nga Eda Zari
Gruaja në muzikë – “a guilty pleasure”?
Përgjatë një palo viti pandemik, përmes koncerteve online, realizuar në filarmoni e salla boshe (ndjekur nga një publik virtual), është “festuar” 250 vjetori i lindjes së Beethoven-it. Jemi në ditët e fundit të dhjetorit dhe ky festivitet zgjat ende duke marrë shkas prej ditës jubilare të pagëzimit (jo të lindjes) të kompozitorit në Bon, më 17 dhjetor 1770. Këto aktivitete, eklipsojnë madje koncertet e festave të shenjta të Krishtlindjeve: këtë herë as Telekom-i nuk përmbahet nga “euforia”, por zbukurohet me Ludwig-un duke sponsorizuar “Beethoven Nacht” (Nata Betoviane), në mbarë rrjetet sociale.
Epo thashë – po solidarizohem dhe unë me këtë atmosferë!
Duke patur një tekst ekzistent – artikullin tim shkruar për Beethovenin (në janar të këtij viti), tek “Peizazhet e Fjalës”, mejtova ti hedh një sy sërish, mos ndoshta i kisha ngrënë hakun veprës së tij. Në fakt, pa e patur qëllim në vetvete, më vajti mendja tek një kontrapunkt[1]! Për inerci, shoh se i paskam ngrënë hakun gruas në muzikë!
Teksa Bach, Mozart dhe Beethoven janë emra botërisht të njohur, krijueset, kompozitoret, pianistet e talentuara të gjinisë femërore kurrë nuk gëzuan aq shumë vëmendje sa kolegët e tyre, për të mos folur pastaj t´u festohen me tam-tame përvjetore.
Më duhet të sjell ndërmend një ndër leksionet e historisë së muzikës në klasën e Prof.Lehmann (në vitin 1999) në konservator – “MHSCH” në Këln. Në analizën e tij, gati i zënë në faj, Lehmann – margjinalizimin, lënien pas dore, mos vlerësimin e krijimtarisë, formësimin praktik e teorik muzikor nga gratë kompozitore e instrumentiste ndër shekuj, e formulonte si “Njolla e Bardhë” në hartën e historisë muzikore botërore!
Pas disa vitesh kjo “njollë e bardhë” më kujtoi të blija leksikun e muzikologeve, kompozitoreve e instrumentisteve gra evropiane të shekujve 18 dhe 19-të, i cili përfshin rreth 700 muzikante – shumë prej tyre, deri më tani pak të njohura. Gjithashtu ky leksikon vete pas në histori, duke përfshirë emra tepër të dashur për mua – mësueset e degës së kompozicionit të cilat më së shumti kanë punuar si instrumentiste, kompozitore duke dhënë një kontribut gati liturgjik në fushën e muzikologjisë dhe asaj kompozitoriale.
Po të gjykoj listën e kolegëve titan të lartpërmendur – kompozitorëve burra, emri – Hildegard von Bingen nuk mbërriti të radhitej pranë emrave të tyre. Brenda “Arkës” së krijimtarisë së kësaj filozofe, kompozitore, poete, mësonjëse e denjë benediktinase (këtu e 900 e kusur vite), gjejmë të shpëtuara 69 deri 77-të kompozime me lirika përkatëse dalë po nga pena e saj, si dhe vepra të tjera shumë me vlerë! S´mund të lihet pa përmendur “Symphonia armoniae celestium revelationum”[2].
Të ketë qënë muzik´e Hildegardës “kënaqësi mëkatare”?
Megjithëse Hildegard von Bingen, jo vetëm në Gjermani por dhe shumë vende të tjera nderohej dhe shihej si një shenjtore, procesi i shenjtërimit të saj u morr katër herë nën thjerrëzën e Vatikanit, prapëseprapë nuk u kanonizua. Në kalendarin e kishës romane, 17 shtatori[3] konsiderohet – dita e përkujtimit të Hildegard von Bingen. Pas 833 vitesh, në tetor të vitit 2012, Hildegard von Bingen më në fund njihet zyrtarisht si – Shenjtorja Hildegarda von Bingen! Ajo ishte gruaja e parë që themeloi manastirin e saj me ekonomi autonome – në atë kohë krejtësisht e paimagjinueshme. Von Bingen kompozon këngë liturgjike të cilat këndohen nga murgesha (më ato mote, zakonisht këndimi u ndalohej grave), ajo përpilon dokumente shkencore (ky privilegj qe i rezervuar më parë vetëm për murgjit), i lejon murgeshat e saj të vallëzojnë gjatë meshës me rrobë të bardhe dhe flokë të lëshuar, si dhe shkruan biografinë e saj përgjatë udhëtimeve në vende e krahina ku predikonte. Hildegarda gëzon adhurimin tim pakushte.
Në vëmendje sjell poaq një prej pioniereve të pianos, një paradigmë, një grua e cila modernizoi formën dhe lojën pianistike. Në fillim të shekullit të 19-të, Clara Josephine Wiecy ose – Clara Schumann, i dha fund virtuozitetit dhe vetë-portretizimit të saj pianistik duke u përqendruar në reformimin e përmbajtjeve dhe përbërjeve të repertorit pianistik por jo vetëm. Clara e shikonte rolin e saj, si një shërbyese e formave metodologjike, kompozicionale e instrumentale.
https://www.youtube.com/watch?v=8Up6esqYMGU [4]
Për më tepër, Clara më imponon me gjenialitetin e saj determinues në prapavijën bashkëshortore. Në gjashtëmbëdhjetë vite martesë me Robert Schumann (Schumann-ët jetonin në Düsseldorf), ajo solli në jetë tetë fëmijë, kaloi dy aborte dhe nëse përformonte para publikut, i duhej rishtaz, zemërimin e burrit të saj të famshëm, ta bojkotonte duke krijuar vepra të reja. Pasi Robert Schumann u sëmur (psiqikisht) dhe fjeti të madhen, Clara nuk e sosi përkushtimin ndaj krijimtarisë dhe veprimtarisë së saj. Përkundrazi, ajo çliroi veten, intensifikoi marrëdhënien, dashurinë e saj inspiruese me Brahmsin dhe u kthye me sukses në podiumet koncertante, duke frymëzuar gra të brezit të saj pianistik, frymë që ndihet edhe sot. Ajo i tregoi botës së muzikës – dominuar nga burra, se sa mirë funksionojnë rrjetet femërore, si dhe përcaktoi se çfarë ishte në të vërtetë loja pianistike femërore.
Në thelb, puna e saj zbehu klishenë e kolegëve meshkuj se – “loja” e zonjave në rrafshin muzikor s´është asgjë veçse një – këndellje mëkatare, e ashtuquajtura – Guilty Pleasure! Rubinstein lojën pianistike të saj e komentonte plot “rrahje të pakuptimta ose shushurima tastesh të ngadalta”, ndërsa Liszt e epitetonte si lojë të ngathët femërore pianistike.
Ishte Clara ajo që risolli në podiumet artistike (dhe tërhoqi vëmedjen e muzikologëve) kompozimet kolosale të Emilie Mayer[5]. Brenda veprave të Mayer, spikasim tetë simfoni, përbërë prej një misteri të thellë tonal ku sillet e zhvillohet një frymë e lartë virtuoziteti. Me vdekjen e Emilies, vepra e saj ra preh e harresës.
Në këtë radhitje përfshij dhe Alma Mahler. Po të njëjtat arsye na kujtojnë se asgjë nuk e përtërin shpirtin e një gruaje kompozitore sesa të krijojë. I shoqi i saj Gustav Mahler, dikur në letrat e tij na shfaq një pishmanllëk që i ardh´aspak në ndihmë Almës dhe frymës krijuese të saj. Ajo shkruan, citat: “dua të kompozoj, por e kam të ndalur”. Pasi zbuloi kompozimet e Almës, Gustav i shkruan asaj: “Çfarë kam bërë? Këto këngë janë thjesht´ të mrekullueshme! Këmbëngul që ti rishohësh dhe ti publikojmë. Nuk gjej paqe derisa t´ja rinisësh punës. Zot, paskam qënë i ngushtë!”. Por shpirti krijues i Almës jetonte tashmë në plan të dytë.
Kënga e korrjes
Kur shtoj, se tabiate të kësaj natyre i hasim ende në zyra, dhoma e pas kuintave artistike, nuk jam duke thënë hiçgjëkafshë të re.
Personalisht ma ka ënda të rri larg altoparlantëve dhe zërave që thërrasin se – urrejtja ndaj burrave është një formë çliruese! Mirëpo as më bën përbuzja dhe mosbesimi i Anton Rubinstein kur thotë ndaj gjinisë së kundërt në 1890: “Për krijimtarinë muzikale, atyre u mungon thellimi, fuqia e mendimit, horizonti emocional, liria e linjave muzikale.”
Ndaj ma ka ënda ti qasem mendësisë së Martha Argerich:
“(…) ca gjëra duhet të fliten troç e të thirren ashtu si e kanë emrin. Fatkeqësisht, bota pianistike e kompozitoriale mbizotërohet nga meshkuj, të cilët ua kanë mohuar grave famën e merituar. Kur burrat luajnë në piano, salla e koncerteve shndërrohet në një faltore. Aty riformohet besimi, formulohen ekzegjeza të reja dhe bota rishpiket. Ndërsa kur gratë hyjnë në sallën e koncerteve, kjo hapësirë zakonisht mbetet një “sallon mondan” dhe kaq.”
Ajo që dikur konsiderohej margjinale tashme është pranuar se rron ende në podiumet artistike – përfshi këtu dhe krijueset në artin pamor apo shkrimtaret.
Qoftë në muzikën e xhazit apo n´atë klasike – një Dianna Krall, Nina Simone, Carla Bley, Hiromi Uehara apo Gabriela Montero, Yuja Wang, Khatia Buniatishvili, shpesh reduktohen në cilësitë e tyre femërore argëtuese.
Carla Bley
Gojë të liga mediale vetëmasturbohen duke i quajtur ato pa teklif – produkte të vyera marketingu, apo duke i rënduar me konotacione seksiste. Rrallë e për mall, kur bëhet fjalë për cilësitë muzikore të kompozitoreve apo instrumentisteve bie fjala për – mëmën e pianistikës Martha Argerich (mjaft aktive edhe në 79-tat e saj), kritikës u mjafton fjalia e vetme lapidareske: “Ajo luan si burrë”.
Martha Argerich
Në fakt ky përjashtim lavdëronjës nuk specifikon kualitetin profesional të pianistes por nënkupton: ajo luan fuqishëm, me vrull dhe se ajo ka bërë një plan! “Mjeshtrat” e penës nuk ditën të formulonin kurrë, se Martha me shoqe janë femrat e sotme Betoviane. Po, ato janë me thinja, të pambuluara, seksi, magjibërëse, virtuoze, nëna, motra, bashkëshorte, protestuese, provokuese, debatuese dhe kanë një emër – Njeri!
Pikërisht këtu ngul këmbë të mos anashkalojë pa thëne atë që është sfumuar në skenat dhe festivalet e muzikës serioze (E – Musik – “Ernste Musik”) në vendin e lindjes së Beethoven, ku dhe jetoj!
Sot janë të pakët pianistët që kanë ç´të thonë, shumë prej tyre domosdo u mungon marrëdhënia interpretuese me instrumentin ashtu siç u kish hije mjeshtërve të dëshmisë pianistike; Alfred Brendel, Vladimir Horowitz, Friedrich Gulda, Glenn Gould. Sot festohen e lavdërohen kryesisht pianistët për gestikulimin e tyre ekscentrik, për prodhimin e vetvetes si një Brendel apo Glenn Gould i dytë. Madje ca herë këta pianistë i shohim të përformojnë nëpër koncerte ashtu siç ishin pritshmëritë ndaj grave në shekullin e kaluar.
Por, shumë prej pianisteve të lartpërmendura, muzikën, krijimtarinë, instrumentin, nuk e shohin më si armë në fushë beteje. Ato nuk luftojnë në emër të feminizmit apo të emancipimit si qëmoti, sepse prej kohësh e bëjnë këtë betejë me veprat, lojën e tyre poaq betoviane, rachmaninoviane qoftë akoma me gjuhëthyese emri – shostakoviçiane!
Janë këto gra e zonja – me, apo pa dekolte, që sjellin e mbajnë në jetë kompozimet e meshkujve krijues të lartpërmendur por dhe kolegeve të tyre harruar ndër mote! Ato dinë të qëndrojnë edhe nën hijen e nënvlerësimit, klisheve seksiste. Domosdo ato prej kohësh e kanë gjetur fronin e tyre në muzikë. Klishetë gjinore kanë qenë dhe do mbeten një pasqyrë e shoqërisë sonë. Sot në kohët e Covid19, arti dhe kultura lëngojnë nga izolimi, heshtja dhe duket se lihet me kast pas dore. Ndaj në këtë mori hallesh që na kanë zënë, duhet ti afrohemi më pranë njëri-tjetrit.
Arti i grave duhet parë jo vetëm prej rrëfimit mashkullor!
Në fund të fundit, ajo ç´ka mbetet thelbësore është shpresa se dikur loja gjinore e qenieve njerëzore do të transformohet në tingull, që për mua është dhe mbetet forma më e vërtetë e dashurisë. Gëzuar me Art!
_________________
Më poshtë një intervistë, përkthyer nga unë, e pianistes Khatja Buniatishvili, nga Batumi i Gjeorgjisë, dhënë “Spiegel” përgjatë izolimin të dytë – Covid19. Kjo pianiste i përket brezit më të ri pianistik. Qysh fëmijë ajo rron mes tasteve bardh e zi. “Çdo ton, çdo tingull duhet të kumbojë brenda trupit ku rri shpirti.” Këtë kredo Khatja e shpalos përmes lojës së saj, duke lejuar audiencën të marrë pjesë në ekskursionet e saj emocionale shpirtërore, teksa shfaq temperamentin e një kulture jo fort të njohur në Evropën perëndimore. Ajo është teknikisht e zonja, shfaqet magjepse dhe plot vetëbesim – pasioni i saj mbetet poezia. Buniatishvili mbetet unike në llojin e saj – grua në muzikë!
Khatja Buniatishvili
______________________
“Toni im – jam unë”.
Disa pyetje të mëdha e ca më te vogla – u përgjigjet pianistja Khatia Buniatishvili, 33. – në pyetësorin e “Spiegel Bestseller”.
Spiegel: Ku ndodheni për momentin?
Buniatishvili: Në Paris
S: Kur keni qenë herën e fundit në qytetin tuaj të lindjes Batumi[6], Gjeorgji?
B: 2012´tën.
S: Ç´aromë mbart Batumi përgjatë dimrit?
B: S´e di. Gjithëhera kam qenë atje vetëm në verë. Por mund ta përfytyroj: atje ndihet aroma e Detit të Zi edhe në dimër – njëlloj si në verë. Veç se është më plevitosës.
S: A keni mall për vendlindjen?
B: Po, më mungon, ndjej përmallje sidomos për fëmijërinë asokohe. Tashmë Franca është atdheu im i dytë.
S: Përgjatë Covid-19 si e kaluat izolimin e parë?
B: Kam lexuar, gatuar, vrejtur, dëgjuar, bluaja ndërmend, përjetuar…Ndjeva se diçka thelbësore do ndryshonte. Por njëkohësisht kuptova se lloji i ndryshimit varet po aq dhe nga unë. Nëse ndryshon për mirë a për keq, kjo varet krejtësisht nga qasja ime me situatën, ç´ka bën dhe ndryshimin.
S: Mund të përftoni diçka pozitive përgjatë ri-izolimit?
B: Në lidhje me shëndetin: po. Personalisht, ndjej se është vështirë të përgjigjem: Situata është e atillë e mbrujtur me plot trazira dhe ka fare pak qeti në ajër nga ç´ishte gjatë izolimit të parë.
S: Çfarë ju mësoi kriza e Covidit?
B: Tashmë jam e vetëdijshme për krizën, por sërish mësova se gëzimin dhe të bukurën mund ta gjejmë në hijet e t´përditshmes sonë.
S: Çfarë ju pëlqen më shumë në Paris?
B: Fryma e lirisë.
S: Ju vjen keq që nuk po mundeni të luani para publikut?
B: Po. Është e trishtë të mos shihesh me publikun. Kjo gjendje më kujton vetminë mes njerëzve, ndarjen.
S: Albumin tuaj të ri “Labyrinth” e nisni me “Deborah’s Theme” të Ennio Morricones në filmin e Sergio Leones “Once Upon a Time in America”. A është e tolerueshme kjo për një pianiste klasike?
B: Natyrisht që po.
S: Skena juaj më e preferuar e këtij filmi është …?
B: Skena finale – teksa shprehja e fytyrës së Robert De Niros dhe muzika e Morricones luajnë rolin kryesor.
S: Cili tingull hapësinor dëgjohet në regjistrimin tuaj tek “4’33” të John Cage-it?
B: Dëgjohet Filarmonia e Parisit dhe disa hapësira të thella të niveleve të mia shpirtërore, ku zogjtë këndojnë dhe gjethet fëshfërijnë në qeti të plotë. Poaq dëgjohet pranvera tutje-tëhu varrezave.
S: Mes “La Javanaise” të Serge Gainsbourg dhe “Etude 5 Arc-en-ciel” të György Ligeti gjenden shumë botë. Sa improvizim i lejoni vetes në repertorin tuaj?
B: Liria dhe respekti – nuk mund të masim asnjërën prej tyre.
S: Si arritët ta realizoni “Labyrinth” – me vepra të Arvo Pärt apo Franz Liszt, që t´ mos tingëllojnë – tre hunj e një thupër, por të bashkëtingëllojnë logjikshëm muzikalisht?
B: Ju faleminderit! Mes pjesëve ekziston një lidhje dramaturgjike dhe – mbi gjithçka – qëndron marrëdhënia njerëzore -eklektike. Përherë është lidhja emocionale ajo që zhbën ndarjen mes epokave, zhanreve dhe stileve.
S: Bota e muzikës klasike nisi t´ju admirojë kur regjistruat Kohën e 2-të të Sonatës së Schubert-it në B-Dur[7], luajtur në një tempo tej të ngadaltë (weit langsamer) nga kushdo pianist tjetër që e pat´ luajtur para jush. Pse kështu?
B: Termi “langsamer” (më i ngadaltë) nuk ka domethënie. Ekziston vetëm “die Langsamkeit” (ngadalësia) si koncept i vetmisë së pakohshme – përpara vdekjes.
S: Si e zbuluat tonin tuaj pianistik?
B: Toni im – jam unë.
S: Sa i madh është koleksioni i disqeve që keni?
B: Çmoj vinilet sepse, sikundër dhe librat, ato mbartin një histori të tyren. Kësisoj ato nuk i përkasin vetëm kujtesës sime, por më vonë ato do mund´ të jenë pronë e tjetërkujt. Vinilet mbartin shenjat e gishtërinjve të mi, ata do të preken nga tjerë dhe kështu do të vijojë derisa të dëmtohen nga koha apo prej dikujt. Formati digjital është i hatashëm, por disa sende kurrsesi nuk mund ti zëvendësoj.
S: A mund të veçoni tre albume nga koleksioni juaj të cilat nuk do t’i jepnit kurrë hua…?
B: Të gjitha albumet që më kanë dhuruar me dedikim personalisht artistët.
S: Tre albumet më të mira klasike…?
B: Mendoj se “më të mira” nuk ka. Muzika nuk është garë.
S: Tre pianistët tuaj më të preferuar të xhazit?
B: Keith Jarrett dhe Oscar Peterson. Kam vetëm dy.
S: Cili muzikant gjeorgjian pret të pikaset në Spotify?
B: Ai nuk po pret të pikaset – ai meriton botën: këngëtari Hamlet Gonashvili.
S: Albumi i fundit që keni blerë?
B: Kathleen Ferrier, “Centenary Edition”.
S: Në cilin grup do të dëshironit të ishit në Keyboard?
B: Në një grup të ri themeluar nga unë. Ose Coldplay.
S: Tre video – games për celular që preferoni…?
B: Nuk i parapëlqej video-games.
S: Në jetën tuaj – për çfarë jeni krenare?
B: Kurrë nuk kam cenuar lirinë e askujt.
S: Çfarë ju frikëson?
B: Shtazëria e njerëzve.
S: Si mund ta ndalim ndryshimin e klimës?
B: Përmes respektit. Respekt për natyrën, për gjithë gjallesat, për njëri-tjetrin.
S: Pyetjet e gazetarëve – cilat pyetje nuk i honepsni dot?
B: S´ka pyetje të tilla.
S: Një thashethem i vazhdueshëm për ju që s´është i vërtetë?
B: S´u kushtoj vëmendje thashethemeve. Në lidhje me to s´kam kurrfarë ideje.
S: Ku do të dëshironit të jetonit në dimër?
B: Aty ku ndodhet familja. Larg çdo rrëmuje.
S: Për krishtlindje, çfarë dëshironi?
B: Që askush të jetë i uritur, i sëmurë, apo të vuaj nga lëndime, askush mos jetë në të ftohtë. Personalisht vetes i uroj Gostinë e Krishtlindjes përgatitur nga ime më.
S: Cili personazh jeni në një përrallë?
B: Belle tek “E bukura dhe bisha” – një vajzë që rron përmes fantazisë së librave.
S: Dy aktorët tuaj të preferuar?
B: Daniel Day-Lewis dhe Joaquin Phoenix.
S: Cilin rol kryesor do kishit dashur ta luani vetë?
B: Oh, realisht të gjithë filmat e Krzysztof Kieślowski.
S: Darka e përsosur gjeorgjiane (përfshirë këtu dhe verën)?
B: Shotis puri – është soji i bukës tandoor[8] gjeorgjiane, e pjekur me gjizë të freskët gjeorgjiane dhe verë të kuqe gjeorgjiane, të cilën ne e quajmë verë e zezë.
S: Mënyra më e mirë kundër nepsit?
B: Hani mirë vaktet dhe pini ujë mjaftueshëm.
S: Me kë do të donit të darkonit?
B: Për momentin preferoj të jem vetëm. Nesër nuk i dihet!
S: Çfarë është në listën tuaj të psonisjes sot?
B: Asgjë.
S: A i ndryshon suksesi njerëzit?
B: Personalisht suksesi nuk më ka ndryshuar.
S: Për çfarë do të bënte fjale libri juaj i parë?
B: Do t’u përgjigjem gjithë letrave t´papërgjegjura.
S: Një ëndërr tuajën që ju përsëritet…?
B: S´kam.
S: Cilin libër po lexoni tani?
B: “Në kërkim të kohës së humbur” – Marcel Proust dhe “Bashkëkohorë e të parakohshëm / Shkrime të përzgjedhura” të Friedrich Nietzsche.
S: Tre librat tuaj të preferuar?
B: Tre prej shumë e shumë librave të preferuar janë: “Idioti” i Fjodor Dostojevskit, “Tregime të shkurtra dhe novela” – i Anton Chekhov, “Gjyqi” i Franz Kafkës.
S: Në cilin libër do të dëshironit të jetonit?
B: Në – Kohën e Humbur – të Proustit.
S: Në cilën ngjarje botërore do të dëshironit të merrni pjesë?
B: Dëshiroj të jem aty teksa një ditë do të festojmë disfatën e varfërisë dhe triumfin e paqes në botë.
S: Nën “lëkurën” e kujt do donit të zhyteshit për një ditë?
B: Në lëkurën e dashurisë sime – për të parë se çfarë vëren saktësisht tek unë.
S: Personalisht, cilën disiplinë do donit të përmirësonit?
B: Lojën e shahut. Në vogëli, im at më mësoi lëvizjet e shahut. Do gëzohesha po të vazhdoja stërvitjen në një nivel më të avancuar.
S: Cila ëndërr ka mbetur ende e pa përmbushur?
B: Ëndrrat e mia s´kanë qenë kurrë pragmatike. Derisa nuk mund të përmbushen, kësisoj ato mbeten pakohë.
S: Çfarë do të kish bërë vaki nëse karriera juaj pianistike nuk do funksiononte?
B: Më ish gjithëhera e qartë se do të funksiononte.
S: Porosia juaj për brezin e ardhshëm?
B: Lufta nuk shpie në zgjidhje.
S: Jeni anëtare në ndonjë klub?
B: Në asnjë.
S: Loja që preferoni?
B: E shahut.
S: Sporti juaj i preferuar?
B: Ecja.
S: Ishulli juaj më e afërt i qetisë?
B: Ndodhet në natyrën e heshtur, ku gjithçka është e çiltër e sinqertë. Alternativa më e afërt: dhoma ime e gjumit.
S: Ju pëlqen të shpenzoni para?
B: Nuk jam as lakmitare dhe as koprrace.
S: Stilisti /a i veshjeve tuaja?
B: Ime më. Ajo është stilistja ime.
S: Projekti juaj më i përzemërt që gjithmonë keni dashur ta realizoni?
B: Funddhënia e varfërisë.
S: Besoni në jetën pas vdekjes?
B: Besoj në pranverën mbi varreza.
S: Çfarë do shkruhet në pllakën e varrit tuaj?
B: “Të këqyrësh një pranverë të re është e këndshme po se po.”
DER SPIEGEL 49/2020
Realizuar nga M.Dax
Në Shqip: Eda Zari
Düsseldorf, 16.12.2020
(c) 2020, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] koncepti muzikal – notë kundër notë – kundërveprim
[2] Simfonia e Harmonisë së dukurive qiellore – Një koleksion i këngëve tradicionale liturgjike.
[3] Shën Hildegard von Bingen lindi më 1098 në Nierderhosenbach dhe ndërroi jetë më 17 shtator 1179 në Bingen – qytezë pranë Rhein -it.
[4] Për mua kjo Nokturne rri si thënie thelbësore e muzikës romantike pianistike, kompozuar nga Clara në moshë shumë të re.
[5] Emilie Mayer: Kompozitore gjermane (1812-1883). Në librin “Etaloni Beethoven? Kompozitoret nën hijen e gjeniut kult”, Dr. Martina Helmig, e quan Emilien “femra betoviane”.
[6] Paçka se Spiegel e shkruan Bakumi!!!
[7] Sonata për Piano Nr. 21 in Si ♭ – Major, D. 960: Koha e II. Andante sostenuto
[8] Peta, ose pite e pjekur.