Shkrimi i djeshëm, i Anila Omarit, kushtuar botimit kritik, prej Ardian Klosit, të Netëve Pellazgjike të Reinholdit, më kujtoi se të dhënat e shumta gjuhësore që sjell ky botim por edhe të tjera të ngjashme, përfshi edhe ato nga arbëreshët e Italisë, kanë thirrur në vëmendje edhe nevojën për rishikim kritik të statusit të arbërishtes së Greqisë dhe asaj të Italisë, brenda arealit shqipfolës. Dhe pikërisht: a janë këto dy arbërishte dialekte të shqipes, apo gjuhë më vete, të cilat rrjedhin nga trungu i përbashkët i shqipes mesjetare?
Nuk i jam i pari që e shtroj këtë pyetje, as personi që do të mund t’i përgjigjet. Kufiri mes gjuhës dhe dialektit është si rregull konvencional, dhe shpesh janë rrethanat politike, sociale dhe kulturore që vendosin; në kuptimin që nuk ka kritere mirëfilli gjuhësore, për të na ndihmuar të kuptojmë se çfarë diferencash gjuhësore duhet të kenë dy dialekte, për t’u konsideruar gjuhë më vete. E megjithatë, sado konvencional, statusi nuk është pa rëndësi: nëse e pranojmë që arbërishtja është gjuhë më vete, atëherë zhdukja e saj na alarmon ndryshe nga ç’do të alarmoheshim, për shembull, për zhdukjen e një dialekti. Dhe – për të shmangur ndonjë keqkuptim – nëse arbërishtja sot plotëson kriteret për t’u quajtur gjuhë më vete, kjo thjesht do të thotë se është bërë e tillë, në rrjedhë të shekujve.
Argumentet që sjell Klosi për arbërishten e Greqisë i shërbejnë edhe këtij debati. A i kanë ruajtur komunitetet e arvanitëve në Greqi, pas shpërnguljes, lidhjet me “atdheun”, ose me dialektet e tjera të shqipes, veçanërisht me labërishten dhe me toskërishten? Materialet e mbledhura nga Reinholdi duket se e mbështetin këtë. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se çamërishtja e ka pasur gjithnjë vijueshmërinë gjeografike me labërishten – prandaj këtu në diskutim janë lidhjet mes çamërishtes dhe arbërishtes të ngulimeve arbërore anembanë Greqisë. Këto lidhje mund të gjurmohen me mjete thjesht linguistike – por mund edhe të mbështeten nga historia.
Për çamërishten, nuk di nëse i ka parë kush dallimet në të folme mes çamëve ortodoksë dhe atyre myslimanë; për të parët, dokumentacioni historik nuk mungon (Boçari, etj.), ndërsa për të dytët është vjelë mjaft material nga bartësit. Përkundrazi, për të folmet e arvanitëve problem është jo vetëm statusi i tyre në marrëdhënie me shqipen e “atdheut” nga njëra anë e me arbërishten e Italisë në anën tjetër, por edhe statusi i të folmeve të veçanta të arbërishtes së Greqisë në raport me njëra-tjetrën. A kanë pasur arvanitët anembanë Greqisë aq kontakte mes tyre, sa të flitet për një “arbërishte” të Greqisë, qoftë si dialekt qoftë si gjuhë, por me karakteristikat e një sistemi gjuhësor? Si problem, ky është formuluar më mirë për të folmet arbëreshe të Italisë, të cilat kanë ngjashmëri mes tyre, por pa qenë këto ngjashmëri të mjaftueshme për të folur për vijueshmëri gjeografike – çfarë shpjegohet me atë që banorët e ngulimeve kanë ardhur nga vise të ndryshme të Arbërisë, duke sjellë me vete edhe diferencat e tyre dialektore të origjinës.
Sipas Omarit, Klosi – në vazhdë të Çabejt – gjen disa përkime mes arbërishtes së Greqisë dhe gjuhës së Buzukut, një autor “nga skajet veriore të trojeve shqiptare”, në mbështetje të tezës se dy dialektet kryesore të shqipes kanë pasur një afërsi më të madhe mes tyre në periudhën paraturke. Kjo tezë, e cila lidhet me moshën e ndarjes së sotme dialektore të shqipes, ndonjëherë është kundërshtuar. Ideja që dialektet e shqipes kanë qenë të afërta dhe pastaj kanë ardhur duke u diferencuar nuk mund të ndahet, në thelb, nga hipoteza se shqipja e sotme, me dialektet e saj, është rezultat në mos i një “shpërthimi” demografik (hipoteza e Stadtmueller-it), të paktën i një përhapjeje të shpejtë dhe në kohë të shkurtër, të një popullsie të vogël në numër dhe që jetonte më parë në një territor relativisht të vogël, ose gjithsesi vinte nga një komunitet i vogël që i kish mbijetuar një asimilimi masiv të mëhershëm. Por jo të gjithë studiuesit janë dakord me këtë. Treva e sotme e shqiptarëve është trevë restriksioni, thotë diku Çabej. Një model alternativ do të ishte ai që merr parasysh edhe restriksionin, edhe shkërmoqjen në ishuj gjuhësorë, edhe ekspansionin, gjatë të cilit këta ishuj gjuhësorë mund të integrohen sërish: le ta quajmë modeli “yo-yo”.
Deri edhe në Mesjetën e Vonë, ndarja dialektore e shqipes rezulton problematike – mes arvanitëve, por sidomos mes arbëreshëve të Italisë, gjen ngulime dhe fise që besojnë se e kanë prejardhjen nga pjesa “gege” e trojeve arbërore në Mesjetë; por gjurmët e gegnishtes në të folmet e tyre janë të papërfillshme. Përshtypja që të lënë, edhe arbërishtja e Greqisë edhe ajo e Italisë, është se të dyja janë të afërta me toskërishten jugore (labërishten dhe sidomos çamërishten); e cila mund të ketë qenë dikur më e afërt me gegnishten, por vetëm për arsye të vijueshmërisë gjeografike – të cilën e ka ndërprerë ardhja (hipotetike) më e vonë e “toskëve” të mirëfilltë, dikur në mesjetë, nga një territor më në brendësi të Ballkanit dhe gjithsesi në kontakt të ngushtë me rumunët.
Pra, (1) statusi i dy arbërishteve si gjuhë apo dialekte; (2) statusi i arbërishtes së Greqisë në raport me çamërishten, në kohë dhe në hapësirë; dhe (3) historia dhe mosha e dialekteve të shqipes: ja disa sfida ende të hapura për historianët e shqipes.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
P.S.
Ngaqë u hutova me këtë shkrim, desh më mbeti pa kremtuar 102 vjetori i lindjes i fokloristit të madh nga Depshi, plakut të urtë Aristidh Gurabardhi. Po të ish ende gjallë, ai do ta kish kaluar shekullin tashmë. Qoftë e paharruar vepra e tij, që – medet – ende nuk e ka parë dritën e botimit.