Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi

DOKTORI QË SHËROHET NGA PACIENTI

Të jesh mjek, në njëfarë mënyre, është edhe një proces grumbullimi që zgjat gjithë jetën. Gjithçka nis në fakultetin e mjekësisë me vëllime të mëdha: fiziologji, patologji, farmakologji, Harrison-ët, Cecil-ët; më pas vijnë librat e specializimit, udhëzuesit, raportet e konsensusit, rishikimet sistematike.

Profesor Dr. Ali Menteş-in, Zoti e mëshiroftë, e njoha kur isha në vitin e tretë të mjekësisë. Që në atë takim të parë u vendos edhe ritmi im javor, i cili vazhdon edhe sot. Pak pas mesnatës së së enjtes më del përpara njëri, të premten në mesditë një tjetër, të shtunën i treti: NEJM, JAMA, The Lancet. I lexoj, mbaj shënime, ndryshoj diku një pjesë të algoritmit mendor që kam ndërtuar gjatë viteve. Tani, në tryezë, është ulur edhe inteligjenca artificiale: biblioteka të tëra me PDF, mijëra faqe që skanohen brenda pak sekondash, lidhje që nuk do t’i kisha bërë vetë, por që më dalin përpara si ndërveprime, probabilitete, paralajmërime… Kur i sheh të gjitha këto, njeriu mund ta konsiderojë veten pothuajse të pathyeshëm për sa i përket dijes.

Pastaj hapet dera dhe brenda hyn një pacient.

E gjithë ajo pasuri i nënshtrohet një mase tjetër. Sepse njeriu përballë meje nuk është diabeti, nuk është insuficienca kardiake, nuk është depresioni; nuk është as shuma e tre, pesë apo tetë diagnozave të ngjajshme. Secili prej udhëzuesve është i saktë dhe i fuqishëm brenda fushës së vet, por kur e vendos njërin mbi tjetrin te i njëjti pacient, nuk krijohet domosdoshmërisht një tërësi e përsosur. Shpesh duhet shtruar një tryezë e vogël diplomacie ku: përparësia e kardiologjisë përplaset me kufirin e nefrologjisë, objektivi i endokrinologjisë mund të bjerë ndesh me brishtësinë, ndërkohë që rekomandimi i psikiatrisë mund t’i hapë telashe një elektroliti! Ndërsa çdo specializim thellohet në boshtin e vet vertikal, jeta e pacientit vazhdon të rrjedhë horizontalisht.

Këtë “jetesë horizontale”e konsideroj të rëndësishme. Nëse hyjmë në mënyrë multisferike në shtresat e kësaj “bote të jetës”, fillimisht kemi fiziopatologjinë brenda vetë një organi; më pas, mënyrën se si ai organ/ flet me organet e tjera dhe, në fund, përgjigjen që i gjithë organizmi jep njëkohësisht. Dhimbja, hormonet, inflamacioni, gjumi, muskujt, zorrët, sistemi nervor autonom dhe sistemi imunitar ndërthuren e hyjnë në “fjalinë” e njëri-tjetrit.

Pastaj vjen mënyra se si e gjithë kjo përceptohet në vetëdije (dhe në pavetëdije): frika, mohimi, zemërimi, dëshira për të luftuar, fakti që një diagnozë e re mund të ndryshojë idenë se si njeriu e sheh veten. Më tej, ju dilni përtej trupit dhe pikërisht aty fillon gjithë ajo vorbull: nëna, fëmija, bashkëshorti, vëllai apo motra, miku, vendi i punës, paratë, përgjegjësitë, plagët e vjetra, pritshmëritë e reja… A më ka mbetur fuqi për këtë; a do të mund ta përballoj; nëse unë besoj, a do të besojnë edhe të tjerët; sa pjesë të jetës sime do të pushtojë kjo sëmundje tani e tutje?

Është e mundur të njohësh deri në detajet më të imta biologjinë molekulare të një sëmundjeje, por të dish me të njëjtën siguri se në çfarë do të shndërrohet ajo sëmundje në jetën e këtij njeriu, është e pamundur. Kemi udhëzues klinikë shumë të mirë, por edhe nëse i vendosim të gjithë njëri mbi tjetrin, nuk arrijmë të krijojmë një “udhëzues për njeriun”.

Ndaj, pyetja tashmë nuk është vetëm: “Çfarë mund të bëhet?”.Pyetja shndërrohet në: “Çfarë duhet bërë për këtë njeri, në këtë çast, brenda kësaj jete?”

Vullneti i mirë nuk mund të zëvendësojë fiziopatologjinë, ndërsa intuita nuk mund të kompensojë injorancën metodologjike. Megjithatë, pasi të gjitha këto bashkohen, në tryezë mbetet ende një hapësirë bosh.

Prej njëfarë kohe po e përsëris këtë ide: aty nis të veprojë ajo aftësi që Aristoteli e quante phronesis, pra urtësia praktike – aftësia për ta shndërruar një njohuri që është përgjithësisht e saktë në vendimin e duhur për njeriun konkret që kemi përballë.

Një nga pikat ku mjeshtri ynë, Gadamer, kthehej kur reflektonte mbi mjekësinë ishte pikërisht kjo: meqë shëndeti nuk është një objekt që mund të prodhohet teknikisht, mjekësia nuk mund të jetë vetëm techne. Në hapësirën midis të diturit dhe të vepruarit, nevojitet një lloj tjetër arsyeje – një arsye që merr parasysh veçantinë dhe papërsëritshmërinë e njeriut. Ku do të gjendet? Kush do ta mësojë?

Mësuesit e mëdhenj të mësojnë. Gjatë viteve të kaluara pranë tyre, mëson të ndjekësh gjurmët e mënyrës se si ata e dinë kur duhet të ndërhyjnë dhe kur duhet të presin; ndonjëherë të mësojnë përmes një shikimi, apo një heshtjeje.

Por edhe kjo, deri diku, mbetet sërish dije e dorës së dytë. Mësimi i dorës së parë vjen nga njeriu që ke ulur përballë. Me një fjali që thotë, për faktin se ai nuk i kushton aspak rëndësi diçkaje që ti e konsideroje shumë të rëndësishme, ose me vullnetin për të jetuar që i përmbys të gjitha llogaritë e tua, ai mund të hapë në mendjen tënde një derë që ka qenë e mbyllur prej vitesh, dhe mu atëherë sheh edhe se ku je ngushtuar ti vetë në mënyrën tënde të të qenit mjek.

Pikërisht për këtë arsye, phronesis nuk është vetëm një aftësi që mjeku e ushtron ndaj pacientit; është një virtyt që pacienti ia kultivon/ edukon gradualisht mjekut.

Shërimi i shikimit të doktorit!

Ndoshta kjo nuk ndodh as përmes inteligjencës natyrore, as përmes asaj artificiale, por duke u bërë më i bukur, më i thellë dhe më njerëzor nga Një Tjetër (pacienti).

Një e Urtë nga Ballkani

Pastaj, një ditë, u ul përballë meje një grua që sillte me vete atë zërin e njohur nga Ballkani.

E njihja nga larg. Kisha lexuar fjalët e saj, kisha dëgjuar këngët e saj, kisha parë se si dinte ta prekte thellësisht brishtësinë e njeriut. Por atëherë kuptova se të njohësh fjalët e një njeriu dhe të shohësh se prej cilës disipline të brendshëm kanë lindur ato, nuk qenka e njëjta gjë.

Këtë e kuptova, në dhomën e vizitës.

Humori që shfaqej papritur në mes të një fjalie, aftësia për të qeshur edhe me veten teksa tregonte diçka të rëndë, aftësia për të ulur dhimbjen në të njëjtën tryezë me veten, pa i hedhur një mbulesë sipër… Një frymë krejt ballkanike, mishërimi i asaj përzierjeje të fshehtë. Ne, do të flisnim për sëmundjen; ajo po fliste se ku do të zinte vend sëmundja në jetën e njeriut. Nuk e mohonte sëmundjen, nuk e nënvlerësonte, nuk e mistifikonte, por as nuk i jepte asaj vendin qendror në jetën e vet. Ajo që po ndodhte në trupin e saj ishte serioze, frikën nuk e fshihte por ajo nuk ishte e gjithë jeta e saj.

Ç’ish më e rëndësishmja: ajo nuk i shprehte këto me fjalë të mëdha. E njihte brishtësinë e të qenurit njeri, madje edhe për dobësitë e veta. Fliste me zë të ulët. Pastër, krejt pastër. Diçka që ishte filtruar përmes një jete të tërë e vendoste brenda një fjalie të zakonshme, e linte përpara teje dhe vazhdonte më tej. Ndoshta pikërisht sepse përziheshin me gjuhën e përditshme, ato fjali shkonin më thellë.

Pas pak, ato fjali filluan të vinin njëra pas tjetrës drejt fytyrës sime. Më çuan te arkivi më i madh i njeriut, te fëmijëria ime; brenda meje u hap një kujtim shumë i vjetër, shumë i veçantë. M’u kujtua!

Kur isha fëmijë, isha një krijesë jashtëzakonisht “zavrak” – i hazdisur, i vrullshëm. Hidhesha sa andej-këndej pa menduar shumë se ku ndodhej rreziku dhe e mbaja vazhdimisht nën tension nënën time. Në atë kohë, udhërrëfyesit e mi ishin filmat e Shaolinëve dhe të Jackie Chan-it.

Nëna më çonte te gjyshi, te Hüseyn’aga. I thoshte:

“Baba, bëji një derman këtij fëmije, lexoji ndonjë sure a fryji pak; po më përmbyset shpirti nga frika se mos i ndodh ndonjë gjë.”

Gjyshi më ulte pranë vetes dhe fillonte të lexonte.

Fjalët nuk ia kujtoj; zërin e tij e mbaj mend. Ajo murmurimë baritoni sillej në veshët e mi prej fëmije si një ninullë dhe, pastaj, në çastin e duhur, ai frynte drejt fytyrës sime.

E dini atë ndjesinë kur, ndërsa një fëmijë po e zë gjumi, nëna i përkëdhel kokën dhe të gjithë alarmet e vegjël brenda trupit heshtin njëri pas tjetrit? Ishte diçka edhe më shumë se kaq.

Kur fryma e gjyshit më prekte fytyrën, bota hapej për pak çaste si brenda një filmi. Diçka, si ajo që japonezët e quajnë Koh-Fu. Koh: dritë, Fu: erë. Era e ndriçuar që të merr me vete.

Vite më vonë, në një dhomë vizite, trupi im e kujtoi këtë.

Fjalët e të Urtës së Ballkanit nuk më mbërrinin vetëm si informacion. Ato më preknin fytyrën si ajo frymë e qetë e Hüseyn’agës duke i shtyrë heshturazi disa prej mureve të të kuptuarit që kisha ngritur gjatë gjithë viteve të mia si mjek. Ky ishte kërcimi im kuantik: jo përvetësimi i ndonjë dijeje të re të jashtëzakonshme, por ajo që kisha ditur prej vitesh, papritur, të zgjerohej nën një tjetër dritë.

Dikur, Koh Fu-së i kisha dhënë sipas mënyrës sime një përkthim-interpretim të lirë dhe pikërisht tani ajo më erdhi në ndihmë:

era që largon dhembjen! (Le t’i jehohë në veshë poetit!)

Sëmundja mund të vijë në trup; por nuk është e thënë të pushtojë gjithë qenien e njeriut. Forcat mund të pakësohen, horizonti i së ardhmes mund të ngushtohet; megjithatë, mbeten ende vende ku sëmundja nuk mund të arrijë: humori, kureshtja, dashuria, e sidomos dëshira për të krijuar e për të prodhuar diçka, aftësia për të menduar për tjetrin, edukata për të mos e marrë veten tepër seriozisht… Asnjëra prej këtyre nuk ka interval reference.

E Urta e Ballkanit nuk ishte një ishull.

Prej saj dilnin bujarisht, drejt njerëzve të tjerë, rreze të holla drite; ata i preknin dhe prej andej ktheheshin sërish tek ajo. Miqtë, familja, njerëzit me të cilët kishte punuar, dikush që kishte hyrë në jetën e saj vite më parë, një tjetër me hallin e të cilit merrej edhe pse s’e kishte njohur kurrë. Të vdekurit e të gjallët, të gjithë së bashku, si një fis i madh. Nuk ishte vetëm bota e saj e brendshme ajo që e kishte formuar, ishte edhe rrjeta e këtyre lidhjeve që kishte krijuar ndër vite.

Sa ishte ende një vajzë e hazdisur, e Urta e Ballkanit kishte kënduar këngën e fëmijërisë; kishte mbërritur herët te gjërat më të thjeshta; kishte kaluar shumë herët nëpër të gjitha rrugët e fuqisë; kishte përqafuar gjithçka rreth vetes, të gjitha yjësitë e saj!Ishte e qartë, ajo nuk ishte larguar nga askush, nuk kishte mundur të largohej prej askujt. Thesari i saj i madh qëndronte aty, në mes të gjithçkaje, i pambrojtur, gjithmonë i hapur ndaj plaçkitjes! Fuqia e saj nuk vinte nga vetëmjaftueshmëria, por nga fakti se ishte e hapur ndaj këtij qarkullimi.

Mendova për idenë e parë të përgjegjësisë që, sipas Levinas-it, lind përballë fytyrës së Tjetrit: përpara Meje është gjithmonë një Tjetër. Përgjegjësia nuk është një kontratë morale e ndërtuar pasi ka nisur reciprociteti; ajo është një tronditje më e hershme se kaq. Fytyra e Tjetrit më bën përgjegjës ndaj tij pa më lënë as kohë të pyes se çfarë do të më japë ai në këmbim. Edhe nëse nuk vjen asnjë përgjigje nga ana tjetër, detyrimi im nuk pakësohet. Prandaj, në etikën e Levinas-it, përgjegjësia nuk është një borxh i shpërndarë në mënyrë të barabartë; është një hapje asimetrike, që nuk mund të matet me llogari dhe fundi i së cilës nuk mund të përcaktohet që në fillim.

Ajo që pashë në dhomën e vizitës nuk e përmbyste thjesht këtë asimetri. Po ndodhte diçka më e çuditshme dhe, njëkohësisht, më e bukur: përgjegjësia pa pritshmëri shfaqej edhe në anën tjetër, duke buruar nga vetë burimi i saj.Përballë meje nuk po shihja formulimin filozofik të kësaj ideje, por mënyrën se si ajo merrte jetë në përditshmëri; të ishe në gjendje, edhe ndërsa tregoje dhimbjen tënde, t’i hapje fjalën tjetrit; të ishe në gjendje, nga plaga jote, të hidhje dritë mbi plagët e njerëzve të tjerë.

Pastërtia e fjalive të shkurtra të së Urtës të Ballkanit vinte, pjesërisht, edhe nga fakti se ajo ishte e vetëdijshme për brishtësinë e vet. Ajo nuk e paraqiste jetën si një gjëegjëzë të zgjidhur dhe as nuk e shenjtëronte dhimbjen. E dinte se nga cilat vende mund ta thyejë njeriun jeta dhe, përmes atyre çarjeve, arrinte gjithmonë të gjente një shteg që të çonte te tjetri!

Pas atyre takimeve, fillova ta shihja dhomën time të vizitave me një sy tjetër.

Dija që lind nga ajo përballje, pikërisht për këtë arsye, nuk mund të hartëzohet. Ajo nuk mund të nxirret nga anamneza psikosociale dhe as nuk mund të llogaritet nga një algoritëm pa ndodhur më parë vetë përballja.

(Ajo ishte aty me jetën e saj, frikën e saj, humorin e saj, marrëdhëniet e saj, kujtesën dhe gëzimin e saj të trishtë, me atë përzierjen e çuditshme ballkanike. Mjekësia jonë, me dijen e saj të hartëzuar, mund të guxonte t’i vendoste një diagnozë; por ç’varfëri e madhe do të ishte, ama!)

Edukimi mjekësor na mëson shumë mirë të nxjerrim simptoma nga fjalët e pacientit. E zbërthejmë marramendjen, lodhjen, dhimbjen. Kjo është e domosdoshme. Por kur gjithë çfarë thotë njeriu e ktheni në simptomë, mund të humbni diçka tjetër. Ndonjëherë pacienti nuk sjell një të dhënë që do t’ju çojë te diagnoza, por një fjali që do t’ju mësojë se çfarë lloj mjeku duhet të jeni.

NEJM-i sërish do të më mbërrijë në telefon të enjten në mbrëmje me atë bling-un e tij. Përsëri nuk do të mund të fle pa e parë, pa pritur mëngjesin, edhe pa e lexuar ende përmbajtjen. JAMA dhe The Lancet do ta ndjekin në ritmin e tyre. Inteligjenca artificiale do të skanojë mijëra faqe para meje; unë përsëri do të lexoj, do të mësoj dhe, kur të jetë e nevojshme, do ta ndryshoj algoritmin tim. Nuk dua të heq dorë nga asgjë prej këtyre. Sa më i fortë të jetë themeli teorik i mjekësisë, aq më e madhe bëhet mundësia për t’i dhënë hakun asaj përballjeje.

Ama, megjithatë, ka pasur edhe momente kur, duke e parë veten nga e kaluara deri në ditët e sotme, pasi kisha kaluar nëpër gjithë ato stinë të rënda dhe kisha bërë gërmime të thella, e shihja veten si dikë që kishte arritur aftësinë për të diagnostikuar sëmundje të rralla.

Ditët kur kapja, me një të rënë të lapsit, një patologji që dymbëdhjetë specialistë të tjerë nuk kishin mundur ta shihnin dhe, fshehurazi brenda vetes, ndihesha krenar… Ato fitoret e mëdha mjekësore që ia kisha ndërtuar vetes, me një gënjeshtër të ushqyer nga gjithë ajo dije që kisha grumbulluar… Përballë së Urtës së Ballkanit, të gjitha, papritur ndryshuan përmasë. U bënë fare të vogla, si lodra të vogla, të praruara e shumëngjyrëshe.

Sepse në anën tjetër të tryezës sime gjendet një tjetër burim dijeje: një dije që fitohet duke u ngjitur nëpër shkallët e pasme të mendjes.

…

Edhe trupi ka kujtesën e vet. Kur ato fjalët e vogla që e Urta e Ballkanit m’i tha në fytyrë kapën diku frekuencën e frymës së gjyshit tim. E kujtova. Thashë: trupi im u kujtua para mendjes. Por çfarë ishte? Fryma e gjyshit tim? Nëna që më krihte flokët? Zhytja në ujë të thellë? Gurët? Retë?

Poeti Sidran kishte thënë:

“Kur hesht, e di plotësisht; kur flas, e di vetëm përgjysmë!”

Të gjithë ata textbook-ë, udhëzues, revista dhe ajo sasi e jashtëzakonshme dijesh që sjell inteligjenca artificiale, qëndrojnë aty ku duhet. Por udhëzuesi i fundit, ai që tregon se çfarë i bën njeriu njeriut, ende nuk është shkruar. Sepse ajo dije nuk gjendet e shkruar diku për t’u lexuar, ajo lind mes dy njerëzve!

Të moçmit thoshin se gjithçka e lartë, gjithçka madhështore, i shfaqet njeriut përmes një njeriu tjetër.

Epilog

Përkufizimin më të bukur të njeriut e ka dhënë një poet turk:

“Njeriu është shpresa e njeriut.”

Për të dyja anët e dhomës së vizitave.

Tani secilin prej pacientëve të mi e shoh paksa edhe në këtë mënyrë.

Po shërohem.

(c) 2026 Bilgin Sait. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading