Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

RRETH VEPRAVE TË EDI RAMËS

nga Erlind Sulko

Dikur kam lexuar një debat të mërzitshëm që përpiu botën artistike: a mundet një vepër me shumë krijues të ketë një autor? Kjo pyetje më duket krejtësisht e panevojshme pasi autori asnjëherë nuk krijon i vetëm. Edhe kur poeti mbyllet në një qoshe të errët të gjithësisë që të rrëfejë diçka që mund mos ta lexojë askush, sado e tejskajshme të jetë vetmia e tij, kur ai vendos të shkruajë: aty flet vetë gjuha, flet tradita që ai e shpall apo kundërshton, flet familja e tij, flasin miqtë dhe armiqtë e tij, flet qyteti ku ai jeton, flet marrëdhënia e tij me veten, tjetrin dhe të hyjnishmen. Pra, edhe kur arti sendërgjohet me një ndërgjegje të plotë të një veprimi vetjak, ajo përherë shpall të përbashkëtën dhe frymën – në këtë rast shndërrimin e përbashkët të njeriut në atome të veçuara që qëndrojnë përkohësisht të ndara nga njëri tjetri.

I shikoj këto qartësime për natyrën e artit të nevojshme për të kuptuar veprat artistike të Edi Ramës. Ka pasur deri tani një qasje të përgjithshme në ligjërimin publik se veprat artistike të Edi Ramës janë një mbulesë propagandistike e pushtetit të tij politik. Kjo qasje është shqiptuar më qartësisht nga Eriola Pira në një ballafaqim që ajo ka pasur me Edi Ramën në New York në nëntor të vitit 2016, ku ajo e akuzon se “politika në përgjithësi dhe veçanërisht politikat e tij mungojnë krejt [në veprat e tij], janë të padukshme, ose të shpëlara me art”. Pavarësisht se ndaj të njëjtin shqetësim politik për gjendjen e përgjithshme të artit dhe shoqërisë në Shqipëri, ndaj një mendim tjetër për sa i përket veprave të tij artistike. Më poshtë do mundohem të shfaq pikërisht se si veprat artistike të Ramës, mbase në mënyrë të pandërgjegjshme, shpallin frymën politike ku ndodhemi – në vend që ta mbulojnë atë. Fryma që na shfaqet në veprat e Ramës është shndërrimi i politikës në zbavitje mediatike.

Në gjithë veprat e Edi Ramës shohim një përplasje të vazhdueshme midis detyrës së pushtetit dhe mbulimit të detyrës nëpërmjet ngjyrave të këndshme.

Edi Rama Untitled (221), n.d.

 

Këtu shohim kalendarin e lodhshëm të ditës, me takime të njëpasnjëshme, me numërime të shumta që ecin nëpër oraret. Duket që e gjithë dita është e ndarë në viza të ftohta, në orë pune dhe përkushtimi. Të gjitha këto shfaqin fushën e detyrës së lodhshme politike, të politikës si një shërbim dhe flijim për tjetrin. Por, siç shohim qartësisht kjo fushë e detyrës është pak nga pak duke u pushtuar nga ca ngjyra të çuditshme. Këto ngjyra janë fusha e mbulimit zbavitës: ajo është në kundërshti të plotë me rregullat, përllogaritjet dhe punët e ditës.  Në cepin e sipërm djathtas shohim edhe një parashikim: ngjyrat kanë mbuluar plotësisht ditët e ardhshme. Kjo është ardhmja që po na pretë. Mbulimi i detyrës me zbavitjen e pakuptimtë të bojës, me gajasje nëpër emisione ku fliten për njerëz të vdekur, me jargavitje në parlamentin e vjedhjes, apo një përcjellje me shaka e të rinjve që po e braktisin këtë vend gjerësisht. Politikanët gjithkund, jo vetëm në Shqipëri, po shndërrohen ngadalë në karaktere qesharake brenda një komedie të errët, ku çdo gjë përligjet nëpërmjet një shakaje.

Parashikimi na doli, fatkeqësisht, i vërtetë: ja ku po e shikojmë në punimin e më poshtë se si ngjyrat po zmadhohen dhe ngadalë po i zaptojnë gjithë detyrat. Vështroje me kujdes se si ngjyra e stilolapsit që më përpara ishte përdorur për të shkruar detyrat e ditës, tani është brendësuar  nga ngjyrat. Ndarja midis zbavitjes dhe detyrës po fillon të zhbëhet. Kundroje se si në cepin e sipërm majtas ngjyrat kanë mbuluar numrat 6916. A thua se do mbijetojnë gjatë? Po ato pika ngjyrash në orën 7 të mëngjesit? A thua të jetë një emoxhi apo status mbresëlënës fejsbuku? Apo ndonjë artikull për turizmin elitar?

Edi Rama March 08, 2013

Dhe dita ditës ngjyrat e etura përhapen gjithkund. Punimi i radhës e vërteton këtë.

Edi Rama Untitled, (n. 731)

Tanimë gati e tërë gjithësia është shndërruar në ngjyra. Shohim një numër në pjesën e sipërme të punimit që po mundohet ti shpëtojë ngjyrave. Por a do mundet? Kush ka guxim ta marri, ta shpëtojë? Realiteti i përhapjes së ngjyrës është i pandalshëm, i frikshëm.

Ngjyrat e Ramës nuk janë si ngjyrat e Pollokut: ato nuk derdhen në tablo për të qëndruar aty përjetësisht. Jo. Këto janë ngjyra që lëvizin, ngjyra të etura për pushtet, ngjyra që duan të pushtojnë çdo gjë përreth. Ja ku shohim edhe zhvillimin e mëvonshëm të ngjyrave.

Edi Rama Untitled (2016)

Shikoje me kujdes se si këtu është zhbërë plotësisht rendi ditor. Nuk kemi më ndarje të ditës në orë apo detyra. E vetmja gjë që na ngelet është një kujtim i mjegullt i detyrës në pjesën e sipërme të punimit. Siç e shohim aty, detyra politike dhe flijimi për tjetrin tani është skllavëruar plotësisht nga ngjyra, me pranga të kaltra. Fjalët duken sikur janë duke vuajtur: shfaqen të zbehta. Nuk e dinë se sa do rrojnë ashtu të burgosura nga ngjyra. Po edhe po u liruan fjalët, çfarë do i presë? Një zbrazëti e pafundme e botës së përjashtme. Prandaj dhe fjalët janë të pashpresa: e pranojnë të heshtura burgosjen. Nuk presin më asgjë nga askush.

Ngjyrat nuk janë të pafajshme. Ato nuk janë buzëqeshja e fëmijës që ka kërshëri ta njohë botën. Jo, jo: kjo është buzëqeshja e dhunuesit, shakaja e pushtetarit. Ngjyrat ecin dhe zhvillohen deri sa marrin trajtën e tyre përfundimtare: ato shndërrohen në një përbindësh të frikshëm. Këtë gjë shohim në punimin e mëposhtëm.

Pasi ngjyrat pushtuan çdo gjë, thelbi i fshehur i tyre na shfaqet në plotësi. Zbavitja e tepruar është kthyer në një përbindësh. Shakaja e përsëritur në ankth. E pavarësisht se ngjyrat janë më të frikshme në trajtën përfundimtare të përbindëshit, po ta kundrojmë me kujdes do vërejmë se kjo është shfaqja e vetme ku edhe vetë ngjyrat janë të frikësuara. Përbindëshi duket i paqetë: në çdo cep është i rrethuar nga fjalë dhe numra që po ngrihen kundër.

(c) 2019, autori.

3 Komente

  1. Duke ndjekur datat e pikturave, (e fundit dallon e v. 2005), vihet re nje perzierje perhere e mw e madhe e figurave konkrete dhe abstrakte, po ashtu edhe ngjyrat jane nderthurur me njera-tjetren ne nje mish-mash te pakuptueshem. Nwse pikturat e tij pasqyrojne edhe organizimin e jetes se tij si kryetar ekzekutiv shteti, (sic thote Erlindi), atehere dalim ne konkluzionin, qe ne vitin e ardhem do te kemi ndonje pikture pa forme e imazh, pa ngjyra te dalluara sakte, pa kurrfare figure konkrete e abstrakte, pa kurrfare imazhi, keshtu sic do te jete organizimi i tij i punes, nje katastrofe e vertete dhe e pakuptueshme nga gjithkush. Mendoj se ky kryeminister duhet ndihmuar, te pakten deri ne zgjedhjet e ardhme te v.2021. Ne te kunderten do te ike, (apo dhe mund te vazhdoje), duke e lene kete vend ne nje vakum katastrofal.

  2. Erlind,
    Me duket se ke zgjedhur ato vizatime qe te vertetojne teorine. Lidhjet ne logjiken tende te arsyetimit nuk perkojne me progresin kohor a zhvillimor te puneve. Nuk me bind shkrimi. Besoj se per trajtimin artistik dhe ideologjik te ketyre puneve duhet te kemi nje trajtim me teresor te te gjithe prodhimit. Nuk mund te flas per vleren e tyre edhe sikur te kene dicka, por qe te gjesh natyren konkrete te ER ne kete grup punimesh te tij, duhet me shume pune besoj dhe me prirjen qe te interpretohet jo vec nga autori tek vepra, por edhe me kah nga vepra tek autori.
    Por ndoshta ky eshte vec nje fillim…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin