

Nuk fola. Kishim një copë herë që pinim të heshtur në klub po fytyrat e nxira të minatorëve të vdekur, të nxjerrë nga miniera, nuk më hiqeshin sysh. Ishte shembur një nga galeritë. Tetë burra kishin vdekur ngadalë të asfiksuar nën tokë.

– Kjo punë pritej – thashë – çudi si mbajti kaq gjatë.

– Pritej dhe askush nuk bëri asgjë. Tani do ti shpallin heronj! – tha Ardi nëpër dhëmbë pastaj shtoi

– Duhet ikur e kupton? Nuk mund të rrimë më në këtë vrimë të vdesim si minj nëpër tunele.

– Ku do ikësh?

– Nuk e di, në këmbë, të kapërcejmë ……

– Shëët! – Ardi e kishte ngritur zërin dhe nga tavolina fqinjë po na shihnin .

– Nuk durohet më kështu o burrë!

– Mund të hash ndonjë kokërr plumbi. Dhe të të bëjnë sallatë për eksperiment në morg.

– Më mirë plumb se në burg gjithë jetën!

– Po ata të tutë? E di ku i çojnë pastaj? Dhe nuk të bëjnë as hero – u përpoqa ti jap një ngjyrë të zbehtë humori po ai nuk qeshi.

– Këtyre u duhet vënë dinamiti – tha me zë të ulët.

– Mbase po u vjen rradha – thashë me pëshpërimë – Nuk do mund ta mbajnë edhe shumë kohë besoj.

Ktheva kokën dhe pashë burrin nga tavolina fqinjë që vazhdonte të na shihte me vëmendje.

– Çohemi – thashë. – E vazhdojmë të pirën në dhomë.

Jashtë kishte rënë nata dhe pamja e qytetit të mbuluar me borë dukej e patrazuar. Flokët e borës binin qetësisht derisa treteshin në fytyrat e përzishme të njerëzve të paktë që mbushnin rrugët. Ishte një zi e ftohtë dhe e padukshme që peshonte më rëndë se një zi e shpallur.

Mesdita kishte kaluar prej orësh. Rruga kishte marrë trajta më të buta dhe kthesat qenë më të rrallla. Terreni i zhveshur kishte mbetur pas, dhe malet rrotull qenë veshur me pyje, të gjitha në një ngjyrë të qetë, të gjelbër të thellë. Pas kthesave, shfaqeshin befas lugina të gjelbra në ngjyrë të celur nga bari, dhe aty këtu shtëpi të vogla fshati.

U shkëputa nga rruga automobilistike dhe mora luginën e një përroi të vogël, që reflektonte në hijen e pasdites ngjyrën blu të qiellit, si një copëz deti e sjellë kushedi pse deri aty. Mendova për detin, pastaj mendova krahët e saj të nxirë dhe zërin e qetë të ulët si pëshpërimë duke më thënë se i vinte keq po kishte plane të tjera për të ardhmen. Ishte një kumt që kisha pritur. E kush, mendova, nuk ka tani, plane të tjera për të ardhmen! Tani që e ardhmja i ka hapur velat e grisura si anije e vjetër, ku njerëzia kacavirren si në arkën e Noes pa e ditur nëse gjërat do shkojnë mbroth. Duke shtrënguar ndër dhëmbë vetëm shpresën.

Ardi kishte ikur gjithashtu, pa më thënë , rrëmbimthi, përfshirë në vorbullën e asaj ikjeje të përgjithshme, mbërthyer pas direkut të një anijeje edhe ai.

U ndjeva vetëm. Në anë të luginës, malet e zhytura në hije, krijonin një tunel të errët, nga ku faqja e ndritshme e malit përballë dukej si shpëtim. Një popull i shtyrë në një ujdhesë midis Skyllës dhe Karibdës, mendova, tek ndiqte një dritëz të brishtë fari .

– Po si je o plak! Më paska marrë malli – Ardi dukej i hequr dhe lëkura e fytyrës i kishte marrë ngjyrën e dikujt që kalon orë të tëra në një diell të fortë. Ishim ulur të dy në bordurën pranë Taivanit dhe po shihnim rrugën. Ishte hera e parë që shiheshim që prej një viti kur ishte kacavjerrë litarëve.

– Sa mirë që qëllove në Tiranë – tha duke ndezur cigaren. – Do rri shumë pak . Si duket maja e malit?

– Njëlloj – thashë – Nuk ka lëvizur. – Ti si dukesh? Mirë atje në botën e lirë?

– Eh mër plak! Punoj në ndërtim. Diplomat tona nuk pinë ujë andej.

– Po si të duket?

– Nuk di ç’të them. Bukur shumë, gojën e ke hap, dyqanet plot. – Ardi thithi cigaren – Bukur shumë! – heshti një hop – kur nuk të ha të gjallë malli. – thithi prapë cigaren dhe vazhdoi me zë të ulët

– Kur rri e pres te stacioni i autobusit në darkë vonë, gjithë ajo e rrugë e gjerë plot dritë. Asnjë frymë e gjallë, vetëm makina që ecin shpejt. Më duket vetja në fund të botës, prapa diellit plak!. Nganjëherë sepse më duket sikur dëgjoj shqip. Kthej kokën dhe kur e kuptoj që më kanë bërë veshët më merr vaji. Më merr vaji plak! Gjithë ky burrë dy metra që i vjen me qa si kalama.

– Po ti mos u tremb – shtoi pastaj duke qeshur pasi thithi cigaren.- Është vetëm fillimi thonë. Pastaj gjërat përmirësohen. Ose mësohesh, po në thelb është e njëjta gjë.

– A e mendon të kthehesh?

– Jo or plak! Atje jam i lirë. Skllav po i lirë ama! . – Heshti një hop dhe më pa me ngulm:

– Po ti plak, a do vish andej? Nuk ke ndërmend te ngelesh maleve besoj.

Ishte vonë kur u ndamë. Nisej të nesërmen herët. Tirana ndriste me një vezullim të lodhur, si një shtëpi gjysmë e braktisur, të zotët e së cilës, duke ikur në rrëmbim e sipër kishin harruar dritat ndezur.

Pas kthesës u shfaq papritur lapidari. Eca deri aty, mbajta këmbët dhe i qëndrova përballë. “Kushtuar dëshmorëve që ranë për atdhe! “ lexova instiktivisht. Atdheu rreth meje nuk pipëtinte.

Ardi kishte ikur nga kjo botë pak muaj pasi u takuam. Aksident në punë, thanë gjëra që ndodhin, skela qe e dobët, nuk kishte pasur masa sigurie. Gjëra që ndodhin Ardo, dënesa me vete, kur, për tu ngjitur kemi vetëm gjymtyrët tona. Dhe shpresën shtrënguar ndër dhëmbë.

Ishte mars kur e mora lajmin dhe një gjelbërim absurd mbulonte Tiranën. Këmbët e mia, me kokë të tyre, erdhën vërdallë nëpër vende ku kishim qenë ty dy bashkë. Një mal pyetjesh po më thyente kockat një nga një pa më dhënë mundësinë të mbrohesha.

“ Ti a do vish këtej o plak? Nuk ke ndërmend të mbetesh maleve besoj ! “

Atdheu qenkësh një koncept i çuditshëm. Ose një qenie që duket e ngurtë, po ti e ndjen të marrë frymë. Një turmë në ekran, që kacavirret litarëve të anijes, si një grumbull i madh milingonash që i turret një kafshate buke:

Po ti nuk do ikësh kështu o bir? Jo kështu!

U ula mbi lapidar dhe ia ngula sytë atdheut përballë meje. Vapa kishte rënë . Atdheu ishte kredhur në diell dhe në heshtje. Edhe pak qielli do fillonte të përflakej në horizont. Mbylla sytë dhe mendova duart e nënës zhytur në miell, erën e byrekut që piqej dhe fëshfërimën e butë të çarçafëve të bardhë të hekurosur. U hepova anash dhe, ndërsa ndjeja nxehtësinë e mermerit nën trup, më zuri gjumi.

……………………………………………..

Kishim ecur një copë rrugë të mirë kur, pas në heshtje të gjatë shoferi u kthye nga unë dhe, si me dyshim më pyeti prapë:

– Or çun! A je nis me të vërtetë që nga qyteza herët në mëngjes a?

– Po – u përgjigja.

– Dhe ke ardhë deri këtu , tuj ecë, vetëm ?

– Po pse mor çun? Pse nuk prite për makinë? Asht gjithë ajo rrugë mes malesh e vetëm. E rrugët mes malesh janë të v’shtira e me rrezik edhe tash në verë, e mund t’kishe ndeshë kafshë të egra e njerëz të k’qinj…

Ajri ishte i pastër dhe qielli i kthjellët. Po perëndonte. Kryeqyteti tutje në horizont, po zhytej ngadalë në një dritë të kuqe në vjollcë, që e bënte të dukej të afërt dhe të largët njëkohësisht, pothuaj si iluzion optik. Një ëndërr nga e cila duhet të zgjohesh. Qyteti yt që nuk mund ta kesh kurrë për vete. Atdheu yt që nuk mund të jetë i yti.

Ktheva kokën dhe i buzëqesha. Kishte qenë një ditë e gjatë dhe e ngrohtë.

Një ditë e shkëlqyer për të ecur.

© 2021 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin