Siç ka ndodhur me filin përballë oficerit (shih Fil), edhe dama në shah ka një sinonim më të përgjithshëm: mbretëreshën. Lojtarët e rregullt preferojnë damë, si term specifik; por mbretëreshë i përshtatet më mirë narrativës së lojës dhe shoqërimit me mbretin[1]. Por dama e shahut i ndan disa tipare me damën në lojën e damës, që nga mënyra e lëvizjes në fushë, te gradimi në rreshtin e fundit (guri bëhet damë[2]); lojë që e merr emrin nga kjo figurë, e cila megjithatë nuk është e pranishme në krye[3]. Ai lloj dame që luhet në Shqipëri, siç e kam shkruar te një prezantim i hershëm (Pak damë), e ka prejardhjen nga lindja (në Perëndim njihet si turkish draughts), edhe pse fjala damë duhet të vijë
nga italishtja dama, e cila jeton në shqipe edhe në kuptim të drejtpërdrejtë (damë shoqërimi), por edhe si emër i asaj figure në lojërat me letra që njihet zakonisht si çupë. Mes lojtarëve të shahut, të paktën në Tiranë (por besoj edhe gjetiu) ka edhe një emër tjetër për damën, sheh – të cilin e ndesh në përdorime të tilla si “i dha shah-sheh” (kur një figurë ose një ushtar lëviz në mënyrë të tillë që të kërcënojë njëkohësisht edhe mbretin edhe mbretëreshën); ose “i ra (e mori) me sheh”. Disa protokolle informale të shahut kërkojnë që lojtari ta lajmërojë kërcënimin ndaj damës kundërshtare njëlloj si atë ndaj mbretit, duke thënë, në këtë rast “sheh!” (sikurse thuhet “shah!” kur kërcënohet mbreti). Në mjediset ku kam luajtur unë shah në vitet 1970-1980, dama quhej rëndom sheh. Por me gjithë përpjekjet që kam bërë, fjalës sheh si term shahistik s’ia kam gjetur dot prejardhjen; në gjuhët e Lindjes, dama (si gur shahu) quhet vezir (turqisht), wazïr (arabisht) dhe ferz (ферзь[4]) në rusisht, sipas një konfigurimi narrativ më të vjetër të gurëve në fushë, ku mbretin nuk e mbështeste mbretëresha
(një shpikje europiane[5]) por një ministër a këshilltar (veziri). Ç’të jetë, pra, kjo sheh? Rregullën për ta lajmëruar “shahun” ndaj damës thuhet se e kanë sjellë në Europë mongolët, së bashku me rregullën tjetër – që ende e ndesh ndonjëherë mes amatorëve të shahut, në Shqipëri – që lejon ta fillosh lojën duke lëvizur njëkohësisht dy ushtarë (në kohën time, disa e nisnin shahun duke lëvizur njëkohësisht ushtarët e fianketit, në b dhe në g, një kuti përpara; një lëvizje që në shahun modern nuk do të pranohej). Megjithatë, sa kohë që fjala sheh nuk ndeshet gjëkundi si emër i mbretëreshës, duhet të jetë një korruptim i fjalës shah, duke shërbyer ndërrimi a:e si shënjues i diferencës në kuptim; dhe përdorimi fillestar i sheh të ketë qenë brenda formulës shah-sheh, që lajmëron kërcënim të dyfishtë. Një mik imi shahist (Erion Temali), me të cilin u këshillova, më tha se shahistët e klubeve në Kosovë përdorin gjysmë me shaka edhe shprehjen shah-sheh-shuh (për një kërcënim të trifishtë të mbretit, damës dhe torrës), çfarë ma konfirmon tërthorazi hipotezën.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Një koleg në Facebook (Florian Xhamia) më komentoi kështu:
Vezir = ministër/ këshilltar, keshtu që “sheh” ka mundësi të rrjedhë nga arabishtja Sheikh-prijës, plak, i urtë, këshilltar. Shehu në këtë kuptim ka hyrë rëndom si mbiemër në Shqipëri.
Përgjigjja ime:
E kisha menduar këtë lidhje të “shehut” mbretëreshë me me “shehun” si prijës fetar i alevijve dhe, më tej, me sheikh-un e arabëve, por e pata përjashtuar për ca arsye që po i rendit më poshtë.
- Asnjë gjuhë e Lindjes (e sferës persiane-arabe-turkike) nuk e quan damën me një fjalë të lidhur me “sheikh-un”, prandaj zhvillimi kuptimor i emrit të damës në sheh do të duhej të kish ndodhur brenda shqipes – por në një stad kur dama ende nuk ishte damë ose mbretëreshë, pra figurë e gjinisë femërore; sepse nuk do të shkonte një figurë simbolike femërore të fillonte të thirrej me një titull që përndryshe u jepet vetëm burrave.
- Asnjë gjuhë e Lindjes ose e kulturave islamike nuk përdor tituj fetarë për gurët e shahut; madje edhe vetë Islami (përfshi edhe Islamin në Iran) nuk është fort miqësor ndaj kësaj loje dhe atyre që e luajnë.
- Në shqipe sheh e ardhur nga sheikh përdoret kryesisht për eprorin e teqesë ose si titull fetar (Fjalori i GSSH e ka “i pari i një sekti mysliman ose i një teqeje të këtij sekti (me përjashtim të bektashinjve”); me këtë kuptim lidhet, besoj, edhe mbiemri (emër familjeje) shumë i përhapur në Shqipëri.
- Në terminologjinë popullore të shahut, sheh është më parë emër i “shahut ndaj damës” ose një lloj pasthirrme (fjalë që është pjesë e lojës, ita. scacco alla regina) dhe vetëm më pas edhe emër i damës; të paktën mua kështu më rezulton, të paktën ngaqë shprehjen shah-sheh ose “sheh!” e kam ndeshur edhe në njerëz që damën si figurë nuk e quajnë kurrë “sheh”. Shprehja shah-sheh duket sikur e barazon mbretin dhe mbretëreshën, sa kohë që “sheh” përdoret edhe si emër për gurin (damën); por mbretin në shqip nuk e quajnë kurrë shah (kjo figurë quhet shah vetëm në pak gjuhë të tjera, p.sh. në azeri dhe, pjesërisht në turqisht, meqë turqishtja përdor edhe kral.)
[1] Për t’u shënuar se damë dhe mbretëreshë e kanë origjinën semantike në dy koncepte të afërta, por jo identike, për figurën në Europën mesjetare të vonë: si “zonjë e oborrit aristokratik” dhe si “mbretëreshë”.
[2] Nga nëna ime gjirokastrite kam dëgjuar shprehjen “dolli damë e mbi gur”, me kuptimin “i dha vetes një rol më të rëndësishëm se ç’i takonte”, që me sa duket e ka prejardhjen nga loja e damës dhe ka të bëjë me gradimin e gurit në damë.
[3] Nuk kam dëgjuar që dama në lojën e damës të quhet ndonjëherë mbretëreshë.
[4] Kjo nga arabishtja firz, firzan e cila vjen nga persishtja farzin “këshilltar”; dhe gjithsesi pa lidhje me emrin e sotëm të mbretëreshës në arabishte, wazīr (dhe në gjuhë të tjera, si në turqishte, azeri, etj.).
[5] Sipas një shpjegimi nga Freret (Origine du jeu des échecs, 1719) ky ndërrim identiteti i figurës ndodhi fillimisht në Francë, ku emri lindor i figurës ferz, fierz (me kuptimin “ministër, vezir”) u ngatërrua me vierge “virgjëreshë”. Nga ana tjetër, duket e natyrshme, për mjediset aristokratike ku luhej shahu në Europën e Mesjetës, që mbretin ta shoqëronte një mbretëreshë, dhe jo një ferz a vezir, emër pa referencë sociale. Te Birth of the Chess Queen (Perennial, 2005), Marilyn Yalom ka ndjekur historinë e figurës më të fuqishme në shah në kontekstin e fuqizimit të rolit të mbretëreshës, në oborret monarkike të Europës në Mesjetë. Edhe H.J. Murray, A History of Chess, OUP, 1913 thotë se emri “Mbretëreshë” është një inovacion tipik europian, me gjasë i sugjeruar nga pozicioni i figurës në tabelë dhe nga simetria e përgjithshme e konfigurimit të gurëve, që nënkuptonte çiftimin e dy gurëve qendrorë. Për këtë arsye, spanjishtja alfferza, e huazuar nga arabishtja dhe që dokumentohet që në vitin 1283, del si e gjinisë femërore. Për këto shpjegime të fundi shih edhe Henry Davidson, A Short History of Chess, Greenberg, 1949.
Tema e fjalorit te lojes se shahut ne shqip eshte vertete interesante. Sidomos dy-tre libra, nje prej tyre per ndeshjet nderkombetare te shahisteve shqiptare ka qene shume edukues per mua.
Sa per “Sheh” une e kam lidhur gjithmone me Shehrazaden e 1001 perrallave qe ne fund behej mbretereshe.
Scheherazade
Scheherazade, Šeherzada, Persian transliteration Šahrzâd or Shahrzād is a legendary Persian queen and the storyteller of One Thousand and One Nights.