Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

PËRSIATJE MBI FILMIN “PLATFORMA”

 nga Erjon Çadra*

[kujdes: përmban spoilers]

“Platforma” është një film spanjoll i vitit 2019. I përket zhanrit horror-thriller. Bën fjalë për një institucion rehabilitimi – të paktën sa kuptohet nga personazhi kryesor – i cili futet në platformë me qëllimin për të lënë duhanin. Po ashtu, çdo anëtar mund të zgjedhë një send apo objekt që e mban me vete për të gjithë kohën e qëndrimit. Platforma është ndërtuar si një kullë me nga një dhomë për secilin kat. Në dhomë qëndrojnë dy njerëz, të cilët shoqërojnë njëri-tjetrin për periudhën që duhet të shlyejnë. Njëherë në muaj, administrata, truri i platformës, u ndërron dhomat të gjithë anëtarëve. Paraprakisht nuk dihet sa dhoma janë gjithsej, të paktën deri në fund të filmit kur edhe bëhet e ditur. Njëherë në ditë, në mes të dhomës, në të cilën është hapur një gropë e madhe, kalon një ashensor që vepron falë një mekanizmi gravitacional ulje-ngritje pa tela a pajisje të tjera. Ashensori mbushet me ushqime të llojllojshme, nga ato që fare mirë mund të lëpish duart. Gjatë filmit bëhet e ditur që tavolina e përbashkët e ngrënies furnizohet nga pjatat e parapëlqyera të “banorëve”. Këto të fundit e japin këtë të dhënë gjatë fazës që bëjnë aplikimin.

Thelbi i kateve dhe ashensorit me ushqime qëndron pikërisht në idenë, se banorët e katit të parë përurojnë gjellët e shijshme duke ngjyer gishtërinjtë e pistë në pjatat e dekoruara me shumë kujdes. Më pas, njerëzit në katin e dytë shuajnë kureshtjen duke pritur radhën pas gjitonëve të katit të sipërm. Në vijim, kati i tretë, i katërt, i pestë e me radhë deri tek kati i fundit. Pra, njerëzit e platformës ndajnë të njëjtën bukë, supë, mish, peshk, midhje, biftek, karavidhe, fruta, ëmbëlsirë, verë, e çdo lloj ushqimi tjetër që parasheh menyja e përbashkët që administrata u ka rezervuar. Në tavolinë nuk ka ujë; çdo dhomë ka një duarlarës me një çezmë ku rrjedh një curril uji për përmbushjen e kërkesave vetjake. Me pak fjalë, banorët e katit të parë mund të shijojnë gjithçka nga ai ushqim i virgjër, të dytët kanë fatin të hanë atë që banorët e parë kanë lënë pa prekur, të tretët çfarë është ende patrazuar, e gjer në fund derisa ushqimi jo vetëm është provuar, por edhe sosur, madje katet e fundit mbeten vetëm të fërkojnë barkun e të shijojnë fantazinë e tyre. Por administrata është më e zgjuar se kaq. Të gjithë banorëve u ka lënë një kohë prej vetëm dy minutash për të ngrënë gjithë sa munden nga oaza e energjisë së përditshme. Në vetëm njëqind e njëzet sekonda duhet të hash sa më shumë të mundesh. Nëse njerëzit marrin ushqim nga tavolina dhe e ruajnë për ta mbllaçitur e tretur më vonë, automatikisht në dhomë nis ngritja ose ulja e temperaturave të skajshme, derisa njerëzit detyrohen t’i hedhin ushqimet në gropë, ku rrjedhimisht do bien mbi tavolinën lëvizëse. Kësisoj, njerëzit e quajnë ndërtesën që popullojnë “gropa”.

Deri këtu do ishte çështje fati për ata që jetojnë në katet e para, për shkak se do mund të hanin çdo ditë ushqime të freskëta, në ndryshim nga katet e mesit që hanë mbetjet e banorëve të parakateve, e për të vijuar me banorët e kateve të fundit që thjesht këqyrin se si pjatat jo vetëm janë përlarë, por edhe për të ngjyer pulqerin nuk ka mbetur gjë. Por, përsëri administrata nuk kursehet në “dhuratat” dhe befasitë që u bën njerëzve. Kur muzgu i ditës së tridhjetë është shterur e muaji i ri po agon, njerëzit vihen në gjumë përmes një gazi dhe, pa dijeninë e tyre, zhvendosen në një dhomë tjetër. Ata që kanë qenë tek katet e para prekin fundin, jo vetëm figurativisht, ndërsa ata të kateve të mesit apo të fundit kapin lotarinë. Me një të hedhur të zareve, njerëzit ndërrojnë katet sikurse të ishin veshje që mbahet në trup sipas parapëlqimeve që ka dykëmbëshi që i provon. Një ndryshim rrënjësor; nga të kesh mundësinë të hash e shijosh gjithçka deri tek të mos kuptosh as çfarë ishte gatuar atë ditë për shkak se ushqimi është avulluar në barkun e fatlumëve, sikur të kish humbur nga sytë këmbët. Dhe barku është djalli më i madh; sillu me të sa më mirë të mundesh, jepi çka të kesh, të nesërmen do kërkojë më shumë… shumë më shumë. Fjalën ndal s’e njeh.

Sa ditë mund të jetojë njeriu pa ngrënë? Një, dy, tri, pesë, shtatë? Në tavolinë nuk ka asgjë, ndaj zgjidhja është tek bashkëvuajtësi që ndan ato metra katrorë bashkë me ty. Katër sy përplasen dhe nga çasti në çast e kuptojnë që nuk janë gjë tjetër veçse një sushi që do siguronte lëvizjen e frymës dhe gjakut brenda lëkurës dhe rrashtave të tjetrit. E kështu, shprehja hobsiane që njeriu për të ngjashmin është ujk merr jetë. Falë sendeve (thikë, litar, jatagan, etj.) që administrata u ka lejuar, njerëzit gjymtojnë e kafshojnë njëri-tjetrin ku më i forti mbijeton e mban frymën dhe për një muaj, ndërsa i dobëti shndërrohet në meit e kurm për vaktin e ca të tjerëve.

© 2020, Erjon Çadra. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


(*) Shënim: Erjon Çadra ka përfunduar studimet në Filozofi dhe Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës. Mban Master Shkencor në Filozofi dhe në të Drejtë Civile.

28 Komente

  1. Tash o lexues, shquej nji platmorfë tjetër, ma organike e ma me dritë. Me po aq begati e cila shpërndahet nji herë gjatë ditës, përpara muzgut, përpara shuemjes së dritës.
    Platmorfë me tetë kate. Veç i pari asht prej dheu të zi e t’lagshtë. Tjerët janë prej ajri i cili sa vjen e bahet ma i lehtë dhe janë të rrethuem me perde t’qendisuna bukur.
    Nji tryezë me begati e cila zbret prej lartë – poshtë e që n’qendër të s’cilës qindron nji Kandil. Kandili qi Flet. I thotë banorëve të katit të tetë mos ta prekin ushqimin e ato ashtu bajn. Nuk i nevojitet ushqim n’at ajër t’lehtë. Kështu zbresin miradinat bashkë me Kandilin deri në katin e parë, pa i prek kush, e aty Ai nuk flet. Dy banorët shohin njeni tjetrin me habi, e i pari pyet të dytin ndërkohë qi zgjatet me marr nji hurmë: “Sa ditë mund të jetojë njeriu pa bukë? Nji, dy, tre, pesë, shtatë?”. Tjetri e ndal tue i thanë: “Vetëm nji ditë, por shumë të giatë e pa muzg!”
    E kandili fiket tue lanë katërdhetë sekonda tym. Qimetrashi Hobs qindron jashtë platmorfës tue lyp ndonji koncept filozofik por drita ia vret sytë.

  2. E kam pare filmin. Autori e pershkruan korrekt. Reflektimet ku jane?

  3. Reflektimi mungonte, sikur u verejt me te drejte. Pa spoiler, por nese njerezit jane te zene thjeshte me nevojat e tyre bazike, nuk ka vend per revolucion. Duhet qe te mendojme tej ekzistences lakuriqe, nje ide, sikur edhe ne formen e nje gjelle te persosur e te pa peshtiresur, sikur edhe te sakrifikohet per kete ide qe te mund te ndryshohet dicka. Dhe e ardhmja i perket gjithmone robit, edhe pse nje brezi tjeter.

    Nuk e di pse me duket nje metafore e goditur per te gjitha ato programet e kuzhines, kur rralle sheh te deshtohet ne gatime. Megjithese ka pas qene nje program televiziv i nje guzhunieri te nje restoranti ne Tirane, ne restorantin e te cilit, edhe pse italiane, cdo gje shijonte si gjelle, ne kuptimin bazik te kazanit te ushtrise apo ndonje konvikti.

  4. Nejse reflektimin autori do e kete lene ta thote pas reklamave.

    Filmi kishte gropa te medha ne skenar, duke filluar nga vullnetarizmi per te hyre ne nje vend ku shumica nuk del gjalle. Befas na del nje litar per te krijuar nje mbyllje. Aburditeti i kanibalizmit 1 muaj rresht, kur cdo mish behet helmues pas 2-3 ditesh, vajza e vogel qe eshte si kokrra e molles pas muajsh brenda, e ema qe zbret cdo here dhe cuditerisht nuk e gjen asnjehere vajzen qe po kerkon ( vajza si kokrra e molles i bie te kete qene gjithnje ne katet e siperme.
    Nejse nje skenar mish-mash me nje fund po aq grope sa gjithe skenari.

    Ideja ne thelb nuk ishte e keqe, aktoret po ashtu nuk luajne keq, po skenari eshte tmerresisht skadent ( duket me shume si nje grup skenash sesa si film).
    Vota 2/5 , nuk keshillohet shikimi.

  5. Shkrim ngacmues per te pare filmin, besoj ne nje pjese te dyte reflektuese (pasi ka kerkese).

    1. Nuk ja vlen. Drame ne inkubator. Nje si bicim sprove e pagdhendur kafkiane ku gjaku dominon mbi “procesin”. Apo e kushtezon ate. E vetmja kapje “me vlere” eshte ndjesia se bota jashte e miraton dhunen dhe gjendjen psikopatike Brenda, e autorizon ate si zgjidhje per mbetjet; nje Brenda qe i ngjan nje arene ku gladiatore jane njerez te vampirizuar qe ekranizojne nje rol te paracaktuar.

      Misteri se cfare do ndodhe? Ja ta coj ne minuten e duhur se nuk kam nge te pres.

      Mejtimi im ky.

      1. E drejte, mbase nuk eshte nje film per kedo. Megjithate, nese me lejohet te rimarr fjalet e autorit “E kështu, shprehja hobsiane që njeriu për të ngjashmin është ujk merr jetë. Falë sendeve (thikë, litar, jatagan, etj.) që administrata u ka lejuar, njerëzit gjymtojnë e kafshojnë njëri-tjetrin ku më i forti mbijeton e mban frymën dhe për një muaj, ndërsa i dobëti shndërrohet në meit e kurm për vaktin e ca të tjerëve.”, mendoj se ky realitet i induktuar aty (ne film) eshte mjaft real ne te perditshmen tone, edhe pse ne nje forme me te “lehte”.

  6. 3/5 është vota ime. Filmi fiton pluse për alegorinë deri-diku të qëlluar mirë me sistemin, çka e bën atë një film antisistem: burg vullnetar – sistemi që faktikisht nuk i shpëton dot; ndryshimi arbitrar i kateve çdo muaj – ashensori i verbër social i sistemit; makutëria e njeriut kur është lart dhe brutaliteti kur ndodhet poshtë në shkallën e hierarkisë; nevoja për bashkëpunim për të shmangur varfërinë dhe dhunën dhe nevoja për një forcë të jashtme (shtetin?) që ta realizoj këtë. Një element domethënës i filmit: tryeza që mbushet përditë ka aq ushqime sa të mbijetojnë të gjithë, nëse secili mendon edhe për të tjerët poshtë tij dhe nuk shpërdoron. Një plus shtesë për orgjinalitetin e aktorëve dhe të lojës së tyre.

    Minus i madh për fundin që është i sforcuar dhe pa lidhje; ndoshta një kompromis me komercialitetin e filmit për t’i dhënë një happy end por që duket si i qepur me penjë të bardhë; minus tjetër për gropat në skenar si ajo e nënës që kërkon fëmijën dhe nuk e gjen etj.

    Mendoj se filmi duhet parë brenda alegorisë me sistemin që të kuptohet dhe të shijohet.

    Përndryshe, secili mund të krijojë mendimin e vet duke e parë filmin, por pa lexuar më parë as shkrimin, as komentet tona këtu.. 🙂

  7. Meqe (mender)filma të tillë si “Platforma” shihen në Netflix, kini parasysh qe në ate (mender)platformë çoç ka edhe ndonje film të mire si:
    – Marriage story
    – Green book
    – Uncut Gems
    – Sully

    1. Sa ideologjik je mor xhan. 🙂 Te rekomandoj dhe une te shohesh dokumentarin e fundit te Michael Moore The planet of Humans. Free ne youtube. Thone qe per kete dokumentarin do ta perjashtojne jo vetem nga partia, por dhe nga levizja anti-Trump.

      1. Hakshe hakshe, unë jam ideologjik për gjithçka, vetem për filmat jo (për disa arsye të ngaterruara qe s’eshte vendi për ti shpjeguar).

        Qe i bie : sa me paragjykon more xhan x2 : ku e pe ideologjizimin në listen time mikroskopike në të cilen, nga 4 filma, njeri eshte i Eastwood (nje nga 10 regjizoret në aktivitet qe kam më xhan nga të gjithe!!) dhe njekohesisht më konservatori i konservatoreve, politikisht ?
        🙂

        1. Mire mire se shaka bera. Per filmat nuk ta ha qeni shkopin dhe gjithmone I kam ndjekur sugjerimet e tua. Po qe pastaj kali I kuq e ka nje huq… 🙂
          Po ate dokumentarin shikoj vertet se nuk ishte I keq. Dhe une po te rekomandoj me liberalin e liberaleve.

    2. Kinoditar, do të kishte shumë interes, për të gjithë ne (për mua patjetër), të shtjelloje pse e përçmon kaq fort filmin “Platforma”. Përkundrazi, thjesht komunikimi që ti e përçmon nuk i duhet njeriu, është një “brain fart”, nëse ma lejon metaforën. (Nuk po të lutem të shpjegosh pse këta që rendit ti poshtë janë filma të mirë: thjesht ki mirësinë të marrësh pjesë në diskutim dhe të përfillësh ata që diskutuan para teje).

      1. Dhe u mata të mos e ‘perçmoja’ ! Por më shkau. Domethene, se pari falje.

        Se dyti, nuk e kam parë jo, pashe trailer-in, dhe kuptova qe behet fjale për film-koncept, (për ta thene me edukate) ose film-pizeveng (për ta thene pa edukate), dmth film qe bën si b… e zgjutë, qe do me i dhene mend spektatorit (e shifni qe “nuk eshte ashtu si kujtoni ju”!), i te njejtes natyre me “Cube” ose me filmat e fundit të nje far Lanthimos (The Lobster, The killing of a Sacreed Deer). Janë shumë në mode aktualisht disptopitë (e Kane kuptuar kete se pari producentët !! 😉 ), sidomos distopitë qe në pamje të parë duket sikur thone qe fajin e ka sistemi (ka më kollaj ?!), por pastaj rezulton qe në fakt fajin na e ka natyra njerezore (por në spektatoret “nuk e kishim mendjen në mesim” !).

        Ah, ah… mizerja e pamatë e Netflixit (unë në fakt, me të e kisha dhe e kam, pa “Platforma” nuk eshte vecse nje gur i vockel suplementar në ngrehinen e shemtuar të shumices se filmave qe qarkullojne aty) e ku për fat ka tek-tuk edhe ndonje perjashtim si ato qe permenda e qe më entuziazmuan per ti cituar.

        ps: meqe mu kujtua (ça ti besh, jam i pakorigjueshem 😉 ) : eshte aty edhe Nymphomaniac” i Lars Von Tier, ndofta i vetmi film në botë qe ‘verteton’ (por kurresesi si aksiome !) shprehjen e famshme të Lacan-it “il n’y a pas de rapport sexuel” (mardhenia seksuale nuk ekziston)

        1. Të lutem. Dhe mos më keqkupto – gjithnjë e kam vlerësuar kapacitetin tënd si njohës i filmit (dhe jo vetëm si cinéphile dhe aq më pak si film buff) dhe do të doja ta kisha mendimin tënd të pranishëm, edhe në komentet kur bëhet fjalë për filma që qëllon të analizohen këtu, edhe si shkrime të pavarura (kjo varet prej teje, nëse dëshiron të na dërgosh diçka). Shumë prej nesh, dhe këtu fut edhe veten, u qasen filmave si të ishin thjesht narrativa, ose letërsi në një formë vizuale – po t’i lexosh analizat, nuk e gjen dot ndonjëherë nëse bëhet fjalë për film apo për roman. Kjo edhe ngaqë shkolla na ka përgatitur njëfarësoj për analiza të llojit sociologjik për veprat letrare (fiction), por jo për filmin dhe gjuhën specifike të filmit. Prandaj, dhe i vetëdijshëm se ç’mund të japësh ti, më vjen keq kur e shoh që “ta mbash dorën” dhe të mos shpjegosh. Unë vetë filmat në Netflix nuk arrij t’i çoj deri në fund, më japin një siklet të madh – por po ta analizoja, do ta bëja nëpërmjet semiotikës kulturore, çfarë nuk do të mjaftonte. Nuk di edhe se çfarë duhet pretenduar nga një film, që shihet kryesisht në ekran të vogël (disa prej nesh i shohin filmat në telefon). A mund të flasim për një gjuhë të filmit të Netflix, dhe të filmit në përgjithësi të destinuar për streaming, gjuhë e cila ka specifikën e vet? Sepse po të jetë kështu, atëherë mbase duhet të rishikohet edhe qasja – meqë do të ishte pak problematike, të themi, të krahasohej ky “Platforma” me “Nymphomaniac”. Mirëpo këtu nuk rri dot njeriu pa pyetur as nëse filmat e Netflix-it “imitojnë” filmat e kinemasë (njëlloj siç imitojnë salsiçen e derrit ca gjëra prej soje që i gjen në raftin vegjetarian të supermarketit); dhe këtu ka vend deri edhe të flitet për një art të imitimit, ose për aftësinë e ekipit të filmit, për ta bërë të përjetohet si “film”, një gjë që nuk është film. E njëjta pyetje do bërë edhe për ca serialë tejet të kushtueshëm, si West World (në HBO), tashmë në sezonin e tretë; ose fundja edhe Berlin Babylon (Netflix) dhe Game of Thrones (HBO): fitojnë, apo humbasin nga afishimi në ekranin e vogël?

    3. Kinoditar, nuk e di a te ka rene rruga nga serialet koreane ne Netflix.
      Kane nje lloj bukurie ne thjeshtesine e tyre qe nuk e gjen gjetiu.

      -Crash landing on you
      -Something in the rain
      -Hyena
      -K2 – bande sonore e ketij seriali eshte gjeja kryesore ketu. Eshte nje perle e vertet

  8. Ardianit si reply: nuk ka te beje me teknologjine e transmetimit, fundja bobinat ne shtepi nuk kane ndonje dallim nga streaming apo tv, sesa me modelin e biznesit: algoritmet e sugjerimeve, apo ato per perfshirjen e filmave sipas vendeve etj. Ky kinoditar, i regjistruar diku ne ndonje ato forumet private te torrent apo p2p, me siguri i sheh ne pc ato filmat. Kam nje kinema te pavarur ketu afer e nuk i shoh as gjysmat e filmave qe rrshton ky ne blogun e vete.

    Netflix ka edhe filma apo seriale te mire. P.sh. ky Babylon Berlin apo Dark jane prodhuar nga studio kinematografike gjermane me fonde pjeserisht shteterore dhe jo me qellime kryesiht komerciale, apo prodhimet e bbc si Dark Mirror. Ndersa kane perfshire animated shume te mire, si Boejack Horseman apo animet japoneze (po shoh se fundmi Ghost in the Shell). Dokumentaret jane ok gjithashtu (prodhimet e netflix si Icarus apo ato te Erol Morris).

    1. Per hir të se vertetes dhe meqe më paska dale emri: 99% e filmave qe komentoj në blogun tim janë të parë në kinema (por kjo nuk do të thote qe nuk shoh filma në tv : keto dy muaj, edhe të dua s’kam nga ja mbaj).

  9. Raporti ekran i madh/ekran i vogel (kinema/tv apo pc) eshte kompleks sepse eshte pazgjidhshmerisht i lidhur me nivelin e kinofilise (ta quajme keshtu, edhe pse kjo fjale nuk do të thote ndonje gje të madhe, pasi në ditet tona ka njerez qe kaperdijne 10 filma në ditë, po po 10!, dhe janë ‘akoma tek ura’, nuk di si ta them ndryshe me edukate) pra eshte e lidhur me nivelin e kinofilise se atij qe eshte perpara ekranit.

    Në princip (por amà vetem në princip, pra gati-gati vetem në teori), nje film i mire eshte i mire edhe po u pa në katrorin më të vogel qe mund të shohe syri i njeriut (pra edhe në nje telefon). Meqe për vete nuk më ka ndodhur kurre, pra as si eksperiment nuk e kam bere, nuk di të them, sepse nuk më intereson ta ‘vertetoj’ principin (qe në fakt i bien të jete “princip”).

    Në praktikë : për ti rene shkurt, duhet sjelle në ndihme nje shprehje e Godard qe e përmbledh kete problem në menyre lapidare : “Perpara nje ekrani kinemaje, spektatori i ngré syte (për lart); perpara nje ekrani tv, i ul syte (për poshte)”.
    Tout est dit.

    Doemos qe sekush sipas kushteve, por personalisht e mendoj eksperiencen e salles se kinemase të pazevendesueshme. Unë vetë kam kaluar nga ajo (dhe keto dy muaj më ka munguar shume). Sigurisht qe njoh edhe kinofilë qe kanë alternuar të dyja, por më shume se nje problem salle kinamje/tv, raporti me filmin mbi të gjitha eshte i lidhur me ‘kërsherinë’ kinofilike (forume, revista të specializuara, kino-klube, mbremje post-film më regjizorin, lista vjetore (eshte gati komike obsesioni me to, por ja qe keshtu eshte!), intervista regjizoresh etj etj, dhe më pak me menyren e marrjes se filmit (ekran i madh/i vogel).

    1. Ka qenë gjëja “e madhe” që më ka afruar me kinemanë. Kjo u ndodh të gjithëve, besoj, kur janë fëmijë. Filmi që më ka mbetur në mendje, nga ata të fëmijërisë, ka qenë një “Të jetosh i lirë” (“Born Free”), një film anglez që nuk di si pat përfunduar në kinematë e Shqipërisë (*). Më mallëngjente shumë edhe kolona zanore – më vonë kam mësuar se ishte e John Barry-t, mjeshtër i zhanrit, të cilit sot e kësaj dite ia dëgjoj veprat. Por filmi më hipnotizonte me hapësirën – pa çka se ngjyrat, nëse nuk më gabon kujtesa, i kish pak “të kërcyera”, si të kuqërremta. Kam pasur fat, sepse këtë film e kanë vlerësuar, në përgjithësi; ndryshe nga ca të tjerë të fëmijërisë sime, si ato me Herkulin dhe Ursusin; dhe më i hershmi fare, “Toka e faraonëve”, që më kallte datën. Të gjithë këta i mbaj mend turbullt, por “Të jetosh i lirë” më vjen në detaje: deri edhe te qumshti që i jepnin luaneshës së vogël. Dhe veçanërisht: madhësia e gjithçkaje në ekran. E kam parë filmin disa herë, te kinema Republika, në lagje.

      (*) Ka mundësi që filmi të jetë blerë dhe shfaqur pasi kish pasur sukses në Bashkimin Sovjetik; siç ndodhte rëndom edhe me letërsinë e përkthyer (autorë anglo-saksonë relativisht bashkëkohorë, si Archibald Cronin, Theodore Dreiser ose James Aldridge kishin ardhur te lexuesi shqip nëpërmjet Moskës); aq më tepër ngaqë skenarist i filmit ishte Lester Cole, komunist i paepur, i futur në “listën e zezë” të Hollywood-it (në kreditet e filmit, ai del me pseudonimin Gerald L.C. Copley).

      https://www.youtube.com/watch?v=MhGeH07lo5M

  10. Mos jeni ludite? Pash verdalle ne google nese ka dallime ne kendin e veshtrimit ndermjet kinemase dhe ketyre uhd tv te fundit. Me c‘lexova ne distanca te shkurtera home theater eshte me i mire per immersive experience. Keshtu qe nga teknika vizive nuk mund te justifikohet, vec sikur shprehet me poshte Ardiani, me nostalgjine. Une kam pare te agimi Mbreterite me koke poshte apo dic e ngjashme me titullin, kinema ali demi, dukej si bodrum me ngjyra e ze te shpifur qe nderpritej e riniste pas fishkellimave.

    1. Kinemaja nuk ka vetëm aspektin teknik (ekranin e madh, etj.) por edhe natyrën prej spektakli ndaj një publiku në sallë – e cila është pjesë e eksperiencës, e afron filmin me teatrin. Nuk është vetëm ekrani, ose çfarë ke përpara, por edhe publiku, ose të parët e filmit me qindra të tjerë. Kjo madje e kushtëzon edhe eksperiencën e të parit të një filmi në kinema, por me sallën praktikisht bosh. Po të shohësh, ka një gradacion nga kinemaja, tek televizioni, i cili e ripërkufizon publikun në shkallë shumë të reduktuar (bërthama familjare) dhe pastaj më në fund streaming-u, i cili presupozon një spektator të vetëm (e shumta, një çift). Nuk mund të shpresosh që natyra e filmit të mbetet e pandryshuar, përballë këtij revolucionimi të recepsionit (marrjes). Home theater mund të kompensojë deri diku, por me kusht që të shfaqësh atje filma të destinuar për home theater. Kjo do të vlente edhe për filmat në 3D. Sepse të shohësh një film të Netflix-it, në home theater, është overkill. Si të përdorësh një Cray supercomputer për të luajtur Tetris. Ose të shkosh me helikopter për të blerë rrush.

  11. Mediokriteti i Netflix-it persa i perket filmit, eshte me shume i natyres teknike ne raport me parane.
    Mesa kam kuptuar studiot filmike jane teper cingune dhe rigoroze ne shitjen e filmave. Nuk eshte se nje film shitet tani dhe behet gjithnje i joti. Ato mund ta terheqin filmin me vone ose te rinegociojne perseri per cmimin. Ka ndodhur qe studio filmike i kane terhequr filmat nga Netflix sepse duan te hapin platformat e tyre. Gjithashtu kostot e filmit qe shfaqet ne kinema jane goxha te medha.

    Kjo nuk i leverdis Netflix-it. Keshtu qe kemi me shume seriale dhe spektakle sepse keto blihet disa here me lire dhe mbushin me me shume ore argetimi televiziv shikuesin. Nderkohe qe nje film mbaron per dy ore, seriali te siguron me dhjetera ore televizive. Persa i perket filmave, Netflix e ka “zgjidhur” duke sponsorizuar filma vete. Asnje nuk me ka pelqyer deri tani por nuk i ve faj. Te besh nje film te mire artistik nuk eshte gje e lehte. E vetmja pikepyetje qe kam une eshte pse nuk blen Netfix filma te mire historike te dekadave te meparshme. Ndoshta nuk ia leverdis se shikueshmeria e tyre eshte e vogel dhe nuk nxjerr ndonje gje. Nuk e di. Ndoshta publiku i sotem eshte i obsesionuar me bashkekohoren.

    Ndersa algoritmet e shikueshmerise sipas rajoneve mendoj se jane nje faktor i vogel edhe pse ne mendojme se eshte faktori kryesor. Faktoret kryesore jane ato me siper.

    1. Më duket se e kam thene edhe nje here tjeter, por thelbi i problemit të Netflix mund të permblidhet në dy rradhë:
      Spektatori i Netflix në fakt nuk eshte (më) spektator por thjesht nje UX (User eXperience). Domethene: dikush qe nuk eshte i afte te zgjedhe vetë (perderisa zgjedh Netflixi për të). Që nga ky moment, ky i fundit ka vetem nje objektiv: maskimin e varfërisë ulëritëse te ofertes se tij (dhe bën sikur ‘seleksionon’). Pikerisht realitet qe ti e the në menyre gati komike: asnje film i tyre nuk me ka pelqyer, POR NUK I VE FAJ ! 🙂 (e per rrjedhoje, fajin e ke ti(unë, ai, ajo) qe perfundojme tek Netflixi, se ai në rregull eshte me veten!

      Varferia uleritese e offertes se tij (meqe ti po kerkoje me të drejte arsyet) jane disa, dhe sigurisht ato të tuat qendrojne.
      Ti kishe evokuar psh ato qe i kishe quajtur ‘filma të mirë historike të dekadave të meparshme’ (fjala historikë për pak sa nuk me ngaterroi, se kujtova se e kishe fjalen për filmat me TËMË historike por ti e ke fjalen për filmat e vjeter. Ok).

      Po cilin la mendja të shese qofte dhe perkohesisht (siç thua edhe ti me të drejte) filmat e mirë të vjeter ?? Per to ka platforma të tjera, aspak me të shtrenjta se Netflix (psh po me vjen në mendje i shkelqyeshmi MUBI !!) të cilat kanë publikun e tyre (sigurisht, shume e shume herë më modest se ai i Netflix) por amà po aq rentabël! Çi duhen Netflixit ‘filmat e mirë të vjeter’ ? Dhe kur themi ‘të vjeter’, fusim gjithe c’mund të jete realizuar duke filluar qe nga para 7-8 vjetesh e shko deri në fillimet e kinemase, dmth 1910!! Keto ditë karantine, jam habitur realisht me veten me numrin e pafundem të filmave të rralle qe as në ënderr nuk i kisha menduar se ekzistonin (kuptohet, mua mu shtua ymri nga gezimi), por dua të them qe ka patur (dhe ka!) shume prurje filmike, gati gati sa eshte e pamundur të na e marre mendja.

      Kete dekadë ka ndodhur në fakt nje paradoks : nderkohe qe interneti mund të duket se i ka bere dem kinematografise se mirë, ai po aq ka mundesuar edhe aksesin drejt filmave të rralle, të mirë, etj etj. Në pamje të parë duket se serialet bejne kerdine, duket sikur ‘gjithe bota sheh vetem seriale televizive’ etj etj, por nuk eshte tamam ashtu, sepse po aq sa eshte rritur numri i spektatoreve për to, aq eshte rritur edhe numri (gjithmone minoritar, sigurisht !) i spektatoreve të nje tjetre kinematografie: nje spektator qe nuk pranon statusin e UX (User eXperience).

      ps: dikush me lart, pa dashje, tha dicka të vertete : duket vene në dyshim faktin nese unë i shikoj në kinema filmat qe komentoj në blogun tim, shkruajti se as gjysmen e tyre nuk i ka kish parë të afishuar tek kinemaja e pavarur afer shtepise se tij. Eshte treguar modest : jo gjysmen, por aq çerekun! Për nje arsye të thjeshte : ai (e bashke me të edhe unë, meqe sapo thashe më lart qe kam zbuluar keto ditë filma pafund qe as ekzistencen nuk ja njihja!) nuk e ka idene se sa mijra e mijra filma prodhohen në vit (dhe nje pjese e madhe e tyre vijne pikerisht nga kinematografia indipendente (ose autoriale, pak rendesi ka emri).
      Sikur qofte dhe VETEM në kete prizem, pra nisur qofte dhe vetem nga numri i pafundem sasior i filmave qe ekzistojne, eshte mekat (gjynah… ) “me ja var Netflixit”

  12. Stalker. Te jesh i sigurt se ato qe them une jane arsyet kryesore. Dhe jo se i them une sepse edhe une i kam lexuar diku. Por se i thone te tjeret qe i dine me mire keto pune se une e ty qe e kemi gamen e filmave shume here me te kufizuar e kujtojme se bota duhet te na vije pas fillit. Jo. Bota nuk vjen pas fillit tim. As Netflix-i nuk ka pse te vije. Nese filli im perputhet me Netflix-in atehere shume mire. Ne rastin konkret, filli im perputhet ne disa seriale dhe dokumentare apo edhe seri televizive. Nuk perputhet tek filmat artistike. Ndaj kam kerkuar arsyet dhe arsyet jane ato qe jane. Keto qe jep ti me duken si arsye te sforcuara nga nje njeri qe sheh vetem filma artistike dhe as u qaset serialeve apo filmave te animuar. Mund te ekzistojne natyrisht por jane shume te vogla si argumente kur vjen fjala tek Netflix. Pse? Po e shtjelloj me poshte:

    Nuk eshte se Netflix nuk do te shfaqe filma te mire. Te jene kaq injorante thua apo me mision demoniak? Ata thjesht nuk munden. Ne fakt ata kane nje sere filmash te mire ne inventarin e tyre. Vetem se nuk jane te mjaftueshem. Netflix perpara se te kalonte ne streaming, ka qene shperndares filmash neper shtepi. Ne ate kohe te arte aty gjeje cdo film. Pse tani nuk e gjen? Sepse ne SHBA, ligjet e dhenies me qira te diskut nuk jane te njejta me ato te streaming. Nje film qe ti e blen ne disk, ke te drejte ta japesh me qira sa here te duash. Nuk ndodh keshtu me streaming.

    Per ta kompensuar kete Netflix po prodhon filmat e tij me metrazh te gjate. Nese Netflix nuk do t’ia dinte fare per filmat atehere as nuk do e merrte mundimin. Une thashe se nuk me ka pelqyer asnje por kjo eshte pervoja ime personale. Ka te tjere qe u pelqen shume Roma e Cuaron-it, apo Okja. Made edhe Dy Papet eshte ku e ku me i mire se shume filma qe prodhojne studio te tjera. Madje Netflix ka blere edhe filmin e fundit e te pambaruar te Orson Welles te cilin nuk e kam pare dhe nuk flas dot. Por nuk eshte e lehte te besh filma te mire. Nuk behet nje film i mire thjesht se ka deshiren dhe parane dikush. Ke shtete te tera qe prodhojne a s’prodhojne nje film te mire gjithe vitin.

    Tani edhe une do zgjidhja Mubin para Netflix-it. Kjo sepse kenaqesine qe ma jep nje film artistik nuk ma jep nje serial apo show televiziv. Por ky shembulli yt ilustron padashje arsyet qe permend une. Dhe i jep pergjigje pse Netflix-i nuk lodhet me filmat e viteve 60-70 psh. Mubi e ka Revenue vjetore 5 milion dollare. Netflixi 21 miliarde dollare. A e kupton cfare po krahason? Kush ta tha se rentabiliteti eshte i njejte per filmat ngushtesisht artistik? Thuaji qe te ka genjyer.

    1. Mua me duket se po themi te njejten gje, por fundja ç’rendesi ka perderisa “nuk më hyn gje në xhep”.

      Ate qe thosha më lart në fakt mund ta permbledh me nje fjali të vetme: edhe në YouTube ka shume here më teper filmat të mirë se në Netflix.

      Po ve disa syresh ketu, edhe pse nuk e di nese më lejohet:

      https://youtu.be/cDTwc8n07OA

      https://youtu.be/B3Ci55vUNIQ (kete do e vija me shume qejf në nje top10 best movies ever !)

      https://youtu.be/ZQxgptQvOBc

      https://youtu.be/il1drFBRl2M

      https://youtu.be/lAEYLlUVggE

      https://youtu.be/NufSIEkR01s (pa frike filmi më i bukur i Nouvelle Vague)

      https://youtu.be/efNtliiyT3M

  13. Eshte edhe Cinesquare. Nje platforme ballkanike me filma europian dhe ballkanas. Nuk e di nese dikush ka pervoje me te dhe nese ia vlen?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin