Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Politikë

LIRIA E SHTYPIT

nga George Orwell

Kjo ese me titullin në origjinal “The Freedom of the Press” u shkrua prej George Orwell më 1945 si parathënie për përrallën Ferma e Kafshëve, por nuk u përfshi në botimin e parë të asaj vepre dhe mbeti e panjohur deri në vitin 1971. U botua për herë të parë nga Jonas Holmgren në The Times Literary Supplement, 15 shtator 1972. Përkthimi në shqip është marrë nga botimi sapo dalë nga shtypi, Ferma e Kafshëve, Botime Pegi, Tiranë 2021, fq. 5-18.

Ideja qendrore e këtij libri më lindi diku në vitin 1937, por e përfundova së shkruari aty nga fundi i vitit 1943. Që në atë kohë, e kisha të qartë se do të ishte shumë e vështirë për t’u botuar (pavarësisht mungesës së librave në treg, çka garantonte se gjithçka që mund të kategorizohet si libër, do të “shiste”). Si përfundim, botuesit nuk e pranuan. Vetëm njëri prej tyre e ktheu për arsye ideologjike. Dy botues kishin vite që botonin libra antirusë, kurse tjetri nuk i përkiste ndonjë ngjyre të qartë politike. Një botues, fillimisht e pranoi librin, por pasi bëri koordinimet paraprake, vendosi të merrte mendimin e Ministrisë së Informacionit, e cila, siç duket, e paralajmëroi ose, sidoqoftë, e këshilloi fuqimisht që të mos e botonte. Ja një fragment nga letra e botuesit:

Përmenda reagimin që mora nga një zyrtar i rëndësishëm i Ministrisë së Informacionit lidhur me “Fermën e Kafshëve”. E pohoj se mendimi i tij më hodhi në të thella… Ndoshta, botimi i këtij libri në këtë kohë do të ishte këshillë e keqe. Sikur fabula të përfshinte, në përgjithësi, diktatorët dhe diktaturat në gjithë botën, do të kishte qenë në rregull, por fabula, siç e kuptoj tani, përputhet kaq shumë me ecurinë e sovjetikëve rusë dhe dy diktatorët e tyre, saqë vetëm me Rusinë mund të identifikohet kjo përrallë, me asnjë diktaturë tjetër. Edhe diçka tjetër: libri do të kishte qenë më pak ofendues sikur kasta drejtuese në të të mos kishin qenë derrat[1]. Them se përzgjedhja e derrave si kastë drejtuese do të ofendonte, patjetër, shumë njerëz, por veçanërisht njerëzit që preken lehtë, siç janë rusët, pa dyshim.

Fjalë të tilla nuk janë shenja të mira. Afërmendsh, nuk është i dëshirueshëm pushteti i censurës që ushtrohet prej një dikasteri shtetëror (veç censurës së sigurisë, të cilën askush nuk e kundërshton në kohë lufte) mbi libra që nuk sponsorizohen zyrtarisht. Por rreziku më i madh që i bëhet lirisë së mendimit dhe të shprehjes në këtë çast nuk është ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Informacionit apo ndonjë organi zyrtar. Nëse botuesit dhe redaktorët rreken të mbajnë larg shtypshkronjës disa tema të caktuara, kjo nuk ndodh se i tremben përndjekjes, por sepse i druhen opinionit publik. Në këtë vend, burracakëria intelektuale është armiku më i keq me të cilin mbetet të përballet shkrimtari apo gazetari. Kjo dukuri, sipas meje, nuk është diskutuar siç e meriton.

Çdo person mendjeçelur dhe me përvojë në gazetari do ta pranonte se, gjatë kësaj lufte, censura zyrtare nuk ka qenë dhe aq e bezdisshme. Nuk i jemi nënshtruar atij lloj “koordinimi” totalitar, siç do të kishte qenë e arsyeshme të ndodhte. Shtypi është ankuar disa herë, dhe me arsye, por në tërësi Qeveria është sjellë mirë dhe është treguar, për çudi, tolerante ndaj opinioneve të grupeve të vogla. Fakti ogurzi, në rastin e censurës letrare në Angli, është se kjo ushtrohet gjerësisht në forma vullnetare.

Ideve që s’kanë përkrahjen e shumicës mund t’u mbyllet goja dhe faktet e pavolitshme mund të mbahen në errësirë, pa nevojën e ndonjë ndalimi zyrtar. Kushdo që ka jetuar gjatë në një vend të huaj, është në dijeni të lajmeve sensacionale – gjëra të cilat, thjesht për meritë të tyre, zënë titujt kryesorë – kurse në shtypin e Britanisë këto mbahen larg, jo për shkak të ndërhyrjes së Qeverisë, por për shkak të një marrëveshjeje të përgjithshme për të heshtur, se “nuk bën” të përmendet ai fakt në veçanti. Vetëm duke parë gazetat e përditshme, kjo është e lehtë të kuptohet. Shtypi britanik është tej mase i centralizuar dhe pjesa më e madhe e tij është në pronësi të njerëzve të pasur, që kanë gjithë motivet për t’u treguar të pandershëm mbi disa çështje të rëndësishme. Por, i njëjti vel censure vepron edhe mbi librat dhe revistat, po ashtu si në pjesët teatrale, në filma dhe në radio. Çdo çast, del një tufë idesh korrekte, të cilat njerëzit mendjepastër do t’i pranonin pa i vënë në dyshim. Nuk është shprehimisht e ndaluar të thuash këtë apo atë, por “nuk është e përshtatshme” ta thuash, njësoj si në periudhën e mesme Viktoriane, kur “nuk ishte e përshtatshme” të përmendje pantallonat në praninë e një zonje. Çdokush që sfidon korrektesën mbizotëruese, e gjen veten tek ia mbyllin gojën me efikasitet të habitshëm. Opinioneve që nuk janë të modës s’u kushton kush vëmendje, as shtypi masiv, as revistat intelektuale.

Në këto kohë, korrektesa mbizotëruese kërkon që të ushqejmë një admirim pa kritika për Rusinë Sovjetike. Të gjithë e dinë këtë dhe pothuaj çdokush e zbaton. Çdo kritikë serioze ndaj regjimit sovjetik, çdo shpërfaqje e fakteve, të cilat qeveria sovjetike dëshiron t’i mbajë të fshehura, ka shumë gjasa të mos botohet. Për çudinë më të madhe, ky komplot mbarëkombëtar për të lajkatuar aleatin tonë ndodh duke pasur në të shkuarën një tolerancë intelektuale krejt të përveçme. Pasi, ndonëse nuk të lejohet të kritikosh qeverinë sovjetike, të paktën jemi të lirë, brenda masës, për të kritikuar qeverinë tonë. Zor se do të botonte ndokush ndonjë sulm mbi Stalinin, por po të kritikosh Çërçillin në libra dhe revista, është krejt e parrezikshme. Gjatë pesë viteve të luftës, kur luftonim për mbijetesën tonë kombëtare, janë botuar, pa i ndalur kush, libra të panumërt, pamflete dhe artikuj që bënin thirrje për marrëveshje paqeje. Për më tepër, janë botuar pa provokuar ndonjë kundërshti. Për sa kohë nuk preket autoriteti i BRSS-së, parimi i lirisë së fjalës është ruajtur në nivele të arsyeshme. Ka edhe çështje të tjera të ndaluara, dhe do të përmend disa prej tyre, por ky qëndrim mbizotërues karshi BRSS-së është shenjë më se serioze. Siç e thashë, është spontane dhe nuk vjen si pasojë e veprimeve të ndonjë grupi me ndikim publik.

Servilizmi, me të cilin pjesa më e madhe e intelektualëve anglezë kanë kapërdirë dhe përsëritur propagandën ruse që prej vitit 1941 e këtej, do të kishte qenë fort mbresëlënës, po të mos kishte ndodhur njësoj edhe në disa raste të mëparshme. Faktet kundërthënëse, që shërbeheshin sipas këndvështrimit të rusëve, janë pranuar pa u shqyrtuar dhe pastaj janë përhapur, duke shpërfillur krejtësisht të vërtetën historike apo dinjitetin intelektual. Sa për të përmendur një shembull: BBC festoi përvjetorin e njëzetepestë të Ushtrisë së Kuqe, pa përmendur Trockin. Do të kishte qenë njësoj si të përkujtohej Beteja e Trafalgarit, pa përmendur Nelsonin[2], por kjo nuk shkaktoi asnjë protestë tek intelektualët anglezë. Në betejat e brendshme të vendeve të ndryshme të pushtuara, shtypi britanik ka mbajtur, pothuaj në të gjitha rastet, anën e rusëve, dhe ka goditur palën kundërshtare, ndonjëherë edhe duke shpërfillur provat materiale, me qëllim ruajtjen e kësaj anësie. Një rast krejt i qartë ishte ai i kolonelit Mihailoviç, udhëheqësit çetnik jugosllav. Rusët, të cilët te Mareshali Tito shihnin favoritin e tyre jugosllav, akuzuan Mihailoviçin se kishte bashkëpunuar me gjermanët. Kjo akuzë u shpall menjëherë nga shtypi britanik: mbështetësit e Mihailoviçit nuk patën mundësi të përgjigjeshin dhe faktet që binin ndesh me këtë akuzë thjesht nuk u botuan. Në korrik të vitit 1943, gjermanët ofruan një shpërblim prej 100 000 koronash ari për të kapur Titon, dhe një shumë të ngjashme për të shtënë në dorë Mihailoviçin. Shtypi britanik buçiti për shpërblimin në këmbim të Titos, por vetëm një gazetë përmendi (me germa të vogla) shpërblimin ofruar për Mihailoviçin: dhe kështu, akuzat e bashkëpunimit me gjermanët vazhduan. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në rastin e luftës civile në Spanjë. Edhe atëherë, grupimet e anës Republikane, të cilët rusët ishin të vendosur t’i shtypnin, u sulmuan pa mëshirë në shtypin e majtë të Anglisë dhe çdo deklaratë në mbrojtje të tyre, edhe në formë letre, nuk pranohej për botim. Sot, konsiderohet i qortueshëm kriticizmi ndaj BRSS-së, madje, në disa raste, mbahet i fshehtë edhe vetë fakti i ekzistencës së këtij kriticizmi. Për shembull, pak para vdekjes së tij, Trocki kishte shkruar biografinë e Stalinit. Mund të hamendësojmë se libri nuk ishte i paanshëm, por sigurisht që do të ishte shitur. Një botues amerikan arriti ta merrte dhe libri ishte gati për shtyp – besoj se kopjet e provës kishin dalë nga shtypi – kur BRSS-ja hyri në luftë. Libri u hoq menjëherë nga shtypi. Për të, nuk u shkrua kurrë asnjë fjalë në shtypin britanik, ndonëse, qartazi, ekzistenca e këtij libri dhe shtypja e tij ishte lajm i denjë për ca paragrafë.

Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes asaj censure që intelektualët letrarë anglezë ia imponojnë vetes vullnetarisht, dhe censurës që, ca herë, nxitet prej grupeve me ndikim publik. Dihet se, disa çështje nuk mund të diskutohen për shkak të “interesave të posaçëm”. Rasti më i njohur është zhurma rreth mjekësisë popullore. Kurse Kisha Katolike ka ndikim të konsiderueshëm në shtyp dhe ka pushtet për t’i mbyllur gojën kriticizmit, deri në njëfarë mase. Skandalet ku përfshihen priftërinjtë katolikë nuk njoftohen publikisht pothuajse kurrë, kurse kur shkakton trazira ndonjë prift anglikan (për shembull, rasti i Rektorit të Stiffkey-t), shndërrohet në lajm për faqe të parë. Shumë rrallë rastis të shohësh ndonjë prirje anti-katolike, të shprehur në ndonjë film. Çdo aktor është në gjendje të thotë se, kur një pjesë teatrale a ndonjë film sulmon Kishën Katolike apo tallet me të, rrezikon të bojkotohet nga shtypi dhe, me gjasë, ka për të dështuar. Mirëpo, këto gjëra janë të padëmshme ose, në rastin më të mirë, janë të kuptueshme. Çdo organizatë e madhe do të kujdeset për interesat e veta sa më mirë të mundet dhe propaganda e hapur nuk është gjë që duhet kundërshtuar. Aq sa mund të lexojmë në Daily Worker ndonjë lajm të papërshtatshëm rreth BRSS-së, po aq kemi për të lexuar edhe një Catholic Herald që denoncon Papën. Pastaj, çdo njeri me dy pare mend e njeh karakterin e Daily Worker-it dhe të Catholic Herald-it. Shqetësuese është se aty ku bëhet fjalë për BRSS-në dhe politikat e tyre, nuk mund të shprehësh kriticizëm të arsyetuar apo, në shumë raste, nuk mund të shprehësh as mendimet e sinqerta si shkrimtar dhe gazetar liberal, si individ, i cili nuk i nënshtrohet ndonjë presioni të drejtpërdrejtë që e shtyn të falsifikojë opinionet. Stalini është i shenjtë dhe disa aspekte të politikës së tij nuk mund të diskutohen në nivele serioze. Vërehet se ky parim ka nisur të përhapet pothuaj në nivel global, që prej vitit 1941, por ka vepruar, edhe më shumë nga ç’duket, për dhjetë vjet para këtij viti. Gjatë gjithë këtyre viteve, kriticizmi i të majtëve ndaj regjimit sovjetik arrinte të merrte me vështirësi pak vëmendje. Pati një prodhim të madh letërsie antiruse, por thuajse e gjitha dilte prej këndit të Konservativëve dhe ishte dukshëm e pandershme, e vjetruar dhe shtyrë prej motivesh të ndyra. Nga ana tjetër, pati edhe një rrymë propagande proruse, po aq të gjerë dhe pothuaj po aq të pandershme, e cila shërbeu si mjet bojkoti ndaj kujtdo që u përpoq të diskutonte problemet më të rëndësishme, në mënyrë të pjekur. Është e vërtetë se mund të botoje libra antirusë, por kjo ishte e barabartë me shpërfilljen dhe keqinterpretimin e gati gjithë shtypit intelektual. Publikisht dhe privatisht të paralajmëronin se “nuk ishte e përshtatshme”. Ajo që thoshe mund të ishte e vërtetë, por ishte “e pavend” dhe e çonte ujin në mullirin e këtyre apo atyre interesave reaksionare. Kjo sjellje mbrohej me justifikimin se ashtu e kërkonte situata ndërkombëtare dhe nevoja urgjente për një aleancë anglo-ruse; por ishte e qartë se ky qe justifikimi. Intelektualët anglezë, ose një pjesë e madhe e tyre, kishin zhvilluar një besnikëri prej nacionalisti ndaj BRSS-së dhe në zemrat e tyre ndienin se, të vije në dyshim urtësinë e Stalinit, ishte si të kryeje blasfemi. Ato që ndodhnin në Rusi dhe ato që ndodhnin tjetërkund duheshin gjykuar sipas standardeve të ndryshme. Kështu, ekzekutimet e pafundme të kryera gjatë spastrimeve të viteve 1936-1938, u duartrokitën nga kundërshtarët e përjetshëm të dënimit kapital. Po kështu, për ta ishte e përshtatshme të botoheshin lajme për zinë e bukës në Indi, por zia e bukës në Ukrainë patjetër që duhej fshehur. Edhe sikur këto sjellje të kenë qenë të vërteta para luftës, atmosfera intelektuale nuk është aspak në gjendje më të mirë tani.

Por le të kthehemi te ky libër imi. Reagimi i shumicës së intelektualëve anglezë karshi tij ka për të qenë fort i thjeshtë: “Nuk duhej të ishte botuar”. Natyrisht, kritikët që e njohin artin e denigrimit nuk do ta sulmojnë me argumente politike, por me argumente letrare. Do të thonë se është libër i mërzitshëm, i pamend dhe shpenzim i kotë letre. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk është vetëm kaq. Askush nuk thotë “nuk duhej të ishte botuar” vetëm se libri është i keq. Në fund të fundit, hektarë plehrash botohen çdo ditë, dhe askush s’e vë ujin në zjarr. Intelektualët anglezë, ose shumica e tyre, do ta kundërshtojnë librin, pasi përgojon Udhëheqësin e tyre dhe (sipas tyre) dëmton kauzën e progresit. Po të bënte të kundërtën, nuk do të kishin gjë për të thënë kundër tij, edhe sikur gabimet letrare të ishin dhjetë herë më të mëdha se ç’janë. Për shembull, mbarëvajtja e Klubit Majtist të Librit, për një periudhë katër- a pesëvjeçare tregon sa të gatshëm janë për të kapërdirë letërsinë e ndyrë dhe të pakujdesshme, me kusht që t’u thotë atë që duan të dëgjojnë.

Çështja këtu është krejt e thjeshtë: a nuk e meriton çdo opinion të dëgjohet, sado jopopullor, madje, sado budallallëk qoftë? Po ta shtrojmë çështjen kështu, gati çdo intelektual anglez ka për të ndier nevojën që të përgjigjet “Po”. Por, po t’i japësh pyetjes formën konkrete “Po një sulm ndaj Stalinit? E meriton ky opinion të dëgjohet?”, përgjigjja, më shpesh, ka për të qenë “Jo”. Pasi, në atë rast, ke sfiduar korrektësinë e kohës dhe, njëkohësisht, parimi i lirisë së fjalës është shkelur. Kur dikush kërkon liri të fjalës dhe të shtypit, nuk po kërkon liri absolute. Gjithmonë duhet të ketë, ose, sidoqoftë, gjithmonë do të ketë njëfarë shkalle censure, për sa të ketë shoqëri të organizuara. Por liri, siç e formuloi Roza Luksemburgu, është “liria e tjetrit”. I njëjti parim bartet edhe te fjalët e famshme të Volterit: “S’e honeps dot atë që thua, por me jetën time do të mbroj të drejtën tënde për ta thënë”. Nëse liria intelektuale, e cila, pa dyshim, ka qenë një prej shenjave dalluese të qytetërimit perëndimor, ka ende kuptim, kjo do të thotë se çdokush ka të drejtën të thotë dhe të botojë atë që beson për të vërtetë, me kusht që, fjalët e tij të mos dëmtojnë komunitetin në mënyrë të dukshme. Edhe demokracia kapitaliste, edhe variantet perëndimore të socializmit e kanë mbajtur të mirëqenë këtë parim. Qeveria jonë, siç e nënvizova, ende e respekton këtë parim. Njerëzit e zakontë në rrugë – ndoshta pjesërisht, sepse nuk duan të ndjellin mbi vete idenë se nuk janë tolerantë – ende i qëndrojnë vagullt parimit “sipas meje, çdokush ka të drejtë të shprehë mendimin e vet”. Pra, janë vetëm, ose, të paktën janë kryesisht vetë intelektualët e fushave të letërsisë dhe të shkencës, ata që duhej të ishin rojtarët e lirisë, të cilët kanë filluar ta përçmojnë atë në teori dhe në praktikë njëkohësisht.

Një prej dukurive të veçanta të kohës sonë është liberali renegat. Matanë dhe përmbi pretendimin marksist se “liria borgjeze” është iluzion, sot, ekziston një prirje shumë e përhapur për të argumentuar se demokracia mund të mbrohet vetëm përmes metodave totalitare. Po ta duam demokracinë, thotë argumentimi, duhen shtypur armiqtë me çdo mjet të nevojshëm. Dhe cilët janë armiqtë? Gjithmonë del se armiqtë nuk janë vetëm ata që sulmojnë hapur dhe me ndërgjegje, por edhe ata që “objektivisht” e rrezikojnë, duke përhapur doktrina të gabuara. Me fjalë të tjera, të mbrosh demokracinë do të thotë dhe të shkatërrosh pavarësinë e mendimit. Ky argumentim është përdorur, për shembull, për të përligjur spastrimet në Rusi. Edhe më i flakti mes rusofilëve nuk e besonte se të gjitha viktimat ishin fajtore për akuzat që u ngarkoheshin, mirëpo, duke mbështetur opinione heretike, dëmtonin “objektivisht” regjimin, prandaj ishte më se e drejtë jo vetëm të masakroheshin, por edhe të diskreditoheshin me akuza të rreme. I njëjti argument është përdorur për të justifikuar gënjeshtrat më se të ndërgjegjshme që u shpërndanë prej shtypit të majtë rreth trockistëve dhe minoriteteve të tjera republikane, gjatë Luftës Civile të Spanjës. Pastaj, ky parim u ripërdor si arsye për të lehur kundër habeas corpus, kur Mosli[3] u lirua më 1943-shin.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se, po të nxitësh përdorimin e metodave totalitare, do të vijë koha kur ato do të përdoren kundër teje, jo krah teje. Po të bëhet traditë burgosja e fashistëve pa gjyq, me gjasë procesi nuk do të ndalet te fashistët. Pak pas ndërprerjes së gazetës Daily Worker dhe rikthimit në botim, po mbaja një fjalim përpara një shoqate punëtorësh në Londrën e Jugut. Publiku përbëhej nga klasë punëtore dhe intelektualë të shtresës së ulët apo të mesme, i njëjti tip publiku si ai që ndiqte degët e Klubit Majtist të Librit. Fjala ime cekte lirinë e shtypit dhe, në fund, për habinë time, disa prej pjesëmarrësve më pyetën: “A nuk mendoja edhe unë se lejimi i botimit të gazetës Daily Worker ishte gabim i madh?”. Kur i pyeta përse, thanë se ishte gazetë jo fort besnike dhe nuk duhej të tolerohej në kohë lufte. U gjenda duke mbrojtur gazetën Daily Worker, e cila më ka goditur disa herë. Mirëpo, ku e kishin mësuar këta njerëz atë sjellje, në thelb, totalitare? Me shumë siguri e kishin mësuar prej vetë komunistëve! Toleranca dhe fisnikëria janë thellësisht të rrënjosura në Angli, por nuk janë të pashkatërrueshme, dhe duhet të mbahen gjallë duke bërë përpjekje të vetëdijshme. Rezultat i predikimit të doktrinave totalitare është dobësimi i instinktit përmes mjeteve, të cilat njerëzit e lirë arrijnë t’i dallojnë në janë apo jo të dëmshme. Rasti i Moslit është ilustrim i kësaj. Më 1940-ën, ishte tërësisht e drejtë që Mosli të internohej, qoftë kishte apo nuk kishte kryer ndonjë krim. Po rrezikonim jetën tonë dhe nuk mund të lejonim që një kuisling i mundshëm të endej i lirë. Por, t’i mbyllje gojën, pa gjyq, në vitin 1943, kjo ishte mizori. Fakti se të gjithë harronin ta kuptonin këtë, ishte shenjë e keqe, ndonëse ishte e vërtetë se reagimet kundër lirimit të Moslit ishin pjesërisht artificiale dhe pjesërisht vinin prej shpërfaqjes së pakënaqësive të tjera. Mirëpo, sa pjesë të kësaj shkarjeje drejt mënyrës fashiste të të menduarit mund të gjejmë tek “antifashizmi” i dhjetë viteve të shkuara dhe paturpësisë që vjen prej saj?

Është e rëndësishme të kuptojmë se rusomania e sotshme është vetëm një shenjë e dobësimit të përgjithshëm të traditës liberale perëndimore. Sikur Ministria e Informacionit të kishte lëvizur fare pak dhe të kishte kundërshtuar botimin e këtij libri, pjesa më e madhe e intelektualëve anglezë nuk do të kishte parë asgjë shqetësuese te ky akt. Besnikëri pa kritika ndaj BRSS-së duket se është sjellje më se e përshtatshme në ditët tona, dhe aty ku preken interesat e hamendësuara të BRSS-së, intelektualët anglezë janë të gatshëm të tolerojnë jo vetëm censurën, por edhe falsifikimin e qëllimshëm të historisë. Sa për të dhënë një shembull, pas vdekjes së Xhon Ridit, autorit të Ten days that shook the world (Dhjetë ditë që tronditën botën) – rrëfenjë e drejtpërdrejtë e ditëve të para të Revolucionit Rus – të drejtat e autorit për atë libër kaluan në duart e Partisë Komuniste Britanike; të cilat, unë besoj se i pati dhënë vetë Ridi. Komunistët britanikë, ca vjet më vonë, si shkatërruan aq sa mundeshin nga kopjet e botimit të parë, botuan një variant të tjetërsuar, ku kishin fshirë e zhdukur çdo gjurmë të përmendjes së Trockit, si dhe kishin hequr hyrjen e shkruar prej Leninit. Sikur në Britani të kishte mbetur ende ndonjë intelektual radikal, ky akt falsifikimi do të ishte zbuluar dhe denoncuar në çdo gazetë letrare të vendit. Por pati shumë pak ose aspak reagime. Për shumë intelektualë anglezë, kjo ishte gjë fort e natyrshme për t’u bërë. Ky tolerim dhe kjo pandershmëri e pastër flet edhe më shumë për faktin se të admirosh Rusinë është e modës, në ditët tona. Me gjasë, kjo modë s’ka për të zgjatur shumë. Pasi, jam i vetëdijshëm se, kur të botohet ky libër, këndvështrimi im për regjimin sovjetik ka për të qenë i pranueshëm nga të gjithë. Po ç’dobi ka kjo, në vetvete? Të këmbesh një qëndrim korrekt për një tjetër nuk është domosdo përparim. Armiku është mendja që punon si gramafon, qoftë bie apo jo në një mendje me muzikën, që luhet atë çast.

Jam fort në dijeni të të gjitha argumenteve që përdoren kundër lirisë së mendimit dhe të fjalës – argumenteve që mëtojnë se këto gjëra nuk mund të ekzistojnë, dhe argumenteve që mëtojnë se nuk duhet të ekzistojnë. U përgjigjem thjesht duke thënë se nuk më bindin dhe se qytetërimi ynë, për një periudhë katërqindvjeçare, është themeluar mbi një tjetër pohim të kundërt. Për pothuaj gjatë gjithë dekadës së shkuar, kam besuar se ekzistenca e regjimit të Rusisë është, kryesisht, një e keqe, dhe kërkoj të drejtën për ta thënë këtë, pavarësisht faktit se jemi aleatë me BRSS-në në një luftë, të cilën dua ta shoh të fituar nga ne. Po të zgjidhja një tekst që më përligj, do të zgjidhja këtë varg prej Miltonit:

Prej rregullave të mirënjohura të lirisë së vjetër.

Mbiemri “i vjetër” thekson faktin se liria intelektuale është një traditë me rrënjë të thella, pa të cilën nuk ma merr mendja se do të ekzistonte kultura jonë karakteristike perëndimore. Shumë prej intelektualëve tanë po largohen prej asaj rruge. Kanë pranuar parimin se një libër duhet të shtypet apo t’i ndalohet të shtypet, të lëvdohet ose të shahet jo për meritat e veta, por sipas përshtatshmërisë politike. Kurse ata që nuk mendojnë në këtë mënyrë, e pranojnë thjesht prej burracakërisë. Një shembull i kësaj janë pacifistët e shumtë dhe sokëllitës anglezë, që nuk ia dolën të ngrinin zërin kundër adhurimit mbizotërues për militarizmin rus. Sipas këtyre pacifistëve, çdo formë dhune është e keqe, dhe në çdo fazë të luftës na kanë nxitur të tërhiqemi ose, të paktën, të bëjmë një marrëveshje paqeje. Po sa prej tyre kanë thënë se lufta është po aq e keqe kur kryhet prej Ushtrisë së Kuqe? Siç duket, rusët kanë të drejtë të mbrohen, por kur e bëjmë ne, është gabim vdekjeprurës. Kjo kontradiktë shpjegohet vetëm me një mënyrë: kjo është burracakëri dhe dëshirë për ta mbajtur mirë me turmën e intelektualëve, patriotizmi i të cilëve orientohet drejt BRSS-së më shumë se ndaj Britanisë. E di se intelektualët anglezë kanë shumë arsye të druhen dhe të jenë të pandershëm, madje e di përmendësh argumentin me të cilin mbrohen. Por, të paktën, le të mos flasin broçkulla, duke thënë se duhet të mbrojmë lirinë nga fashizmi. Nëse liria ka ndonjë kuptim, atëherë liri do të thotë t’u thuash njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë. Njerëzit e zakonshëm ende e pranojnë këtë doktrinë dhe veprojnë sipas saj. Në vendin tonë – nuk ndodh e njëjta gjë në çdo vend: nuk ka ndodhur kështu në Francën republikane dhe as në SHBA-të e sotme – liberalët kanë frikë nga liria dhe intelektualët duan të mashtrojnë intelektin. Këtë parathënie e shkrova për ta sjellë vëmendjen pikërisht te ky fakt.

1945

 

Përktheu: Sokol Çunga

[1] Nuk e di nëse ky modifikim i sugjeruar ishte ide e vetë z. …, apo vinte prej Ministrisë së Informacionit; gjithsesi, ngjante se bartte vulë zyrtare mbi vete.

[2] Beteja detare e Trafalgarit u zhvillua më 21 tetor 1805, pranë Kepit të Trafalgarit, në Spanjë. Në betejë, u përballën 33 anije spanjolle dhe franceze me 27 anije angleze, të cilat i printe admirali Lord Nelson. Admirali Nelson u godit në betejë dhe humbi jetën, por anglezët ngadhënjyen, duke ia dalë të ruanin pacenueshmërinë e vendit të tyre dhe kontrollin mbi Kanalin e Britanisë në Atlantik. Britanikët do t’i kishin humbur të dyja, pa gjenialitetin e admiralit Nelson. (Shënim i përkthyesit.)

[3] Bëhet fjalë për politikanin britanik Sir Oswald Ernald Mosley (16 nëntor 1896 – 3 dhjetor 1980), anëtar i Parlamentit të Britanisë së Madhe. Më 1932, i zhgënjyer nga politika e kohës, krijoi partinë e Bashkimit Fashist Britanik dhe mori drejtimin e saj. Për këtë arsye, u burgos gjatë viteve 1940 – 1943. (Shënim i përkthyesit.)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin