Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi

T’I BESOSH COVID-IT

Në një emision televiziv, një nga të ftuarit – student – u shpreh kundër detyrimit për t’u vaksinuar.

Këtu ndërhyri një tjetër i ftuar – mjek – për ta pyetur studentin nëse ky ishte vaksinuar apo jo, dhe kur studenti tha se e kish bërë vaksinën, atëherë mjeku reagoi kështu:

Atëherë ç’ke që futesh në këtë debat?

Shkëmbimi mund të mos ketë ndodhur tamam kështu (nuk e mbaj mend më se ku e pashë incidentin të rrëfyer, prandaj s’e verifikoj dot, por thelbi ky ishte).

Mjeku që ndërhyri bën një gabim logjik: studenti nuk po kundërshtonte vaksinimin si të tillë, por DETYRIMIN për t’u vaksinuar.

Me fjalë të tjera, studenti gjykon se qytetari duhet ta vendosë vetë nëse do të vaksinohet apo jo; dhe po ashtu, qytetarit i lejohet të ketë një opinion, në lidhje me detyrimin nga lart për t’u vaksinuar.

Pra, debati në publik në lidhje me koercionin për vaksinim, nuk ka lidhje me debatin tjetër – edhe ai legjitim – për besimin e qytetarëve tek efikasiteti i vaksinës.

Përtej gabimit logjik, mjeku duket sikur e akuzon studentin për hipokrizi: ti që tashmë e ke bërë vaksinën, si guxon të ngrihesh kundër vullnetit “publik” (të shprehur nëpërmjet koercionit ekzekutiv) për vaksinim masiv?

Pra: nëse ti vetë e ke bërë vaksinën, çfarë të bën të mirëkuptosh vendimin e dikujt tjetër për të mos u vaksinuar? Mos je gjë duke sinjalizuar virtytin?

Edhe këtu ka një rrejshmëri (fallacy), sa kohë që dikush mund të përkrahë të drejtën e dikujt për ta kundërshtuar detyrimin publik (koercionin), pa qenë dakord me argumentet që ky sjell.

Studenti është vaksinuar, sepse beson te fjala e mjekut (autoritetit) që vaksina të mbron kundër COVID-it; por njëkohësisht nuk beson se një autoritet tjetër (shteti) ka të drejtë të detyrojë qytetarët të vaksinohen.

Ose, alternativisht, nuk beson te fjala e të njëjtit mjek (le ta pranojmë kështu) se të gjithë duhet të vaksinohen, për të siguruar mbrojtje më të mirë të komunitetit ndaj pandemisë.

Mua më duket se kapaciteti për të mbajtur qëndrime publike në kundërshtim me vendimet dhe sjelljet private nuk është detyrimisht shenjë hipokrizie.

Një qytetar mund të pijë dy paketa cigare në ditë, por të shqetësohet shumë, kur një mik i tiji të fillojë duhanin. Edhe pse nuk e le dot cigaren – ose nuk dëshiron ta lërë, edhe pse i njeh dëmet e saj për shëndetin – adopton në publik një qëndrim të kundërt me stilin e vet të jetesës. I dëshiron tjetrit një të mirë që nuk ia imponon dot vetes.

Edhe në politikë, ti mund të jesh i majtë, por të shqetësohesh shumë kur ekzekutivi, të cilit i ke dhënë votën, të marrë masa koercive ndaj kundërshtarit tënd politik, duke gjykuar se e drejta për pluralizëm politik ka përparësi ndaj moralitetit tënd të grupit.

Situata e përshkruar më lart, mes studentit dhe mjekut, prek edhe raportin midis interesit vetjak dhe interesit publik. Qytetari i mirë pritet të ndërhyjë në publik jo për të mbrojtur interesin e vet vetjak, por interesin e Tjetrit.

Nëse bashkia ty të pret kumbullën që ke në bahçe dhe ti ndërhyn që kjo të mos ndodhë, qëndrimi yt është i logjikshëm, por jo detyrimisht “qytetar”. Qytetari i mirë ndërhyn kur bashkia pret kumbullën te bahçja e komshiut, ose edhe më mirë, kur bashkia pret pemët e parkut.

Qytetari i mirë adopton perspektivën e Tjetrit.

Nga ana tjetër, studenti tashmë i vaksinuar me vullnetin e vet mendon se edhe të tjerët duhet të lihen ta vendosin vetë, nëse do të vaksinohen apo jo. Ai projekton agjencinë e vet tek Tjetri dhe mendon se edhe ky duhet të lihet i lirë të zgjedhë nëse do ta bëjë apo jo vaksinën.

Por këtu gjithnjë mund të gjendet dikush dhe të thotë se studenti po vepron si egoist dhe jo si qytetar i mirë; meqë, tani që është mbrojtur nga COVID-i nëpërmjet vaksinës, nuk pyet për rrezikun që u kërcënohet të tjerëve, të cilët refuzojnë të vaksinohen; as për rrezikun që përfaqësojnë të pavaksinuarit, ndaj shtresave të ekspozuara keq ndaj infeksionit (p.sh. ata që kanë bërë transplantime organesh, ose që trajtohen me kimioterapi).

Mjeku mund t’i thotë studentit kështu: tani që ti e hodhe lumin, e ke kollaj të hiqesh si kalorës i të drejtave qytetare, të kundërshtosh koercionin dhe t’u dalësh në mbrojtje atyre që refuzojnë vaksinën.

Dhe studenti mund të mbrohet kështu: vetëm një i vaksinuar si unë, mund ta mbrojë të drejtën e dikujt për të mos u vaksinuar me forcë, pa u akuzuar se po mbron interesin e grupit (partikular) ndaj interesit të përgjithshëm.

Sipas të njëjtit arsyetim, një person i pavaksinuar ka të drejtën qytetare për të refuzuar detyrimin e vaksinimit, edhe kur e kupton që vaksina të mbron ndaj COVID-it.

Por kjo e fundit është një situatë ekstreme; zakonisht ata që refuzojnë vaksinën, nuk u besojnë autoriteteve: as mjekut që u shpjegon dobinë e vaksinës, as autoritetit shtetëror që i detyron të vaksinohen.

Një qytetar është vështirë që të arrijë, në mënyrë të pavarur, të vlerësojë dobinë e një vaksine, pa pasur ekspertizë në imunologji. Si rregull, bindjet nëse vaksina funksionon apo jo, i krijon duke dëgjuar dhe lexuar të tjerët, nga mediat, nga Interneti, nga bisedat në kafe, nga ndonjë libër, edhe kur nuk ia shpjegon këtë drejtpërdrejt mjeku.

Natyrisht, ka pastaj qytetarë si studenti në debatin e cituar më lart, që NUK e vënë në diskutim dobinë e vaksinës, por kundërshtojnë tagrin e një autoriteti – p.sh. shteti ose mjeku – që të ta imponojnë vaksinimin me forcë, ose ta përcaktojnë si kusht për punësimin, shkollimin, ose ndonjë aktivitet tjetër publik.

Me fjalë të tjera, që refuzojnë të drejtën e një autoriteti publik për të kufizuar lirinë e dikujt që ka vendosur të mos vaksinohet; paçka se autoriteti publik ekziston pikërisht për të kufizuar liritë individuale, atje ku këtë e kërkon ligji ose, në thelb, interesi i komunitetit (qytetar).

Argumenti vjen e koklavitet më tej, ngaqë autoriteti mjekësor – i njëjti që rekomandon vaksinën – beson se personat e vaksinuar mund të preken nga virusi dhe t’ua japin infeksionin të tjerëve, veçanërisht atyre që nuk janë vaksinuar.

Këta e shpjegojnë vendimin për t’u vaksinuar si shembull të qytetarisë: duhet të vaksinohesh, për të mbrojtur Tjetrin. Ky është i njëjti argument, në thelb, me atë që u soll dikur për maskat – maskat nuk të mbrojnë aq ty, sa mbrojnë ata që ti ke afër, PREJ TEJE.

Pra, mbajtja e maskës si akt qytetar suprem dhe si shprehje e altruizmit të kulluar.

Argumenti vazhdon kështu: ti ke të drejtë që të shpërfillësh shëndetin tënd, por NUK ke të drejtë që të vësh në rrezik shëndetin e tjetrit, duke shpërfillur shëndetin tënd.

Ky argument qëndron në bazë të së gjitha masave koercive nga autoritetet shëndetësore, duke filluar nga karantina, detyrimi për t’u testuar para se të hipësh në aeroplan, etj.

Sipas këtij qëndrimi, vaksinimi është po aq akt qytetar sa ç’mund të jetë qytetare e drejta për të mos iu nënshtruar koercionit publik – në kuptimin që ti duhet ta bësh vaksinën edhe sikur, për çfarëdo arsyeje, të mos besosh se ajo ka efekt ndaj infeksionit, ose të mos besosh që COVID-i është aq i rrezikshëm për ty, sa të përligjë vaksinimin, etj.; sepse ti e merr vendimin për t’u vaksinuar si qytetar, jo si individ (jo si zotëruesi i trupit tënd).

Nuk ka zgjidhje të thjeshtë për këto dilema. Unë vetë besoj se qytetarët, si komunitet, kanë të drejtë të kërkojnë që hapësira publike, ku ata bien në kontakt FIZIK me njëri-tjetrin, të rregullohet në mënyrë të tillë, që rrezikimi FIZIK i gjithkujt të mbahet në një minimum; dhe kjo përfshin edhe të drejtën për të mos u infektuar nga Tjetri në publik.

(A mund të flitet për një të drejtë të tillë? A mund të pranohet se këtë të drejtë e mbron pikërisht autoriteti publik?)

Por njëlloj si ai studenti, edhe unë që jam gjithashtu i vaksinuar, e shoh me dyshim gatishmërinë e autoritetit (sanitar, policor) për të më imponuar vendime të tilla si vaksinimi.

Nëna ime ndërroi jetë në shkurt të këtij viti, me gjasë nga një perikardit, që i erdhi si pasojë e COVID-it. Në rrugicën tonë, në Tiranë, ku jetojnë tre a katër familje, ishin tre të moshuar që vdiqën nga infeksioni pak a shumë në atë periudhë. Hynin e dilnin lirisht te njëri-tjetri, pa maskë dhe pa merak. Vdiqën pa e prishur qejfin.

Në atë kohë vaksina ende nuk kish arritur në Shqipëri. Mendoj se, po të ish vaksinuar ime më, mbase mund të ishte ende gjallë.

Kjo më bën që të ndihem me faj thjesht ngaqë unë vetë jam vaksinuar tashmë.

Kam bindjet e mia për vaksinën, vaksinimin dhe detyrimin e autoriteteve për t’i mbrojtur komunitetet – veçanërisht ato më të ekspozuara – ndaj COVID-it. Mendoj se besimin ndaj mjekut dhe dijes në përgjithësi NUK MUND ta zëvendësojë vetë-informimi, as interpretimi egoist i të drejtave qytetare individuale.

Paradoksalisht, për t’u luftuar si duhet, në plan social jo thjesht individual, edhe COVID-i duhet besuar.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin