Në diskutimin pas shkrimit tim Arbëreshët, çështje të hapura”, kolegu AndreaGrampsi përmendi një artikull nga Dina Bellizzi dhe Giovanni Belluscio, me titull “Tracce interdisciplinari per attestare una provenienza: il caso degli Arbëreshë. Dai documenti storico-linguistici al DNA (secoli XV-XX)”, prej të cilit po dua të sjell dhe të parashtroj këtu disa të dhëna dhe hipoteza për strukturën gjenetike të arbëreshëve në Itali – duke saktësuar që në krye se kjo fushë nuk është imja dhe as pretendoj unë të sjell gjë me shtjellimet e mia; por vetëm të informoj – dhe të informohem – për një temë që e gjej me interes. Lexuesit janë të lutur të mbajnë parasysh se, materiali më poshtë, nuk është studim imi, as ese, por vetëm parashtrim i rezultateve të së tjerëve dhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen e të interesuarve.
Në vija të trasha, analizat gjenetike të popullatës shqyrtojnë gjenet nukleare, të trashëguara nga të dy prindërit; gjenet e DNA-së mitokondriale (mtDNA), që trashëgohen vetëm nga nëna në individët e të dy sekseve; dhe gjenet e kromozomit Y, që trashëgohen vetëm nga babai, në individët e seksit mashkullor. Rëndësia e këtyre dy llojeve të fundit, është se edhe mtDNA edhe kromozomi Y praktikisht nuk rikombinohen gjatë mejozës, prandaj transmetohen nga brezi në brez pa pësuar ndryshime në sintaksë, me përjashtim të mutacioneve që mund t’u ndodhin. Kjo do të thotë edhe se mutacionet, që akumulohen brez pas brezi, e ruajnë strukturën origjinale, duke përftuar haplotipe të ndryshme (haplotipe përdoret këtu në kuptimin e një grupi mutacionesh gjenetike, në një segment gjenesh të caktuar, që trashëgohen së bashku brez pas brezi).
Artikulli i lart-cituar u referohet studimeve gjenetike specifike të popullsive arbëreshe dhe jo-arbëreshe të Italisë së Jugut, duke i krahasuar të parat edhe me popullsitë e Ballkanit, për të evidentuar – siç pritej – një afëri të madhe gjenetike mes popullsisë arbëreshë të Kalabrisë dhe shqiptarëve të Shqipërisë; por edhe një heterogjenitet gjenetik mes shqiptarëve të Kalabrisë dhe atyre të Molise-s. Sa i përket DNA-së mitokondriale, studimet krahasuese, thuhet në artikull, kanë vënë në dukje mungesën e diversitetit gjenetik mes arbëreshëve të Kalabrisë dhe jo-arbëreshëve, çfarë tregon – në vija të trasha – se arbëreshët kanë pranuar rregullisht, në komunitetet e tyre, gra jo-arbëreshe (italiane). Çuditërisht, në arbëreshët janë gjetur edhe gjurmë gjenetike afrikane (lexo: afrikano-veriore), të shpjegueshme me praninë e gjeneve të tilla në popullsinë italiane të Italisë së Jugut (origjina e tyre mund të jetë edhe shumë e hershme, por edhe të lidhet me praninë masive të arabëve në Sicili dhe gjetiu përreth, sidomos gjatë kohës së Emiratit të Sicilisë: 831-1091: kujtoj se deri në fund të shekullit XII, muslimanët përbënin shumicën e popullsisë së atij ishulli; në 1050, Palermoja kish 350 mijë banorë).
Sa i përket kromozomit Y (që trashëgohet gjithnjë në linjën mashkullore), studimet kanë treguar shkëputje të vijueshmërisë mes arbëreshëve të Kalabrisë dhe jo-arbëreshëve, duke i afruar fort të parët me shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës. Autorët e artikullit gjykojnë se “pakica etnike mashkullore shqiptare ka ruajtur shumëçka nga diversiteti gjenetik stërgjyshor… dhe nuk është përzier në mënyrë domethënëse me popullsinë italiane… prandaj, me gjasë, variabiliteti i kromozomit Y mund të pasqyrojë strukturën gjenetike të migrantëve që arritën në Itali nga Ballkani i Jugut, para pesë shekujsh.”
Një studim tjetër, që analizon edhe popullsinë arbëreshë të Sicilisë, vë në dukje frekuenca të ndryshme në shpërndarjen e haplotipeve dhe haplogrupeve të kromozomit Y, çfarë flet për histori gjenetike të ndryshme. Sipas autorëve, një shpjegim i mundshëm do të ishte se shqiptarët e Kalabrisë kanë ardhur aty nga Jugu i Shqipërisë dhe nuk janë përzier shumë me italianët lokalë; çfarë vihet re edhe për komunitetin e Horës së Arbëreshëve; ndërsa gjetiu – si në Contessa Entellina – dëshmohet afëri e madhe me popullatën greke. Për gjenezën e popullsive arbëreshë në Kalabri dhe në Sicili, autorët supozojnë dy procese demografike paralele por të pavarura, nga migrantë që kanë mbërritur në Itali tashmë të diferencuar gjenetikisht.
Autorët konkludojnë se arbëreshët e Kalabrisë paraqiten si një “cocktail” variantesh gjenetike të ardhura nga Shqipëria, si ato të kromozomit Y; dhe nga Italia e Jugut, si ato të gjenomës mitokondriale. Nëse kjo do të thotë, siç spekuloj unë (A.V.) se shumë burra arbëreshë (kromozomi Y) janë martuar me gra vendëse, të cilat kanë sjellë në komunitetet arbëreshë mtDNA italiano-jugore (përfshi edhe mtDNA afrikano-veriore), atëherë mbase mund të supozohet – gjithnjë spekuloj unë (A.V.) – se ky diversitet gjenetik u detyrohet jo vetëm martesave të përziera të burrave arbëreshë me gratë italiane, që janë shpeshtuar mjaft shekullin e fundit, por mbase edhe një mbizotërimi numerik të meshkujve, në grupet themeltare të ngulimeve.[1] Nga ana tjetër, mund të supozohet edhe se martesave të burrave arbëreshë me gra jo-arbëreshe u përgjigjen po aq martesa të grave arbëreshe me burra italianë, të cilat kanë çuar mtDNA “shqiptare” gjetiu në Italinë e Jugut, por që është më e vështirë të gjurmohet, për shkak të dallimeve përpjesëtimore mes dy popullatave (mtDNA-ja e grave shqiptare është holluar dhe tretur, në popullatën italiane përreth).
Përshtypja ime – dhe këtu sërish jam duke spekuluar – është se autorët përcaktojnë si vendburim të ngulimeve të Kalabrisë Shqipërinë e Jugut, përfshi edhe Çamërinë, në bazë konsideratash mirëfilli gjenetike; por shpërfillin mundësinë se këta shqiptarë të Jugut gjithnjë mund të kenë shkuar në Kalabri (dhe gjetiu në Itali) pas një faze të ndërmjetme në Greqi (p.sh. në Peloponez), ku nuk janë përzier me ndonjë popullsi vendëse gjenetikisht të ndryshme; ose, në analizë të fundit, edhe ku kanë shërbyer si ushtarë (jo detyrimisht stratiotë) në shërbim të Venedikut, kanë luftuar për mbrojtjen e zotërimeve veneciane në Peloponez dhe pastaj janë shpërngulur drejt Italisë së Jugut, kur këto zotërime kanë rënë në duart e osmanëve. Në Mesjetë, një ose dy shekuj nuk më duken mjaft, për ta modifikuar strukturën gjenetike – përfshi edhe mtDNA-në – të popullsive të mërguara, siç mund të ketë qenë rasti me arbërorët e shpërngulur në Peloponez; aq më tepër që disa zona të Greqisë së sotme, ku ishin vendosur arbërorët, kishin qenë praktikisht të shpopulluara.
Këtu unë sërish do të doja të pyes se, nëse arbrit nga Shqipëria e Jugut kanë shkuar drejtpërdrejt në Itali, me ç’rrugë e kanë bërë? Në burimet flitet shpesh për Durrësin, si port të origjinës për ikësit; por më duket pak si e vështirë që arbër nga Bregu i Detit, Çamëria dhe më tutje, të kenë shkuar deri në Durrës, për të mërguar; dhe gjasat sërish janë që anijet me ikës, nga Durrësi, të kenë pëfunduar gjëkundi në Marche ose Veneto, ose edhe në brigjet e Puglia-s; në një kohë që më duket më pak e mundshme – detarisht – që nga Durrësi anijet të jenë drejtuar për nga brigjet e Kalabrisë. Le të mbajmë këtu parasysh se, në ato vite, një pjesë e madhe e Shqipërisë së Jugut dhe Çamërisë, prej nga supozohet se janë nisur origjinalisht të shpërngulurit, ishte në duart e osmanëve, përfshi portin e Vlorës[2]. Prandaj, nga arbëreshët e Italisë, ata të Molise-s[3] dhe të Basilicata-s (ose edhe ata të Puglia-s, por që sot janë asimiluar) duket sikur kanë më gjasë të kenë ardhur drejtpërdrejt nga brigjet “shqiptare”; dhe sa për të tjerët, mund të sugjerohet që ata të Kalabrisë të kenë mbërritur aty nga zona të Greqisë Perëndimore të sotme që atëherë banoheshin kryesisht prej arbërorëve; ndërsa ata të Sicilisë (Contessa Entellina) nga zona të Greqisë së sotme, përfshi edhe ishujt, që banoheshin nga popullsi të përziera arbërore-greke, me kontakte të dendura mes tyre.
Siç e thashë, sa më lart janë pjesërisht përmbledhje e materialeve të artikullit të Bellizzi dhe Belluscio, dhe pjesërisht spunto të miat për diskutim. Gjenetika e popullatave është jo vetëm fushë e vështirë, por edhe tërheq një numër të madh sharlatanësh (për të mos folur për racistët); megjithatë, e përdorur shkencërisht, ajo mund të ndihmojë për të ndriçuar aspekte të errëta të historisë, sidomos për popuj që nuk kanë pasur shkrim. Njohuritë e mia në këtë fushë janë elementare; ose aq sa të më bindin se nuk mund të them shumë, përveçse të rimarr përfundime dhe hipoteza të së tjerëve dhe, e shumta, të bëj ndonjë pyetje.
Shënim: Për ata që mund ta ndjekin, ja një artikull shkencor për këtë temë: Stefania Sarno et.al, “Shared language, diverging genetic histories: high-resolution analysis of Y-chromosome variability in Calabrian and Sicilian Arbereshe” në European Journal of Human Genetics, 2015.
©2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Kjo më kujton grupet e të ikurve nga Shqipëria, që zbarkuan në brigjet e Puglia-s në vitin 1991. Kam pasë shkuar rregullisht, aso kohe, në kampin e refugjatëve në Capua, afër Napolit; nga 1000 vetë që ishin sjellë atje, më pak se 100 ishin gra dhe fëmijë – të tjerët ishin burra, kryesisht djem të rinj nga Shqipëria qendrore dhe e Jugut. Kampi ishte strukturë e përkohshme dhe me kohë u shpërnda; por le të përfytyrojmë një skenar ku të ardhurit lejohen të vendosen aty – ashtu nuk do të kenë zgjidhje tjetër, përveçse të marrin gra nga komunitetet italiane përreth. Jo të gjithë do ta bëjnë dot këtë – disa do ta kërkojnë fatin gjetiu; por mbetet fakt që, shpërpjesëtimi gjinor në popullatën fillestare të ngulimit do të sjellë detyrimisht mtDNA të re, në strukturën e saj gjenetike – nëse ajo popullatë do të mbijetojë.
[2] Nuk di të them, në këtë moment, nëse ka pasur ndonjë port të rëndësishëm, në bregdetin e Çamërisë, nga ku të mund të niseshin arbërorët e atjeshëm drejt Kalabrisë përballë. Përveçse nga Himara, a mund të ketë ndodhur kjo nga Parga ose me ndonjë stopover në ishujt e Jonit?
[3] Të mbahet parasysh se autorët e artikullit flasin për dallime në strukturën gjenetike mes arbëreshëve të Kalabrisë dhe atyre të Molise-s, çfarë po më duket mjaft domethënëse.
Ne artikull verehet me te drejte qe diferenca e verifikuar gjenetike mes arberve te Canerise e Toskerise ne pergjithesi dhe arberve te Greqise Qendrore e Peloponezit, arvaniteve dmth, nuk eshte e besueshne te kete ndodhur, ne kushte mesjetare per 100-150 vjet, prej emigrimit arberor ne Greqi te gjysmes se pare te shek 14 deri ne gjysmen e dyte re shek 15, kur keta emigrojne ne Itali ( pak a shume 1460 si vit referimi i pushtimit turk). Kjo eshte ne linje me pikepyetjet qe jane ngritur rreth pranise me te madhe arberore ne Greqine e shek 15, sesa do te supozonin emigrimet e shek 14. Pra , i vetmi shpjegim qe do te pajtonte faktet historike e gjenetike me realitetin do te ishte qe arberoret ne Greqine Qenrore e Peloponez te jene me te hershem sesa viti 1300, dhe emigrimet e gjysmes se pare te shek 14 ne dukaten e Athines apo ato ne Peloponez ne fund te shek 14, te jene vetem vala e fundit e emigrimeve arberore ne Greqi, te cilet jane bashkuar me emigrime te hershme, para shek 14. Arberoret ne Greqi mund te jene aq te hershem sa koha kur Greqia ishte e populluar nga sllavet, dhe keshtu ata i quajten fqnjet se flisnin shkljerisht( pra sllavisht), gje qe pastaj me greqizimin e Greqise, u ngeli si term greqishtfolesve.