nga Eda Derhemi
Në konferencën e parë që organizoi Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët[i] në Tiranë për një diskutim të gjendjes së studimeve arbëreshe sot, mbajta një kumtesë lidhur me mënyrën si matet sot sa të rrezikuara janë gjuhët, mbi sa të sakta janë këto matje, dhe parakalova aplikimin e tyre në një gjuhë të rrezikuar që na intereson të gjithëve, arbërishtes, duke nxjerrë konkluzionet e mia për matjet dhe gjendjen e arbërishtes dhe arvanitishtes. Pra në konferencë unë nuk shtjellova a është e rrezikuar arbërishtja[ii], por sa e rrezikuar është dhe sa të sakta i konsiderojmë matjet e vitalitetit të gjuhëve, duke u bërë edhe një shtjellim teorik faktorëve dhe shkallëve të ndryshme që janë konsideruar në dyzet vjetët e fundit. Përgjigja është “po”. Arbërishtja ka kohë që jeton si gjuhë e rrezikuar bashkë me mijëra gjuhë të tjera në planet.
Ndërsa konferenca nuk ishte hiç për këtë çështje, por për gjendjen e studimeve lidhur me arbërishten. Por vura re që gazetarët (u intervistova prej disa gazetarësh) nisën të përqendroheshin në këtë aspekt në reportazhet e veta, sikur të ishte rrezikimi i arbërishtes fokusi i konferencës. Më bën përshtypje se ligjërata për minoritetet është e pazhvilluar mirë mes tyre, një diskurs për të cilin shprehin mungesa konceptuale që pastaj pasqyrohen edhe në fjalor dhe në formulimin e pyetjeve konkrete dhe të informuara. Është e qartë që shkak është se lëvrimi i këtij diskursi dhe ekspozimi ndaj tij janë të kufizuara në Tiranën e mediave; ndoshta edhe në atë të politikës.
Edhe disa tituj lajmesh e reportazhesh lidhur me konferencën thoshin “Arbërishtja në rrezik”. Ndoshta togu “gjuhë e rrezikuar” i tërheq më shumë apo i përfshin më kollaj mediat, sesa një titull po aq shkencor për veprën e De Radës, Santorit, Serembes apo Ujkos. Konferenca, ashtu si edhe çfarë bëhet sot brenda e jashtë Shqipërie lidhur me arbërishten, merret kryesisht me këtë lloj dokumentimi letraro-gjuhësor dhe historik të profileve elitare të arbëreshëve në shekuj. Gjendja e gjuhës dhe rrëgjimi i saj sot, sado i pamohueshëm, dalin rrallë, sikur një dorë kontrolluese t’i fshehë, sikur t’i prishnin kujt punë. Ndaj ndoshta gazetarët nuk kishin dëgjuar për këtë fushë studimore, dhe u fiksuan me të. Ndoshta panë në të një shenjë drejt së cilës të shkohet. Ndoshta fjala ish hapur, dhe kishin dëgjuar që dy studiuesit e njohur të gjithë-sa-ekziston-për-arbërishten, Mandalà dhe Altimari, kishin reaguar keq për këtë çështje, duke e mohuar pa dhënë prova – dhe duke akuzuar në një email masiv ata që guxonin ta thoshin “llafin mëkatar” me retorikë ekstreme ritesh funebre që flasin për varre të hapur dhe gjuhë të pakredhura në dhe – gjendjen e rrezikuar të gjuhës. Çuditërisht është po Mandalà që në gusht të 2014 jep një intervistë për një artikull të zgjeruar të Giornale di Sicilia mbi arbërishten, ku shkruhet si nëntitull se nëse institucionet nuk ndërhyjnë, gjuha vdes. Po: është përdorur pikërisht fjala “vdes”[iii]. Unë ende s’e kuptoj këtë ndryshim shkencor, politik e diskursiv kaq të fuqishëm. Por duket se fjala e tyre rreth çfarëdo teme, për institucione të ndryshme në Tiranë sot, është fener ndriçues (dhe ndoshta edhe ‘ligj’!). Thua të jenë bërë shkas disa emaile si ajo që përmenda më sipër dërguar grupesh të gjera studiuesish që i trembi këta të fundit, aq sa për t’u distancuar edhe nga një konferencë ndërkombëtare për gjuhët e rrezikuara që vjen në dhjetor në Tiranë? Një tjetër konferencë ku diskutohet si temë dytësore arbërishtja, por ku gjithashtu asnjëri prej dy studiuesve nuk merr pjesë, sepse, siç thonë, arbërishtja nuk është e rrezikuar. Nderimi për ta si studiues të zotë të arbëreshëve, nuk u jep çelësin e së vërtetës absolute dy personave, dhe as të drejtën të heshtojnë të tjerët. Thua të jetë kjo thjesht prirja konservatore akademike (jo dhe aq e rrallë ndër universitete) për të monopolizuar një fushë? Ndërkaq ka një traditë të gjatë studimore prej shumë institucionesh akademike dhe joakademike italiane dhe ndërkombëtare ku është trajtuar arbërishtja. Dhe së fundmi, dielli me shoshë s’mbulohet, sidomos kur baza e komunitetit e ka zbuluar atë të vërtetë prej kohe. Nuk duhet të mbulohet e vërteta, sidomos kur studiuesi ka fatin e madh të jetë edhe pjesë e komunitetit që ka për qendër studimi, pune, promovimi, të ardhmeje. Mbyllja e syve para gjendjes reale të arbërishtes, nuk e rrit shansin e njohjes së projektit Moti i Madh prej UNESCO-s, projekt që me të drejtë është mbështetur veç arbëreshëve në qendrat akademike me kërkime relevante, edhe nga Shqipëria dhe Kosova, dhe të cilit i uroj me gjithë zemër sukses. Por, nëse çështjet e vitalitetit të brishtë gjuhësor do bëheshin pjesë e tij[iv], shanset e fitores së statusit të kërkuar do ishin pa dyshim edhe më të mëdha. Moti i Madh i arbëreshëve, njihet apo jo nga UNESCO, as ia jep e as ia merr të drejtën studiuesit të interesuar. Ai veç i rri pranë, dëshmitar i drejtësisë apo i falsifikimit.
Sido qoftë, kjo e rrezikimit gjuhësor ishte tema e vetëm njërës kumtesë, simes, brenda dhjetëra kumtesave në konferencë (apo kuvend siç e quajtën), që s’patën asnjë lidhje me gjuhët në rrezik. Në atë kumtesë unë diskutova teorikisht si matet sot sa e rrezikuar është një gjuhë, çfarë shkallësh të tilla matëse ka dhe çfarë i bën ato të domosdoshme, dhe cilat janë problemet e saktësisë së matjes prej këtyre shkallëve. Në pjesën e dytë të kumtesës analizova disa faktorë kryesorë dhe sa problematikë janë ata në matjen e rrezikut potencial dhe real që u kanosen arbërishtes dhe arvanitishtes. Kumtesa që është e dorëzuar në formën e një Power Point, do të shkruhet si artikull akademik dhe publikohet me aktet. Por po përmbledh këtu veç disa probleme matjesh të tilla. Duke qenë masive dhe të përbotshme, si dhe duke synuar të vjelin përgjigje për gjendjen e një numri të madh faktorësh, ato janë thjesht orientuese dhe kurrsesi mjaftueshëm të detajuara dhe ekzakte. Vetëm puna direkte dhe e zgjatur në terren e një grupi gjuhëtarësh, dhe përsëritja e pafund e ekspeditave të tilla, do sillte rezultate të kënaqshme. Kjo, pra, duhej bërë për mbi 7000 gjuhë që të dinim me siguri gjendjen e vitalitetit apo rrezikut për një gjuhë. Por hartuesit e shkallëve shpesh kanë pak fonde, pak njerëz, pak kohë, pak kushte. Po të vërehen emrat e specialistëve që merren për bazë për përcaktimin e vetëm njërit prej dhjetëra faktorëve (atë të numrit të folësve të gjuhës së rrezikuar) në dy shkallë të ndryshme, atë të UNESCOs dhe atë Ethnologue, shihet qartë se ata janë të pamjaftueshëm, të kufizuar, të rastësishëm dhe të vjetruar. Pastaj një matje e tillë e numrit nuk është bërë kurrë bazuar në një census modern dhe askurrë prej një shteti dashamir ndaj minoriteteve të veta[v]. E fundit, gjendja e rrezikuar a jo, dhe vitaliteti gjuhësor ndryshojnë fort nga vendi në vend, nga një fshat arbëresh tek tjetri, madje edhe në lagje të ndryshme brenda një fshati[vi]. Në fund të kumtesës përqendrohem në disa karakteristika themelore të përdorimit dhe strukturës gjuhësore që injorohen apo anashkalohen prej të gjitha shkallëve duke qenë të vështira për t’u matur prej jo-specialistësh.
Megjithatë unë në kumtesë theksova po aq fort domosdoshmërinë e këtyre matjeve që janë e vetmja bazë krahasimi që kemi sot ndërmjet gjuhëve të rrezikuara (mbi tre mijë, e në rritje), dhe bazë për ndihmat financiare që marrin komunitetet folëse prej institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, si edhe për procese dhe asistencë rijetësuese që po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme nëpër botë dhe që kërkohen vendosmërisht prej komunitetesh aktive me gjuhë të rrezikuara. Problemet dhe pasaktësitë e matjeve nuk u janë të panjohura sociolinguistëve që i hartojnë ato. Siç thotë Bradley and Bradley (2019)[vii] “çdo përpjekje për ta përshkruar rrezikimin me kategori lineare… është shumë artificiale. Hartuesit e shumicës së këtyre shkallëve e njohin dhe e diskutojnë këtë (problem-ED). Duke qenë që këto janë dy gjuhë që unë i kam ndjekur në terren prej shumë vjetësh dhe ua njoh gjendjen, përfundimi im qe se, duke krahasuar gjendjen e tyre reale me atë të shprehur nga dy shkallët kryesore që analizova, shkallët e masin rrezikun si më të ulët se ai real; domethënë vitaliteti i dy gjuhëve kapur prej dy shkallëve, sido që fort i dëmtuar, është gjithsesi i ekzagjeruar. (shih dy figurat në shkallën e UNESCO-s dhe atë të Ethnologue-ut) Kjo gjendje paksa optimiste paraqitur prej shkallëve është e tillë për shumicën e gjuhëve, pra është më e rrallë që shkallët të ekzagjerojnë rrezikun.
Nga gjendja e arbërishtes që njohim më nga afër si shqiptarë, dhe gjuhëve të tjera të rrezikuara në shkallë të ndryshme sot në botë (40% e mbi 7000 gjuhëve të folura)[viii] bëhet e qartë përse ka një interesim masiv institucional dhe akademik rreth këtij problemi me pasoja fatale për kulturën e dijen njerëzore. Gjuhëtarët dhe aktivistët e shumë prej komuniteteve me gjuhë dhe aspekte të tjera të rrezikuara[ix] kanë qenë gjithnjë të interesuar që ky rrezik të bëhej i njohur, të diskutohej nga mediat, që pastaj edhe të financohej procesi i rijetësimit gjuhësor prej institucionesh kombëtare e ndërkombëtare. Shpesh, me krenari dhe respekt të jashtëzakonshëm për veten dhe gjuhën, komunitetet që e marrin veten pas një gjendjeje të fortë nënrendimi kulturor, ekonomik ose politik, kërkojnë rikthimin e vitalitetit të saj. Por, siç e shpjegon Nancy Dorian[x] që herët në vitet ‘80 dhe siç pohojnë gjithë gjuhëtarët e tjerë që merren me gjuhët e rrezikuara, fazat e hershme të rrezikimit shoqërohen prej një statusi të ulët social të gjuhës dhe mosrespektimi të saj. Në ato faza folësit nuk i duan gjuhët e veta por i trajtojnë ato si barrë dhe shkak të së keqes. Hamp në vitet 70-80 të shekullit të kaluar duke iu referuar arvanitëve, e quan këtë ndjesi të keqe për gjuhën e mëmës dhe kulturën e vetë komunitetit të rrezikuar, “self depreciation”. Për fat të keq ka ndodhur aq e aq herë që momenti kur komuniteti i folësve fuqizohet ose ndërgjegjësohet dhe i rikthehet punës për të rikthyer gjuhën, tkurrja gjuhësore është aq e avancuar, sa rijetësimi do donte një energji dhe mjete të jashtëzakonshme dhe bëhet një ëndërr dhe praktikë që nuk sjell ndryshim. Herë-herë njerëzit fatlumisht dhe me shpenzime kolosale ia dalin t’u rikthejnë jetën e para qindra vjetësh një zone pyjore, parcelave perimore me fara të zhdukura, faunës detare të një bregu. Por është naivitet ose delirim që të mendohet se do ishte e mundur kjo edhe me gjuhën. Dhe evidencë është fakti se sa rrallë ndodh, dhe sa të pazakonta rrethanat në të cilat ndodh[xi]!
Arbërishtja që ende jeton me hijeshinë e gjërave të rralla të cilave u jep dritë kalvari nëpërmjet të cilit kanë mbijetuar, nuk nisi të jetë një gjuhë e rrezikuar sot. Unë sjell këtu një ide të formësuar bukur prej Zef Schiro di Maggios në të hershmet vite 1980, regjistruar nga shkrimtari Nasho Jorgaqi në vizitën e tij të parë në Piana degli Albanesi[xii]. Z. Schiro, mësuesi, poeti e dramaturgu, mua më ka befasuar vazhdimisht në këto 30 vjetët e fundit me sensin e hollë prej gjuhëtari dhe politikani që ka; por imagjinoini, të gjitha këto prej një burri me zemër poeti. Koncepti i tij për rrezikimin e arbërishtes është modern dhe ardhur prej një elite me tradita të hershme për të cilën gjuha dhemb e gëzon e s’mund të bëhet sehir tek zbiret me vjet, me muaj, me ditë. Por unë e di që e kam hasur këtë ide shumë më herët ndër elitarët avant-guarde arbëreshë të Sicilisë dhe krahinave të tjera të Italisë së Jugut. Dhe të tjerë që merren nga afër me ta, e dinë edhe më mirë se unë. Kjo më kujton një titull studimi të Aurélie Joubert, studiueses së Oksitanishtes (Occitan), një tjetër gjuhë neolatine e rrezikuar e folur në Francë, Itali e Spanjë me një jetë të hershme të ndritur e të shkruar. Joubert pra e titullon studimin e vet “Oksitanishtja: një gjuhë që s’pushon së vdekuri”[xiii]. Sipas saj oksitanishtja “ka rreth dyqind vjet që jeton duke vdekur”. Gjuhët rezistojnë gjatë, sidomos kur kanë fatin e arbërishtes, pra kur jetojnë në komunitete ku ruhet dëshira e mirë ndaj gjuhës e kulturës së vet[xiv].
Po a është tekë e imja dhe e matësve ndërkombëtarë që e quajnë Arbërishten të rrezikuar? Arbërishtja ka kohë që pëson zhvendosje (shift) drejt italishtes, që me fjalë më të thjeshta do thuhej zëvendësohet prej saj. Në këta dhjetëvjeçarë (a më shumë) që kjo ndodh ajo ka rezistuar me një fuqi të jashtëzakonshme inovatore, duke ndryshuar brenda brumit të vet që të mbajë forcën e vet ekspresive dhe komunikuese, natyrën e vet të ndryshme prej gjuhëve në kontakt, ka marrë e dhënë fort me italishten dhe sicilishten (madje edhe me shqipen në përdorimet e saj të përzier prej elitës arbëreshe, si dhe në gjithë krijimet e shkruara e të botuara, e në përkthimet e deritashme të veprave të njohura prej gjuhësh të tjera në arbërisht – rasti i Dantes për shembull). Deri këtu, e gjitha kjo dinamikë komplekse nuk është shenjë vdekjeje dhe nuk e bën një gjuhë të rrezikuar, përkundrazi, tregon vitalitet dhe ndryshime normale (language change) që i ndodhin çdo gjuhe. Ajo që e shenjon arbërishten sot si gjuhë të rrezikuar është zëvendësimi i saj prej italishtes (language shift) në shumë drejtime: fshatra të tërë në Italinë gadishullore dhe në Siçili dëftejnë bjerrje të gjuhës: numri i folësve të arbërishtes zvogëlohet në vlerë absolute dhe në përpjesëtim me ata që flasin italisht; domenet gjuhësore[xv] të përdorimit të arbërishtes tkurren duke e mbyllur atë gjithnjë e më shumë në shtëpi e duke ia marrë të folurit në zyrë, në dyqan, në shkollë ku dikur ishte më e fuqishme se sot. Marr veç shembullin e Urës në Piana ku bëheshin passeggiatat mbrëmjeve verore, ku në 1990 dëgjoje shumë arbërisht, ndërsa sot, pas 30 vjetësh italishtja ka zënë vend mirë; ose baret në Contessa Entellina ku në 1990 hasej shpesh arbërishtja ndërsa sot dominon italishtja. Zinxhiri i kalimit të gjuhës nga prindërit tek fëmijët po thyhet me shumë shpejtësi: për mua ky është treguesi më i fortë i humbjes në favor të italishtes. Posteri i bukur në krye të këtij shkrimi është shenjë e qartë e asaj që dëshirohet për të ruajtur një gjuhë. Pak fëmijë flasin arbërisht sot; edhe ata që ende e njohin prej nonërave nuk e përdorin më nëpër shkolla. Problemi i humbjes së “gjitonisë” i diskutuar shpesh nga poeti dhe studiuesi arbëresho-kalabrez Mario Bellizzi, ka një peshë të rëndë mbi gjuhën. Folësi i arbërishtes rrallohet dhe mosha mesatare e tij vjetrohet me një shpejtësi shqetësuese. Për fat, në disa fshatra arbëreshë ende ka fëmijë e të rinj që s’e kanë humbur krejt gjuhën, por që kanë vështirësi të shprehen në të për tema që kalojnë ato elementaret dhe që kërkojnë më shumë se një grusht fjalësh. Dhe këtu nuk po diskutoj fare bjerrjet strukturore që kufizojnë thellësinë e përdorimit dhe të shprehjes. Pandharipande (2002)[xvi] diskuton dy koncepte teorike me vlerë orientuese në këtë diskutim: atë të peshës funksionale (angl. functional load) dhe transparencës funksionale (angl. functional transparency). I pari është aftësia e gjuhës të funksionojë në një a më shumë domene gjuhësore. Këtu, siç thashë, arbërishtja është tkurrur shumë duke i dhënë udhë një bilingualizmi fort asimetrik dhe një situate diglosike në rritje. I dyti është kontrolli (pushteti) që gjuha ka brenda një domini, sa i ndërhyn ose jo gjuha tjetër brenda tij. Edhe këtu, shtëpia ku dikur arbërishtja mbretëronte pa të dytë, nën ndikimin e shkollës, televizionit, mediave, dhe shumë shkaqeve të tjera në të cilat unë nuk jam përqendruar në këtë shkrim, kanë bërë të vetën.
Biem dakord apo jo për termat, nuk është problemi kryesor. Ajo e termave është çështje e hapur dhe ndikohet nga plot situata kulturore të mileniumit, herë direkt e më shpesh indirekt të lidhura me gjuhët. Por, për hir të gjuhëve që duan kujdes dhe vëmendje, të bëjmë atë që duhet, qoftë edhe pa ia përmendur emrin së keqes.
(c) 2021 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[i] QSPA – u krijua pas krijimit të Ministrisë së Diasporës. Tashmë që kjo e fundit u tret në qeverinë e fundit Rama, nuk dihet ende se në ç’molo do atashohet QSPA-ja.
[ii] Për më shumë për këtë temë mund të shihet edhe Derhemi, Eda. 2021. Continuum https://online.fliphtml5.com/mhxxc/uwut/#p=1
[iii] Artikulli në gazetën “Giornale di Sicilia” mund të shihet këtu në këtë portal për gjuhën kontesiote për të cilën përkujdeset me pasion Mimmo Clesi: http://contessioto.blogspot.com/2014/08/piana-degli-albanesi-una-pagina-del.html
[iv] Projekti i plotë “Moti i Madh” më është i panjohur dhe nuk di nëse është folur në të për këto aspekte. Por uroj.
[v] Pastaj, edhe sikur një census i tillë popullsie, i emancipuar e dashamir ndaj së vërtetës të ekzistonte! Pyetjet që do përfshiheshin në të do ishin: çfarë gjuhe(-ësh) flet në shtëpi? Çfarë gjuhe flet me miqtë… Ose edhe më keq akoma: cila është gjuha jote e parë?… Qytetari pjesëmarrës në census do përgjigjej sipas bagazhit kulturor e veçorive personale, që e bëjnë përgjigjen krejt subjektive. Kjo do informonte për tipare të rëndësishme të komunitetit folës, por jo edhe aq për pyetjen që u bë. Më ka qëlluar shpesh të pyes folës komunitetesh të ndryshme me ideologji gjuhësore pozitive “a flet X?” Përgjigja është më shpesh ‘po’ se ‘jo’. Por është thjesht përgjigje direkte apo reagim i menjëhershëm ndaj pyetjes; shpesh ky grup njeh vetëm shprehje karakteristike dhe të shpeshta që i lejojnë vetëm të hapin apo mbyllin një bisedë, por nuk e mbajnë dot bisedën për më tej. Siç dihet nga të gjithë studiuesit që bazojnë përfundimet në sondazhe që mbështeten në perceptimin e të intervistuarit, kapërcimi i këtij subjektiviteti duhet mbushur e kompensuar me metodologji të tjera për ta bërë studimin të besueshëm.
[vi] Flas për arbërishten, sepse përdorimi i arvanitishtes në Greqi është më homogjen, duke qenë gjuha gati kudo e papërdorur, edhe atje ku mund të ketë plot pleq që e njohin.
[vii] “…any attempt to break endangerment into discrete linear categories… is highly artificial. The compilers of most of the scales of endangerment recognize and discuss this.” (p. 28) [Bradley, David and Maya Bradley. 2019. Language Endangerment – key topics in linguistic anthropology. Cambridge University Press.]
[viii] Sipas “Ethnologue” konsultuar më 26 shtator, 2021.
[ix] Kusht i parë i këtij interesimi është besnikëria ndaj gjuhës dhe dëshira për ta ruajtur atë, që jo të gjitha komunitetet e kanë.
[x] Nancy Dorian është ndër gjuhëtaret (sociolinguistet) më të njohura në fushën e gjuhëve të rrezikuara që ka një rigorozitet shkencor absolut dhe kërkime në terren sidomos lidhur me “East Sutherland dialect of Scottish Gaelic” që prej gati 50 vjetësh. Ajo përdori termin “vdekje e gjuhëve” që sot kritikohet (e ndoshta jo pa të drejtë sot që mund të evitohen terma bombastikë përderisa problemi është shumë më i njohur në botë) por që u përdor si alarm për të zgjuar (dhe në fakt i zgjoi) akademikët e fjetur dhe institucionet lidhur me gjuhën në Evropë dhe sidomos në kontinente të tjera më të pasura gjuhësisht se Evropa.
[xi] Rasti tipik që jepet këtu është ai i Hebraishtes (“Por a është kjo e sotmja vërtet Hebraishtja që ish synuar? “ – pyesin shumica e specialistëve të saj sot.)
[xii] Jorgaqi, Nasho. 1987. Afër dhe Larg (Udhëtime dhe Meditime). Shtëpia botuese Naim Frashëri. (fq. 174-175)
[xiii] “A language that can’t stop dying”
[xiv] Termat që përdoren në literaturën në angl. për këto sjelleje gjuhësore janë: positive linguistic attitude; language loyalty; positive language ideologies; prestige in the community.
[xv] Termi në angl. “language domains” – janë një tërësi dinamike e ambientit ku zhvillohet komunikimi, atyre që komunikojnë dhe temës së komunikimit. Unë në këtë shkrim po përdor shqipërimin nga halli “domin”.
[xvi] International Journal on Multicultural Societies (IJMS) Vol. 4, No. 2, 2002 “Protecting Endangered Minority Languages: Sociolinguistic Perspectives”
https://citeseerx.ist.psu.edu/vieëdoc/download?doi=10.1.1.109.2253&rep=rep1&type=pdf