Disa nga ju do ta kenë ndjekur shkëmbimin mes dy studiuesve të njohur dhe akademikëve Albert Doja dhe Bardhyl Demiraj në faqet e revistës sonë “Peizazhe të fjalës”; dhe ndonjë madje mund edhe të jetë shqetësuar nga toni i ashpër i shkëmbimit. Duke qenë unë botuesi i Peizazheve, ndonjë edhe më ka thënë në privat se ai shkëmbim “nuk duhej lejuar”, sepse nuk i bën nder revistës dhe se, në çdo rast, nuk i sjell asgjë dijes, prandaj edhe nuk kish pse t’i jepej publikut.
Mendoj se të dy kolegët dhe figurat e njohura të dijes e dinë se çfarë bëjnë dhe çfarë shkruajnë dhe unë gjithnjë e respektoj “agjencinë” e tyre, ose vendimin për të folur kështu ose ashtu, në një hapësirë të administruar prej meje. Gjithsekush ka idenë e vet, si duhet t’i zhvillojë debatet dhe kritikat; cilët kufij mund t’i kalojë ndonjëherë cilët jo. Por, si botues i revistës, mendoj se kjo përplasje, përtej toneve ndonjëherë të forta dhe momenteve “ad hominem”, hap disa tema të vyera, për t’u diskutuar më tej, edhe në kontekstin e çfarë po ndodh me Akademinë në Tiranë dhe perspektivat e albanologjisë.
Do t’i ftoja lexuesit që të shkonin përtej sipërfaqes së teksteve dhe të lexonin motivet e pasionit, që i shtyn të dy autorët të shkruajnë kështu. Ashtu do ta shohin edhe konfliktin mes tyre si një instancë të një konflikti më të gjerë, që sot po materializohet në skenën e dijes në Shqipëri dhe jo vetëm, dhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me të ardhmen e albanologjisë. Edhe Doja edhe Demiraj kanë folur në të shkuarën për këtë çështje që do ta quaja madhore – dhe unë si botues u jam mirënjohës, që kanë zgjedhur t’i bëjnë ato debate te “Peizazhet”; sikurse më vjen keq, që Akademia vetë nuk arrin të ofrojë një forum të përshtatshëm posaçërisht për temën.
Për të ardhmen e albanologjisë u fol edhe në një takim tani së fundi në Shkodër, sikurse u fol në një takim në Prishtinë me pjesëmarrjen e krerëve institucionalë; edhe pse jo aq haptazi, sa ç’është folur tek ne. Doja i ka ngritur disa nga tezat e tij kontroversiale edhe gjetiu, dhe i ka përmbledhur te “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri”, një vepër e botuar së fundi nga Akademia e Shkencave në 2018-ën dhe e recensionuar tek ne; Demiraj, që drejton institucionin albanologjik më të rëndësishëm jashtë hapësirës shqiptare, është përgjigjur.
Bëhet fjalë për çështje ku pleksen preokupime teorike dhe strategjike për zhvillimin e dijes, me shqetësime për orientimet studimore vetjake, në një periudhë kur nuk është lehtë të merresh me studime të shqipes, të shqiptarisë dhe të shqiptarëve dhe kur tempujt e dijes në Perëndim e kanë humbur interesin e dikurshëm për këto studime. Prandaj, nga shkëmbimi i tanishëm, mes dy akademikëve, unë si lexues i tyre i parë dua ta shpëtoj, madje ta ofroj për diskutim të mëtejshëm, temën e traditës në albanologji dhe qëndrimin ndaj saj; aq më tepër që albanologjia, nga të gjitha dijet në hapësirën shqiptare, është ajo që gëzon traditën më të pasur dhe të artikuluar në disa breza dijetarësh.
Te një artikull që botoi tani së fundi në “Peizazhet”, edhe Pëllumb Xhufi vërejti se, megjithë interesin në dukje të madh nga ana e institucioneve publike për temat e historisë, të gjuhës dhe në përgjithësi të albanologjisë, askush nuk duket ta çajë kryet që të nxitë dhe të mbështetë përgatitjen e studiuesve të rinj që do t’i “trashëgojnë” studimet në këtë fushë:
Vetëm në universitetet e Italisë sot numërohen me mijëra studentët shqiptarë që frekuentojnë fakultetet “Lettere e Filosofia”. Deri tani nuk është dëgjuar qoftë edhe një rast i vetëm, që dikush prej studentëve shqiptarë të ketë zgjedhur drejtimin “Lettere Classiche”, që është një iter i detyruar për përgatitjen e albanologëve të së ardhmes.
Shkruan autori. Në qoftë se askush nuk përgatitet si duhet, për t’u marrë me studime të tilla, atëherë ata që nesër do të kërkojnë ndryshime “paradigmatike”, mund ta bëjnë këtë edhe vetëm e thjesht për konveniencën e tyre, ose ngaqë nuk do ta kapërcejnë dot hendekun që ndan dijen nga padija. Madje disa mund të gjykojnë se nuk ia vlen fare të bësh studime, kur mund ta nisësh dhe ta mbyllësh ditën me konferenca takime tubime simpoziume konsulta dekorime dhe funerale, madje edhe me zoom.
Do të përpiqem, si drejtues i “Peizazheve” por edhe si dikush drejtpërdrejt i interesuar për temën, që ta çoj këtë debat përpara, në ditët dhe javët që vijnë.
© 2021 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.