Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë

DREJTUES PËR FAQE TË ZEZË

nga Edon Qesari

Ditë më parë, në një editorial për të përditshmen italiane Corriere della Sera[1], studiuesi Ernesto Galli Della Loggia shprehej se cilësia e klasës drejtuese të një vendi është e diktueshme nga përgatitja kulturore që ajo ka. Në rastin konkret, merrej në shqyrtim një rreth i gjerë i parisë institucionale italiane që autori në fjalë e përshkruan si krejt të paparaqitshme në ditët e sotme. E ngase vetë Shteti është shëmbëllim i atyre që kanë në dorë levat e tij, kuptohet se një kritikë e tillë rrihte më lart se disa emra konkretë ministrash apo deputetësh.

Vlen fillimisht për t’u sqaruar se për fqinjët tanë togfjalëshi “klasë drejtuese” nuk përfshin vetëm ofiqet e zëna përkohësisht nga politikanë apo të zgjedhurit/mbështetësit e tyre, por dhe atë thelë të jetës administrative, qendrore a vendore, që përbëhet nga drejtuesit e lartë të skeletit burokratik shtetëror. Ata që, me pak fjalë, mbeten në kolltuqe pavarësisht ecejakeve të partive in-and-out pushtetit. Mandej, cilësinë e ulët të asaj klase drejtuese Galli Della Loggia e sheh të lidhur drejtpërdrejt me përgatitjen e mangët arsimore që ajo ka; duke gjykuar gjithashtu nivelin e cekët që shumë nga përfaqësuesit e lartë publikë italianë kanë në shkencat humane apo në atë që konsiderohet si bosht klasik i dijeve.

Editoriali vijon duke vendosur në shënjestër mospërfilljen që i bëhet, nga ana e klasës drejtuese vendase dhe publikut në tërësi, asaj që autori përkufizon si “kulturë e përgjithshme”, e që ngrihet pikërisht mbi themelet e dijeve klasike. Janë ato lloj dijesh që mbruhen, in primis, në ambientin shkollor; e përtej, përmes një lëvrimi të vazhdueshëm disiplinash shkencore dhe artistike që shkojnë nga gramatika dhe historia, e deri tek antropologjia dhe filozofia. Një gamë vërtet e gjerë, por që i shërben Galli Della Loggia-s për t’i përçuar lexuesit mendimin e tij qendror, sipas të cilit një shtetar (në kuptimin e gjerë të fjalës) duhet të jetë, siç do të thuhej dikur, një njeri i lexuar:

Klasat drejtuese trajtësohen zakonisht (rastet e jashtëzakonshme mbeten pikërisht të jashtëzakonshme) duke zotëruar themelet e gjera dhe të mirëvendosura të një kulture të përgjithshme. Kurrë s’duhet harruar se lypet një shumanshmëri dijesh për të kuptuar pastaj gjërat thelbësore. Vetëm një kulturë e përgjithshme – duke marrë për të mirëqenë se përvoja disashekullore e ka ndonjë vlerë të qenësishme – është në gjendje të japë atë aftësi për t’u përshtatur, për t’u orientuar, si dhe hapjen mendore, që ndihmojnë në kryerjen e atyre zgjedhjeve me rëndësi të përgjithshme dhe tipare të ndërlikuara që vetëm një klase drejtuese i takon të kryejë. E cila, afërmendsh, mundet fare mirë që pastaj ta ngarkojë veten me dije më të specializuara, por që, si të tilla, vijnë të dytat për nga rëndësia. (përkthimi është imi – E.Q.)

Nuk dua të zgjatem më tek artikulli prej nga mora spunto për shënimet që ndjekin. Pasi çfarëdolloj huazimi i këtyre argumenteve për të ngritur një sprovë kritike ndaj klasës drejtuese në Shqipëri, duke pasur parasysh po të njëjtin shqetësim, do të ishte lehtësisht i parashtrueshëm.

Dua të them, nuk është fare e vështirë që të vësh në dukje së ç’zbrazëti e gjithanshme kulturore, ç’shterpësi komunikuese – nga prononcimet rutinore, tek ligjërimet solemne, e deri tek, mos o Zot!, prodhimet shkresore – përshkon paraqitjen e atyre personazheve që, në hije apo nën breshërinë e like-ve, i japin jetë fjalës publike. Varfëri që shprehet simbolikisht në citate kantiane të shkulura përmes google-imit apo, më shpesh, me emoji-zim të bashkëbisedimit pushtet-publik (mbi të cilat është shkruar bollshëm në këtë faqe dhe kund tjetër). Shkarravitja e CV-ve vetjake nga ana e kandidatëve për deputetë – veprim që kryhet me shkrim dore, e ku nuk ndihmohesh dot nga ndonjë asistent i shkolluar për të hedhur statuse gramatikisht korrektë në Facebook – është njëfarësoj pasqyre; e si e tillë, e pamëshirshme në sinqeritetin e saj.

Përkundër, çka del më shumë në pah, përtej një të vërtete thuajse banale si kjo më sipër, janë një sërë matters of fact që mua më duket se kanë zënë vend (a janë ulur me pahir) në përfytyrimin që qytetari ka për stereotipimin e drejtuesit shtetëror. E që të mbledhur së bashku më çojnë në përfundimin se niveli kulturor i klasës drejtuese shqiptare, nuk është vetëm i ulët porse qëllimisht i ulët.

Së pari, klasat tona drejtuese nuk formohen në shkolla e as mbi libra por në marrëdhënie shoqërore – që disa i lakojnë si allishverishe partiake, të tjerë si partneritete publik-privat. Drejtuesi shtetëror i ditëve të sotme gjithmonë e më shumë krekoset me të ashtuquajturat “aftësi manaxheriale”. Që, shkurtimisht, do të thotë se këto i ka përvetësuar – në mos i ka të lindura dhe mandej zbuluar – në një rrafsh para-publik; e se pritet që t’i sjellë me po të njëjtin sukses në atë publik.

Tani, normat e administrimit të një të mire private dhe ato të një të mire publike nuk janë detyrimisht të përputhshme. (Bie fjala, ndërmarrjet nuk shquhen për demokraci të brendshme, gjë që i bën më të ngjashme me partitë se me zyrat e shtetit.) Kështu që një pleksje e këtij lloji çon në pasoja afatgjata për vetë rolin e shtetit në shoqëri. I pari nuk konsiderohet më një autoritet, por një operator (një ndër disa); teksa njerëzve që veprojnë brenda strukturave të tij më të larta u ngarkohen rrafshe gjithmonë e më specifike operacioni. E kur them specifike, e kam fjalën për atë frymë që gjithmonë e më shumë i largohet si dijes së përgjithshme, ashtu dhe vetëdijes së të qenit në krye të të përgjithshmes, apo publikes.

Sidoqoftë, për një qytetarì të mësuar me “llafe” por asfare me “vepra”, koncepte si kultura e përgjithshme kanë hasur në një shpërfillje të kuptueshme. Nëse dikush lë përshtypjen se “mbaron punë”, nuk ka shumë rëndësi pastaj se nuk di dallimin mes apostrofit dhe apostrofës. Në imagjinatën kolektive, drejtuesi publik duhet të bëjë prokopi, jo të shërbejë si një model pedagogjik; aq më pak etik.

Ndaj, të trokasësh sot në një zyrë shtetërore, me kandidaturën në dorë për ta drejtuar, nuk parasheh kushtin e një përvetësimi të mirë të dijeve shkollore, ku brumoset përndryshe ajo kulturë e përgjithshme që thekson Galli Della Loggia. Diploma është, në shumicën dërrmuese të rasteve, një formalitet që vlen vetëm – në rastin më ideal – për t’i hapur rrugën një cikli të mëtejshëm përvetësimi dijesh; e këto, ndryshe nga natyra e përgjithshme e atyre që merren në shkollë, janë posaçërisht dije të specializuara. Diploma, siç thuhet zakonisht, ndihmon për të gjetur punë, por jo për të punuar. Në kushtet shqiptare, ku emërimet ad hoc dhe konkurset fiktive janë ves i gjithëpranuar e i votuar me plebishit, për një punë të tillë vlen çfarëdolloj diplome; cilado qoftë rruga e rrahur për të mbërritur deri tek vulosja finale e saj.

Së dyti, klasat drejtuese shqiptare janë zëdhënëse të një fryme bashkëkohore që shquhet si post-ideologjike. Që do të thotë se në ditët e sotme nuk ka më subjekte të jetës publike, qofshin individualë apo kolektivë, të cilët zotërojnë një bosht të organizuar idesh dhe/ose idealesh ku ndërthuren përpunimi teorik me qasjen praktike. Thënë shkurt, sot veprohet në një terren pa pikënisje ideore – nëse përjashtojmë merakosjen për kurimin e imazhit. Duke mos pasur një aparat sistematik idesh, subjekte si partitë zhyten në praktika të gatshme, të paravendosura, që i bën krejt të padallueshëm njëri nga tjetri. Ndaj partitë e sotme i gatuajnë kuadrot e tyre (elektorale dhe post-elektorale) në mënyrë që t’i ngjajnë njëri-tjetrit si pika uji.

Kësisoj, duke qenë se sot pak, shumë pak, marrin mundimin të lexojnë propozime programore, nevoja për një hartim të tyre është e pakët. Në terma elektoralë, një program është pa bereqet, pasi mjafton një formulë e thatë, por goditëse: tip “Ne bëjmë Shtet”. Edhe më e pakët ndihet nevoja për një kulturë të përgjithshme si tryezë natyrale e sendërtimit të ideve programore. Nuk është e domosdoshme që një figurë të shprehë një bazament të gjithanshëm dijesh, e që mund të lërë shpresë për një përgjegjshmëri në një vendimmarrje të ardhshme. E rëndësishme është gjetja e tanishme. Dhe kur janë të tillë, të kësaj mendësie kullufitëse të çastit, ata që emërojnë drejtuesit politikë apo administrativë në rangje të rëndësishëm shtetërorë, veç përfytyroni si do jenë këta të fundit.

Së fundi, asgjësimi i sistemit arsimor përgjatë tre dekadave, duke e kthyer këtë të fundit në një hambar interesash të ngushta dhe dritëshkurtra, u ka hequr shkollave jo vetëm funksionin kulturues, por edhe atë edukues. Nëse institucionet e nxënies janë shtrati natyror në të cilat serviret dhe injektohet kultura e përgjithshme, dijet e përftuara pikërisht në to nxisin modele etike të cilat mëshirojnë cilësi si virtyti qytetar, përgjegjësia publike, apo diçka të munguar (domethënëse!) në shqipe si Statehood. Nocione leksikore që ngjajnë anakronikë, të mbështjella me shabllonizma, por që i kanë mbijetuar, jo thjesht si formulime, traditës mijëravjeçare të filozofisë morale dhe asaj politike. Gjithmonë duke marrë për të mirëqenë se përvoja disashekullore e ka ndonjë vlerë të qenësishme – siç nënvizon me shpoti Galli Della Loggia.

Duke qenë se jetohet dhe veprohet në një vakum vlerash, gjykimi në bazë të këtyre ngjan qesharak dhe démodé. Kësisoj, zhbërja e çfarëdolloj nyje mes etikes dhe politikes, mes të mirës dhe të duhurës, mes kulturës së përgjithshme dhe njohurive specifike, ka çuar drejt rrënimit; jo vetëm të përgjegjësisë kolektive që është në dorën e një grushti individësh, por dhe në besueshmërinë e ndërsjellë mes këtyre dhe të qeverisurve. Rezultati nuk është një ngrehinë shtetërore e mykur me teknokratë të papërgjegjshëm për të përgjithshmen – siç trembet editorialisti italian. Do të jetë më tepër ajo e një distopie dereberësh, që kanë shumë punë zyre për t’u marrë me libra e teorira. Jo dhe aq një teknokraci sesa një aferokraci.

(c) 2020, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

3 Komente

  1. Eshte mungese vullneti,pergjegjesie ,mungese ndeshkimi ne rast thyerje te ligjit e jo mungese arsimimi .Eshte e vertete arsimimi I pushtetareve eshte mediocre ,por kane akses konsullence teknike te shume organizatave te BE nese duan megjithemend te bejne dicka ne te mire te shoqerise .

  2. Ne Itali e vende te tjera te B(acit) europian establishmentet ne shtresat e shoqerise jane ne standarte te verteta intelektuale, e gjenden shume prane politikes dhe nganjehere dhe hypin ne politike. Rasti i ministrit te justizia -s, librin e te cilit te perkthyer do e jap se shpejti per botim na ben te fusim koken ne pelenat tona. Pasi kendejza administrata, edhe politika nuk vendoset nga shqiptaret,… qe prej 1913 -es.

  3. ”Së dyti, klasat drejtuese shqiptare janë zëdhënëse të një fryme bashkëkohore që shquhet si post-ideologjike. Që do të thotë se në ditët e sotme nuk ka më subjekte të jetës publike, qofshin individualë apo kolektivë, të cilët zotërojnë një bosht të organizuar idesh dhe/ose idealesh ku ndërthuren përpunimi teorik me qasjen praktike. ”

    Kane idealet liberale e liberiste, europianizmi, sorrosianizmi etj. Post-ideologjike ka thjesht kuptim si post-komunizem e post-fashizem, por jo persa i takon boshtit te ideve. Po ashtu post-ideologjike mund te perkufizohet si monoideologjike.
    Por qe se ekziston autoriteti tek i pari i tufes, pleqte (senati), demokracia fisnore etj, ka edhe ideologji qe e legjitimon autoritetin ( i pari i tufes garanton sigurine fizike te tufes, pleqte garantojne mencurine e pervojes, demokracia fisnore garanton barazine e te barabarteve etj).

    Paria e Tiranes ka 30 vjet qe legjitimon autoritetin nepermjet liberalizmit e liberizmit, europianizmit, sorrosianizmit etj, ndersa me pare kishte 45 vjet qe e garantonte nepermjet komunizmit e nacionalizmit/patriotizmit ( LANC-it).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin