Nuk mund të them se jam njohëse e mirë e arteve vizuale e aq më pak eksperte e tyre, ndonëse mund të rri me minuta të tëra duke soditur një pikturë që më pëlqen duke u munduar të përpij çdo ngjyrë dhe të ndjek lakimin e çdo kurbe.
Megjithatë mendoj se një vepër arti mund të vlerësohet pikërisht nga ajo që zgjon tek një njeri i zakonshëm nga ato fije të padukshme me të cilat e lidh atë me botën që e rrethon, nga mënyra sesi ai ose ajo e sheh veten në të dhe çfarë i zgjon në atë përmbajtjen eterike që quhet shpirt e që pak gjëra të përditshme mund ta prekin.
Në sajë të fotografisë, filmit e më vonë të mediave digjitale u krijua mundësia e njohjes masive të arteve pamore siç u krijua edhe mundësia për t’i riprodhuar ato në forma të panumërta dhe objekte nga më të ndryshmet duke filluar nga fotot në internet, posterat në letër e telajo e deri te objektet e përdorimit të përditshëm si veshje a filxhanë gjë që sjell me vete edhe zbehjen disi të kureshtjes për veprën origjinale e mbase zbehjen disi të dritës së saj.
Çuditërisht kjo nuk më ndodhi kur pashë për herë të parë tablotë e Vincent Van Gogh 12 vjet të shkuara në Amsterdam, në muzeun që mban emrin e tij.
Ajo që më goditi e para ishte drita : “ Lulet e diellit” – një shpallje e bukurisë së jetës mbi pëlhurë që të le pa fjalë. Më pas më mbërthyen ngjyrat në tablonë që titullohet “Korba mbi një fushë me grurë”: Dukej sikur te bluja , e verdha , e gjelbra dhe e zeza dëgjoje klithmat e luftës midis jetës dhe vdekjes dhe shpresa , dhimbja, fitorja dhe humbja rrotulloheshin së bashku në shtjellat e tyre.
Kjo ishte nga të parat fusha të artistit të madh që m’u dha rasti të shoh. Po është e pamundur të mos e vesh re larminë e fushave me grurë në tablotë e pavdekshme të tij. Është mbase ndjenja e hapësirës e lirisë e mundësive e të ardhmes që e tërheq:
“Më përpin plotësisht hapësira e gjerë të fushave të grurit buzë kodrave, gjerësia si det, e verdha e brishtë , e gjelbra e zbehtë, ngjyra vjollcë e një copë toke të punuar dhe të kulluar, ku spikasin njëtrajtësisht bimët e lulëzuara të patates, gjithçka nën një qiell me tone të brishta blu, të bardhë, rozë, vjollcë.” – i shkroi të vëllait të tij nga Franca në korrik 1890 disa ditë para se të vdiste.
Mbase për të njëjtën arsye – si një reminishence e hapësirës, lirisë dhe mundësive – më erdhi ndërmend kjo letër dhe fushat në tablotë e Van Gogh-ut në këto ditë kur hapësira papritur na është ngushtuar dhe lajmet na mblidhen mbi gjithnjë e më shumë mbi krye si re që lajmërojnë vetëm stuhi.
Në fakt desha të kujtoj një tjetër tablo të tij mbase jo aq të njohur, të titulluar “Fushë me grurë nën re të stuhishme” e pikturuar gjithashtu në Francë në vitin 1890, origjinalin e së cilës pata fatin ta shoh në Musée D’Orsay ( Paris) pesë vite të shkuara.
Nuk ka asgjë të bujshme kjo tablo, në një foto mbase nuk do të linte një mbresë të veçantë. Nuk ka ngjyra të forta as objekte të dallueshme. Një fushë me grurë, bari i gjelbër disa lule fushe të vogla. Dhe qielli që mbledh re të errëta mbi to.
Po ajo që të godet është drita. Është kaq e fortë dhe e prekshme ndjesia që të le ai fluks drite që derdhet nën një qiell që po mbledh retë të sa të le pa frymë.
Artisti nuk përpiqet ta mohojë atë që po vjen po ndërkaq e gjithë forca e penelit të tij është derdhur te ky kontrast.
Për një artist si Van Gogh që e jetoi jetën në zgrip midis dhimbjes dhe shpresës dritës dhe errësirës kjo mbase ka qenë një mënyrë të jetuari.
Po nëse e mendon pak më gjatë a nuk vjen një çast në jetë për këdo, kur e ardhmja errësohet, kur nuk shohim dot asgjë të kthjellët përtej dhe na mbetet veçse të presim?
A nuk do t’i duhet çdokujt në një çast të jetës të kërkojë diçka në të tashmen, diçka që është akoma aty pas së cilës të mbahet fort që të mundet pastaj të gjejë forca për të shpresuar në të ardhmen?
Mbase jo çdokush e sheh këtë dritë. Mbase duhet syri i një artisti të madh ta shohë ta mbledhë e ta gdhendë të pavdekshme para syve tanë. Sepse në fund të fundit ky është misioni i artit.
Kurse ne të vdekshmëve të zakonshëm na mbetet ta veç shohim e të ndriçohemi prej saj si prej gjithë çasteve të bukura që i japin kuptim jetës e që na bëjnë të presim e të shpresojmë ndërsa qielli mbi ne mbledh retë.
© 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Eshte bere mire zgjedhja e kesaj tablloje si ilustrim per idene e shkrimit. Ky peisazh, qe nuk e kisha vene re me pare (me duket se eshte hera e pare qe e shoh), eshte koncentrat i vepres se Van Gogut, akoma me teper i vete personazhit te tij, po te konsiderohet se mediumi i piktures eshte drita (drita eshte edhe me tej akoma se kaq, “te behet drite” etj, por vemi pak si larg ne kete drejtim). Po te shikohet me kujdes edhe erresira e qiellit eshte e ndriçuar, e pare akoma me me kujdes, paradoksalisht eshte erresira qe e permban driten brenda. Pra pershkrunan aktin primordial te krijimit nepermjet nje peisazhi çfardo, prandaj suksesi i kesaj lloj pikture eshte absolutisht i garantuar dhe prandaj popullorisht i pelqyer, siç rendom ndodh me Van Gogun. Nuk duhet te jesh ekspert pikture per ta pelqyer kete pikture, madje ne nje fare kuptimi eshte mire te mos jesh, ndryshe fillon e keput mufka kritike arti per vleren e çmendurise, alienimit, Vani i Gogut keptu veshin per t’ia dhene nje prostitute, etj etj.
Beati gli ignoranti, Ajkuna.
Hidhni nje sy kesaj, po patet kohe te lire:
https://www.youtube.com/watch?v=9ewcc_dATJc
Me falni, nuk e kisha vene re qe ne video mungojne 2 minutat e fundit te filmit, kuptohet me te rendesishmet. Çfare mungon e keni ketu:
https://www.youtube.com/watch?v=We8NpHPXzwI
Të falemnderit Arjan. Për komentin dhe për videon. Ekspozita që pata fatin të shoh në Paris ishte hapur atë javë që unë u ndodha aty . Me tematikë të një esseje të shkruar dikur nga Antonin Artaud. https://fr.wikipedia.org/wiki/Van_Gogh_le_suicidé_de_la_société (botuar në shqip me titullin “Van Gogh, i vetëvrari i shoqërisë”, përkthyer nga Idlir Azizi, Zenit Editions, 2013).
Një pjesë e mire e pikturave qenë nga viti i fundit I jetës së tij. Me lanë shumë mbresa tablotë me pemë gjithashtu.
S’ka perse, duhet te falenderoj une qe me kete shkrim ngacmove ca kujtime per gjera te harruara qe ishin pjekur me kohe ne erresire. Gjithashtu edhe per qasjen tende “injorante”.
Ndersa per Artaudin, per te cilin e kam permend (pa emer) si qasje ne koment, eshte pak me e komplikuar per te sqaruar falenderimet e mija vetem me nje koment. Duhet nje shkrim per kete, dhe jallah te kuptohem.
Por shkurt mund te them diçka, ne stilin e komunikimit virtual, ku keqkuptimi eshte ne prite mbas dere, nepermjet ketyre dy linkeve te dy personave qe e ka çuar akoma tej konceptin e Artaud per prerjen e veshit te Van Gogut. Kam zgjedh vetem dy perfaqsues te Body Art qe pretendojne se po çojne me tej misionin religjioz te Van Gogut, e me pertej se Van Gogu:
https://www.youtube.com/watch?v=gwh-XMFMp8U
https://fr.wikipedia.org/wiki/Orlan
Artaud mbase e bazoi përqasjen në historinë e tij personale ngaqë ka jetuar një situatë të ngjashme. Dy personat e tjerë i dëgjoj për herë të parë . Pavarësisht se mundohem ti lexoj interpretimet, unë mbetem gjithnjë rob i emocionit të parë që më lë një vepër abstragimet më duket se kanë po aq shans ti largohen së vërtetës sa edhe ti afrohen asaj.
“Mbase jo çdokush e sheh këtë dritë. Mbase duhet syri i një artisti të madh ta shohë ta mbledhë e ta gdhendë të pavdekshme para syve tanë. Sepse në fund të fundit ky është misioni i artit” – AD
“Një vepër arti duhet gjithnjë të jetë në gjëndje të na mësojë se nuk e kishim parë atë po shohim” – Paul Valéry