Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LVI)

(nga Stanislaw Lec*)

Marionetat shndërrohen lehtë në të varur. Spangot i kanë gati.

Flakët nga turrat e druve nuk e ndriçojnë errësirën.

Çdo shekull ka Mesjetën e vet.

Ndonjë bumerang nuk kthehet më. Zgjedh lirinë.

Si ta ushtrosh kujtesën, për të mësuar të harrosh?

Syri prej qelqi e sheh që është i verbër.

Kemi të drejtë t’i largohemi së vërtetës? Po, nëse e bëjmë për të ecur përpara.

Ecce homo! Homini lupus est.

Lepuri shkon mirë me panxharin e kuq – tha kuzhinieri.

Thashethemet, kur plaken, bëhen mite.

Ai tipi? Ka një injorancë enciklopedike.

Sikur të ish vonuar edhe pak në takim, unë do të isha gati për t’u bërë Petrarca.

Doja t’i thoja botës veç një fjalë. Meqë nuk arrita dot, u bëra shkrimtar.

Një salto morale është më e rrezikshme se një salto mortale.

U ngjeshën kaq fort njëri pas tjetrit, sa nuk mbeti më vend për ndjenjën.

Këshillë shkrimtarëve: në një moment të caktuar, duhet ndalur së shkruari. Edhe para se të fillohet.

Ra mbi të një hije dyshimi. Në atë hije ai fshihet.

Mos kërko ndihmë gjatë natës. Rrezikon të zgjosh fqinjët.

A është i pranueshëm skepticizmi, si botëkuptim? Skeptikët janë skeptikë për këtë çështje.

Mos e ngacmoni luanin! Pse – e pyeta rojtarin. Sepse vuan nga diarreja, më tha.

Në çdo cep rruge, të bëjnë pritë gjithfarë drejtimesh të reja.

Optimizmi dhe pesimizmi ndryshojnë mes tyre vetëm nga data e fundit të botës.

Të thuash që me zjarrin që u vodhi zotave Prometeu, dogjën Giordano Brunon!

Dialogu i dy gjysmë-intelektualëve është i barabartë me monologun e një çerek-intelektuali.

Ju jap pilula helmi të sheqerosura. Pilulat vetë nuk bëjnë dëm, helmues është sheqeri.

Ndonjëherë më tundon Djalli që të besoj në Zot.

Cave u rri gjithnjë e njëjta ide në gojë, sepse u ka dalë nga vrimat e hundës.

Koha bën punën e vet. Po ti, o njeri?

Vdekjes nuk i vdes kurrë klientela.

Mbulesa e arkivolit nuk ka zbukurime nga faqja e përdoruesit.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin