Te një op-ed në kanalin e lajmeve RT (Belittling of language…*), Sophia Narwitz tërheq vëmendjen për censurën leksikore të imponuar, në SHBA por jo vetëm, nga zelltarët e korrektesës politike në anglishte.
Falë edhe hapësirës që u japin rrjetet sociale, këta censorë të tipit të ri kërkojnë të mbrojnë pakicat e ndryshme nga fyerjet – edhe pse të pavullnetshme – që mund t’u shkaktojë anëtarëve të tyre ligjërimi i përditshëm.
Autorja citon përpjekjen për të zëvendësuar shprehje të tilla të rëndomta, si blind spot (literalisht, zonë e verbër; pika e hyrjes së nervit optik në retinë; një zonë që dikush nuk e sheh dot, për shkak të një pengese) me barasvlerat e tyre neutrale, si dead angle; kjo, ngaqë blind mund të perceptohet si fyese nga një i verbër (angl. blind).
Dukuria diskursive në fjalë, e quajtur ableism, thuhet të ketë si efekt (anësor ose të drejtpërdrejtë) diskriminimin e personave me paaftësi fizike ose mendore.
Duke i përshtatur shembujt nga anglishtja në shqipe, i bie që edhe një fjalë e tillë si qorrsokak të hiqej nga përdorimi, ngaqë mund të cenonte sërish të verbrit; pa folur për familjen e sinonimeve i marrë, i krisur, i çmendur, i luajtur, psiko, me një dërrasë mangut, me një vidhë mangut, të cilat mund të lëndojnë personat me patologji mendore; po ashtu, fjalë si çalaman ose i çalë mund të lëndojnë personat me probleme në ecje, edhe kur përdoren në mënyrë të figurshme – p.sh. krahasim i çalë, ose justifikim i çalë.
Dy anë të kësaj censure tërheqin vëmendjen: shpërfillja e kontekstit, që ndodh sa herë që gjykohet se një metaforë, ta zëmë miopi politike, mund të lëndojë personat që vuajnë nga miopia; dhe gatishmëria e censorëve, ndonjëherë të vetëshpallur, për të sulmuar ligjërimin e tjetrit vend e pa vend.
Fakt është që leksiku i anglishtes, sikurse i çdo gjuhe tjetër, është i pasur me metafora “fosile”, të cilat nisen nga anomalitë fizike, për të shënjuar anomali të një lloji tjetër: kur flasim për paralizë politike, nuk kemi për qëllim të përçmojmë personat e paralizuar, pa çka se ka nga ata që sot duan ta korrigjojnë këtë lloj përdorimi.
Susan Sontag pat shkruar dikur se “raca e bardhë është kanceri i historisë njerëzore” (në 1967, në Partisan Review), por më pas kërkoi të falur për këtë metaforë, meqë lëndonte të sëmurët nga kanceri; dhe pastaj e shtjelloi argumentin në një libër, Illness as metaphor.
Anglishtja ruan në leksik gjurmë të shumta të mendësive tashmë të tejkaluara – të cilat mund të bëhen problematike, kur është fjala për qëndrime raciste ose diskriminuese të Tjetrit; siç mund të pritej për gjuhën e një perandorie që ka sunduar gjysmën e botës.
Por problematikat e sotme të luftës kundër diskriminimit seksual kanë prekur drejtpërdrejt edhe gramatikën – për shkak të gjinisë në përemrat he, she, his, her.
Kjo lloj lufte do të merrte përmasa absurde, po të zbatohej në gjuhë si shqipja ose gjuhët neolatine ose gjermanike dhe sllave, ku gjinia si kategori gramatikore ndeshet në krejt sistemin emëror.
Në përgjithësi, sistemi edhe gramatikor edhe leksikor i një gjuhe ka nevojë për kategorinë e “normales”, të cilën shpesh e përkufizon duke ia kundërvënë “anormales”.
Shpesh anormalja ofrohet si kundërshembull për gjykime të vlerës – kështu, sa kohë që shëndeti është i preferueshëm ndaj sëmundjes, metaforat e ndërtuara mbi patologjitë fizike do të përdoren – dhe në fakt përdoren – për të artikuluar preokupimet tona me problemet.
Por nëse themi se një situatë e padëshiruar po na jep “dhimbje koke”, kjo nuk duhet marrë si një fyerje tinzare ndaj atyre që vuajnë nga migrena; sikurse akuza për “diarre verbale” nuk duhet të keqkuptohet nga ata që vuajnë nga koliti; dhe cilësimi i një romani si “anemik” nuk duhet të lëndojë personat me probleme hematologjike. Po ashtu, një person i munduar nga flatulenca kronike, nuk ka arsye të shqetësohet kur dëgjon shprehjen “pordhac”.
Apo ka, madje duhet të ketë?
Meqë gjuha ruan në vete, të normalizuara, gjurmë mendësish përndryshe shpesh të kapërcyera, atëherë nuk është për t’u çuditur që viktimat e këtyre mendësive të kërkojnë më shumë vetëdijesim gjuhësor, për përdorimet problematike.
Kështu është komentuar, ndoshta me të drejtë, se përdorimi i termave të tilla si anadollak dhe turkoshak mund të lëndojë komunitetin mysliman në Shqipëri; sikurse është gjykuar se shprehje të tilla si flet si gru e keqe përcjellin diskriminim gjinor.
Njëlloj janë denoncuar terma përçmues, si malok dhe kat(u)nar, të cilat shpesh e synojnë fyerjen drejtpërdrejt.
Askush nuk e mohon dot se gjuha, edhe në gramatikë edhe në leksik, përcjell gjithnjë një ideologji – e cila mund të bjerë ndesh me ideologji të tjera. Kështu, shqipja dhe shumë gjuhë të tjera, i formojnë emrat mocionalë (të gjinisë femërore) me prapashtesa, nga temat e gjinisë mashkullore: plak > plakë, doktor > doktoreshë, aktor > aktore, buall > buallicë; çfarë nënkupton se mashkullsia është disi primare, në raport me femërsinë, e cila rezulton e derivuar. Dukuria e kundërt shfaqet më rrallë, por nuk është se mungon: patë > patok, rosë > rosak, mace > maçok. Por vështirë ta ndash këtë veçori gramatikore të fjalëformimit nga maskilizmi.
Pyetja që kërkon përgjigje është nëse ndërhyrja në ligjërim, për ta pastruar nga fosilet e ideologjive tashmë të padëshiruara, të lëna pas, të diskredituara, të dëmshme, etj., mund të ndihmojë mirëfilli për t’i luftuar pasojat e ideologjive përkatëse.
Nëse një fjalë si jevg shpallet si diskriminuese dhe kërkohet zëvendësimi i saj me egjiptian, a do të ketë kjo ndikim në statusin e kësaj pakice brenda shoqërisë shqipfolëse? Apo mos thjesht do t’i bëjë folësit publikë të thonë egjiptian dhe të nënkuptojnë jevg, ose të vetë-censurohen? Sa vetë-censurë mund të durojë ligjërimi publik, pa u cenuar dhe gjymtuar liria e të shprehurit dhe e të menduarit?
Dukuria u ngjan mjaft përpjekjeve për të pastruar ligjërimin shqip nga fjalët e huaja ose edhe “të huaja”.
Në çdo rast, modifikimi i leksikut (dhe i gjuhës) nga zelltarët e korrektesës politike bazohet në bindjen se korrigjimi i të shprehurit do të çojë edhe në korrigjim të mendimit. Kritikët e kësaj qasjeje e krahasojnë atë me distopinë linguistike të Orwell-it, në romanin 1984, ku “krim-mendimi” (thoughtcrime) do të pamundësohej nëpërmjet reformimit gjuhësor.
Pa folur pastaj që flamurtarët e reformave leksikore të tanishme jo rrallë i shohin këto si vektorë për të përçuar axhendat e tyre mirëfilli politike dhe ideologjike, gjithë duke u dhënë flamurtarëve vetë privilegjin etik (si priftërinj të korrektesës). Me fjalë të tjera, përpjekja e maskuar si e bazuar në mos-diskriminimin imponon një politikë që, në fakt, diskriminon kundër lirisë së fjalës.
Op-ed-i i Sophia Narwitz-it duket i shkruar me bon sens dhe prek çështje të cilat, në SHBA por jo vetëm, janë kaq të nxehta, sa mund të shkatërrojnë karriera. Janë të panumërta rastet kur gazetarë, publicistë, profesorë universiteti dhe të tjerë profesionistë të fjalës kanë humbur punën ose janë “pushkatuar” moralisht në rrjetet sociale, ngaqë kanë thënë ose u ka shpëtuar diçka politikisht jo-korrekte; dhe po aq të panumërta janë rastet kur këto viktima të politikishtes korrekte vihen të kërkojnë falje në publik, për fjalë që mund t’u kenë shpëtuar.
Çfarë është ironike, në këtë mes, është se ky artikull i Narwitz-it botohet në kanalin RT, i cili kritikën shpesh të arsyeshme ndaj politikave dhe kulturave në SHBA dhe në BE e themelon mbi censurën më absolute, kur vjen fjala për Rusinë e Putinit, frymëzimet dhe modelet e saj politike. Censura e këtij kanali është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e autoritarizmit burokratik sovjetik; ndërsa censura e korrektesës politike lidhjet me këtë lloj autoritarizmi i ka më të ndërmjetësuara (me gjasë, i ka rrënjët te bindja leniniste se “interesi i Partisë duhet trajtuar si realitet që ka përparësi ndaj realitetit vetë”, karakteristike për Kominternin në vitet 1930). Por të dyja shërbejnë njëlloj për ta topitur mendimin dhe për t’i penalizuar freethinkers.
© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.
Imazhi në kopertinë: © DW.
(*) Linkun drejt artikullit mund ta gjeni duke e kërkuar në Google.
Tema eshte e rendesishme. Tejet e rendesishme. Dhe jam pleasently suprised qe Xhaxhai hedh ne shqip mendime qe edhe ne gjuhe te tjera( aq sa c`kam qene ne gjendje te shoh vete) nuk jane pjese e rrymes kryesore Kontrolli i fjales eshte kontroll i mendimit. Kontrolli i mendimit eshte kontrolli i ideologjise. Kontrolli i ideologjise eshte kontroll i politikes, kontrolli i politikes eshte kontroll i ekonomise, kontrolli i ekonomise eshte kontroll i shoqerise ( pjestareve te saj). Se cfare eshte kontrolli i shoqerise, ata qe kane jetuar ne Shqiperi deri ne vitin 1989, e dine fort mire, si format , ashtu edhe konsekuencat e saj.
Nese formati i deri tanishme i avancimit te shoqerive ka qene i mbeshtetur mbi patriarkatin dhe pronen private, dhe gjithe “rrobat ” ( kulturore, filozofike dhe etike) e tyre, ata qe propozojne zevendesimin e tyre, nuk eshte fort e qarte se cfare kane gjetur te re, qe te jete krejt ndryshe nga pervojat e meparshme, ku shteti eshte ose behet epiqendra , deri dhe ne raison d’etre e ekzistences se shtetasve nen suazen e vet. Nga c’kam lexuar dhe perjetuar, cdo centralizim i jetes se nje shoqerie, cilado qofte arsyeja per kete zgjedhje, sjell varferimin material te pjestareve te kesaj shoqerie. Pa as edhe nje perjashtim.
Ky fenomen, me reagimin e skajshëm vetëmbrojtës deri në absurditet, ngjan si një lloj skizofrenie kolektive, që mendoj se buron nga ndërgjegja historike e Perëndimit, së cilës i ka munguar ballafaqimi i nevojshëm për përvoja si antisemitizmi, skllavëria, “misioni qytetërues”, darvinizmi social, historia e përgjakshme brenda vetë Evropës, dy luftrat botërore dhe mbi të gjitha Holokausti (do të përmendja edhe të tjera, si komunizmi, kapitalizmi, shteti modern etj., por po marr vetëm ato që formalisht janë dënuar me njëfarë konsensusi). Pa ballafaqimin e duhur, këto fantazma do të vazhdojnë të popullojnë nënvetëdijen e shoqërive perëndimore dhe t’i përndjekin këto shoqëri duke prodhuar skizofreni.
Një aspekt tjetër i fenomenit është rënia e metaforës, ose si të thuash, një lloj zhdimensionimi dhe çkontekstualizimi i ligjërimit, ku ky i fundit nuk përcjell më kuptime të integruara ku fjalët i japin përmasë njëra-tjetrës dhe kuptohen si pjesë e një tërësie. Kjo ndoshta ka të bëjë me paaftësinë gjithnjë e më të madhe për të konceptualizuar e sidomos kontekstualizuar në përgjithësi, me mungesën e formimit gjuhësor e logjik e të tjera probleme të kësaj natyre, por mbi të gjitha mendoj se reflekton një dezintegrim që në aspektin më të pafajshëm shfaqet në formën e një destabiliteti social ku struktura sociale ndryshon shumë shpejt e shkakton pasiguri, dhe në aspektin më të keq në pornifikimin e shoqërisë, edhe në kuptimin më të ngushtë edhe në atë më të gjerë të fjalës, si materializëm. Mjaft domethënëse në këtë kuptim është vdekja e poezisë – çka nënkupton, sigurisht, jo rënien e numrit të botimeve me poezi, por zhdukjen e asaj poezie që e bën transparente botën duke dalë nga zemra për t’i folur zemrës. Me pak fjalë, ky lloj rrëzimi i metaforës shënon vdekjen e zemrës.
Metafizikisht e gjitha kjo më evokon shpërbërjen e komunikimit rreth Kullës së Babelit, si fati i pashmangshëm i një shoqërie apo qytetërimi që niset të sfidojë qiellin në emër të lavdisë së njeriut.
I ke rënë në kokë: këta njerëz nuk e duan njëri-tjetrin.
Mbase eshte fjala per nje tendence me shume se kaq, per te riveshtruar mjaft elemente te … qyteterimit (se nuk po gjej fjale tjeter) ne gjuhe se pari, por edhe me tej.
Lexova diku se B. Obama ne fjalimin e perurimit te fondacionit qe mban emrin e tij, jo shume kohe me pare, kritikoi tendencen “woke” , një lloj pastërtie ideologjike. Sipas tij : « ka njerez qe mendojne se per te ndryshuar gjerat mjafton te gjykosh dhe kritikosh te tjeret ». (gje qe me kujton faktin e sjelle ne shkrim se zevendesimi a shmangia e shprehjeve te tilla si blind spot mund te kete ndikim direkt ne vete moslëndimin e personave qe vuajne nga nje handikap i tille.
Dhe gjate perurimit te fondacionit te tij ne Berlin, shoku n efjale per te njejten teme shtoi se : nje gje qe me shqeteson te progresistet ne Amerike eshte … nje lloj ngurtësie .. »
Larg një tendence të tillë nuk shoh edhe një fakt tjetër. Ka shume vite me pare, që në shkollën e kalamajve, në biseda më mësuesit e tyre ishte me mirë të shmangie bisedat kur vinte fjala te temat e perrallave me “ujkun e keq”.
Kjo sepse rrezikoje qe mësuesi te merrte veç per te te shpjeguar se ky “opinion” per ujkun qe percillet pastaj edhe tek fëmijët nëpërmjet përrallave nuk eshte i pafajshem ne “opinionin” qe ekziston mbi vete ate kafshe fisnike (te sjellin edhe nje shembell se ne Evrope sulmi i fundit i nje ujku ndaj njeriut eshte rregjistruar me shume se 300 vjet me pare) dhe qe përfundimisht ka ndikuar fuqishem ne pothuajse zhdukjen e tij.
Eshte e qarte se ne te gjitha keto ka nje lloj ekstremizmi aty brenda, por kam përshtypjen se nuk mungojne edhe gjerat pozitive.
Po te mos dilja nga tema do te shkruaja gjate per akrobacite e Akademise franceze per te zevendesuar termin historik “neger”, ne rastin kur perdoret per shkrimtaret ne hije qe shkruajne romane a autobiografi per personalitetet te ndryshme qe pastaj dalin me emrin e ketyre te fundit. Natyrisht, qellimi eshte “per te mos lenduar”.