Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

ÇËSHTJE SHQIPTARE

nga Bardhyl Demiraj
LMU (Munih/RFGJ)

Objekt i këtij shkrimi në formë eseje është në thelb ‘Çështja Shqiptare’.[1] Por meqë kjo ‘çështje’ është shndërruar ndërkohë në një madhësi variabël në diskursin intelektual shqiptar, duke kapluar me rëndesën dhe rëndësinë e saj aktuale kryesisht jetën sociale, politike dhe ekonomike brendapërbrenda hapësirës kompakte shqipfolëse në Ballkan – pra ndikon si e tillë edhe në koniunkturën ndërkombëtare –, na duhet të ndërhyjmë fillimisht me sqarime të rastit, se këtu ngërthejmë natyrshëm pikërisht atë variant të mëhershëm e të patëkeq të këtij koncepti, i cili ruan gjithherë mëvetësinë e tij brenda kornizës shkencore-albanologjike e vetëm si i tillë – duke u kufizuar këtu në emra studiuesish dhe intelektualësh shqiptarë e arbëreshë:

  1. a) nxiti në zanafillë kureshtjen intelektuale lidhur me prejardhjen dhe (para)historinë e popullit shqiptar: shek. XIV-XVI: Gjon Gazulli, Marin Biçikemi vs. Marin Barleti etj.;
  2. b) duke i vënë natyrshëm shpërgënjtë mendimit intelektual-albanologjik shqiptar në shek. XVII-XVIII deri në gjysmën e parë të shek. XIX: Pjetër Mazreku, Frang Bardhi, Giorgio Guzzetta (= Àt Gjergj Guxeta), Gjon P. Nikollë Kazazi, Paolo Maria Parrini (= Àt Pal Maria Prifti), P. Nicolò Chetta (= Àt Nikollë Keta), Angelo Masci (= Engjëll Mashi), Vincenzo Dorsa (= Vinçenc Dorsa) etj.;
  3. c) përkatësisht duke e orientuar atë prej gjysmës së dytë të shek. XIX drejt gjurmimit retrospektiv-sistematik të gjithë atyre shënjuesve themelorë që ngërthejnë së bashku matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar përgjatë zhvillimit të saj në kohë e hapësirë: Konstandin Kristoforidhi, Girolamo de Rada (= Jeronim de Rada), P. Demetrio Camarda (= Àt Dhimitër Kamarda), Pashko Vasa, Sami Frashëri, Àt Shtjefën Gjeçovi, Àt Ndre Mjeda, Giuseppe Schirò (= Zef Schirò) etj.; ndër të tjera:
  • origjina e shqiptarëve, parë këta si një bashkësi etnike-kulturore e gjuhësore e mëvetë­sishme;
  • territori i tyre anas, parë ky si ‘atdhe historik’, në mos edhe ‘zanafillës’, që vjen me thënë ‘(para)antik’ vs. ‘mitik’;
  • gjuha burimore shqipe, si mjet komunikimi i gjithhershëm brenda kësaj bashkësie;
  • mënyra tradicionale e jetës materiale krahas asaj shpirtërore në po këtë bashkësi: doket, zakonet, folklori etj.;
  • botëkuptimi/besimi tradicional si madhësi variabël në kohë e hapësirë, sipas rastit: pagan, më pas i krishterë (= katolik-romak ~ ortodoks) vs. muhamedan;
  • trashëgimia kulturore-historike (edhe) në gjuhën amtare (Frangu, Barleti, Gazulli, Buzuku, Matranga, Budi, Bogdani, Figlia, Brancati, Chetta, Kazazi, Variboba etj.)

Prashtu jemi fokusuar në këtë parashtresë në atë kompleks tematik, të cilit lejohemi t’i veshim tash figurën metaforike Nyjë Gordiane në shkencat historike albanologjike e që si e tillë kushtëzoi e mundësoi dikur (shek. XIX-XX) përftimin e vetë albanologjisë si shkencë komplekse rajonale. Me fjalë të tjera, bëjmë fjalë për atë ‘Çështje Shqiptare’ që shoqëron a mëton të shoqërojë ende sot e gjithë ditën diskursin albanologjik në ato rrethe shkencore-intelektuale, të cilat janë të interesuara drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në hetimin induktiv-rezultativ të njërit apo tjetrit identifikator, sindëkur të vetë matriksit të kulturës etnike-gjuhësore shqiptare në tërësinë e tij.

Asgjëmangut, në bashkëlidhje me këtë objekt studimi, syzimi ynë vatërzohet edhe në një ‘çështje’ të dytë, por jo dytësore, po-shqiptare, andaj edhe titullin e këtij shkrimi sekush gëzon të drejtën ta lëçisë në numrin shumës. Kjo çështje mëton të nxjerrë në pah ndryshimet themelore në paradigmën e metodës së kërkimit diakronik në albanologjinë shqiptare:

  1. bash ashtu siç i përjetoi sidomos debati intelektual shqiptar gjatë hetimit të kësaj ‘çështjeje’, kryesisht përgjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX e që përkon, thënë më saktë bëhet pjesë integrale e programit kulturor-ideologjik të Lëvizjes shtetformuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare;
  2. që u formëzua dhe u rikonfigurua në vazhdimësi gjatë shek. XX, duke sendërtuar atë mozaik mitik- vs. historik-kulturor që veshi fasadën ideologjike nacionaliste të disa formacioneve shtetërore (të paktën) në një pjesë të hapësirës kompakte shqipfolëse (Shqipëri), përkatësisht më vonë atë të lëvizjes nacioniste shtetfor­muese në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë; e
  3. që vijon të gjëllijë deri në ditët tona në vazhdën e tranzicionit intelektual shqiptar, bash në një periudhë, kur debati shkencor-albanologjik në hapësirën shqipfolëse përjeton një ngërç në formën e krizës së mirëfilltë, sa mizore aq edhe vrastare sidomos në kërkimin diakronik.

Në rast se ngjërojmë tash ato pak studime kritike bashkëkohore që “guxojnë” të venë gishtin në plagë e të mëtojnë përgjithësime sintezë të paktën të karakterit historiografik, vërejmë – sigurisht, pa pasur ndërmend assesi me ndërmarrë një krehje ballore të prurjeve kësodore deri sot (!) –, që në to boshti kronologjik i hulumtimit, edhe sa i përket kësaj ‘çështjeje’, segmentohet në tri periudha bazë, sinorët kohorë të të cilave përkojnë deri diku me njëra-tjetrën, anipse secili studiues u vesh sipas nevojës e rastit emërtime të ndryshme, ase ndërmerr ndarje dytësore brenda njërës a tjetrës periudhë. Pa hyrë aspak në hollësi e detaje të kësaj natyre, vëmë oroe, sa vijon:

  1. Periudha e parë rrok në vetvete zanafillën e diskursit historik albanologjik / shqiptar, sidomos fazën prej gjysmës së shek. XIX e deri në vitet 1944/5, e që pagëzohet sipas rastit ose si mosekzistues, ose si jokritik dhe / ose i mbështjellë me rubën romantike-nacionaliste.
  2. Periudha e dytë e viteve 1944/5 – 1990, parë kjo si periudhë politike-ideologjike, përkatësisht ajo e shkencës hoxhashqiptare, në mos ajo komuniste, përkatësisht totalitare-unitariste.
  3. Periudha e tretë, ajo pas vitit 1990 e që vijon sot e gjithë ditën, së cilës edhe pse i vishen cilësime pa konotacion të mirëfilltë negativ, si p.sh. postkomuniste, bëhet edhe në këto shkrime më se e qartë se është një periudhë tranzicioni shkencor-intelektual shqiptar me tipare më fort negative se sa pozitive, bash kur në Shqipëri përjetojmë atë ngërç, përkatësisht shthurje të infrastrukturës së formimit universitar, të kërkimit shkencor, sikurse përgjithësisht të vetë studimeve diakronike në albanologji.

Në vëzhgimet tona jemi orientuar kryesisht në ato prurje rezultative-koherente të shkencave historike shqiptare në periudhën e dytë, shi në atë më të brishtën, bash në hetimin shkencor të ‘çështjes Shqiptare’ gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, kur kjo erdhi e u bë jo thjesht dhe vetëm objekt kryesor i diskursit shkencor albanologjik në hapësirën kompakte shqipfolëse, por erdhi e zuri vend si e tillë edhe në programin nacionalist, kulturor-ideologjik të propagandës shtetërore të regjimit komunist në Shqipëri – duke hasur si e tillë shumëkund paralele në shkencat historike shoqërore të vendeve fqinjë në Europën Juglindore, qofshin këto komuniste (: ish-Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Hungari) ose jokomuniste (: Greqi, Turqi).

Tash – thuajse 30 vjet pas zbythjes së atij regjimi – jemi të gjithë më se të ndërgjegjshëm, thënë më saktë, tejet të ndërgjegjësuar se kemi të bëjmë në këtë rast me një periudhë thuajse gjysmëshekullore, kur në Shqipëri sundoi një regjim totalitar, i cili ushtroi dhunën e vet strukturore në të gjitha aspektet e jetës materiale e shpirtërore në Shqipërinë e Pasluftës e si i tillë, sidomos në fazën e fundit të gjallesës së vet (vitet ’70 – ‘80), u rrek të diktojë edhe orientimin e mendimit historik-albanologjik shqiptar drejt unitarizimit pa kushte, pra – në rastin më të keq (!) – drejt konformizmit të shumëkërkuar ndërmjet shkencës dhe politikës, që vjen me thënë miratimit en bloc si të mirëqenë të një tube tezash fikse me rezultate të paracaktuara në shkencat historike albanologjike shqiptare, të cilat legjitimonin së bashku qoftë edhe ad hoc atë paketë kontrolluese ideologjike të propagandës shtetërore me theks të fuqishëm nacionalist, në të cilën vendin kryesor e zinin e do ta zinin do direktiva të natyrës aksiomatike, ndër të tjera:

  1. Shqiptarët janë autoktonë den-baba-den në trojet e tyre historike.
  2. Hapësira e sotme kompakte shqipfolëse në Gadishullin Ballkanik është thjesht një truall restrikcioni, pra jo-ekspansioni në rrjedhën e zhvillimit kulturor-historik e demografik të etnogjenezës shqiptare; çka tumir vetiu në instancë të fundit:
  3. si bashkëlidhjen e pandërmjetme ashtu edhe vijimësinë gjenetike ‘legjitime’ të etnosit historik shqiptar me të ashtuquajturin etnos ilir, në të cilin rrokeshin e rroken sipas rastit një numër entitetesh etno-kulturore anase në perëndim dhe qendër të Ballkanit antik, të tilla si: etnosi dardan, përkatësisht ai makedonas, e padyshim edhe ai epirot.

Po pellazgët?! Një përpjekje ogurzezë, që ndërmori Diktatori dora vetë[2] e që do t’i vinte vërtet kapak vorbullës mistike që mbrohej nga shteti, ishte bash direktiva e tij për një angazhim sa abstrakt të masave që “bënin shkencën”, aq edhe konkret të studiuesve historianë, arkeologë, gjuhëtarë e antropologë shqiptarë që prodhonin shkencë me parë mundësitë e hedhura me bojë të zezë në letër të bardhë mbi një vijimësi gjenetike qoftë edhe të ndërmjetme mes etnosit gjuhësor-kulturor shqiptar dhe atij pellazgjik, si njëri ndër më lashtët, në mos më i hershmi në rajonin e Mesdheut.[3]

Duke bërë këtë sqarim të parë e më se të domosdoshëm, lejohemi të qartësojmë ndërkaq edhe bashkëlidhjen e këtyre dy ‘çështjeve shqiptare’ me një ‘çështje të tretë po-shqiptare’, shi me atë të sjelljes së elitës intelektuale shqiptare ndaj sosh bash atë periudhë. E sigurisht që këtu pjesëmerr një tubë aspak e vogël studiuesish shqiptarë që i takonin asaj elite intelektuale, sidomos në fazën e parë të periudhës së dytë (: vitet ‘50 – ‘70), e që u aktivizua në mënyrë intensive edhe me ‘Çështjen Shqiptare’, emra të tillë si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Hasan Ceka, Osman Myderrizi, Injac Zamputi, Selman Riza, Zija Shkodra, Skënder Anamali, Selim Islami, Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani etj. Kemi të bëjmë pra me një rreth elitar studiuesish shqiptarë të asaj kohe, të formuar kryesisht në Perëndim (d.m.th. para Luftës së Dytë Botërore) ose në mënyrë autodidakte. Dhe është fakt që prurjet shkencore-intelektuale të kësaj aradhe studiuesish elitarë përkojnë jo rastësisht pikërisht me fazën e parë të kësaj periudhe të dytë, të ashtuquajtur komuniste ase totalitare-unitariste në historiografinë shqiptare e në shkencat historike albanologjike në përgjithësi, anipse këta elitarë në shumësinë e tyre nuk e përjetuan atë “fat” të ishin a të detyroheshin të ishin anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Asgjëmangut, fakt i pakundërshtueshëm është gjithashtu që bash në këtë periudhë të dytë, sidomos në fazën e saj të fundit (vitet ’70 – ‘80), përjetojmë vërtet aso rrethanash, kur mozaikun kulturor-historik vs. -mitik të ideologjisë shtetërore nacionaliste e kaploi i ashtuquajturi ‘delir i iliromanisë’ në vlerësimin qoftë edhe kritik-shkencor të të gjitha prurjeve albanologjike, sa i përket hulumtimit retrospektiv të kulturës etnike-gjuhësore shqiptare. Bëjmë fjalë këtu për një fazë që përkon me atë dhunë strukturore të zakonshme që ushtroi aparati i propagandës shtetërore të regjimit në fuqi, duke diktuar – siç prekëm më lart – një politikë totalitare-unitariste ndaj kërkimit shkencor diakronik (sikurse edhe formimit shkollor-universitar), përkatësisht duke e orientuar atë thjesht dhe vetëm në vëzhgimin, qëmtimin dhe përcjelljen e atyre argumenteve dhe dëshmive me karakter mohues ase pohues, por gjithnjë pozitiv, që vjen me thënë vetëm e shfajësonin ase mbarështonin mozaikun kulturor-historik vs. -mitik kombëtar, kumti i të cilit tingëllonte as më shumë e as më pak, pra thënë troç: matriksi i kulturës etnike-gjuhësore shqiptare dëshmon në të gjithë identifikatorët e tij themelorë një trashëgimi gjenetike të pandërmjetme ndaj kulturës materiale, shpirtërore e gjuhësore ilire.

Pa dashur aspak të zhbirilojmë, në mos vërtet të fantazojmë, p.sh. se ç’do të ndodhte vallë, sikur të mund të arrinim të klononim dikur, në mos të mësonim tufën e ADN-së së një iliri den-baba-den, ase të paktën atë të një luftëtari krutan të kohës së Skënderbeut e ta përqasnim atë me gjegjësen e ndonjë krutani gjynahqar në Sarı Saltık apo të një labi nga Kuçi në kohën tonë, le të kthehemi më mirë me këmbë në “tokën” tonë albanologjike e të vëmë oroe, se kjo paraqitje pak a shumë sintezë e rrethanave dhe e rezultateve që përjetojmë në këtë periudhë të dytë të albanologjisë historike shqiptare, na lejon tash, në rastin më të mirë, të vijojmë vëzhgimin tonë lidhur me një pyetje në dukje thjesht provokuese: Në ç’marrëdhënie qëndron vallë elita shkencore-intelektuale shqiptare e kësaj periudhe ndaj ‘Çështjes Shqiptare’ si pjesë e asaj pakete kontrolluese ideologjike me theks të fuqishëm nacionalist, që formëzoi bazën mitologjike-historike të shtetit shqiptar, parë ky si një formacion shtetëror çfarëdo, veçse si i tillë ishte në gjendje të ushtronte dhunë të mirëfilltë strukturore, qoftë edhe informale, ndaj mendimit shkencor-intelektual shqiptar? Duke dashur të qartësohemi edhe më shumë në detaj, këtë pyetje lejohemi ta formulojmë disi ndryshe, pra në degëzime të saj, si p.sh.: a) ishte vërtet aparati i propagandës shtetërore komuniste ai lugati dhe malukati që formëzoi, në mos e bastardoi këtë elitë, duke i mëkuar asaj atë paketë kontrolluese me theks të fuqishëm ideologjik-nacionalist?; apo b) ishin prurjet koherente-rezultative të kësaj elite bash në këtë periudhë të dytë, të cilat iu imponuan qysh në fillim këtij aparati, i cili, duke i mirënjohur de jure si të mirëqena, erdhi e i ngjizi ato apet në paketën e vet kontrolluese e duke i përcjellë, falë dhunës së vet strukturore, në formën e tezave të gatshme e me vlerë aksiomatike qoftë në fushën e kërkimit të mirëfilltë albanologjik, ashtu edhe në fusha të tjera të kulturës dhe formimit shkollor-universitar shqiptar?

Kësaj pyetjeje, sado naive që mund të tingëllojë fillimisht, lejohemi t’i japim, nëse duam e tregohemi sadopak dashamirë (!), një përgjigje plot cem e sqimë që vjen me thënë pragmatike, pra bindëse, në kuptimin që të lëvdojmë pa cak e majë si aktivitetin shkencor ashtu edhe angazhimin social të elitës intelektuale shqiptare në këtë periudhë të dytë, bash në atë komunisten apo hoxhisten, d.m.th. atë të djallit kuq-e-zi, meqë:

  1. nga njëra anë albanologjia si shkencë komplekse rajonale u stimulua fuqishëm, si kurrherë më parë (!), pikërisht prej atij regjimi vërtet totalitar, ndër të tjera me ngritjen e një rrjeti të fuqishëm të infrastrukturës shkencore-universitare, e cila arriti vërtet një pikë kulmore në vitin 1972 me themelimin e Akademisë së Shkencave të (Republikës Socialiste të) Shqipërisë;
  2. nga ana tjetër ishte bash ky regjim që kërkonte qoftë edhe si kompensim një farë shpërblimi prej kësaj elite, i cili, si i tillë, mund të mos kishte të bënte patjetër me rolin sado të dëshiruar të puthadorit ndaj asaj politike vrastare të diktaturës së proletariatit, por të paktën një mirësjellje me nota të matura etike edhe konformizmi ndaj politikës së atij regjimi në shkencë, kulturë e arsim, çka vjen me thënë: qoftë duke i thënë e i dhënë atij fjalën e argjendtë, qoftë duke jesur e gjëllirë nën suazën e tij, pra gjithherë në pakt me heshtjen e artë.

Raste të këtilla të ndërlikës në pakt e me mirëkuptim reciprok midis jetës shkencore-intelektuale, sidomos asaj individuale dhe politikës vendore janë të njohura e të mirënjohura në historinë e lindjes dhe të zhvillimit të shkencave komplekse rajonale (kryesisht syresh të popujve të vegjël !) e për më tepër – në rastin konkret (!) – dëshmojnë mirëfilli lindjen dhe pagëzimin e albanologjisë si shkencë komplekse rajonale në Perëndim të Europës, ku sipas kohës dhe rastit kërkimi shkencor albanologjik erdhi e iu përshtat “me ose pa dashje” dhunës strukturore të të ashtuquajturit imperializëm apo komunizëm informal, si p.sh.: dikur interesave hegjemoniste e aneksioniste të Derës së Habsburgut (sidomos prej gjysmës së shek. XIX e deri në vitet ’20 të shek. XX) e më pas sosh të Sopatës së Liktorit (deri më 1944), sikurse më vonë syresh të diktatit komunist (deri më 1991).

Për një pleksje të tillë interesash midis elitës shkencore-intelektuale në albanologji me politikat e dikurshme kolonialiste dhe hegjemoniste (të paktën deri në fund të Luftës së dytë Botërore) është shkruar e shkruhet ende sot, sidomos lidhur me prurjet e albanologjisë austro-hungareze në bashkëlidhje me politikën hegjemoniste të Perandorisë Dyshe (= të Habsburgut). Ne parapëlqejmë gjithsesi  t’i mëshojmë si facit një zgjidhjeje alternative pragmatike të kohës, sipas së cilës, aktiviteti intelektual dhe angazhimi social i personaliteteve në shkencë do gjykuar në përputhje me kodin moral dhe etik të kërkimit shkencor për kohën, në të cilën dhe për të cilën ka vepruar e vepron.

Asgjëmangut kjo lloj zgjidhjeje pragmatike ia vlen vërtet të përsiatet, në mos të tumiret parimisht edhe në rastin tonë konkret, sa i përket sjelljes së elitës intelektuale shqiptare në Shqipërinë e Pasluftës, meqë edhe kjo elitë pjellë e kësaj bote njerëzore  ishte, është dhe do të jetë. Në fund të fundit, ç’të keqe mbillte e pillte atëbotë kjo elitë xhanëm (!?), në rast se produkti i vet e i mirëfilltë shkencor-intelektual furnizonte me ujë të bollshëm edhe mullirin e imagjinatës dosido shterpëzuese komuniste e bashkë me të edhe atë pak krenari ‘nacional(ist)e’ që na kishte mbetur, duke i mbajtur kështu anën një bashkëlidhjeje etnike-gjuhësore të drejtpërdrejtë me kulturën ilire të antikitetit, bash me bartësit e saj, ilirët tanë po aq antikë?

Po të flitej atëbotë, sikurse gëzojmë e flasim sot në demokraci e pluralizëm, me të ashtuquajturën “gjuhë të fakteve” aq të (mirë)njohura në kronikat e antikitetit, këta ilirët tanë – or babam?! – m’i kujton e m’i harron, kur dhe si m’i do; varet kjo thjesht dhe vetëm se çfarë skalpeli mban në dorë, çfarë syzesh në sy e jo rrallë e për mall, nëse se je ngritur ose jo me mahmur nga gjumi i një nate më parë. E kjo rrethanë feks sidomos, kur mbikëqyr atë fisin tonë ilir më të thekur, bash ata: illyrii proprie dicti, të cilët nuk lenë rast pa i treguar me gisht, se ishin – or, mik?! – një racë sarhoshësh den-baba-den që pinin vençe, pa majë e cak, sabaian tipike ilire, sidomos kur digjej ‘pa hile’ prej grurit që e merrnin haraç nga popujt fqinjë, madje sidomos – e kjo aspak e dorës së dytë a të tretë (!) – kur ishin kthyer në dhe të vet, pasi u kishin rënë kryq-e-tërthor me lunter-at e veta po aq tipike ilire ujërave të Adriatikut e Jonit, sigurisht si piratë e plaçkitës më se të zakonshëm që të vrisnin e s’të qanin as ditën e as natën, bash ashtu siç vrau me dorën e vet vëllanë e vet mbreti i fundit ilir, Genci.

Parë nga kjo perspektivë për kumtin tonë ka më shumë rëndësi fakti që ishte pikërisht kjo aradhë studiuesish intelektualë shqiptarë që kishte përvetësuar ndërkohë paradigmën moderne të kërkimit shkencor diakronik në Perëndim (vitet ’30-’50 të shek. XX), duke e përcjellë atë vetëdijshëm në studimet historike shqiptare, përkatësisht duke hyrë po aq vetëdijshëm dorëzanë, pas gjase në unison lidhur me njërën zgjidhje alternative të ‘çështjes Shqiptare’. Fakt është gjithashtu që kjo zgjidhje nuk cenonte assesi normat morale e qytetare, sikurse edhe sosh etike të diskursit shkencor albanologjik bash në kohën dhe për kohën, në të cilën këta studiues ushtruan aktivitetin e tyre intelektual me angazhimin social përkatës; por duke përkujdesur njëherësh edhe jetën private, meqë, ja ashtu, këto punë kështu ishin e  janë: do fituar buka e gojës me mbajtur shpirtin gjallë, të vetin dhe atë të familjes që kishin në ngarkim.

Pas këtij ekskursi mbi ndërlikën e patëkeqe në kohë dhe hapësirë të aktivitetit shkencor-intelektual me kursin politik-ideologjik që përkujdes një formacion shtetëror (i çdo lloj ngjyre a luleje qoftë) bëhemi tash më se të ndërgjegjshëm edhe për atë dozë pragmatizmi që mund a duhet të ketë shoqëruar potencialisht një pjesë të konsiderueshme të elitës intelektuale shqiptare, e pse jo edhe vetë diskursin e mirëfilltë historik albanologjik në periudhën e regjimit totalitar-unitarist në Shqipërinë e Pasluftës.

Asgjëmangut, ky pragmatizëm, sado i “sëmurë” – por të paktën më se i kuptueshëm, në mos i mësearsyeshëm – që mund të duket e të tingëllojë në pamje të parë, nuk i shkon aspak përshtat ndonjë mohësi çamarrok që e shpall veten në mexhlis si mos-o-zot-albanolog, por thjesht dhe vetëm – dale, dale (!) – ideator dhe teoricien antropolog sqimatar, që i jep të drejtën vetes të nxisë, në mos të nxijë, mbarështimin e albanologjisë historike shqiptare, qoftë duke (zh)vlerësuar en bloc prurjet e të gjithë pinjollëve të elitës së dikurshme intelektuale shqiptare, përkatësisht të damkosë në masë rezultatet e shkencave albanologjike shqiptare përgjatë gjithë kësaj periudhe të dytë, e cila, sipas tij, vetëm i paska mëshuar zhvillimit regresiv të albanologjisë që fsheh natyrshëm kokën në trastë, që vjen me thënë që ka rënë me kohë e ndërkohë në prehrin e empiricizmit, teknicizmit, folkloricizmit, vetë-izolimit, vetë-kolonizimit etj., deri e pse jo të vetë-shpërbërjes si shkencë ndërdisiplinore. E këtë e ndihmojnë, në mos vetëm e përshpejtojnë sipas tij edhe ato aktivitete intelektuale foshnjore të do qendrave të vogla albanologjike që sillen rrokull orbitave të tyre jashtë hapësirës shqipfolëse.

Sigurisht që nuk do t’ia vlente vërtet barra qiranë me përsëritur vetveten në faqet e “Peizazheve”, duke u marrë rishtas me antropologun tonë, përkatësisht me ato dënime gjithherë kapitale që ky rob Zoti, i gatuar së prapthi, i mballos elitës intelektuale shqiptare në Shqipërinë komuniste, përpos ndonjë rasti krejt të veçuar të tipit ´bongo bongo’ në mos ‘bingo bongo’ në albanologji. Prashtu lejohemi t’i anashkalojmë vetëdijshëm çdo lloj ndërhyrjeje kritike që vërtet s’të jep më as bukë, as ujë e as kripë, meqë shkruesi i këtyre radhëve e ka ngjizur ndërkohë bindjen se ky plak kanuni pa haber në albanologji nuk di as vetë se ku ia çon mushka drutë, kur mbikëqyr prurjet e albanologjisë shqiptare në kohë e hapësirë.

Prashtu e kemi më të lehtë tash me vijuar në hullinë e shkrimit tonë modest duke rimarrë si pikë referimi vetëm njërën ndër zgjidhjet alternative, d.m.th. potenciale të asaj pyetjeje, më saktë të derivatit të saj të parë, që formuluam pa teklif më lart, shi nëse ishte vërtet aparati i propagandës shtetërore komuniste ai lugati dhe malukati që formëzoi, në mos e bastardoi këtë elitë, duke i servirur asaj atë paketë kontrolluese me theks të fuqishëm ideologjik-nacionalist (!?); apo ishin prurjet koherente-rezultative të kësaj elite, të paktën në fazën e parë të kësaj periudhe të dytë, të cilat erdhën e iu imponuan qysh në fillim këtij aparati që, duke i mirënjohur fillimisht si të mirëqena, erdhi e i ngjizi në paketën e vet kontrolluese, duke i përcjellë më pas falë dhunës strukturore në formën e tezave të gatshme e me vlerë aksiomatike qoftë në fushën e kërkimit të mirëfilltë albanologjik, ashtu edhe në fusha të tjera të kulturës dhe arsimit shkollor-universitar shqiptar?

Asgjëmangut, për një përgjigje bindëse, pra të thjeshtë, që i detyrohemi lexuesit, lejohemi të vëmë oroe, se Diktatori – sikurse kushdo në aparatin e tij të propagandës ideologjike-nacionaliste –, nuk ka qenë kurrherë në gjendje të bënte dikur deduktime kësodore lidhur me ‘Çështjen Shqiptare’. E kjo për një arsye thjeshtë, në mos fare triviale: ai vetë, sikurse shumëkush në atë aparat, edhe në rast se kishin të përfunduar me letra ndonjë gjimnaz, shkollë profesionale, në mos edhe të lartë, sigurisht që nuk e kishin gëzuar kurrë atë formim sado të brishtë, aq sa të mund të pjesëmerrnin skajshëm e pa kompleks inferioriteti në një debat intelektual të natyrës së mirëfilltë shkencore-albanologjike. Dhe përjashtim nga e gjithë kjo mesele nuk bënte padyshim as Ai, i cili një ditë të bukur ditësh, kujtohet të pyesë kryeneças: “Po pellazgët?” Shumëkush prej elitës intelektuale shqiptare të kohës, pra gjithkush që kishte a i kishin mbetur (ende) ndopak mend në kokë kërkoi e gjeti si mundi e ku mundi, por gjithnjë me lezet – pra në mënyrë pragmatike (!) – rrugët e mundësitë të dilte po vetë prej atij qorrsokaku plot bërllog mendor e që kundërmonte vetëm injorancë intelektuale. E në këtë rast nuk lejohemi të shpallim “të pafajshëm” vetëm studiues të rangut të Eqrem Çabejt, si ajka e albanologjisë shqiptare, më se i njohur e i mirënjohur çdo kohë e mot si modeli i elitës intelektuale shqiptare nën ‘diktaturën hoxhiste’, i cili nuk diti, sepse nuk donte as të dinte, t’i përulej politikës dhe ideologjisë së çfarëdo ngjyre qoftë.

Që kjo elitë intelektuale shqiptare e kohës, sado e rrudhur atëbotë në numër – prej represionit, linçimit dhe shfarosjes çnjerëzore e në masë (sidomos në Veri) që ndërmori regjimi vrastar komunist – i përcolli debatit albanologjik një zgjidhje alternative ndaj ‘Çështjes Shqiptare’ sa bindëse për kohën, aq edhe të patëkeqe për atë kohë: bash tezën ilire të vazhdimësisë kulturore etnike-gjuhësore të popullit shqiptar për atë realitet shkencor-albanologjik shqiptar, për këtë nuk ka nevojë aspak të tjerrim e thurim kritikë qytetare ndaj përsiatjeve të marramendëse të antropologut tonë, paksa zullumqar, i cili, thënë troç:

  1. s’ka haber mbi realitetin e vërtetë shkencor-intelektual e social-kulturor në Shqipëri nën diktaturën komuniste; e akoma më zi:
  2. nuk e vë ende çorbën në zjarr, në mënyrë që të mësojë diçka më shumë, se paska pasur dikur një debat të pastër e të panjollë albanologjik edhe ndër rrethe intelektuale-shkencore shqiptare, të cilat kanë ardhur, parë e fituar sa herë që kanë mundur e kur e ku kanë mundur një bashkëpunim të sinqertë e konstruktiv në rrethet kolegjiale përkatëse në Europë e gjetkë.

Asgjëmangut, bash në këtë pikë të fundit vijmë natyrshëm në ndryshimin e paradigmës në kërkimin diakronik të ‘Çështjes shqiptare’, pra edhe në diskursin intelektual-shkencor shqiptar, bash në periudhën kur në Shqipërinë e Pasluftës u nxit dhe u përftua – e përse duhet ta fshehim, xhanëm!? – një rrjet infrastrukturor solid i studimit shkencor albanologjik që mundësoi rrjedhshëm kalimin nga periudha e parë jokritike në atë kritike në vitet ’40-‘50 të shekullit të kaluar.

Duke iu bashkuar me këtë cak kohor mendimit të shumicës së studiuesve të derisotëm shpresojmë t’i kemi dhënë përgjigje pozitive, pra bindëse, asaj pyetjeje derivate të skicuar më lart, se ishin pikërisht prurjet koherente-rezultative të kësaj elite bash në këtë periudhë, të cilat erdhën e iu imponuan qysh në fillim aparatit të propagandës ideologjike-nacionaliste në Shqipërinë komuniste të Pasluftës. Për më tepër nuk gabojmë aspak, në rast se vëmë pikat mbi i, apo më saktë pikat mbi ë, e vërejmë që kjo elitë nuk veproi assesi në vetë-izolim të plotë e deri në vetë-shpërbërje, përkundrazi gjithherë nën ndikimin e fuqishëm të kulturës shkencore dhe të traditës albanologjike perëndimore, ku kjo elitë jo vetëm u formua si e tillë, por që – edhe në kushtet e izolacionit ekstremist të majtë – rrëmonte e gjente ku të mundte e si të mundte mundësitë reale, d.m.th. minimale, me ndërkëmbyer mendime, teza e ide në diskursin shkencor të kohës.

Sigurisht përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje të parë, sindëkur edhe derivateve, më saktë, riformulimeve të saj, nuk i vë aspak kufirin te thana një të dyte, që mund a duhet të tingëllojë, si vijon: Në ç’masë erdhi e ndikoi ‘teza ilire’ e prejardhjes së popullit shqiptar si pjesë e asaj pakete kontrolluese të shtetit komunist me aparatin e tij të dhunës ideologjike-nacionaliste në formimin kulturor-universitar në vend, si edhe në prodhimin shkencor te brezat e rinj të studiuesve shqiptarë që formoheshin, përkatësisht ishin të detyruar me u formuar në shumësinë e vet në izolacion të plotë, pra vetëm në ato institucione universitare e shkencore që jetnin në Shqipërinë e diktaturës së proletariatit?

Kjo pyetje e dytë bëhet më se domethënëse, sidomos po të duam të hedhim sadopak dritë qoftë edhe në disa ndër arsyet e atij ngërçi shumëplanësh që përjeton ndërkohë debati shkencor-albanologjik shqiptar, bash në të ashtuquajturën  periudhë e tretë, të cilën jemi mësuar ta ngjërojmë (në këta 30 vjet) sidomos si postkomuniste, në mos për mëshirë të fatit (!) edhe demokratike, anipse bën mirë të emërtohet ende si periudhë e tranzicionit intelektual shqiptar, sepse bashkëmbart, më saktë tërheq zvarrë vetëm tipare negative, nonse e zhveshur prej çdo lloj dhune strukturore të pushtetit shtetëror aktual.

Si përfundim shprehim bindjen, se shtjellimi i hollësishëm i këtyre çështjeve aspak të dorës së dytë jo vetëm na detyron të ngulim thellë e më thellë gishtin tregues në atë plagë qelbi e gangrene gjysmëshekullore që përgatiti e përkujdesi me zellin dhe perversitetin e të mësezakonshëm sistemi politik-shoqëror komunist me aparatin e vet të dhunës strukturore në Shqipërinë e Pasluftës, kur orientoi njëanshëm formimin intelektual shqiptar, thjesht e vetëm me syzimin sa largvajtës, aq edhe ogurzi, me krijuar njeriun e ri me një kujtesë kolektive-historike të shpëlarë e si bartës i një ideali të ri po aq injorues, sa të paudhë aq edhe dështak ndaj jetës dhe historisë së kulturës dhe shkencës së vërtetë e të mirëfilltë shqiptare. Por a të ka vërtet faj në gjithë këtë mesele ajo elitë intelektuale shqiptare e Pasluftës – e cila pati fatin aspak fatlum të gjëllinte aty, sepse ndoshta edhe s’donte t’i linte pendët vendit të vet, qoftë edhe për bindjet e veta ideologjike (!) – e aq më pak gjithë ato prurje të saja solide për një zgjidhje alternative të përbashkët ndaj ‘Çështjes Shqiptare’, një zgjidhje kjo sa e ‘re’ në hapësirën kompakte shqipfolëse aq edhe e (mirë)njohur në Perëndimin e gjysmës së parë te shek. XX?

Të mohosh rolin pozitiv të elitës intelektuale shqiptare në historinë e zhvillimit të shkencave albanologjike në hapësirën kompakte shqipfolëse gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar është njëlloj si të duash të mbulosh ndoshta thjesht për hir karriere personale, diellin me shoshë, pra të mos kesh mësuar ose të mos duash ende të mësosh se si ndahet me dorë e me mendje gruri nga egjra e shapi nga sheqeri. Parë nga kjo perspektivë, aktiviteti intelektual dhe angazhimi social i elitës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX fitojnë në kohën tonë gjithnjë e më shumë kuptim.

 

(c) 2020, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat pa lejen eksplicite të autorit.

Kopertina: Rrënoja ilire, Zgërdhesh.


[1] Duke i dhënë këtij shkrimi formën e një eseje, nuk jemi të detyruar të shoqërojmë çdo rast mendimet e dhëna me bibliografi plotësuese për njërin ose tjetrin autor. Mjafton të përmendim që në këtë shkrim janë konsultuar botime të një numri studiuesish shqiptarë e të huaj, ndër të tjerë: Hermann Ölberg, Valentina Duka, Dritan Egro, Oliver Jens-Schmitt, Kurt Gostentschnigg, Ardian Vehbiu, Donato Martucci, Monica Genessin, Albert Doja, Edon Qezari etj. Në bazë të këtij shkrimi, madje rrokur në paragrafë të tërë të tij, qendron botimi i autorit: Ndryshimet e paradigmës në albanologji dhe pasqyrimi i tyre në mitet shtetformuese në Shqipërinë komuniste – ‘Rasti Buda’, në: „Aleks Buda dhe studimet albanologjike“. Elbasan 2017, S. 64-85.

[2] Kumt i dhënë prej tij në një takim me përfaqësues të BRPSH-së rreth vitit 1970, pasi kishte lexuar një libër diturak në frëngjisht me autor studiuesin dështak Zacharie Mayani. Hollësisht për këtë Vehbiu (2007).

[3] Kjo tezë në formë përsiatjeje diletanteske, në mos gabojmë, nuk u ngërthye atëbotë aspak në ‘pllanet’ afatgjata të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, përkatësisht në institucionet e saja albanologjike.

21 Komente

  1. Mua me pelqeu shume kjo trajtese. Sidomos argumentet ne lidhje me tezen/pyetjen e dyte mbi rolin e albanologeve ne projektin/programin e shtet-formimit.

    Dyshimi im eshte se Hoxha nuk u gdhi nje dite te bukur me tezen e pellazgjise, se sikur thote autori, nuk ja kishte haberin ketyre puneve, a as kohe, sa i duhej te merrej me intriga e armiq. Por ai pozicionohej brenda debateve alabanologjike. Dmth. hipoteza ime, me rezerva se nuk jam i fushes, ishte te instrumenatlizonte njeren prej tezave ne sherbim te politikes. E ngasa shprehet Demiraj, kjo e pellazgjise perkon me revoltat ne Kosove, dhe idiotizmat e akademikeve-politikane serb ( edhe ne Jugosllavi akademiket ishin ne parlamente e pozicione administrative).

    Nese do te gjurmonin, nje lloj arkeologjie post-strukturaliste, idete e Enverit, kam idene se do arrinim ne te njejtat perfundime edhe per shkenca te tjera. Zhvillimi shkencor nuk eshte linear, ka zig zage e rizoma, e ketu kapen diku pushteti. Por kjo nuk e zhvlefteson debatin shkencor, as studiuesin, tezat e te cilit gjejne perkrahje per dinamika te brendshme (afirmimi nepermejt favorizimit politik) apo te jashtme (synimi per instrumentalizim), sidomos, sikur deshmon autori ketu, koshi i plehrave te albanologjise eshte fytas me te tilla teza.

    1. Durimpak Enveri nuk u gdhi aspak nje dite te bukur me tezen pellazge, perkundrazi mund te thuhet qe theksi ilirik i fazes se fundit te pushtetit lidhej me fort me idene e shtetit ilir sesa te etnise ilire. Enveri ia vuri djalit te madh emrin Ilir keshtu qe qysh ne fillim te pushtetit ka qene i bindur per vijueshmerine iliro-shqiptare. Pra, theksi ilirik i fazes se fundit nuk lidhej me etnine ilire dhe vijueshmerine iliro-shqiptare, por me shtetin ilir, si quhen disa dinasti nga pak e shume viti 400 deri ne 168 ( edhe pse mbreti Ballaius i takon padyshim kesaj linje, ashtu si i takon mbreti i panjohur qe ne vitin 424 tmerroi spartanet e Brasides qe kishin ardhur ne ndihme te maqedonasve). Aq i madh ishte theksi shteteror ilir ndaj atij etnik ilir, saqe ka ushqyer qofte nje separatizem dardan te votuesit e LDK ne Kosove, aq edhe nje riperteritje pellazgologjike te zonat e Jugut , poshte Vlores,( qe kane qene tek shteti i Epirit dhe qendra e zones pellazgjike, ate te Zeusit pellazg), por edhe ne Kosove deri diku. Pra, krejt ndryshe nga cfare hamendesohet rregullisht, fokusi ilir i fazes se fundit, nuk ka asgje patriotike e/o nacionaliste, por eshte nje gjest separatist per homogjenizimin e shqiptareve “londineze”, mbledhjen e tyre me afer nenes parti dhe gjagjit Enver. Ky gjest separatist dhe rrjedhimisht antipatriotik, ndoshta u dha nje dore atyre mjeshtrave ne Danub qe lidhen LDK e Rrugoves me separatizmin dardan. Pra, ne kushtet e sotme, teza ilire eshte kthyer ne nje problem patriotik, sepse eshte lidhur fort ne imazh nga albanologet enveriste me Shqiperine Londineze dhe nuk justifikon Shqiperine Etnike. Rrjedhimisht, teza pellazge ben shitje qe akademiket i shohin me dylbi ( sepse lexonjesit bleres, ndonjehere me shume bleres sesa lexonjes, qe kane interes per albanologjine jane patriotet, giithe te tjeret mjaftohen me artikuj te shpluhurosur ketej e andej). Teza ilire ka nevoje per nje shkeputje imazhi nga shteti ilir, i ilireve proprie dicti, per te riperqafuar etnine ilire, pra pastrim nga ndryshku komunist, qe e perdori per te homogjenizuar shtetasit e Shqiperise Londineze gjate Dimrit te madh qe zgjati 15 vjet.

  2. Në një intervistë, kështu i përgjigjet Indro Montanelli pyetjes se cilat ishin raportet e Togliatti-t, liderit të PCI, me Stalinin (megjithëse po vë përgjigjen thonjëza, në fakt shkoj me kujtesë, por jam i sigurt në ato që them, ngaqë përgjigja më impresionoi):
    “Togliatti ishte stalinist i bindur. Në kuptimin që po t’i kërkonte Stalini që të digjte Romën, Togliatti e digjte. E megjithatë, kishte krijuar një marrëdhënie të tillë me Stalinin që i linte të kuptonte atij se ca gjëra nuk mund t’ia kërkonte. Dhe Stalini nuk ia kërkoi kurrë.”
    Pyetja ime është: a mund të themi të njëjtën gjë për raportet e elitës së albanologëve tanë me Enverin? Që, në një farë mënyre, i jepnin të kuptonte Enverit që ca gjëra nuk mund t’ua kërkonte për hir të ideologjisë. Flas për Kostallarin më tepër, se Çabej as ishte fare komunist. Apo Enveri ishte thjesht kasap, nuk hante pykë për këto gjëra. Por, në analizë të fundit, edhe Stalini i tillë ishte.

  3. Nga pikepamja logjike nqs albanologjia shqiptare do te kritikohej per ndikimin e thelle nacionalist dhe komunist ( ku do te hynte edhe vijimesia e mendesise koloniale), atehere duhet te kaloje ne site me shume sesa ne shoshe, gjithcka e pohuar, e persiatur dh’e hamendesuar nga studiuesit shqiptare gjate gjysmes se dyte te shek XX.

    Ne kete kendveshtrim (logjik) Albert Doja ka te drejte, sidomos nqs e shquajme hulline e kritikes se tij si politologjike dhe epistemologjike, pra nuk i eshte e nevojshme ndonje njohje e thelle (teknike) e albanologjise, persa kohe qe kritika eshte ne nivelin ideologjik e paradigmatik. Pamjaftueshmeria e argumentit te tij, per mendimin tim lidhet se pari me mungesen e disa elementeve te rendesishem arkivore, qe do te konfirmonin bindjet e tij deduktive (apo abduktive). Kjo do te ishte e domosdoshme per venien ne pikepyetje te paradigmes sunduese.
    Hapi i dyte do te ishte zhvillimi i paradigmes zevendesuese, e cila duhet te perqafohet nga nje grupim studiuesish.

    Megjithate me shume sesa nje paraqitjes risish, me te cilat hidhet tuc albanologjia, duket se kemi nje thirrje per ndihme, per nje pune te perbashket mes studiuesish, meqenese nga pikepamja logjike asgjesimi i ndikimit te thelle nacional-komunist nenkupton vetiu edhe nje spastrim rrenjesor te studimeve te deritashme,
    Ne kete drejtim nuk duket qe PTF-ja te jete kishe ku te falesh, meqenese as i zoti i hapesires, nuk duket i gatshem te coje ne nivel tjeter kritiken e tij shumevjecare ndaj ndikimit nacional-komunist ne albanologji.

  4. Ketu po vjen puna qe albanologjia te shihet si fatkeqesi kombetare dhe eshte mire qe shkrime te tilla te kalojne pa te drejte komentimi te hapur, por te lejohet replika si shkrim me vete.

    Per ilustrim shembulli i sjelle me Toliatin jo vetem calon keq, por ndoshta, perseris ndoshta, ka nje pasaktesi qe ngre peshe.
    Montanelli kam pershtypjen se thote se Toliati do ta digjte Romen po t’ia kerkonte Stalini, por bente gjithcka qe ai te mos ia kerkonte.
    Nuk e dine cfare i ka kerkuar Enver Hoxha Kostallarit ne kete drejtim, por nuk dime gje qe ta kete djegur Zgerdheshin per hir te Dodones.

    1. Citati nga Montanelli:

      [S]e Stalin avesse dato a Togliatti l’ordine di bruciare Roma, Togliatti avrebbe bruciato Roma. Però, credo che Stalin non abbia mai dato quest’ordine perché Togliatti faceva in modo che non glielo desse. È molto complicato”.

      Nuk më duket se Ben Dedja thotë ndonjë gjë gabim. Asgjë për t’u diskutuar. Le të fokusohemi tek tema, ju lutem.

      https://www.museodelcomunismo.it/anticomunisti/120-indro-montanelli-togliatti-esecutore-degli-ordini-di-stalin

  5. Desha t’i rikthehesha edhe njehere temes, pasi analizova me kujdes mendimin e Cabejt, te permbledhur tek cikli i leksioneve per indoeuropianistiken te mbajtur ne Prishtine dhe te botuar si ”Hyrje ne Indoeuropianistike”, mendim i cili pak a shume perfaqeson mendimin albanologjik shqiptar, te kesaj elite per te cilen flet artikulli.

    Si edhe me heret, problemet e hasura ishin serioze dhe serisht shume kontradiktore, aq sa perfundimi eshte se mendimi albanologjik shqiptar eshte kaotik ose per shkak te ideologjise komuniste ose per shkak te ideologjise nacionaliste dhe Cabej nuk ishte aspak i lire apo aspak autonom persa kohe qe eshte kaq kontradiktor ne pohimet e veta.

    Problemi kryesor ( se kaosi perbehet nga nje pafundesi problemesh) eshte ai i truallit etnik shqiptar si truall tkurrjeje historike, ngushtimi apo ne gjuhe te huaj restriksioni. Ne fund te fundit, vijueshmeria ilire kete ceshtje duhet te zgjidhe, se nuk zgjidh gje origjinen e shqiptareve, persa kohe qe origjina lidhet me marredheniet e protoshqiptareve me popullin protoindoeuropian ( gje per te cilen vijueshmeria x apo y eshte hallke dhe jo zgjidhje).

    1- Persa i takon maqedoneve te lashte, Cabej mjaftohet me verejtjen se nuk ishin greke, por thote sipas autoreve popull indoeuropian me vete.

    Atehere nqs Cabej nuk mbeshtet iliresine e maqedonasve, te pakten atyre malesore, vecanerisht oresteve e linkesteve, atehere i bie qe shqiptaret e Kosturit, i cili gjendet ne tokat e oresteve ( biles ne te njejtin liqen ku gjendej edhe Argos Orestikon i Apianit), te mos jene pasardhes te ilireve, por territor ekspansioni gjeografik.
    Po ashtu me shqiptaret e Follorines dhe Manastirit qe gjenden ne territoret e linkesteve, i bie te jene produkt ekspansioni territorial dhe jo tkurrjeje apo restriksioni.

    2- Persa i takon pajoneve, serisht Cabej nuk mbron haptazi iliresine e tyre, por anon nga hipoteza e popullit te mevetesishem, duke shkaktuar serisht probleme me shqiptaret qe gjendet ne trojet e pajoneve te lashte, qe i bie se jane produkt ekspansioni territorial.
    Ketu pastaj vijme tek nje problem serisht serioz ne gjeografine e Cabejt, i cili thote se traket gjendeshin ne lindje te Vardarit, pra lumi si kufiri perendimor i trakeve, ne nje kohe qe ne lindje te Vardarit jane serisht pajonet, pra kesaj radhe pajonet vendosen si trake ( perndryshe kufiri i mirefillte i Trakise zhvendoset shume me ne lindje te Vardarit, sepse s’ka as edhe nje kokerr fisi trak qe gjendet ne Vardar apo ne ndonje nga deget e tij).

    3- Qendrimi i tij ndaj dardaneve, nga menyra si shprehet nuk eshte pozicion i prere dhe pa mendyshje, persa kohe qe ai vendos serisht Vardarin e Moraven si kufi ndares te trakeve, ne nje kohe qe dardanet shtrihen edhe ne lindje te Moraves ( Nishi psh eshte qartazi ne lindje te Moraves). Ketu nuk dua te merrem me triballet qe jane me origjine nga territoret shqiptare qe quajme sot te Lugines dhe qe Cabej serisht medyshet prej variantit trak, sepse triballet jane kokecarje e madhe, sa edhe skordistet.

    4- Ndersa Epiri quhet ilirik, faktikisht per autoret antike qofte Dodona e moloseve ushte pellazgjike, qofte thesprotet ishin pellazge, keshtu qe epirotet sipas antikeve do te dilnin me shume pellazge sesa ilire.

    Epiri gjithsesi lidhet edhe me problemin e hapesires shqiptare ne ceshtjen e shqipes si dialekt i ilirishtes, pra i bie qe ne Epir flitej kjo shqipja apo protoshqipja si dialekt ilir, gje qe do binte ndesh me te vetmen gje te sigurte per Epirin, aty kishte qartazi dallim dialektor me ilirishten, persa i takon emrave te njerezve, vendeve, fiseve etj, menyra e vetme si mund te dallohet dialekti ne kushtet tona. Pra ne cdo rast nqs protoshqipja ishte nje dialekt ilir, i vetmi i mbijetuar me siguri nuk shtrihej nga Nishi ne Preveze.
    Keshtu qe Epiri i bie te jete territor ekspansioni ne rast se proshqipja eshte dialekti i vetem ilir qe mbijetoi.

    Keshtu qe Cabej si perfaqesues i albanologjise qe po flitet ketu, i bie qe na nxjerr neve shqiptareve te sotem, jo si pasardhes e vendalinj apo anas e autoktone gjuhesore ne gjithe trojet e Shqiperise Etnike ( apo Natyrale, e Madhe etj), por perkundrazi si gjuhesisht te ardhur ne nje pjese te territorit etnik.

    Pra, nuk kemi te bejme aspak me nje territor tkurrjeje etnike, por ekspansioni etnik dhe jo ekspansioni te tipit, u terhoqem ne male dhe u kthyem prape ne fushat tona poshte maleve, por si te zhvendosur nga nje krahine ne tjetren.

    Mirepo, ndersa ne gjeografine ilire Cabej eshte cingun, me vendosjen totalisht abuzive te trakeve si kufitare ne Morava e Vardar na del shume bujar me traket, gje qe sigurisht nuk i nxjerr aspak si ”organike” qendrimet e tij mbi ilirishten e vijueshmerine ilire. Perndryshe nje studiues bujar ne gjeografike ilire do t’i kishte shume ”organike”, qendrimet mbi ilirishten e iliresisne e shqiptareve.

    Si perfundim, ne lidhje me problemin kryesor te vijueshmerise ilire qe lidhet me territorin shqiptar si territor tkurrjeje etnike apo zgjerimi territorial, na del qe albanologjia eshte tmerresisht e paqarte dhe pengohet me kembet e veta.

    Keshtu qe, pyetja ne kete rast do te ishte, a ekziston ndokush ne gjithe kete disipline studimore kaq zulmemadhe sa Albanologjia, qe merr persiper barren t’i sqaroje shqiptaret apo do vazhdojme te brockullisim gjera pa kuptim, vetem se i ka thene filani e fisteku ?

  6. Për t’i shtuar fare pak debatit, paksa jashtë teme, do thoja se fjala “arbën” hasej deri vonë, në vitet ’40 në Shqipërinë qëndrore, siç shkruan Cordignano, ky “anmik i madh i popullit shqyptarë”, po të parafrazojmë fjalët e Nikë Barcollës (Nikollë Mazreku):
    …mi osserva un noto conoscitore delle abitudini della media Albania, il Sig. Hamid Gjylbegaj, che cioè a Elbassan, per es., e a Tirana, le «jevge» nate da albanesi si chiamano «arben», come dire che non sono più «jevge», ma albanesi.
    Mi osserva il Sig. Hamid Gjylbegaj che anche in Morea (Grecia) egli fu durante la guerra balcanica in contatto con gli Albanesi (ortodossi) del luogo intorno a «Naflion Palamidhi», e che eran detti «Arbanitis». C’era poi il proverbio «Αλβανοί κακοί» perchè sempre in contrasto coi Greci. (Fulvio Cordignano, Rivista d’Albania, “L’Albania nella Storia e nella Vita”, p. 19 e në vazhdim).

  7. Nuk lejon postimin, por shkruan
    Not Acceptable!
    An appropriate representation of the requested resource could not be found on this server. This error was generated by Mod_Security.

      1. Prape nuk me lejon, i njejti gabim, e provova edhe duke pergjysmuar komentin, edhe duke bere korrigjime, ndoshta nuk lejon ndonje fjale ne tekst.

        1. Dërgova një koment si mysafir, më kaloi pa problem. Duhet të jetë ndonjë fjalë në tekst – por e censuruar nga WordPress-i vetë. Ose ndonjë problem me serverin nga ana juaj. Pengesa nuk vjen këtej nga unë.

  8. Iku kjo pune, se s’kam as si e gjej fjalen ne nje koment me 1500- 2 mije fjale.

    Gjithsesi, duke e shtrenguar ne sa me pak fjali, ideja ketij komenti eshte qe si pasoje e fiksimit apo tekes se Cabejt me traket, daket e rumunet ( nuk eshte as habi qe lidhjet shqiptaro-rumune te kene gjetur mbeshtetjen e elementit vllah apo edhe thjesht shqiptar ortodoks pro-rumun, meqe Rumania deri ne 1918 kishte politike ballkanike dhe lidhje te ndryshme mbeten), ai ne emer te gjuhesise shqiptare nxjerr nje teori te veten, per te kundershtuar Mejerin e Pedersenin, qe mbeshtesnin 3 serite e dorsaleve ne shqip, duke e quajtur shqipen si para kentum/satem.

    Pra, ne vend qe albanologjia shqiptare te vazhdonte linjen Mejer – Pedersen ( edhe Pokorny bashkekohes me Cabejn flet per 3 serite e dorsaleve ne shqip, ashtu si flasin shume te tjere ne ditet tona), ndodh qe nxjerr nje teori te veten , dmth te Cabejt, e cila ne fund te fundit lidhet me rrymen qe e do shqipen si gjuhe satem, packa se per Cabejn kjo ishte teori me vete e gjuhesise shqiptare.

    Trajtimi i dorsaleve, pavaresisht ceshtjes se numrit te serive, thote se ne asnje menyre shqipja nuk mund te vije nga trakishtja ( k palatale ne shqip ruhet si k velare kur pasohet nga m,n,l.r, njesoj si ilirishtja, por ndryshe nga trakishtja e cila edhe ne ato raste k palatale e kthen ne s), prandaj duket edhe paradoksal dhe i pashpjegueshem qendrimi i Cabejt dhe i gjuhesise shqiptare, ndaj ceshtjes se serive te dorsaleve.

    Ketu Enveri s’ka asnje gisht dhe as ideologjite komuniste e nacionaliste, ketu duket si lajthitje, teka, dmth nuk ka shpjegim racional, as me pragmatizmin qe i karakterizonte keta studiues sipas Dojes. Per t’i gjetur ndonje shpjegim duhen kuptuar individet, karakteret, besimet e idete e tyre, pra duhen lexuar biografet.

    1. Përtej gjërave që kam lexuar në literaturë dhe që mund t’i konfirmojë kushdo, unë kam studiuar vetë rumanisht si pjesë e formimit tim në specialitet – dhe lidhjet mes shqipes dhe rumanishtes, në leksik, në fonetikë dhe në gramatikë më kanë lënë gojëhapur. Kjo përtej konsideratave gjenetike.

      1. Besoj se eshte jashte cdo dyshimi qe ngjashmerite jane mbreselenese per nje gjuhe te vecuar si shqipja dhe sigurisht qe studimet kane qene rezultative, pavaresisht se qellimi i fundem nuk u arrit e ndoshta eshte i paarritshem. Ceshtja ketu eshte se nuk kemi as ndikim komunist, as nacionalist, as pragmatik dhe nuk mund ta mendojme as se gjuhesia shqiptare orientohet nga mbresat. Pra ajo qe mendoj se eshte me interes per te shumte ( po edhe nder te shumtet sa qene) eshte arsyeja e zgjedhjes se hullise studimore, sepse kjo ka pasur efekt dhe ka ende efekt dhe do te kete serisht efekt neser. Me ane tjeter, gjithe studimet per shqipen, kane prodhuar nje paradoks kronologjiko-konceptual, i permbledhur pafajesisht si pohim per tu pranuar nga Oreli, protoshqipja ka qene shume konservatore deri kohen e Romes. Me pak fjale i bie qe duhet te pranojme nga nje gjuhe e shkeputur nga trungu meme para ndarjes kentum/satem qe per 3 mije e kusur vjet ( duke ndjekur kronologjine konservatore Gimbuta-Mallory) nuk ka pasur vecse ndryshime fonetike bazike, qe e dallojne si gjuhe me vete nga P.I.E. Kjo do te binte ndesh me premisa te tipit gjuhet e dialektet gjeografikisht qendrore inovojne me shume apo gjuhet e dialektet me kohen shkojne drejt divergjences etj. Pra per shqipen persa ka punuar albanologjia, qofte te huajt e qofte shqiptaret na duhet nje gjuhesi me premisa ad hoc, cka teorikisht duhet te jete alarmuese per gjuhesine shqiptare. Sigurisht qe ketu do kishte te drejte hovi revolucionar i Dojes, se jemi ne nje cul de sac.

  9. Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-rumune kanë të të bëjnë me etnogjenezën e të dy popujvet, sidomos me të ashtuquajturin “djep të kombit rumun”. Një gjë është e sigurt, të dyja kombet kanë pasur pikëtakime e kanë qenë fqinjë në më shumë se një vend, si p.sh. në Kosovë para dyndjeve sllave, dhe duke gjykuar nga mbetjet e fshatrave vllahe, edhe në Pind të Greqisë. Që të dyja gjuhët bëjnë pjesë në Sprachbund-in ballkanik, ama elemente leksikore dhe gramatikore të veçanta janë të mëvetësishme vetëm për të dy kombet.
    Në fushë të leksikut, mjafton të përmendim: abure – avull; argea – Rrgāll e Madhe, ragāl; baci – baç, bac,, baçicë; bajcă – bashkë; balaur – bollë, bullar; balegă – bagël, bajgë; baltă – baltë; barz(ă) – bardh; bîlc – pellg; bîr – berr; brad – bredh; brîu – brez; brusture- brushtull; buc – byk; bucura – bukur; bunget – bung; buză – buzë; căciulă – kësulë; călbează – këlbazë; căpujă – këpushë; cătun – katund; ceafă – qafë; cioară – sorrë; cioc – çok; ciucă – çukë; ciuf – xhufkë; ciump – thumb; cipi – çupis; ciut – shut; coacăză – kokëzë; copac – kopaç; copil – kopil; curpen – kulpër; cursă – kurthë; droaie – drojë, droe; druete, – drutë; fărimă – thërimë; fluier – floiere; gard – gardh; gata – gati; ghimpe – gjemb; ghionoaie gjon; ghiuj – gjysh; grapă – grep; gresie – gërresë; groapă – gropë; gurmaz – gurmaz; gruno – krunde; gujă – gushë; hamej – hamës; jumătate gjymësë; lete – letë; leurda – hudër; măgar – magar; magură – magulë; mal – mal; mărar – merajë, p*dh – pizdă etc. etc.
    Hampi flet për një substrat shqiptar në rumanishten, i formësuar nga shifti gjuhësor në latinishten ballkanike. Ndërsa Fine thotë se zona kritike e kontaktit shqiptaro-rumun ka qenë lugina e Moravës së Madhe, në Serbinë lindore.
    Dialekti tosk thuhet se ka pësuar zhvillime të ngjashme, paralele me rumanishten e hershme. Ndër këto përfshihen centralizimi i /a/-së para hundoreve, rotacizmi i /n/-së ndërzanore (LAMINA > lamura). Disa fjalë si vatrë/vatra janë identike me formën toske, dhe jo atë gege (vôtrë). Ndërveprimi mes toskërishtes dhe rumanishtes thuhet se ka qenë faza e fundit të kësaj konvergjence shqiptaro-rumune.
    Gjithashtu përmendim paralele si zëvendësimin e /k/-së në grupet /ks/ dhe /kt/ me një labiale (buzore): (p në rumanishte, f në shqipe: shih luctare > shqip luftoj, rumanisht lupta; latinisht coxa > shqip kofshë, rumanisht coapsă).

    1. Nje pjese e tyre si bace, grope, gushe etj jane hequr si me prejardhje te ndryshme, latine, sllave e turke. Gjithsesi duhet pasur parasysh se zona e Serbise apo Moraves qe mbahet si pike takimi eshte problematike, sepse ajo eshte zone kontakti shekullore me keltet, gjermaniket e pse jo sarmato-iraniket jazige dhe ne shqip nuk ka kaluar asgje keltike e iranike dhe vec 2 apo 3 fjale te sigurta nga gjermanishtja lindore ( ku ishin psh gotet qe edhe qendruan per rreth dy shekuj ne provincat e mezise e panonise derisa u zhduken, apo kufitare me gepidet mbi Danub). Pra, do te dukej se shqipja nuk ishte atje ku supozohet kontakti me rumanishten, aq me teper kur keltet dhe gjermaniket u asimiluan nga vendasit, pra kontakti ka qene shume i ngushte. Ndersa shqipja i jep rumanishtes, nuk duket ti jape asnje fjale gotishtes se Jordanit, mesi i shek 6, kur kishte 150 vjet kontakt shqip-gotisht. Keshtu qe shqipja i bie nuk ka qene ne Mezine serbe apo te Moraves, por larg Danubit ne pergjithesi, se gjithe Danubi i poshtem )e Panonia) ka qene greth me gjermanike lindore, nderkohe qe Mezia e Moraves ka qene greth me kelte para Romes. Pra, shqipja del ne eter ne rast se do te gjykohej nga numri i huazimeve dhe kontakteve me popujt e tjere.

      1. Kjo ëshë si thikë me dy presa, pasi rumunët mund të kenë shërbyer si zonë jastëk në kontakt të drejtpërdrejtë me arbërit e mesjetës së hershme, duke i mbajtur larg ndikimeve avare, kelte dhe gote në Mysi (Moesia). Mesa di unë, një huazim got në shqipe është edhe “tirq” – thigh breeches, po origjinali gotisht nuk më kujtohet.

        1. Ashtu si shqipja ka ngjashmeri ne latinizmat e veta me rumanishten, ka edhe dallime, dhe rumanishtja mbahet si neolatine ballkanike lindore, keshtu qe me shume se nje jastek apo barriere ne veri te shqipes, do te ishte nje fqinje ne lindje te shqipes, qofte verilindje e qofte juglindje ( shqipja keshtu do te ishte mes perendimit ku lat. ct>it dhe lindjes ku ct>pt, qe ne shqip dhane ct>jt e ct>ft. Pra ne asnje rast, nuk mund te kemi nje shqipe qe ”ruhet” prej rumanishtes nga ndikimet barbare qe vijne nga veriu, kelte jo e jo, se jane paralatine, por as gjermanike lindore apo sarmate.

          Sidoqofte ideja eshte se perdorimi i huazimeve, si shenje e kontakteve gjuhesore, nuk eshte aq argument i mire per venddodhjen gjeografike, sepse per arsye qe nuk dihen, ka fqinje qe japin e marrin gjuhesisht shume, ka edhe fqinje qe nuk japin e marrin shume, pavaresisht nivelit te qyteterimit.
          Serbishtja psh ka me shume huazime nga greqishtja mesjetare sesa shqipja, edhe pse shqipja eshte gjuhe fqinje me greqishten dhe sundimi i drejtperdrejte bizantin mbi shqiptaret zgjati pakrahasimisht me teper sesa mbi serbet ( pra qofte si gjuhe fqinje, qofte Shqiperia si territor qe perdorte greqishten si gjuhe zyrtare, shqipja do te duhej te kishte shume here me teper greqizma mesjtare sesa serbishtja).

          Po te perdoret argumenti i huazimeve do te dilte se shqipja do te gjendej ne veri te serbishtes dhe jo mes serbishtes e greqishtes ( sa i takon jastekut gjuhesor).

          Pra, sido qe te rrotullohet kjo pune,perdorimi i argumentit te huazimit dhe kontakteve gjuhesore eshte si te heqe udhen nje i verber, ne fushe na ndihmon shkopi i tij, por ne terren te thyer biem ne humnere.

  10. Po jap edhe pjesën e dytë të izoglosave shqiptaro-rumune: mazăre – modhullë; mînz – maz; mire – mirë; moş – moshë; mugur(e) – mugull; murg – murg; muşcoi – mushk; năpîrcă – nepërkë; noian – ujanë, ujë; pîrîu – përrua; pupăză – pupë; raţă – rosë; rîndză – rranxa, rrandsa; sarbăd – tharbët; scăpăra – shkrep; scrum – shkrum; sîmbure – sumbull; sopîrlă – zhapí; spînz – shpendër; spîrc – spërk; spuză – shpuzë; ştiră – shtjerrë; ştrepede – shtrep; strungă – shtrungë; ţap – cap; ţarc – cark, thark; ţeapa – thep; urdă – urdhë; vatră – vatër/votër; viezure – vjedullë; zară – dhallë; zgardă – shkardë. Mund t’ju këshilloj të ndiqni linkun e mëposhtëm për më shumë: http://www.hungarianhistory.com/lib/dunay/dunay04.htm

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading