Bota e shëndetit prej kohësh nuk formësohet vetëm nga zhvillimet shkencore, por edhe nga shkumëzime kulturore që përparojnë me valë. Për herë të parë, njeriu nuk arrin dot të mbajë hapin me shpejtësinë e botës që ka krijuar vetë. Distanca midis përparimit teknik dhe urtësisë njerëzore nuk ka qenë kurrë kaq e gjerë.
Le të kujtojmë se në fillim theksi ishte te wellness-i. Spitalet private, investitorët, sipërmarrësit, turizmi, ndërtimi u grumbulluan rreth kësaj fjale. Qytetet u mbushën me qendra detoksi e kampe retreat-esh. Më pas, nisi epoka e mjekësisë funksionale. Shumë shpejt, mjedisi u bë i pakalueshëm nga « funksionalistët ». Që nga mjeku i përgjithshëm te dermatologu, nga pneumologu te biokimisti, të gjithë iu drejtuan me endje këtij « specialiteti » të ri. « Shkaku rrënjësor », « inflamacioni », « mikrobiota », « detoksi », « optimizimi hormonal » u bënë gjuha e re e tregut të shëndetit.
Tashmë, skena i përket histerisë për jetëgjatësinë: longevity! Sërish, të gjithë janë rreshtuar pas saj.
Rrethet e mjekësisë konvencionale iu qasën kësaj vale të re me kujdes. Në fillim, pati një periudhë të shkurtër hutimi. Por drejtimi i tregut ishte tejet i fuqishëm. Rezistenca zgjati pak. Më në fund, erdhi dorëzimi dhe longevity e thithi paradigmën funksionale brenda vetes. Koncepti i wellness-it u tërhoq, ai po largohet në heshtje drejt historisë; fjala e humbi shkëlqimin e saj modern.
Ky cikël na tregon se fusha e shëndetit nuk është vetëm shkencore; ajo është njëkohësisht edhe një treg kulturor, ekonomik dhe psikologjik. Tendencat nuk rriten vetëm me dije, ato rriten edhe me frikë, dëshirë, status dhe dëshirë investimi.
Natyrisht, çështja nuk është të nënvlerësojmë fushën e jetëgjatësisë, halli është ta kalojmë atë në një lexim kritik në mënyrë që të pastrojmë mjedisin nga mjegulla. Një pjesë e rëndësishme e qasjes parandaluese dhe përmirësuese e shëndetit mbështetet tashmë mbi të dhëna të forta shkencore: ushtrimi fizik, shëndeti metabolik, kontrolli i hipertensionit, lënia e duhanit, mirëmbajtja e rezervës konjitive, rregullimi i ciklit të gjumit, vijimësia e aktiviteteve shoqërore. Efektet e këtyre parametrave për jetëgjatësinë dhe sidomos për vitet e jetës së shëndetshme janë treguar mjaft mirë.
Problemi nuk është vetë shkenca e jetëgjatësisë që po zhvillohet me shpejtësi, problemi është « ekonomia e entuziazmit » që është formuar rreth kësaj tendence të re. Sepse jetëgjatësia tashmë nuk paraqitet thjesht si dëshirë, por pothuaj si detyrim moral. Kush nuk jeton më gjatë duket sikur nuk ka zbatuar protokollin e duhur, nuk ka marrë suplementin e duhur, ka humbur rutinën e duhur. Shëndeti, në heshtje, po shndërrohet në etikë performance.
Problemi nuk është ideja legjitime e një jete të gjatë dhe të shëndetshme. Problemi është reduktimi i vetë jetës në objekt optimizimi. Biomarkues që maten pandërprerë, pa marrë parasysh nivelin e provave shkencore, panele të pafundme që mënjanojnë veçantitë e çdo pacienti, protokollet « e fjalës më të fundit » që ndryshojnë çdo sezon. Trupi i njeriut reduktohet në terren eksperimentesh dhe jeta shndërrohet në një version beta që nuk mbaron kurrë.
Duhet thënë se në shkencën e mjekësisë konvencionale, edhe kur merret guximi për të nisur një eksperiment me njerëz, çmimi, procedura, kalimi nëpër njëmijë e një prova komitetesh etike e shkencore, pavarësisht ndonjë lëshimi e pune të bërë pa kujdesin e mjaftueshëm në ndonjërin syresh, madje edhe nevoja për të bindur shoqëritë e mëdha farmaceutike, prodhojnë gjithsesi studime në një numër të kufizuar njerëzish: disa dhjetëra deri në disa mijëra. Përllogaritja e çdo efekti anësor duhet të jetë, si rregull themelor, e hapur në mënyrë transparente ndaj kontrollit dhe diskutimit.
Ndërsa, fokusi i industrisë së suplementeve është i gjithë njerëzimi! Pas miratimit të ministrive përkatëse vjen derdhja e influencerave mbi miliona njerëz. Kush guxon të hapë gojën kundër shoqërive të mëdha farmaceutike përfundon në koshin e harresës.
***
Kjo garë e shfrenuar për shëndet, e ushqyer nga shpejtësia dhe përhapja e pambarimtë, do të krijojë një lloj nihilizmi bioteknologjik: reduktimi gjithnjë e më shumë i jetës njerëzore në një shumë parametrash të optimizueshëm.
Jeta paraqitet si projekt, trupi si truall i përshtatshëm për investim, kurse pleqëria si shembja e këtij projekti. Rrjedhojë e saj është edhe dëshira për ta koduar pleqërinë si sëmundje. Nëse pleqëria kodohet si e tillë, atëherë goja e fondeve mund të hapet deri në fund. Thika ka dy tehe, njëri me pasoja pozitive, nëse respektohen principet etike dhe shkencore; tjetri me pasoja negative, nëse entuziazmi rreth kërkimit të eliksirit të pavdekësisë nuk miratohet.
Jeta zgjatet e ndërsa ajo zgjatet, historia njerëzore, vetë thelbi i mjekësisë, shkurtohet. Do të shkoj edhe më tej. Kjo histeri prodhon njëkohësisht tri dilema themelore:
E para, gjendja e alarmit të vazhdueshëm. Trupi perceptohet tashmë si burim i mundshëm defektesh. Shëndeti nuk jep qetësi, por ankth. Bëhet fjalë për një formë ekstatike, hiper e përshpejtuar, e njohur prej të paktën dy mijë e pesëqind vjetësh si « mjekësi parandaluese », e cila e trullos njeriun dhe priret të nxisë harresën e pleqërisë (dhe vdekjes).
E dyta, pandershmëria epistemike. Tezat e mbrojtura një vit më herët mënjanohen në heshtje, askujt nuk i kërkohet llogari për to. Pasiguria shkencore nuk komunikohet me ndershmëri. Çdo tendencë e re shitet në emër të « përparimit ». Të paktën, në mjedisin universitar konvencional, kjo bëhet haptas dhe jo fshehtas. Institucionet botuese ekzistojnë pikërisht për këtë.
E treta, kolonizimi i jetës. Ose, për të përdorur një koncept tashmë disi të vjetruar, por të dashur: medikalizimi i jetës. Gjumi, ushqimi, ushtrimi fizik, marrëdhëniet, plakja… Të gjitha fushat e jetës rrethohen nga ligjërimi i ndërhyrjes mjekësore. Shëndeti pushon së qeni në shërbim të jetës; jeta vihet në shërbim të shëndetit. Kjo është një dalje nga shinat e paradigmës së mjekësisë parandaluese. Për më tepër, çështja nuk është vetëm individuale.
Sistemi në të cilin jetojmë prodhon një strukturë sociale metastatike, që zgjerohet vazhdimisht duke e konsumuar vetveten. Ai bluan jo vetëm trupat, por edhe vëmendjen, marrëdhëniet, kapacitetin për kujdesin ndaj tjetrit, madje edhe virtytet. Kërkesa e pandërprerë për performancë kthen edhe aspektet e mira të njeriut në objekte efikasiteti. Shëndeti shndërrohet në disiplinë, disiplina në spektakël, spektakli në rraskapitje. Njeriu lodhet jo vetëm kur punon, por edhe kur përpiqet të jetojë në mënyrë të shëndetshme.
Për pasojë, gjuha e kujdesit shëndetësor që nuk arrin të dallojë ndryshimin midis « ankthit ekzistencial » dhe « ankthit mjekësor », e dëmton pacientin pa dashur.
Ankthi ekzistencial është një dimension i pashmangshëm i të qenit njeri. Ai ka të bëjë me ndërgjegjen e vdekjes, me pasigurinë dhe limitet e ekzistencës. Ankthi mjekësor, përkundrazi, shpesh prodhohet nga jashtë: me ligjërime rreziqesh që nuk mbarojnë, me rekomandime që ndryshojnë pa pushim, me tituj alarmistë dhe me ndjesinë se « po humbet diçka ».
Sot, gjuha e shëndetit që përhapet përmes mediave sociale i përzien, me vetëdije ose jo, këto dy fusha. Nuk e trajton ankthin, e shumon atë.
Njeriu që jeton brenda një bote tendencash që ndryshojnë çdo muaj me suplemente që ndotin ambientin burgoset në trupin e vet. Detyrohet të mendojë pa pushim çfarë ha, çfarë pi, çfarë i mungon, cilin suplement ka harruar. Shëndeti pushon së qeni një gjendje qetësie; shndërrohet në praktikë të pandërprerë vetëvëzhgimi dhe vetëkontrolli.
Nga shpjegimet filozofike mbi magnezin që të zgjasin deri 45 minuta, te zbulimi i rëndësisë jetike të muskujve të këmbëve, nga brokoli (ndonëse dalë mode prej një dekade) te urolithin-A: shpërfaqet një botë shumëngjyrëshe. Nuk ka arsye pse këto të nënvlerësohen. Secila ka vlerën e vet. Por përherë shkaktojnë hutim dhe ankth, deri në pikën sa pacienti nuk përqendrohet më te shërimi, por te evitimi i gabimit.
Shëndet është ky ?! Le të kujtojmë se dikur shëndeti ishte ekuilibri i jetuar në një trup brenda të cilit ekzistonte kuptimi.
***
Gjendja e mjekëve tanë konvencionalë « të shkollës së vjetër » krijon gjithashtu një tablo interesante brenda këtij transformimi. Një pjesë është tërhequr mënjanë me mëri, larg orgjisë të mediave sociale. Një pjesë tjetër, flirton e hutuar me këtë mëkat, matet cilën anë duhet të marrë. Një pjesë e vogël, por e zhurmshme, u ka shpallur luftë sharlatanëve të platformës X me shpatën e shkencës në dorë.
***
Kjo sprovë është një etapë parapërgatitore për të tërhequr vëmendjen drejt çështjes më kryesore: nëse në njërin skaj të lavjerrësit është longevity, jetëgjatësia, skaji tjetër është pandemia e pleqërisë.
Në 25 vitet e ardhshme, bota do të përballet me rritjen më të madhe të popullsisë së moshuar në histori. Demenca, brishtësia, multimorbiditeti dhe varësia nga kujdesi do të jenë preokupimet kryesore të sistemeve shëndetësore. Nuk bëhet thjesht fjalë për një pandemi që lidhet me plakjen; ajo bart njëkohësisht edhe rrezikun e një krize serioze sociopolitike dhe organizative.
Ballkani është një nga rajonet me rrezik të lartë për t’u zënë i papërgatitur nga ky transformim. Për dekada u krenuam me popullsitë tona të reja por, pa u ndier hymë shpejt në lakoren e plakjes. Planifikimi urban, infrastruktura e kujdesit, qendrat e specializuara për demencën, organizimi dhe administrimi ndërdisiplinor i kujdesit për moshën e tretë mbeten ende mjaft të kufizuara. Pleqëria lihet shpesh në plan të dytë brenda familjes, ose administrohet gjatë krizave akute në spitale. Ndërsa problemi kryesor i epokës që afron nuk do të jetë thjesht sëmundja, por brishtësia kronike.
***
Kjo çështje nuk mund të zgjidhet as me arrogancën e inxhinierisë mjekësore, e as me sharlatanizmin e mjekësisë popullore. Ajo për të cilën kemi nevojë është një mënyrë të menduari që nuk i harron ndërlikimet dhe finesat e fiziopatologjisë njerëzore, karakterin e gënjeshtërt të cilitdo reduksionizmi, dhe faktin se trupi është një organizëm i përbërë nga ndërveprime të pafundme, e plot surpriza.
Në gjirin e gjithë këtij kompleksiteti është aftësia e të treguarit urtësi praktike që mund t’i vendosë gjërat sërish në vendin që u takon. Sepse mjekësia nuk mund të jetë inxhinieri alarmiste, ajo është arti i lehtësimit të telasheve.
Njohja e limiteve, përulësia hermeneutike; pra, besimi në vërtetësinë e një qëndrimi që bazohet në shumë lexim e më pak këshillim, jo me ton urdhërues (mjekësia konvencionale), as me mendjemadhësi (mjekësitë alternative), por me një ngrohtësi që e shoqëron pacientin, me një urtësi praktike (phronesis); kjo është zgjidhja.
Ose do ta përballojmë këtë vështirësi duke e përcjellë nga larg modën kalimtare dhe efemere, jo me qëllimin për ta shkatërruar atë, apo duke tundur shpatën e arrogancës intelektuale, por me një qëndrim dashamirës, duke ia njohur dhe pranuar me përulësi vlerën, ose do të dorëzohemi përballë tendencave në modë.
Mjekësia ka një histori fisnike. Rruga e saj kryesore ka vend për të gjithë; përveç të pamoralshmëve, të keqformuarve dhe hileqarëve. Në këto rrethana kaotike, përballë tregtisë së shpresës, përballë pamaturisë, nuk duhet hapur domosdoshmërisht një front i ri lufte, por një përshtatje e hollë për t’iu larguar zhurmës mediatike është i domosdoshëm.
(c) 2026 Bilgin Sait. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.