nga Arjan Shahini
Gjithë ditën rropatem, natën dhogë pihem. / Tek çohem në dy të territ të pazëshëm, ngul sytë. /
Pres cepat e perdeve të duken në dritë. / E deri at’here shoh ç’ka qenë gjithmonë aty. /
Vdekjen e sikletshme, qasur edhe një ditë. / Tjetër nuk mund të mendoj përveç se si/
ku dhe kur do të vdes unë. / Pyetje shterpë: e megjithatë tmerri, /
i vdekjes, i së qënurit i vdekur, / më ngërthen e terrorizon tek / më shkrepëtin sërish para syve.
(Philip Larkin, Aubade, recituar në DEVS)
Shpejtësia e internetit ndoshta ka qenë problemi më akut për introvertët e izoluar. Pasuar ndoshta nga pasiguria mbi të ardhmen. Qëndrim i natyrshëm pesimist tek pret shkatërrimin e dynjasë. Vetëm kështu mund ti gëzohet muffins të ngrohtë me çokollatë tek ëmbëltorja pranë, ose suksesit të pagarantuar nëse e ka pjekur vetë. Edhe shkarkimit të ndonjë seriali me torrent (Curb your Enthusiasm, HBO, e fundit në 2020), ose Netflix (Dark, Gjermani, 2017).
Megjithëse seriali më interesant në këto ditë izolimi besoj është Devs (Hulu, USA, 2020). Një dramë futuriste, që pason këndvështrimet fantastiko-shkencore të Alex Garland (Ex Machina, 2014). Westworld (HBO, USA, 2016) këtë vit është shndërruar në Rambo.
Një individ e kalon edhe mirë në izolim. Krijon realitetin e vet. Për shembull atë social nëpërmjet Facebook, Zoom apo ndonjë filmi, libri a loje shahu. Por çfarë bote krijon një komb në izolim? Si e simulon realitetin e tij?
Aspekte të marrëdhënieve me kulturat e tjera në kushte izolimi janë analizuar shpesh në këtë blog (shih p.sh. A. Vehbiu, apo Westworld, sërish me një titull seriali televiziv). Radio-televizioni italian simulonte realitetin perëndimor dhe ndihmonte njëkohësisht të perceptohej ai i socializmit shqiptar. Zgjedhjet e gjithsekujt ishin të paracaktuara. Veprimet e sjellja në këtë simulim tërësisht të parashikueshme, nga propagandistët brenda e jashtë.
Studiuesit e mediave flasin për simulacra e simulacione (J. Baudrillard). Te seriali Devs (A. Garland) për mungesën zgjedhjes së lirë në kësi simulimesh. Ose edhe për të kundërtën: në shumësinë e universeve (multiverse) ekziston mundësia e zgjedhjes së lirë. Ose edhe jo, e vetmja liri është të zgjedhim simulimin. Të kërcejmë nga njëra në tjetrën matricë, por duke qenë rob të determinizmit të atij veprimi të parë gjithsesi.
Nga katalogët bibliografikë prej 1945 deri në 2004 të Bibliotekës Kombëtare, dhe ato të përkthimit prej 2003 (shih edhe UNESCO, Translationum), shfaqen dy simulime kryesore që kanë përjetuar subjektet aktuale shqiptare. Nga 1945 deri në 1990 mbizotërojnë përkthimet nga gjuha ruse (filozofia marksiste-leniniste), më pas ato nga gjuha angleze mbi kultet fetare (kryesisht të krishtera), spiritualizmin (Osho) dhe literatura vetë-përmirësuese. Literatura indoktrinuese sovjetike, po aq fetare sa edhe ato që zëvendësoi dhe u zëvendësua prej, krijoi kushtet për perceptimin e literaturës post-moderne anglo-amerikane.
Në dy grafikët e parë janë gjuhët kryesore më të përkthyera në Shqipëri. Grafiku i tretë tregon 10 gjuhët më të përkthyera në botë.
Në një tjetër univers ka ndodhur e kundërta, ose tërësisht diçka tjetër: gjuha më e përkthyer është amharikja nën imperializmin kulturor të perandorit Haile Selassie. Debatet mbi identitetin e shqiptarëve (e vetmja lidhje ndërmjet këtyre universeve) zhvillohen ndërmjet kampit të atyre që pretendojnë se shqiptarët duhet ti kthehen origjinës, banorëve të hershëm brigjeve të Omos, dhe atyre që thërrasin se shqiptarët duhet të modernizohen, të modifikohen gjenetikisht (“enhance”), ose të zëvendësohen krejtësisht nga androidë.
Në një tjetër univers paralel nuk ka fare përkthyes. Ndoshta se nuk ka lexues, nuk është shpikur ende gjuha. Ose sepse në këtë simulim është ndërtuar me sukses Kulla e Babelit, apo të gjithë komunikojnë me telepati, ose hiç. E në këto momente që po shkruhet kjo faqe ditari, autori i rreshtave ndoshta është duke punuar tokën apo gjëmuar ndonjë mamuth.
Shënim: Të dhënat janë deri diku përafrime, por jo krejtësisht të sakta për arsye se janë marrë nga dokumentet në formatin .pdf të publikuara nga Biblioteka Kombëtare dhe janë përpunuar me programin R, paketat Quanteda dhe Tidyverse. Të dhënat mund ti kërkoni në seksionin e komenteve.
Të drejtat sipas Creative Commons Attribution-NonCommercial-ShareAlike 4.0 International License.
Lejohet përdorimi, adaptimi e shpërndarja për qëllime personale nën të njëjtat kushte sikur kjo e drejtë. Ndalohet përdorimi komercial.