nga Christian Voss & Zuzana Finger
chairs of the Martin Camaj Association in Germany
Nga këndvështrimi ynë – domethënë dy lëndë po ashtu të vogla dhe të kërcënuara, përkatësisht Ballkanologjia dhe Sllavistika jugore – dëshirojmë të përmbushim kërkesën publike të Ardian Vehbiut (The Day After) dhe të shpjegojmë shkurtimisht pikëpamjen tonë për polemikën mes Albert Dojës dhe Bardhyl Demirajt. Fatkeqësisht, kjo mosmarrëveshje – të cilën përndryshe e shohim në fakultetet e mëdha të universiteteve perëndimore ku zakonisht mbizotërojnë lëndët e mëdha mbi lëndët e vogla – fut kanibalizmin në një lëndë të vogël. Ky desolidarizim duhet të parandalohet doemos, ashtu siç duhet të kemi kujdes që të mos konceptojmë lëndë të vogla në baza monotematike dhe/ose monodisiplinore. Ajo që na duhet është një albanologji polifonike dhe pluraliste, në të cilën qasjet tradicionale dhe ato më të reja pranohen krah për krah.
Të dy kolegët përmendin me të drejtë sukseset e tyre të konsiderueshme në albanologji: botime në revista ndërkombëtare të njohura, financime nga palë të treta dhe rrjete ndërkombëtare. Kjo nuk duhet përdorur kundër njëri-tjetrit, sepse të dy kolegët veprojnë në sisteme të ndryshme kombëtare me burime të ndryshme.
Parimisht, lëndët e vogla si albanologjia nuk janë pionierë në debatin metodologjik. Nuk mund të jenë, sepse nuk kanë shkallën e lartë të specializimit që është e mundur në lëndë të mëdha si gjermanistika apo anglistika, ku kolegët emërohen në katedra për sintaksë ose korpus gjuhësor apo kontakt gjuhësor, ndërsa përfaqësuesit e lëndëve më të vogla në fushën e tyre ofrojnë gjerësinë e plotë dhe krahas studimeve rajonale, letërsisë dhe gjuhës përfaqësojnë edhe filologjinë.
Për sa i përket personit të Martin Camajt, duket joreale të zbatohet analiza e ligjërimit francez në vijim të Michel Foucault-it si një udhërrëfyes dhe pritshmëri për funksionimin të institucioneve shkencore në Gjermaninë Perëndimore të viteve 1960-1970, të cilat ishin ende të shënuara nga margjinalizimi dhe eliminimi i profesorëve hebrenj dhe nga barbarizmi i viteve 1930-1940. Shkencat humane gjermane e humbën nxitjen e inovacionit të periudhës midis dy luftërave botërore (p.sh. lidhjen me strukturalizmin gjuhësor) që kur u orientuan në mënyrë të njëanshme në paradigmën popullore-kombëtare të revizionizmit të Versajës në vitet 1920.
Dhe edhe një herë: Bashkëjetesa e një qasjeje tradicionale filologjike të zhvilluar në kuadrin e gjuhësisë historiko-krahasuese, tradita e së cilës është në fakt më e fortë në Itali dhe Gjermani deri më sot sesa në Francë apo Britaninë e Madhe, nuk e humb automatikisht vlerën e saj kur paralelisht zhvillohen disiplina inovative dhe ndërdisiplinore që gërshetojnë gjuhësinë me sociologjinë ose etnologjinë. Le ta kuptojmë këtë konkurrencë si forcën tonë dhe le të përballemi me konkursin e hapur.
© 4.11.2021, Christian Voß, Zuzana Finger (Kryesia e Shoqatës Martin Camaj)