Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Televizion

ZONJUSHAT E MBRËMJES

Një lajm mes lajmesh, që mezi e gjeti rrugën tek unë, nëpër Afganistanin e mediave: paskësh vdekur Nicoletta Orsomando, e njohur edhe si mbretëresha e “zonjushave Mirëmbrëma” të RAI-t (italisht: signorine buonasera), të cilat edhe pak dhe do t’i kalojnë përfundimisht arkivit të radio-televizionit italian; dhe që shumë prej lexuesve të sotëm të këtij shkrimi as do t’i kenë dëgjuar ndonjëherë. Kështu quheshin, pra, zonjusha Mirëmbrëma, gratë prezantuese të programeve në RAI-n e viteve të arta të televizionit – ishin në fakt të gjitha gra – duke filluar nga kjo Nicoletta Orsomando, e cila e bëri lajmërimin e parë në 22 tetor të vitit 1953, kur televizioni shtetëror italian ende transmetonte në mënyrë eksperimentale. Këto gra të hijshme, elegante, të përmbajtura dilnin para kamerës live, për të lajmëruar programin pasues, ose ndonjë ndryshim të paparashikuar në “skaletë”. Flisnin shtruar dhe shkoqur, duke e parë shikuesin në sy, por herë pas here edhe duke lexuar nga një fletë programesh e padukshme, jepnin zakonisht lajmin e mirë, për një emision që mezi pritej; por ndonjëherë edhe lajmin e keq, kur emisioni që mezi pritej ishte shtyrë ose anuluar. I mbaj mend, që kur më dilnin në ekran, për të thënë “va ora in onda…”, dhe kur unë nuk e dija se çdo të thoshte va ora in onda, por emrin e emisionit a të filmit e dalloja mirë, sikurse dalloja që ajo gruaja i kish flokët të krehura si nëna ime – pa e kuptuar që ish nëna ime që i krihte si ajo gruaja, sepse le signorine buonasera ishin njëfarësoj edhe influencers të parakohshme, të admiruara për hijeshinë dhe klasin, portrete që të ftonin t’i shkruaje në kujtesë. Televizioni shqiptar, që do t’i niste transmetimet e veta më vonë, do të përdorte edhe ai vajza dhe gra në këtë rol, të modeluara sipas atyre të RAI-t, fytyra që me ngadalë do t’i identifikoje me medium-in vetë. Rolin e tyre mund ta zëvendësonte edhe një mbishkrim në ekran, prandaj unë do ta shihja më shumë si vazhdim të një akti që e kish prejardhjen nga skena, nga teatri, nga koncertet, nga koha kur publiku duhej informuar edhe për titullin e një kënge, edhe për emrin e një këngëtari, edhe për dirigjentin dhe kompozitorin dhe orkestrën shoqëruese, nga një njeri i gjallë, që zgjidhej të ishte grua sepse gruaja mbase është më e bukur, ose kushedi më pak kërcënuese… Të tilla prezantuese i dëgjoje edhe në radio, si në RAI ashtu edhe te Tirana, gjithnjë duke lajmëruar se çfarë do të pasonte; por atyre të radios u mungonte fytyra dhe prezenca; dhe nuk po më duket e rastit lidhja etimologjike mes prezencës dhe prezantimit, të thuash se roli kryesor i këtyre “engjëjve” të firmamentit mediatik ishte të sillnin në ekzistencë eventet e tjera, emisionet, filmat, varietetë; ta kujtonin publikun se ishte, në analizë të fundit, publik për diçka. Lexoj se në Itali ua dinin emrat dhe i ndiqnin siç ndjekin sot yjet e rrjeteve sociale; në Shqipëri kjo nuk ndodhte, por admirimi mbetej. Edhe pse, ndryshe nga – të them – gazetarja që lexonte e sipas rastit edhe i komentonte pak lajmet, zonjusha Mirëmbrëma nuk fuste gjë profesionale nga vetja, përtej zërit, drejtpeshimit dhe qetësimit psikoterapeutik të publikut; detyra e saj ishte thjesht të shfaqej në ekran dhe t’i jepte fytyrë dhe fjalë informacionit të përcaktuar gjetiu; mjafton të dinte të ishte e rrjedhshme. As që filmi më pas ishte i dukej i bukur, ose që i pëlqente, nuk i lejohej të shtonte. Pa çka se mua fëmijës asokohe më dukej se një grua e tillë i kish parë dhe shijuar tashmë të gjitha programet, serialet, koncertet, filmat multiplikativë dhe skeçet komike të RAI-t: çfarë shtrihej ende në të ardhmen tonë si publik, për atë që na e lajmëronte i përkiste së kaluarës. Tani që e mendoj, po më duket sikur funksioni i tyre kryesor ishte lehtësonin, të zbutnin kalimin nga një program në tjetrin, ta ndihmonin shikuesin të kthente faqen e revistës; ose, për ta çuar më tej arsyetimin, të shërbenin si shenja pikësimi të “palimpsestit” televiziv, duke i ndarë eventet nga njëri-tjetri, por edhe duke i bashkuar. Dhe në këtë funksion bashkues, le signorine Buonasera ishin fytyra e RAI-t, më shumë edhe se gazetarët, drejtuesit e emisioneve, komentatorët. Nga ana tjetër, me pauzat e tyre, hezitimet e çastit, lëvizjet ndonjëherë me frikë të syve drejt një të papriture të padukshme në studio, ato të kujtonin se edhe produksioni televiziv bëhej prej njerëzish vdekatarë, që mund të gabonin gjithashtu. Më vjen në mend një gjest i njërës prej tyre, që ndonjëherë e ndërpriste të folurit, dhe vinte syzet, për t’u siguruar se nuk po gabonte në prezantim: ishte gjest prej “zyshe” (fjalë që në shqipe vjen edhe ajo nga “zonjushë”), që ta sillte prezantuesen në dhomë, me gjithë brishtësinë e saj. Të tjerë kanë qëmtuar gafat e tyre të ndonjëhershme: u pat shkruar me ilaritet për njërën që titullin e filmit Malcolm X e lexoi “Malcolm Decimo”; një përkëmbim tragjikomik, po të kemi parasysh se Malcolm-i atë X e pati shtuar tek emri për të treguar se stërgjyshët e tij afrikanë nuk i njihte, në një kohë që “decimo” i jepte një pedigree mbretërore të respektueshme. Por zonjushat e mbrëmjes veç këndonin nga fleta që u vinin përpara, i jepnin zë fjalës së shkruar, programit (që duhet kuptuar edhe si “emision”, edhe si “programim” të mendjes së shikuesit); në një kohë që personaliteti i tyre përcillej i gjithi nga pamja, intonacioni, fryma, kapsallitjet, buzëqeshja, lëvizjet e vogla të syve dhe të kokës. Të gjithë nga ato vite i mbajnë mend le signorine Buonasera, por askush nuk mban mend se çfarë thoshin – përtej formulave “ci colleghiamo ora in diretta con lo studio RAI di…”, formula që, në mënyrën e tyre, ia bënin vetvetiu radiokronikën eventit televiziv shumë-orësh, edhe ditor edhe të përditshëm: televizioni lidhej, shkëputej, ndërpritej, rilidhej, tregonte, përcillte, shoqëronte, si një lumë aq i njëtrajtshëm, por që mbledh në vete ujë nga çdo anë e botës. Le signorine Buonasera – të fundit i hoqën nga RAI në maj të vitit 2016; për t’i zëvendësuar me montazhin; e megjithatë, prej kohësh telekomanda ia kish prezantuar, rolit të tyre, vdekjen.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin