Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

QIMJA E DERRIT – PRO DHE KUNDËR

Prej ditësh autoritetet në New York City po i ftojnë njerëzit të shmangin grumbullimet publike (aq sa të duket vetja si në ndonjë film të keq të Kinostudios, për periudhën e pushtimit fashist: ja dhe pak dhe do të na shpifet coprifuoco-ja), për t’u mbrojtur nga Covid19. Kjo në një kohë kur në disa zona në Itali dëgjon që janë mbyllur jo vetëm shkollat dhe stadiumet dhe kinematë, por edhe muzetë, duke filluar nga Muzetë e Vatikanit (“Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten”). Prandaj u habita pak kur, një e afërmja ime, e cila është duke ndërruar punën dhe ka ca javë në dispozicion për veten, para se të fillojë punën e re, më thotë mbrëmë se “nesër do të shkoj në MET” – që është Muzeumi Metropolitan i Artit, në Manhattan. I them “tani e gjete që të vizitosh MET-in?”. Më përgjigjet: pikërisht.

Dhe sipas kësaj logjike: ngaqë mileti do t’i binden ftesës së autoriteteve dhe do t’u rrinë larg muzeve, atëherë tani është koha më e mirë për t’i vizituar në paqe. Aq më tepër që edhe turistë nuk do të ketë shumë (harrojini kinezët, koreanët dhe japonezët që fotografojnë). Kjo më solli në mendje një tjetër arsyetim diabolik me të cilin po luaja gjysmë seriozisht prej ditësh: meqë numri i ventilatorëve në spitalet e këtushme është i kufizuar, madje aq i kufizuar sa nuk do ta përballojë dot numrin e pritur të të sëmurëve me pneumoni, në rastin më të keq të epidemisë, atëherë ndoshta është më mirë – teorikisht më mirë – të sëmuresh tani, kur do të të trajtojnë “si pasha.” Por nuk besoj te ketë shumë që të shkojnë dhe ta kërkojnë vetë virusin: kjo fantazi e të sëmururit herët është më tepër një ngushëllim in extremis, ose formë e paautorizuar psikoterapie. Në kuptimin që, edhe po të kem qimen e derrit dhe të sëmurem nga të parët, të paktën – të paktën – do të shijoj privilegjin e të qenit vetëm në pavijon. Që, gjithsesi, nuk krahasohet me privilegjin e të kaluar ca minuta vetëm para një pikture të Gaugin-it.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

2 Komente

  1. Pse e ke kaq te rende canten, e pyeti polici ne aero port, ate te gjorin.
    Kam shume frike te fluturoj, tha, nga terrorizmi. Por kam degjuar qe mundesia qe te kete dy bomba ne te njejtin aeroplan eshte gati zero. Keshtu qe une e futa njeren bombe ne canten time.

  2. Une njoh dy persona qe kane pasur te njejten ide (ne menyre te pavarur nga njeri-tjetri) si kjo e shkrimit. Por asnjeri nga te dy nuk ka guxuar ende ta rroke virusin duke e kerkuar ate. Por ideja eshte gjeniale, sido qe te dy personat jane aq artistike e joracionale sa ta konsumojne gjenialitetin thjesht si loje logjike per te kaluar diten. 🙂

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin