Më tërhoqi vëmendjen lajmi sot i shpërndarë nga Google News, për një burim drite të pikasur prej astronomëve edhe pse i fshehur prapa një vrime të zezë; lajm i shoqëruar me komentin “Albert Einstein was right…”
Tani, unë nuk është se kam ndonjë gjykim timin personal, për teoritë e Einstein-it, përveçse që më mahnitin intelektualisht; por edhe u besoj atyre që thonë se teoritë tashmë janë provuar, sikurse besoj shumë të tjerë në pozitat e mia, që nuk dyshojnë në aftësitë e shkencës dhe të dijes në përgjithësi, për të na ndihmuar të kuptojmë botën materiale dhe të ndërveprojmë me të, me sukses, në mënyra gjithnjë e më komplekse.
Por në përgjithësi, nuk njoh njeri që beson se Einstein-i është kapërcyer, ose e ka pasur gabim[1], ose “ia ka futur kot”, etj.; madje përshtypja ime është se adhurimi i Einstein-it, sidomos i fotos së tij ikonike, me flokë të shpupurisur dhe mustaqe prej orëndreqësi e me ca ekuacione të komplikuara në dërrasën e zezë në sfond, i ka kapërcyer kufijtë e dijes, për t’u shndërruar në fenomen të psikologjisë kolektive të epokës, ose në diçka si folklor intelektualësh.
Megjithatë, formula “Einstein-i kishte të drejtë” (“Einstein was right”, “Einstein aveva ragione”, “Einstein avait raison”) më del vazhdimisht përpara, në mediat. Për shembull, Google më thotë se kjo “Einstein was right” del 254,000 herë në ueb (“Einstein avait raison” vetëm 74,200 herë)[2]. Por nëse është kështu – dhe kështu do të jetë – atëherë ç’nevojë ka që kjo të përsëritet 254,000 herë?
Tani, kjo “Einstein was right” shfaqet në shkrime me natyrë divulgative, që shpjegojnë si teoritë e Einstein-it janë konfirmuar eksperimentalisht. T’i lexosh këto shkrime, të duket sikur fizika moderne nuk ka punë tjetër, përveçse të provojë nëse ka pasur apo jo të drejtë Einstein-i, dhe mbase ndonjë fizikan e beson këtë vërtet.
Do të më thonë: ku është problemi këtu? Problemi është, them unë, te perceptimi naiv i shkencës, nga publiku; ose te prirja e disave që shkencën duan ta përdorin si ideologji (nuk po them religjion).
Dhe kjo “Einstein was right” mua më kujton si, sa herë që ndodhte ndonjë gjë në botë, në vitet e regjimit totalitar në Shqipëri, do të dilte ndonjë kalemxhi te Zëri i Popullit dhe do të shkruante në faqen 4: “masakra në Laos provoi edhe një herë drejtësinë e parashikimeve të shokut Enver…”, ose “provoi sërish drejtësinë e tezës marksiste-leniniste se…” ose “këtë që ndodhi Lenini e kish parashikuar që…” e kështu me radhë; të thoje se misioni i historisë nuk ishte veçse të provonte sa të drejtë kish pasur largpamësit Enver Hoxha, Maoja, Stalini, Lenini e kështu me radhë, kur kishin parashikuar këtë apo atë.
Por Zëri i Popullit atë punë kishte; madje edhe vetë Enveri ndonjëherë nuk ngurronte dhe dilte me një editorial, ku shpjegonte se “çfarë kish ndodhur në Laos… provonte drejtësinë e vijës politike të Partisë sonë,” vijë e cila nuk ishte veçse një përmbledhje e gjërave që kish thënë ai vetë, të sistemuara bukur nga Instituti i Studimeve M-L.
Sërish, nga propaganda nuk mund të presësh tjetër, përveç konfirmimit; por në rastin e Einstein-it, duke qenë ky fizikan dhe gjeni, nuk kuptohet mirë pse ngulin këmbë gazetarët që ta theksojnë që ky ose ai eksperiment e provuan se “Einstein-i kishte të drejtë”; aq më tepër që fizika e sotme përgjithësisht nuk i kundërshton teoritë e Einstein-it. Ç’të jetë, pra, kjo këmbëngulje që diçka paska qenë e drejtë (e saktë, etj.), sa kohë që të kundërtën nuk po e pretendon kush seriozisht?
Besoj se kjo i duhet faturuar ikonografisë së Einstein-it në mediasferë – ku i mëshohet më shumë faktit që ai ka qenë gjeni i pagabueshëm, se faktit që ai ka qenë fizikan (shkencëtar); nga ku mund të deduktohet se gjeniun nuk mund ta shpjegojmë, përveçse duke iu qasur me metoda të kremtimit hagjiografik, ose duke e përfytyruar – kolektivisht – jo vetëm si “njeriun që ka pasur të drejtë”, por edhe si “njeriun që gjithnjë duhet theksuar se ka pasur të drejtë” dhe se misioni i dijes nuk është aq njohja e botës, sa kulti i atyre pak luminarëve, që na e kanë dhuruar njohjen e botës. Për këtë, nuk ka nevojë që dikush – një fizikan serioz, ose edhe një mijë të tillë – të ngrihet dhe t’i hedhë poshtë teoritë e Einstein-it; është vetë establishmenti shkencist (për ta thënë me Lacan-in), që e kërkon një armik të madh të Einstein-it, të fizikës dhe të shkencës, në prapaskenën e dijes, në emër të absolutizmit të idhullit që ka ndërtuar vetë.
Brenda këtij botëvështrimi, Einstein-i pikturohet si shenjti mbrojtës i shkencës anembanë botës. Por miti i këtij dijetari gjeni, që i vetëm ia paska dalë ta revolucionarizojë fizikën moderne me teoritë dhe vizionin e tij, nuk ka lidhje me shkencën, as me metodën shkencore; por me të kundërtën e saj, besimin irracional, kultin e shenjtërisë (këtë herë intelektuale), idenë primordiale të Profetit, të Mesias.
Këtë ma konfirmon edhe historia e trishtuar e trurit të Einstein-it, të cilin e vodhi, nga spitali i Princeton-it fill pas vdekjes së dijetarit, mjeku anatomo-patolog Thomas Harvey “për ta studiuar” (histori amerikane tipike, që bashkon materialitetin vulgar me përfytyrimin e njeriut si makinë). Për mitin e trurit të Einstein-it pat shkruar një ese edhe Roland Barthes-i, “Le Cerveau d’Einstein”, të botuar te Mythologies, ku përshkruan shpresën absurde se, nëpërmjet trurit të Einstein-it, do të mund të kuptohej diçka rreth të menduarit të gjeniut, ose të mekanizmit magjik që ia zbulonte këtij fshehtësitë e universit. Ironikisht, praktika e studimit të trurit të njeriut të madh është sovjetike – në Institutin e Trurit, në Moskë, ruhen copa nga truri i Leninit, truri i Stalinit dhe truri i Majakovskit[3]; madje për ca vjet, harta e trurit të Leninit ishte sekret shtetëror.
Po sa “shkencore” është ndërmarrja intelektuale e Einstein-it, ashtu siç gjeti shprehje në teoritë e relativitetit, speciale dhe të përgjithshme, në krahasim me orvatjet për t’ia studiuar trurin në laborator? Apo me shembuj të tillë ekstremë, si ai i gjeniut, shkenca arrin të shfaqë edhe anën e saj më të brilante, edhe anën e saj më brutalisht banale?
Einstein-i dhe fizika e tij nuk kanë shumë lidhje me ngazëllimin e atyre që vrapojnë të bërtasin Einstein was right sa herë që një eksperiment konfirmon një teori e cila ka njëqind e kusur vjet që konfirmohet. Edhe fizikanët, sado të humbur që të jenë pas eksperimenteve dhe teorive të tyre, e dinë se Einstein-i arrin të ngacmojë vëmendjen e publikut më shumë e më mirë se fizika teorike vetë; dhe kjo vëmendje e publikut ndihmon për të çuar më shumë fonde drejt katedrave, laboratorëve dhe instituteve shkencore.
Madje, në një kuptim, kjo rishfaqje monotone e formulës, kjo hare e çuditshme – për një shkencë si fizika – e cila nuk ka për objekt konfirmimin e teorive ekzistuese, por sfidën ndaj tyre, duan parë si shenja jo të shkencës vetë, sa të establishmentit shkencor (universitar, akademik) e cila ka gjetur, tek ikona e Einstein-it, armën efikase për të mbrojtur hegjemoninë e vet.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Kjo vlen për ata që njoh dhe që “ndesh” unë në jetë, ose njerëz që interesohen për shkencën dhe i besojnë, por që nuk studiojnë drejtpërdrejt fizikën relativiste. Përndryshe, gjithnjë sipas Google-it, “Einstein was wrong” del 372,000 herë në ueb; një shqyrtim i shpejtë i konteksteve më tregon, megjithatë, se kjo denduri kaq habitshëm e lartë lidhet drejtpërdrejt me detyrimin “intelektual” për ta provuar se Einstein-i ka pasur gjithnjë të drejtë; diçka e krahasueshme me shprehjen “God does not exist” që mund të shfaqet shpesh në tekste me natyrë religjioze ose teologjike, si pjesë e argumentit. Përtej sofistikës, do të thoja se vetë obsesoni me të provuarit se Einstein-i ka pasur të drejtë, nga mediat por edhe nga institucionet kërkimore, mund të bëjë që çdo zbulim i ri që sfidon statu quo-në në fizikën relativiste do të interpretohet si i tillë që tregon se Einstein was wrong. Një titull i revistës online AEON e dëshmon këtë në mënyrë elokuente: Turns out that, even when Eistein was wrong, he was kind of right.
[2] Ky inflacion lidhet edhe me atë që Einstein was right, dhe versionet përkatëse në gjuhë të tjera, është titulli i një libri për valët gravitacionale.
[3] Dilema ime: cili është shumësi i fjalës tru në shqip? A ka kuptim të thuhet trutë e Leninit, Stalinit dhe Majakovskit, apo mos kjo shprehje nënkupton që të tre këta kanë pasur një tru të vetëm? Të krahasohet shprehja: i hodhi trutë e gomarit, ose hodhi trutë në erë (dhe jo hodhi trurin në erë). Ja një temë për shkencën që ta studiojë.